Vrima Drite(Çka kë...
 
Benachrichtigungen
Alles löschen

Vrima Drite(Çka kërkon nji poet i sotëm tek Nanë Tereza?)

1 Beiträge
1 Benutzer
0 Reactions
549 Ansichten
(@zemra-e-kosoves)
Beiträge: 524
Honorable Member
Themenstarter
 
[#1873]

Vrima Drite
(Çka kërkon nji poet i sotëm tek Nanë Tereza?)

Jemi para nji libri të pazakontë në pikëpamje të temës qendrore. Nanë Tereza na çon menjiherë te feja dhe dikush mund të thotë me shumë të drejtë: çka ka shkrue Pirro Loli, vjersha fetare apo patriotike? Kjo pyetje e thjeshtë dhe e vetvetishme që mund t'i vijë çdo njeriu,tregon edhe frikat tona. Frika prej patriotizmit âsht nji prej reagimeve ma nevrike të publikut e të lexuesit shqiptar mbas gjithë atij keqpërdorimi a përdorje të tematikës patriotike jashtë stine e brenda propagandës.

Çka lyp sot nji poet te Nanë Tereza ? Forcën konvertuese, dogmën, mrekullinë, dimensionin e pavdeksisë, dhimbjen për vetveten që s'pranon me u pajtue me idenë se uni i tij s'mund të jetë i gatuem prej së njajtës landë si lakna, tulla e plehu, apo, mbrenda nji shoqnie të të huejtun prej çdo spiritualizmi e dimensioni trashendental, e mbërthyeme në adhurimin e së dobishmes dhe pragmatikes, shembulli i Terezës së Kalkutës vjen si nji zgjim a ofertë e rilidhjes me cungun e sakatuem të vetëdijes kombtare para se me fillue kultura e mohimit të kulturave ?

Në mes të nji konfuzioni ku theksin kryesor e kanë përkatësitë, pra nji formë mjaft e stërhollueme e ndjenjës së pronësisë, na e vendosim Nanë Terezën plotësisht e me të drejtë në anën tonë e mandej, e lamë atje të magazinueme, të pastudiueme, të mbulueme prej pluhnit të indiferencës, të nji indiference ateiste, mjaft që ajo të jetë e jona dhe e ruejtun në nji magazinë tonën.

Pirro Loli shtron pyetjet: A âsht në gjendje sot shoqnia shqiptare e ndjeshmënia e saj ta rrokë veprën e personalitetin e Nanë Terezës në tanë plotninë e saj ? Në cilën masë kjo shoqni që gulçon për ta ndriçue përkatësinë e saj kombtare, identifikohet a përpiqet të identifikohet me veprën e humanizmin e kësaj grueje të panjoftun për ne deri kah fundi i vjeteve '80 e që na « ra në kopsht » pa mbjellë e pa vaditë si manë qiellore? Mos vallë kultura dhe ndjeshmënia jonë janë kthye në koleksionistë emnash herojsh dhe jo përmbajtjesh e shëmbëlltyrash ?

Si e shpjegojnë intelektualët shqiptarë të sotëm, që e kanë hangër ose janë tue e përfundue çairin e vet mbi ketë dhé, ketë grue të vogël, xhuxhe pothuej, me vullnet e me vepër kaq titanike e mbarënjerzore ? Heroinë, punëtore sociale, individ me ndërgjegje të naltë, "njeri i ri ", pjellë e paprogramatizueme e nji epoke që tjetