Ky nëntitull, në të vërtetë, është një deformim i fjalës së urtë Miku njihet që është mik në të keq dhe në rrezik. Por mëqenëse në historinë e marrëdhënieve greko-shqiptare nuk gjendet as edhe një rast i vetëm që të shërbejë si kontekst i goditur i përdorimit të kësaj fjale të urtë kuptimplote, mua s’më mbetej gjë tjetër, veçse, mbi bazën e asaj ekzistueses, të sajoja një tjetër të tillë, e cila shpreh në mënyrë të koncentruar natyrën agresive të shovinizmit grekomadh në qëndrimin ndaj kombit shqiptar në çastet më të vështira të jetës së tij
Këtu nuk është nevoja të ndalem aspak në krimet e shtetit shovinist grek dhe të kishës shoviniste greke kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, kur na helmoi pionierët e saj, si Naum Veqilharxhin, Anastas Kulluriotin, Papa Kristo Negovanin, Koto Hoxhin, Petro Nini Luarasin dhe na vrau shumë të tjerë. Këtu, me fakte, do të përmend vetëm disa nga çastet më të vështira që ka përjetuar kombi shqiptar në historinë e vet, pas shpalljes së pavarësisë, kur Greqia, si shtet fqinj, paçkas e nuk na ka dashur kurrë, të paktën duhej të tregohej korrekte me ne. Ajo mund edhe të mos e ndihmonte Shqipërinë për kapërcimin e situatave të vështira, madje të rrezikshme, që ia ka imponuar shovinizmi evropian i Fuqive të Mëdha, i cili, për interesin e ortodoksisë sllavo-greke, është munduar ta zhdukë fare Shqipërinë nga harta e Evropës. Shqipëria Londineze duhet t’u jetë mirënjohëse vetëm armëve të veta dhe SHBA për mbijetesën e saj. [Prof.Meta na jep në dy vëllimet e veta një mori faktesh, që tregojnë se SHBA kanë ndërhyrë drejtpërdrejt për të shpëtuar këtë ngastër Shqipërie që mbeti pas copëtimit që i bënë paturpësisht ujqit evropianë në Londër në vitin 1913]. Pra, Greqia të mbante, së paku, një qëndrim asnjanës ndaj vendit tonë dhe të na linte t’i përballonim vetë fatkeqësitë tona. Jo! Përkundrazi! Greqia, pikërisht atëherë kur vendi ynë përpëlitej për të mbijetuar në kulmin e fatkeqësive që e kishin pllakosur, është turrur për ta gllabëruar pabesisht, pikërisht si nepërka që rri strukur në pusi, në pritje të presë së vetë. Le t’i shikojmë faktet me radhë.
Së pari, disa ditë pas shpalljes së pavarësisë, shteti shovinist grek, tamam si bandit, dërgoi në ujërat e Gjirit të Vlorës kanonieret e veta dhe filloi bombardimin e qytetit, duke prerë, në të njëjtën kohë, edhe kabllon e lidhjes telegrafike me Italinë (shih: Eqrem bej Vlora. Kujtime, 2, f.18, 21-22).
Së dyti, në vitin 1913, kur populli shqiptar, ende i paorganizuar mirë në një shtet të centralizuar, për shkak të pazareve që po bënin Fuqitë e Mëdha në Londër për copëtimin e trojeve tona etnike, shteti shovinist grek shfrytëzoi pabesisht rastin për të kryer barbarizma në Shqipërinë e jugut. Ja se çfarë shkruan Faik Konica për ato çaste tragjike në një letër që u dërgonte nacionalistëve Dervish Duma dhe Andon Logoreci, më 6 dhjetor 1940: “Nuk do t’ju mërzis duke iu referuar historisë së shkuar, për t’ju treguar se çfarë i ka bërë Greqia Shqipërisë Jugore.., që do t’ju rifreskojë kujtesën rreth barbarizmave greke të vitit 1913: vrasje të shumta, djegie sistematike, përdhunime pa numër, madje edhe vajzash nën 15 vjeç” (vëllimi 4, f.276-277).
Së treti, me fillimin e Luftës I Botërore, shteti shovinist grek organizoi pabesisht në Jug të Shqipërisë të ashtuquajturën “lëvizje popullore” dhe formoi “Qeverinë Autonome Vorio-Epirote”, me qëllim që, në kundërshtim me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të 11-12 gushtit 1913 për përcaktimin e kufijve jugorë dhe juglindorë të Shqipërisë (edhe pse Greqisë i ishte aneksuar një ndër “thelat më të majme” të trojeve shqiptare - Çamëria), të realizonte aneksimin e “Epirit të Veriut”. “Kjo formë qeverie ishte ngrehur nga qeveria greke, vënë në veprim prej saj, e paguar prej saj, e përkrahur politikisht dhe ushtarakisht prej saj” (Sejfi Vllamasi. Ballafaqime politike në Shqipëri. 1897-1942, f.73). Dhe “ndërkaq “bandat vorio-epirote” (8070 ushtarë grekë dhe vullnetarë kretanë, së bashku me oficerët e tyre të liruar nga ushtria e rregullt) kryen masakra të tilla të turpshme, që mund të krahasohen mbase vetëm me mizoritë e hunëve, siç tregojnë kronikat e Mesjetës” (Eqrem bej Vlora, po aty, f.39). Madje ushtria greke, në kulmin e Luftës I Botërore, e ripushtoi Shqipërinë e Jugut “dhe në mars rë vitit 1916 Greqia e shpalli, me dekret mbretëror, aneksimin e saj…” (Tensioni greko-shqiptar…, f.20).
Së katërti, pas Luftës I Botërore, në Konferencën e Paqes në Paris, kur Fuqitë e Mëdha përsëri po diskutonin për copëtimin përfundimtar të Shqipërisë mes ortodoksisë sllavo-greke, gjë që s’u realizua falë ndërhyrjes së presidentit amerikan, Uillson, kryeministri shovinist grek, Venizellosi, “u përpoq me të gjitha forcat të fitonte bekimin për realizimin e ambicieve territoriale në kurriz të Shqipërisë. Më 13 shkurt 1919 ai i kërkoi Konferencës aneksimin e Shqipërisë së Jugut nga Greqia” ( po aty, f. 22).
Për realizimin e qëllimeve të veta aneksioniste ndaj Shqipërisë së Jugut, pikërisht në çastet e luftës për mbijetesë të kombit shqiptar, shteti shovinist grek ka vënë në funksionim edhe mekanizmin e shpifjes, e cila në Greqi është një “shkencë” me arritje shumë të shënuara. Falsifikimi i së vërtetës, mashtrimi dhe shpifja kanë qenë dhe mbeten tipare karakteristike të kodit moral të diplomacisa greke. Zhan Zhak Ruso thotë: “Të gënjesh vetveten për përfitime personale do të thotë të bësh një falsifikim, të gënjesh për një tjetër njeri do të thotë të mashtrosh, kurse të gënjesh me qëllim që të dëmtosh dikë do të thotë të merresh me shpifje”. Dhe shovinizmi grekomadh ka shpifur pikërisht për ta dëmtuar kombin shqiptar. Kështu, Faik Konica, në një letër që i dërgonte Fan Nolit më 26 gusht 1940, e njoftonte si më poshtë: “… po ju komunikoj juve një lajm me rëndësi, nga një burim diplomatik grek i sigurt: Greqia ka përgatitur një memorandë për Konferencën e Paqes, ku do të provojë se Shqipëria është bërë një vatër panislamike dhe një sukursalë e Mustafa Qemalit” (vëll.4, f.218). Pra, diplomacia greke, për të “shpëtuar” Evropën nga “krijimi” i një vatre “panislamike” shqiptare, kërkonte që Shqipërinë ta fuste në “gjirin” e ortodoksisë greke. Gjynah që s’ia dëgjoi fjalën presidenti Uillson! Greqia për “të mirën” e krishtërimit evropian “po përpiqej”!
Në një informacion të ambasadës sonë nga Moska për Behar Shtyllën, datë 8 tetor 1956, thuhej: “MPJ e B. Sovjetik i ushqeu shpresat e udhëheqjes shqiptare se mundësitë për vendosjen e marrëdhënieve me Greqinë ishin reale. Ajo njoftoi ambasadorin shqiptar në Moskë, se nga bisedimet me deputetët grekë dhe me të dërguarin special të qeverisë greke, kishte arritur në konkluzionin që tani Greqia dëshironte të përmirësonte marrëdhëniet me Shqipërinë, porse ajo gjente kundërshtim nga amerikanët” (Shqipëria dhe Greqia…, f.125).
Një shpifje tipike greke kjo, sa e poshtër, aq edhe cinike, që kishte si qëllim pikërisht armiqësimin edhe më shumë të Shqipërisë me SHBA. Po si qëndronte e vërteta? SHB vazhdimisht kanë qenë për normalizimin e marrëdhënieve të Greqisë me Shqipërinë, jo vetëm sapo mbaroi lufta civile atje, por edhe në vijim, deri sa ato u vendosën faktikisht më 6 maj 1971. Le t’u drejtohemi fakteve që hedhin poshtë shpifjet e ulëta greke: “Ambasadori amerikan (në Beograd më 1949 - E.Y.) Kanon pohonte: “Ne do të presim që zhvillime të tilla të bëjnë të mundur marrëdhënie të mira të Shqipërisë me Greqinë… dhe ta orientojmë Shqipërinë nga Perëndimi” (Tensioni greko-shqiptar…, f.625). Ja edhe një tjetër fakt i vitit 1963, që hedh poshtë shpifjen greke: “Me qëllim që Shqipëria të hapej drejt Perëndimit, amerikanët e mirëprisnin një dialog të saj me vendet perëndimore. SHBA dëshironin marrëdhënie të reja tregtare dhe, gradualisht, të zgjeronin njohjen diplomatike të Shqipërisë, duke pasur parasysh që kjo njohje të bëhej edhe nga Greqia” (Shqipëria dhe Greqia…, f.197). Ja edhe një fakt i tretë i vitit 1966: “Qeveria amerikane e konsideronte çështjen e vendosjes së marrëdhënieve me Shqipërinë si një vendim, që duhej ta merrtë vetë qeveria greke, në bazë të interesave të saj dhe se qeveria greke ishte në gjendje të gjykonte për perspektivat dhe rrjedhojat më mirë se Vashingtoni. Qeveria e SHBA, as në të shkuarën, dhe as në të ardhmen, nuk kishte kundërshtuar dhe nuk do të kundërshtonte përpjekjet e qeverisë greke për të hequr gjendjen e luftës dhe për të vendosur marrëdhëniet diplomatike” (po aty, f.200).
Ja edhe një tjetër shpifje e vitit 1966 kundër Shqipërisë nga arsenali i shpifografisë greke, që kishte për qëllim armiqësimin e Evropës me Shqipërinë, një shpifje e fëlliqur kjo, që mbështetej edhe nga Moska, “mikja” e deridjeshme e popullit shqiptar:
“Ndërsa Tirana po përsëriste ofertat për normalizimin e marrëdhënieve, shtypi grek ngriti në këmbë opinionin vendas mbi rrezikun që i kanosej Greqisë dhe Evropës nga instalimi i raketave kineze në territorin shqiptar… Ajo (Shqipëria - E.Y.) u krahasua me rrezikun që paraqiste Kuba për SHBA. Gazeta “Eleftheros Kosmos” theksonte se… ekzistonte mundësia që Kina komuniste të kërcënonte Evropën nëpërmjet Shqipërisë në të ardhmen… Pikërisht në këtë kohë, edhe Agjencia Sovjetike e lajmeve njoftoi se Shqipëria po ndërtonte një bazë raketash bërthamore me ndihmën kineze, rrezja e të cilave mbulonte gjithë zonën e Evropës” (po aty, f.204-205).
Si gjithmonë, edhe këtë herë diplomacia amerikane doli në mbrojtje të Shqipërisë: “… Departamenti i Shtetit e vuri në dyshim vlerën e këtyre informacioneve sepse: nuk kishte të dhëna që kinezët të kishin aftësi për ndërtimin e një baze të tillë; nuk kishin arsye të dukshme që të ndërtonin një bazë të tillë në Evropë dhe sepse as shqiptarët as kinezët nuk mund të fitonin ndonjë gjë duke ndërtuar një bazë të tillë. Madje, përkundrazi, në rastin e ndonjë krize, ekzistenca e një baze të tillë do ta shndërronte Shqipërinë në një objekt primar goditjeje” (po aty, f.205).
Pas shembjes së komunizmit, në vitet 90-të të shekullit të kaluar, një tjetër pinjoll i shovinizmit grekomadh, një armik i betuar i kombit shqiptar dhe i kombit turk, një gjeneral ultrashovinist grek me emrin Nikolaos Grilakis, ish-këshillëtar i kryeministrit Micitaqis, në një libër me kujtime, të botuar në vitin 2001 me titull: “…zbuloj ngjarjet dramatike të dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të 20-të në Greqi dhe në Ballkan, siç i jetova”, vazhdon të notojë në ujërat e fëlliqura me shpifjet e diplomacisë shoviniste greke dhe të shtetit shovinist grek. Greqia nuk rri dot pa shpifje kundër kombit shqiptar. Në artin e shpifjes ajo gjen ngushëllim për mosrealizimin e objektivave “madhore” të shovinizmit grekomadh - kthimin e trojeve të Perandorisë Bizantine, për trashëgimtare të së cilës e mban veten edhe sot e kësaj dite.
Ky gjenerali Grilakis shkruan: “Personalisht e kisha bërë të qartë qysh në fillim se isha kundër një mendimi për dhënie ndihme partive të djathta në vendet myslimane, si Shqipëria, me mendimin se partitë e djathta shqiptare do të përfundojnë në serat e kultivimit të shtrirjes turke në Ballkan. Parashikova, gjithashtu, se imamët e Turqisë shumë shpejt do të mbillnin në mendjet ateiste të shqiptarëve hashashin e myslimanizmit me idetë kanceroze të shtrirjes turke në Ballkan” (“Shekulli”, 8 maj 2004, f.3). I shkreti Grilakis! Megjithëse ishte në shërbim të kabinetit të djathtë të Micotaqisit, atë e paska torturuar dashuria përvëluese për të majtën shqiptare, së cilës, tërthorazi, gjenerali i gjorë ia zbulon keq ca vende delikate faqe miletit dhe e lë zbuluar, si tradhtare të çështjes kombëtare shqiptare: të majtës shqiptare nuk na i pëlqeka “çallma” myslimane, ajo na qenka e djegur për kamillafin e greko-ortodoksisë!
Në kujtimet e veta gjenerali Grilakis pretendon se kur e ftoi Kryepeshkopi Serafim për të biseduar lidhur me helenizimin e “Vorio-Epirit” pas rënies së komunizmit, ai nuk e vuri në dijeni kryeministrin Micitaqis. Këto përralla gjenerali i zhgënjyer le t’ua shesë atyre grekëve që vuajnë nga trashtina e trurit, jo shqiptarëve. Deklarata shoviniste e Micotaqisit e 14 korrikit 1993 vërteton më së miri se sa “i painformuar” paska qenë ai për veprimtarinë armiqësore kundër Shqipërisë të prapavijave të kabinetit të tij kryeninistror!
Së pesti, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste dhe fillimit të luftës italo-greke më 28 tetor 1940, shovinizmi grekomadh përsëri iu kthye realizimit të ëndrrës së vjetër për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, duke shfrytëzuar pabesisht rastin që vendi ynë e kishte humbur tashmë sovranitetin e vet dhe, si subjekt juridik, figuronte vetëm nën kurorën e Viktor Emanuelit III. “Duke shfrytëzuar terrenin e thyer dhe organizimin e dobët të sulmit italian, forcat greke e thyen shpejt atë dhe në mesin e nëntorit kaluan në kundërsulm. Më 22 nëntor grekët pushtuan Korçën, më 6 dhjetor Sarandën dhe më 8 dhjetor Gjirokastrën” (Tensioni greko-shqiptar…, f.50).
Së gjashti, pas prishjes së marrëdhënieve të Jugosllavisë me Shqipërinë në vitin 1948 dhe përfundimit gradual të luftës civile në Greqi, vendi ynë u gjend i rrethuar nga dy shtete armiq. Pikërisht këtë situatë të rrezikshme që po përjetonte Shqipëria shovinizmi grekomadh u mundua ta shfrytëzonte pabesisht. Atij iu nxitën edhe më shumë epshet shoviniste për pushtimin e Shqipërisë së Jugut. “Në fillim të prillit të vitit 1949 qeveria greke i dërgoi një memorandum tjetër Londrës dhe Vashingtonit, i cili sugjeronte dhe argumentonte nevojën e pushtimit të Shqipërisë” (po aty, f.621). Disa muaj më vonë qeveria greke bëri një tjetër kërkesë këmbëngulëse për pushtimin e Shqipërisë. “Në gusht të vitit 1949 u zhvilluan luftimet vendimtare të UKG kundër gueriljeve. Qeveria greke e shtopi presionin ndaj Aleatëve Perëndimorë që ushtria e saj të lejohej të pushtonte territorin shqiptar” (po aty, f.622).
Së shtati, Greqia shfrytëzoi pabesisht edhe situatën e rrezikshme që u krijua për vendin tonë pas prishjes së marrëdhënieve të Bashkimit Sovjetik me Shqipërinë. “Udhëheqja shqiptare, tani në marrëdhënie krejt të ndryshme me Moskën, e ndiente se ajo po e kërcënonte, duke përkrahur synimet greke ndaj Shqipërisë së Jugut” (Shqipëria dhe Greqia…, f.166). Synimet shoviniste të shovinizmit grekomadh i kishte përkrahur vetë Hrushovi në takimin që kishte pasur me Sofokli Venizellosin më 5 qershor 1960. Ndërkohë, “perveç deklaratave të hapura të qeveritarëve grekë mbi “Epirin e Veriut”, qeveria e Athinës kishte pyetur qeverinë austriake se cili do të ishte reagimi i saj në rast se Greqia sulmonte ushtarakisht Shqipërinë për të aneksuar Shqipërinë e Jugut” (po aty, f.169-170).
Së teti, me daljen në pah të acarimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën, shovinizmi grekomadh u hodh përsëri në veprime agresive kundër vendit tonë. “Qeveria greke…dha një sinjal tjetër se planet e saj kundrejt Shqipërisë së Jugut nuk ishin arshivuar. Në vitin 1976, në parlamentin grek u aprovua një ligj i ri mbi emigracionin. Ai ishte shtojcë e ligjit të vjetër të Venizellosit, i cili ndalonte dhënien e shtetësisë greke emigrantëve me origjinë nga Shqipëria e Jugut, me synimin që, në rastin e zhvillimit të ndonjë referendumi të mundshëm, ata të votonin pro aneksimit të saj nga Greqia” (po aty, f.300).
Së nënti, në vitin 1990, kriza e regjimit komunist, që ishte në kulmin e saj, ashtu edhe periudha e gjatë e tranzicionit të vështirë, “e nxitën më tej aktivizimin e lobit grek, sepse ai pa hapësira të reja për të realizuar objektivat e tij të vjetra. Vazhduan përpjekjet e qeverisë dhe të shtetit grek për të mobilizuar dhe nxitur diasporën si një vegël për zbatimin e politikës së saj ndaj Shqipërisë. Madje ajo ka krijuar një përvojë të madhe dhe mekanizma shumë efektive për të realizuar një politikë të tillë” (po aty, f.326).
Përveç organizimit të të gjitha strukturave shtetërore kundër Shqipërisë, shovinizmi grekomadh, në këto kushte, përveç lobit shovinist greko-amerikan, si gjithmonë në historinë e tij, nxiti për veprime të shpejta kishën shoviniste greke për helenizimin e Shqipërisë së Jugut. Gjenerali Grilakis kujton: “…më ftoi Kryepeshkopi i Greqisë, Serafimi, për të shkëmbyer pikëpamje rreth çështjeve të helenizimit të Vorio-Epirit pas rënies së komunizmit. E pranova me kënaqësi…” (“Shekulli”, 9 maj 2004, f.3). Pikërisht në kohën e amullisë politike dhe të varfërisë së skajshme që kishte pllakosur vendin tonë, shovinizmi grekomadh, si gjithmonë me pabesinë që e ka karakterizuar, harton “Planin Lotos”, në themel të strategjisë së të cilit qëndronte çlirimi i “Epirit të Veriut” nga “sundimi shqiptar”. Me hollësitë e këtij Plani lexuesi është njohur në fjalën e Kryetarit të SHIK-ut, zotit Bashkim Gazidede, të mbajtur në Kuvendin popullor në pranverën e vitit 1997 dhe të botuar në gazetën “Albania” më 4 mars 2004.
Së dhjeti, rënien e firmave piramidale dhe tragjedinë që shkaktuan neokomunistët socialistë në Shqipërinë e Jugut, të përkrahur tërësisht nga shteti shovinist grek, në bashkëpunim më tradhtarë shqiptarë, që sot ndodhen në në opozitë, shovinizmi grekomadh u mundua ta shfrytëzonte pabesisht për të futur trupat e veta pushtuese në Shqipërinë e jugut. Në emisionin “Shqip” të gazetares Rudina Xhunga, të transmetuar në TV “Top channel” më 18 mars 2004, Prof.Sherif Delvina deklaroi: “Më 1997 Greqia, përmes zonjës Ollbrait (Allbright), u kërkoi SHBA që të fuste trupat e veta në Shqipërinë e Jugut, por zonja Ollbrait u tha: “Po ç’do të bëjë Turqia? Do t’ju bjerë nga pas”. Dhe Greqia nuk u fut në Shqipëri”.
Ja, kjo ka qenë fytyra e vërtetë e shtetit shovinist grek, i cili e ka manifestuar me fakte armiqësinë e egër ndaj Shqipërisë, sa herë që kësaj i është dashur të përjetojë çaste kthesash vendimtare dhe situata të rrezikshme në historinë e saj të vështirë që prej shpalljes së pavarësisë.
Në vëllimin e parë prof.Meta na njeh edhe me një fakt tjetër interesant. Gjatë periudhës së Mbretërisë së Ahmet Zogut, kur vendi kishte zot, Greqia s’pati guxuar kurrë të paraqiste hapur synime aneksioniste ndaj Shqipërisë. “Arsyet më kryesore të mbajtjes në prapaskenë të aspiratave territoriale greke ishin stabilizimi i shtetit shqiptar dhe situata e pafavorshme ndërkombëtare” (f.43). Por, kur Greqia “e ka ndier veten të fuqishme ekonomikisht e politikisht, kur i janë krijuar kushte e rrethana të favorshme ndërkombëtare dhe kur ka parë se shteti shqiptar është ndodhur në vështirësi dhe nuk ka mundur të kontrolloje efektivisht këtë territor, ka fuqizuar politikën dhe veprimtarinë e saj aneksioniste, e cila ka kaluar përmes rritjes së ndikimit dhe të ndërhyrjes politike dhe ekonomike në rajon…Kjo përvojë historike mund të shërbejë edhe si një mësim për të ardhmen” (po aty, f.23).
Popull “vëlla” grek, popull “mik” grek,
popull “i mirë” grek,
apo popull shovinist grek
Shprehjet popull “vëlla” dhe popull “mik” na janë bërë bozë në fjalimet e shpëlara të Enver Hoxhës dhe të udhëheqësve të tjerë të periudhës së komunizmit. Vetëm Enver Hoxha dhe klika rreth tij, që kishin tradhtuar interesat kombëtare dhe ishin lidhur kokë e këmbë me sllavët, mund të përdornin shprehje të tilla që nuk kishin asnjë taban historik. Më 1 shkurt 1948 Enver Hoxha deklaronte: “…kush cënon territorin tonë, ka cënuar pavarësinë e sovranitetin e tre popujve - të Shqipërisë, Bullgarisë e Jugosllavisë, tre shtete, të lidhura me aleanca gjer në vdekje” (Tensioni greko-shqiptar…, f.565).
Vallë nuk e dinte Enver Hoxha që Traktati i Miqësisë dhe i Bashkëpunimit Reciprok midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë (i nënshkruar më 9 korrik 1946) nuk ishte gjë tjetër veçse një parapërgatitje për gllabërimin tërësor të vendit tonë ng Federata Jugosllave, se “aleanca gjer në vdekje” me sllavët dhe bashkëjetesa e tyre me shqiptarët ka qenë, është dhe do të mbetet e pamundur, siç e ka vërtetuar dhe po e vërteton historia çdo ditë e më shumë? Etja për pushtet personal Enver Hoxhës ia kishte turbulluar vetëdijen deri në atë shkallë, saqë ai arrinte të bënte të tilla deklarata bajate, të cilat koha i zhvlerësoi shumë shpejt. Për të tilla “miqësi” ka shkruar Enver Hoxha edhe kur ka qenë fjala për popullin grek. Madje ai shkroi edhe një libër të tërë për këtë “temë” me titull “Dy popuj miq”. Por marrëdhëniet “miqësore” ose “vëllazërore” nuk ekzistojnë dhe nuk zyrtarizohen dot kurrë midis popujve. Marrëdhëniet “miqësore” apo “vëllazërore” ekzistojnë vetëm mes shteteve, të përfaqësuar nga qeveritë përkatëse. Në themel të tyre, domosdoshmërisht, qëndrojnë interesat ekonomike dhe politike dhe në disa rrethana të caktuara mund të marrin sipërinë herë të parat, herë të dytat. Kur nuk ka përputhje sidomos të interesave ekonomike, marrëdhëniet mund të vendosen, por ato janë formale. Nuk ka asnjë arsye që marrëdhëniet me një shtet tjetër të quhenvëllazërore, miqësore, aq më tepër për ne, shqiptarët, që ua kemi parë sherrin “miqësive” dhe“vëllazërive” të tilla, të cilat na kanë lënë në baltë në çastet më kritike. Marrëdhëniet mes shteteve mund të jenë të afërta, të rregullta, korrekte, dashamirëse, gjykuar vetëm nga këndvështrimi i mbrojtjes së interesave kombëtare. Duhet theksuar se Enver Hoxha, siç e pamë më lart, s’la gur pa lëvizur për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Greqinë. Madje ai, siç del nga faqet e vëllimit të dytë të prof.Metës, e zbriti vetveten dhe diplomacinë shqiptare deri në nivele të tilla servilizmi, saqë kjo e fundit, me 49 nismat diplomatike që ndërmori vetëm nga viti 1954 deri më 6 maj 1971, pa u udhëhequr aspak nga mbrojtja e interesave kombëtare, siç janë çështja çame dhe çështja e minoritetit shqiptar në Greqi, arriti të tërhiqej zvarrë para shovinizmit grekomadh. Sot, pas gati 60 vjetësh, diplomacia shqiptare, në rojtinat e saj, nuk ka të dokumentuar kurrfarë tradite në lëmin e nismave diplomatike në mbrojtje të çështjes çame dhe të minoritetit shqiptar në Greqi. Prandaj presidenti grek, Stefanopulosi, gjatë konferences së shtypit të datës 18 tetor 2004, me një gjakftohtësi revoltuese, e quajti të mbyllur çështjen çame! Kishte shumë të drejtë një dëgjues nga Durrësi, i cili, në emisionin e mëngjesit të kanalit TV “Teuta” të datës 19 tetor 2004, vizitën e Stefanopulosit e krahasoi me vizitën e Viktor Emanuelit dhe politikanët tanë të tanishëm i krahasoi me kolaboracionistët e atëhershëm!
Shëmbullin më kuptimplotë të marrëdhënieve “miqësor dhe vëllazërore” mes “popujve” e dhanë popujt sllavë. Kur ngrehina e perandorisë komuniste sovjetike po shembej, të parët që u larguan prej saj ishin ukrainasit dhe bjellorusët, paçka se që të dy janë pjesëtarë të të njëjtit grup popujsh sllavianolindorë! Madje një grup gazetarësh ukrainas, kur po i shoqëroja si përkthyes në Kosovë në korrik të vitit 1999, më thanë: është fatkeqësi për ne që Rusinë e kemi në kufi!
S’kaloi shumë kohë pas përmbysjes së komunizmit në Lindjen Evropiane, kur çekët dhe sllovakët, të “velur” nga “miqësia vëllazërore” gjatë disa dhjetëvjeçarëve, i ndanë “lakrat” me njëri- tjetrin, i vunë kufij shoqi-shoqit dhe formuan gjithsekush shtetin e vet të pavarur, paçka se që të dy janë pjesëtarë të të njëjtit grup popujsh sllavianoperëndimorë!
E njëjta gjë ndodhi me popujt sllavë të ish-mikroperandorisë jugosllave, të cilët, megjithëse qenë pompuar gjatë më shumë se 70 vjetëve me dogmat e “miqësisë vëllazërore”, s’donin t’ia shikonin më bojën njëri-tjetrit në të njëjtën vathë të “bashkim-vëllazërimit”, paçka se përbëjnë të njëjtin grup popujsh sllavianojugorë!
Në një artikull në “Zërin e Popullit” të datës 19 shtator 1957 Enver Hoxha e vinte theksin te“miqësia historike, tradicionale” shqiptaro-greke. Madje ai thoshte se “populli shqiptar dhe populli grek, me gjithë pëpjekjet e atyre elementëve që përpiqen të thellojnë artificialisht përçarjen me pretendimet absurde, kanë qenë kurdoherë miq dhe kanë luftuar kurdoherë së bashku kundër të njëjtëve armiq” (Shqipëria dhe Greqia…, f.132).
Enver Hoxha këtu përdor terma të përgjithme, të cilat përbëjnë stereotipa të propagandës komuniste. Nuk njihet ndonjë rast kur grekët dhe shqiptarët të kenë luftuar “së bashku kundër të njëjtëve armiq”. Kur shqiptarët shprehën dëshirën të luftonin bashkërisht kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë gjatë Luftës II Botërore, klasa politike greke bëri gjithçka që ishte e mundur për të mos lejuar koordinimin e veprimeve të përbashkëta, çka sqarohet me fakte në faqet e vëllimit të parë të prof.Metës, sepse asaj i rrihte mendja te pushtimi i Shqipërisë së Jugut. Në qoftë se Enver Hoxha e kishte fjalën për luftën e grekëve, përkrah kapedanëve shqiptarë, kundër armikut “të përbashkët” - Perandorisë Otomane, atëherë ai zbulonte cektësinë e gjykimit të tij. Kapedanët shqiptarë që morën pjesë në revolucionin grek luftuan jo për të mirën, por për të zezën e tyre. Ngjarjet që rrodhën pas shpalljes së pavarësisë së Greqisë vërtetuan në praktikë se armiku më i egër i kombit shqiptar nuk ishte aspak Perandoria Otomane, por shovinizmi grekomadh, që e gjeti mishërimin e tij në të gjitha strukturat e shtetit shovinist grek, bëmat e të cilit kunder Lëvizjes Kombëtare Shqiptare janë të dokumentuara mirë nëpër faqet e historisë së popullit shqiptarë. Ata kapedanët shqiptarë, që luftuan për grekët, vërtetë që ishin shumë trima, por ishin edhe shumë pak të zgjuar, ishin shumë dritëshkurtër. Dhe dritëshkurtësia e tyre do të na kushtonte shtrenjtë!
Në një deklaratë të qeverisë shqiptare të vitit 1973, në përputhje me retorikën enveriane, thuhej se nga territori i Shqipërisë “nuk do t’i vinte asnjë e keqe popullit vëlla grek” (Shqipëria dhe Greqia…, f.254). Ku e kishte gjetur këtë popullin grek qeveria shqiptare që na e quante “vëlla”? S’kemi dëgjuar as edhe një herë të vetme që qeveria greke ta quante popullin shqiptar “popull vëlla”. Pse mbante një qëndrim kaq të përulur qeveria shqiptare? Vërtetë që nga territori ynë s’do t’i vinte ndonjë e keqe popullit “vëlla” grek, por është halli se nga territori i atij popullit “vëlla” grek popullit shqiptar i kanë ardhur dhe po i vijnë përherë gjëma të rënda!
Në një artikull të zotit Kastriot Demi, të botuar para disa vjetësh me titull: “Greqia, fqinja jonë jugore”, thuhet: “Populli shqiptar është i ndërgjegjshëm se ato që ndodhën me bijtë e tij nuk janë vepër e popullit grek, për të cilin ne kemi respekt, por vepër e atyre qarqeve, të cilat e njollosin qytetërimin grek” (Gazeta “Çamëria”, mars 2004, f.11). Personalisht nuk e di që në Greqi të ekzistuakan qarqe, që vepruakan kundër shqiptarëve pa dijeninë e shtetit grek dhe të strukturave të tij. Edhe organizatat terroriste greke kanë vepruar me dijeninë dhe nën mbrojtjen e shtetit grek kur në vitet ’80-të filluan të vrisnin anglezë dhe amerikanë që ndodheshin me shërbim në Greqi. Le të përmendim vetëm grupin terrorist “17 nëntori”. “Kur Papandreu erdhi në fuqi, ai e shkriu njësinë e posaçme të policisë që merrej me hetimin e grupit terrorist “17 nëntori”. Grupi “17 nëntori” do të mbetej gjatë gjithë periudhës së fillimit të viteve 1990 skuadra më enigmatike terroriste dhe më e pamundura për t’u penetruar, në krejt Evropën dhe në Lindjen e Mesme” (Robert D.Kaplan. Greqia: dashnorja e Perëndimit, gruaja e Lindjes, f.68). Nuk e di pse nuk e kuptuakësh zoti Demi, që në Greqi mbizotëron një histeri antishqiptare, e frymëzuar nga shteti shovinist grek, gjë që nuk e shpëton nga përgjegjësia edhe mbarë popullin grek, ashtu siç nuk e kanë shpëtuar nga përgjegjësia popullin gjerman krimet që kreu nazizmi në mbarë Evropën. Ndërsa për atë “qytetërimin” grek s’ka nevojë të merakosemi shumë ne, shqiptarët, kur për të s’e çajnë fare kokën vetë grekët, para se të kryejnë krime kundër shqiptarëve!
Në artikullin e zotit Baleta me titull “Gëzimi dhe dhimbja e fitores së përgjakur” kemi lexuar: “…gjatë emisionit të Xhungës me ambasadorët Karkabasis e Zeneli dëgjuam dëshmitë e një shqiptari nga Patosi, të rrahur për vdekje nga policët grekë në rrugët e Athinës, i cili këmbënguli të kuptohet mirë se dhunën kundër shqiptarëve nuk e bëri populli i mirë grek, as huliganët e këqinj grekë, por e bëri policia greke” (Rimëkëmbja, 21 shtator 2004, f.6). Jo, ore zotëria nga Patosi, ne ty nuk të keqkuptojmë. Ne veç e kuptojmë që ty të rrahu shteti grek dhe të rrahu padrejtësisht thjesht pse gëzoje për fitoren e përfaqësueses sonë të futbollit. Por, çuditërisht, ti nuk e kupton që shteti grek të lejon të gëzosh vetëm për fitore greke, jo për fitore shqiptare. Ti nuk e kupton që mes atij popullit “të mirë” grek shqiptarët nuk kanë të drejtë të gëzohen për veten e tyre, nuk kanë të drejtë të krenohen me veten e tyre, me historinë e tyre, me traditat e tyre, me heronjtë e tyre, me artistët e tyre, me talentet e tyre, me bukurinë e tyre, me fisnikërinë e tyre, me zakonet e tyre, me kodin moral të tyre, se shteti shovinist grek i ndëshkon, i përbuz, i poshtëron, i bën objekt shpifjesh të ulëta. Dhe populli “i mire” grek hesht. S’kemi parë dhe as kemi dëgjuar që në Greqi të shpërthejë ndonjë demonstratë e fuqishme e ndonjë grupi qytetarësh grekë në përkrahje të emigrantëve shqiptarë. Heshtja e qytetarëve grekë para krimeve që kryhen kundër emigrantëve shqiptarë është përkrahje e plotë për dhunën dhe terrorin policor që shteti shovinist grek ushtron kohë pas kohe kundër tyre.
Tani së fundi, gazetarja Fatime Kulli i qe drejtuar me këtë pyetje kolonel Kastriot Lushës: “Cili është qëndrimi juaj dhe çfarë rrezikojmë ne si komb me fenomenin Bollano?”. Dhe kolonel Lusha përgjigjet” “…Sa për rrezikun, nuk dua ta besoj, se edhe elita politike, qytetare e demokratike greke nuk i bazon fatet e marrëdhënieve të të dy vendeve fqinje te aventurat e aventurierë të tipit Bollano…” (Gazeta “Ndryshe”, 20 dhjetor 2008, f. 16). Çudi, kolonel Lusha “paska” informacione se “elita politike, qytetare e demoktratike greke” na qenka mbrojtëse e shqiptarëve dhe se ajo nuk ndaka të njëjtat pikëpamje me shtetin shovinist grek, me kishën shoviniste greke dhe me sahanlëpirësit e tyre në Shqipëri, si puna e lakejve Dule e Bollano, në pretendimet për greqizimin e Shqipërisë së Jugut! Ndërsa mbarë shqiptarët me formim nacionalistë, tek “elita politike, qytetare e demokratike greke” kanë parë vazhdimisht përkrahësen pa rezerva të shovinizmit grekomadh dhe të kishës shoviniste greke në pretendimet e tyre territoriale ndaj Shqipërisë që prej vitit 1912.
Po cilat janë faktet që na ofrohen në të dy vëllimet e prof.Metës për këtë popullin “vëlla” grek, për këtë popullin “mik” grek, për këtë popullin “e mirë” grek, nga gjiri i të cilit vjen e krijohet ai që quhet opinion publik grek. Paraprakisht u kërkoj ndjesë lexuesve për ndonjë përsëritje të detyrueshme për efekt ilustrimi.
1. Në notën e qeverisë greke drejtuar Edenit më 14 dhjetor 1942 thuhej se “në qoftë se deklarata britanike nuk do të njihte në mënyrë eksplicite të drejtat e Greqisë në “Epirin e Veriut”, do krijohej një përshtypje e hidhur në popullin grek dhe do të dobësohej rezistenca greke” (Tensioni greko-shqiptar…f.96). Madje në fund të notës nënvizohej se “qeveria greke e cilësonte aq jetik problemin e “Epirit të Veriut”, saqë ajo deklaronte botërisht sekombi grek nuk do të pranonte asnjë zgjidhje të këtij problemi, e cila do të injoronte të drejtat e ligjshme të Greqisë” (po aty). Pra, qeveria greke e pranonte vetë në një notë zyrtare se populli grek dhe kombi grek ishte dhe mbetet popull dhe komb shovinist!
2. Në një takim të Mehmet Konicës në Romë në verën e vitit 1944 me përfaqësuesin grek, ky i fundit tha se “asnjë grek nuk ishte i dispozuar për të lënë mënjanë të drejtat e pakontestueshme të Greqisë në këtë territor” (po aty, f.127). Kështu, diplomati grek e pranonte me gojën e tij se të gjithë grekët ishin shovinistë!
3. Më 1946, në Konferencën e Paqes në Paris, Caldarisi “këmbënguli në kërkesën për aneksimin e Shqipërisë së Jugut se midis të gjithë grekëveekziston një harmoni e plotë për këtë çështje” (po aty, f.272). Domethënë, edhe vetë kryeministri grek e pranonte se të gjithë grekët ishin shovinistë!
4. “Pretendimet territoriale kryeministri grek ia parashtroi edhe delegacionit britanik… Sipas tij,opinioni publik grek s’do të ishte në gjendje të qëndronte indiferent, në qoftë se Konferenca do të përforconte pozitat e Shqipërisë nëpërmjet Traktatit të Paqes me Italinë…” (f.273). Sipas kryeministrit grek, del se opinioni publik grek ishte shovinist!
5. Meqënëse Konferenca e Paqes në Paris nuk pranoi të diskutonte për pretendimet territoriale greke ndaj Shqipërisë së Jugut, kryeministri grek, Caldaris, “deklaroi më 2 tetor se ngjarjet në Paris kishin shkaktuar një zemërim që kuptohej qartë në popullin grek për arsye të padrejtësisë që iu bë atij. Themistokles Sofulis, njëri nga krerët e opozitës, e vlerësoi dështimin në Paris si një zi të rëndë, ndërsa lideri tjetër opozitar, ish kryeministri George Papandreu, në mënyrë solemne, deklaroi se “zia e kombit kishte arritur në infinit…” (po aty, f.281). S’kemi ç’bëjmë! Udhëheqësit e të dy krahëve të politikës greke e kanë deklaruar vetë, me gojën e tyre, që populli dhe kombi grek ishin shovinistë, se i kishte pllakosur zija e rëndë që kishte arritur në infinit, për të vetmen arsye se nuk u qenkëshin plotësuar tekat shoviniste në Paris!
6. “Në prill të vitit 1946, Ndihmësatasheu Ushtarak i SHBA në Athinë, Uilliam McNeill, i shkruante Departamentit të Shtetit: “Pavarësisht nga fakti se pretendime të tilla duken qartë se e dëmtojnë, më tepër se sa e ndihmojnë, sigurimin e Greqisë, pavarësisht se realitetet ndërkombëtare janë në kundërshtim me plotësimin e këtyre pretendimeve dhe pavarësisht nga karakteri i dyshimtë i shumë argumenteve të paraqitura,shumë, dhe ndoshta shumica e grekëve, besojnë fort dhe në mënyrë entuziaste se sakrificat e tyre gjatë luftës duhet dhe do të shpërblehen me përfitime substanciale territoriale në kurriz te vendeve fqinjë… Në qoftë se qeveritë britanike dhe ajo amerikane nuk do të mbajnë qëndrim të ngrohtë dhe nuk do të mbështesin në mënyrë efikase pretendimet territoriale greke…, shumë, dhe ndoshta të gjithë grekët, do të ndiejnë se ata janë tradhtuar nga Aleatët Perëndimorë” (po aty, f.501). Kurse i ngarkuari me punë i SHBA në Athine, Karl Rankin, paralajmëronte se “do të ketë një shpërthim të ndjenjave kundër Fuqive Perëndimore” (po aty, f.501-502). Pra, edhe diplomatët amerikanë dëshmonin se shumë dhe ndoshta shumica, apo të gjithë grekët ishin shovinistë!
7. Ambasadori amerikan në Athinë, McVeagh u udhëzua, “t’i transmetonte kryeministrit Caldaris një mesazh, në të cilin thuhej se ishte jashtëzakonisht e vështirë për qeverinë amerikane që të mbështeste pretendimet territoriale greke në Këshillin e MPJ, pasi shumë arsye të përgjithshme diktonin që kufijtë e Greqisë të mbeteshin ato që kishin qenë para luftës. Jo vetëm qeveria, por edheopinioni publik grek duhej ta kuptonte këtë pozicion… Ambasadori amerikan u kërkoi politikanëve grekë të ushtronin të gjithë influencën e tyre që këto vendime (për mospranimin e pretendimeve territoriale greke ndaj Shqipërisë -E.Y.) të pranoheshin në Greqi me minimumin e pakënaqësisë dhe të zemërimit kundër Kombeve të Bashkuara. Me këtë rast qeveria amerikane shfaqi pakënaqësinë se, në vend që të përgatiste opinionin publik për dështimin në këto çështje, shtypi dhe radioja greke, gjatë javëve të fundit, po nxisnin sistematikisht, në shumë mënyra, opinionin publikkundër Britanisë dhe SHBA, për arsye se këto pretendime nuk ishin realizuar” (po aty, f.514-515). Siç del edhe nga këto porosi të Departamentit të Shtetit për ambasadorin amerikan në Athinë, qeveria amerikane kishte krijuar bindjen se në Greqi ekzistonte një opinion publik grek shovinist!
8. “…më 8-9 korrik (1956 - E.Y.) ishte mbajtur në Athinë Kongresi Ndërkombëtar Panepirot, i cili doli me thirrjen për çlirimin e “Vorio-Epirit” duke përdorur forcën. Kongresi kishte hedhur parullën e krijimit të Frontit Nacional për çlirimin e “Vorio-Epirit”, me pjesëmarrjen e të gjithë grekëve dhe kishte vendosur krijimin e një organi ekzekutiv kombëtar për zbatimin e vendimeve të tij” (Shqipëria dhe Greqia… f.124). Sipas parullës së këtij Kongresi, të gjithë grekët ishin shovinistë!
9. “Në fund të nëntorit (1956 - E.Y.) B.Shtylla takoi Kasimatin në Nju-Jork dhe i propozoi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, me anë të një komunikate fare të thjeshtë. Përfaqësuesi grek dha një përgjigje të rezervuar dhe deklaroi se qeveria greke dëshironte normalizimin e marrëdhënieve por më parë duhej përgatitur psikologjikisht opinioni” (po aty, f.126). Diplomati grek e pranonte se në Greqi ekzistonte një opinionantishqiptar, shovinist!
10. “Pas stabilizimit të Juntës, aty nga fundi i vitit 1968, udhëheqja shqiptare po konstatonte disa nuanca të reja të një qëndrimi armiqësor dhe provokues ndaj Shqipërisë. Të tilla vlerësoheshin fjalimet armiqësore dhe mbështetja e pretendimeve për aneksimin e Shqipërisë së Jugut në ceremoninë e varrimit të peshkopit Kotokos, në të cilën morën pjesë edhe qeveritarë grekë. Përshtypje negative la në Tiranë edhe deklarata e zëvendëskryeministrit grek D.Patilis mbi “vendosmërinë e grekëve për të mos hequr dorë nga aneksimi i “Epirit të Veriut”. (po aty, f.219-220). Edhe sipas fjalëvë të këtij politikani të lartë grek, del se grekët janë shovinistë, të gjithë, pa përjashtim!
11. “Më 8 dhjetor 1963 ministri i jashtëm dhe zëvendëskryeministri Venizelos bëri publik një propozim që “grekëve të “Epirit të Veriut” t’u jepej vetëqeverisja në kuadrin e shtetit shqiptar. Nga ana tjetër, më 6 dhjetor ai i kishte deklaruar agjencisë “Rojter” se marrëdhëniet e Greqisë me Shqipërinë janë në gjendje negative, për arsye të shqetësimit që ka i gjithë kombi grek lidhur me të ardhmen e vëllezërve tanë që jetojnë në këtë vend” (po aty, f.191). Po a shfaqi vallë ndonjë shqetësim ky kombi grek edhe për vëllezërit tanë çamë, ish-shtetas grekë, të cilët i masakroi aq barbarisht shteti shovinist grek, apo synimet shoviniste ndaj Shqipërisë kërkon të na i shesë për shqetësime për bashkëkombasit e tij minoritarë në vendin tonë?
12. “Studiues grekë, me të drejtë, kanë konstatuar se politika e Karamanlisit kundrejt Shqipërisë dallonte nga politika që ndoqi ai ndaj fqinjëve të tjerë veriorë. Ata kanë veçuar tri arsye të këtyre diferencave” (po aty, f.281). Këtu do të mjaftohem me përmendjen e arsyes së parë, e cila ka qenë mungesa “e mbështetjes publike për një afrim me Shqipërinë në nivelin që Greqia ishte afruar në atë kohë me shtetet e tjera ballkanike” (po aty). Rrjedhimisht, edhe vetë studiuesit grekë e paskan pranuar se në Greqi paska munguar njëmbështetje publike për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Greqinë për arsye të ngarkesave të forta shoviniste në mesin e saj!
13. “Në një informacion të ambasadës sonë në Athinë për MPJ, të datës 23 prill 1975, thuhej: ”…qeveria greke do të vazhdojë të mbajë këtë qëndrim edhe në të ardhmen. Ajo, sikurse grekët në përgjithësi, e ka të ngulitur thellë në shpirt “Vorio-Epirin”” (po aty, f.283). Më në fund, edhe ambasada jonë në Greqi qenkësh bindur se jo vetëm qeveria greke, por edhe grekët në përgjithësi ishin shovinistë! Nuk e di nëse arriti ta krijonte këtë bindje edhe vetë udhëheqja e lartë shqiptare, këtu, në Tiranë!
14. “Diplomatët shqiptarë në Athinë raportonin edhe për disa shenja të tjera negative. Kështu, në Muzeun e Luftës të Greqisë ishte vendosur një stendë për luftën në “Vorio-Epir” dhe për “Qeverinë Autonome” të “Vorio-Epirit”. Në tekstet shkollore ishin futur mësime të reja për “Vorio-Epirin”, të cilat kishin përmbajtje shoviniste” (po aty, f.286). Tani lind pyetja: këto tekste shkollore me përmbajtje shoviniste shërbenin për edukimin me shovinizëm të bijve të popullit grek, apo të popullit të “Zullulandit”?
15. “Ligji i luftës me Shqipërinë nuk u hoq nga parlamenti grek, i cili ishte i vetmi institucion kushtetues që mund ta bënte atë. Vendimi i qeverisë së Papandreut ishte një akt, që i mungonte baza kushtetuese. Ai u shpall pa aprovimin e presidentit Kristos Sarçetaqis dhe nuk u miratua në parlament, pasi atje, me sa duket, ekzistonte një shumicë që e kundërshtonte këtë vendim. Gjithashtu, edhe kisha greke, e cila kishte ndikim të madh në politikën dhe në opinionin grek, ishte kundërshtare e fortë e heqjes së gjendjes së luftës” (po aty, f.312). Prandaj, besoj se kam pasur të drejtë kur në këtë material kam përdorur shpesh herë shprehjen kisha shoviniste greke, e cila, po të mos ishte e tillë, do të merrej me punët e Zotit dhe qetësimin e shpirtrave të njerëzve. Por ajo, duke u marrë me edukimin e ndjenjave shoviniste në shpirtrat e grekëve, ka dëshmuar se ushtron një politikë të pastër shoviniste kundër popullit shqiptar dhe, si mbështetëse e fuqishme e shovinizmit grekomadh, farkëton urrejtjen kombëtare greke kundër kombit shqiptar. Për dijeninë e lexuesve, prof.Meta jep një informacion interesant. “Kështu, sipas ligjit 1566, të miratuar në vitin 1985, synohet fuzioni i helenizmit dhe i kristianizmit nëpërmjet ortodoksisë. Për herë të parë në historinë e arsimit grek, u miratua një ligj për zhvillimin e ndërgjegjes fetare në përputhje me teologjinë e Kishës Lindore Ortodokse. Pavarësisht se ka një tendencë për fuqizimin e shekullarizmit, prezenca e kishës ortodokse është reale, duke e bërë Greqinë një aurorë teokratike” (po aty, f.315).
Duke edukuar në opinionin publik grek dhe në mbarë kombin grek urrejtjen dhe armiqësinë ndaj një kombi tjetër, siç është kombi shqiptar, kisha greke është marrë me punët e djallit dhe vetë është shndërruar në një strehimore të djallit!
16. Për ngjarjet e pranverës së vitit 1981 në Prishtinë, “ndonëse Athina zyrtare heshti kur tanket serbe shtypnin shqiptarët, dy komponentë të fuqishëm të politikës dhe të shoqërisë greke, kisha dhe shtypi grek, manifestuan fuqimisht përkrahjen e tyre për shovinizmin serb” (po aty, f.314). Pra, dy leva të fuqishme të mbjelljes dhe të ngulitjes së urrejtjes kombëtare greke për kombin shqiptar,kisha dhe shtypi grek, funksionojnë me ngarkesë të plotë pikërisht atëherë kur opinionit publik grek i duhet thënë e vërteta. Atëherë ky opinion publik grek, ky popull grek, ky komb grek nuk mund të mos edukohet me ndjenja shoviniste dhe nuk mund të mos shndërrohet në opinion shovinist grek, në popull shovinist grek, në komb shovinist grek në qëndrimin ndaj kombit shqiptar, kur ushqimin e tij shpirtëror e helmatisin dy komponentë të fuqishëm të formimit botëkuptimor të tij - feja dhe shtypi, ndërsa politika shtetërore, në rastin konkret, bën sikur nuk di gjë, bën sikur hiqet mënjanë!
M’u desh t’i qëmtoja gjatë këto fakte, të shpërndara nëpër më shumë se 1 000 faqe të veprës në dy vëllime të prof.Metës, për t’u krijuar mundësinë lexuesve të nderuar të përsiasin për deklaratën e Enver Hoxhës të vitit 1957, të qeverisë shqiptare të vitit 1973, për fjalët e zotit Kastriot Demi, të atij shqiptarit nga Patosi (që u rrah aq barbarisht nëpër rrugët e Athinës nga policia e shtetit shovinist grek) dhe të kolonel Kastriot Lushës.
Nga sa u citua më sipër, rezulton se ekzistuaka me të vërtetë një opinion publik grek, një popull grek, një komb grek, një kishë greke, një shtyp grek që shërbyekan si taban i fuqishëm i shovinizmit grekomadh në synimet e tij për aneksimin e Shqipërisë së Jugut dhe, në përgjithësi, në urrejtjen e tij kundër kombit shqiptar! Siç u argumentua më lart, me fakte, vetë politikanët kryesorë grekë dhe diplomatë të huaj e kanë pranuar me gojën e tyre se opinioni publik grek, se populli grek, se kombi grek qenka shovinist në qëndrimin ndaj kombit shqiptar! A thua të jetë i çmendur ky opinion publik grek, ky popull grek, ky komb grek, ky shtyp grek? A thua të jetë e çmendur kjo kishë greke? Nuk e di! Veçse duhet të kujtojmë fjalët e njërit nga politikanët më kryesorë grek, si Kostandin Karamanlisi, ish-kryeministër dhe president i Greqisë, i cili e përshkruante vendin e vet si një “azil i madh të çmendurish” (Robert D.Kaplan.Vepër e cituar, f.40). Natyrshëm lind pyetja: po a ka vallë njerëz në radhët këtij opinioni publik grek, e këtij populli grek, e këtij kombi grek, të cilët i kundërvihen shovinizmit grekomadh në qëndrimin ndaj kombit shqiptar? Sigurisht që edhe mund të ketë aty-këtu. Por ata, besoj, duhet të jenë aq të paktë, saqë, me sa duket, kanë humbur si gjilpëra në kashtën e shovinizmit grekomadh! Më shumë se katër vjet më pare, në mjediset e hotelit “Dajti”, u njoha rastësisht me një profesor grek të filozofisë. Në bisedë e sipër më shkoi gjuha atje ku “më dhemb dhëmbi”: te qëndrimi që mbahet në Greqi ndaj emigrantëve shqiptarë. Profesori më tha: “Më vjen turp për pronarët grekë që sillen keq me shqiptarët!”
Në emisionin kryesor të lajmeve të TV “Top Channel” të datës 8 shtator 2004, gjatë një “demonstrate”, të organizuar në qytetin e Selanikut (ku morën pjesë rreth 2 000 vetë) në përkrahje të emigrantëve shqiptarë, që u masakruan nga shteti shovinist grek pas përfundimit të ndeshjes së futbollit të 4 shtatorit, një qytetar grek deklaroi para kamerës: “Qëndrimi arrogant i shtetit dhe i policisë greke nuk është qëndrimi ynë”!!! Vini re! Demonstrata organizohej katër ditë pas gjakosjes së rrugëve të qyteteve greke me gjak emigrantësh shqiptarë të pafajshëm! Shteti shovinist grek atë ditë kishte nxjerrë në rrugët e qytetit ca turma që i kishte marrë “me qira” (siç i quante me të drejtë Robert D.Kaplan turmat që nxirrte në rrugë Andreas Papandreu në përkrahje të martesës së tij të re me ish-stjuardesën Lian), për të larë sadopak turpin që e mbuloi, kur, faqe botës, lëshoi policinë e ndërkryer kundër emigrantëve paqësorë shqiptarë, që i gëzoheshin fitores nëpër rrugët e qyteteve greke. Komedi të tilla shteti shovinist grek le t’ua shesë, përsëri, atyre grekëve që vuajnë nga trashtina e trurit, jo shqiptarëve!
Nga sa u tha dhe u argumentua më sipër me fakte të pakundërshtueshme, vetvetiu mund të lindë pyetja: Po parlamenti grek a do të mundet ta ratifikojë MSA-në me Shqipërinë?” Gazetari Fatos Çoçoli thotë: “…janë ndoshta me mijëra arsye pse shumica e anëtarëve të parlamentit grek duhet dhe do të votojë për fqinjësinë e mirë dhe për të ndihmuar një vend fqinj e mik, si Shqipëria” (“Ballkan”, 20 dhjetor 2008, f. 18). Edhe unë kam dëshirë të besoj që Greqia mund edhe ta ndihmojë një vend fqinj, si Shqipëria. Por tradita e pasur e politikës agresive që shteti shovinist grek ka ndjekur ndaj Shqipërisë në veçanti dhe ndaj kombit shqiptar në tërësi, më bëjnë të jem skeptik ndaj shpresave të zotit Çoçoli. Nëse Greqia do të ishte me të vërtetë dashamirëse me ne, ajo, si një vend fqinj, duhej ta kishte ratifikuar e para MSA-në me Shqipërinë. Por çuditërisht, edhe tani, kur të 26 parlamentet e Bashkimit Evropian e kanë ratifikuar MSA-në, Greqia vazhdon të mos e ratifikojë ende, sepse ajo kërkon t'i zhvasë sa më shumë lëshime klasës politike të Tiranës. Dhe unë jam i bindur që klasa politike e Tiranës, kjo tradhtare e kombit shqiptar, ka për t'i bërë shumë lëshime të turpshme shovinizmit grekomadh dhe kishës shoviniste greke. Kjo vonesë pikërisht nga ana e Greqisë në firmosjen e MSA-së, dëshmon më së miri se Athina zyrtare nuk është shëruar dhe nuk ka menduar ndonjëherë të shërohet kurrsesi nga ethet e shovinizmit grekomadh për gllabërimin e Shqipërisë së Jugut. Mirë do të ishte që parlamenti grek të mos e ratifikonte MSA-në dhe pranimin e Shqipërisë në NATO, në mënyrë që të merrte përsipër rolin e kaut balash në radhët e Bashkimit Evropian. Kësisoj shqiptarëve dhe mbarë dashamirësve të tyre në Evropë ajo do t’u dukej si dhia në mes të dhenve. Se Greqia, në Bashkimin Evropian, përfaqëson me të vërtetë një vend që duhet treguar me gisht. Sepse ky është vendi më paradoksal i Evropës, është i vetmi vend teokratik i kontinentit tonë, ku ligjin e bën feja, e bëjnë priftërinjtë, është një vend ku sundon terrorizmi shtetëror, prandaj edhe organizatat terroriste, si “17 nëntori”, nuk zbulohen asnjëherë.
Kurse lakejtë e shovinizmit grekomadh, Bollano dhe Dule, janë shtetas të Republikës së Shqipërisë. Firmosja e memorandumit shtatëpikësh nga ana e Bollanos dhe mbrojtja që i bën atij Dulja, është një përpjekje e pastër e tyre për të përgatitur terrenin për gllabërimin e Shqipërisë së Jugut nga ana e shovinizmit grekomadh. Kësisoj, ata, që të dy, kanë kryer një akt të lartë tradhtie ndaj Republikës së Shqipërisë. Me sa duket, ata kanë marrë garanci të forta nga shteti shovinist grek dhe nga kisha shoviniste greke se tradhtia e tyre ndaj Republikës së Shqipërisë nuk do t’u ndëshkuaka një ditë të bukur!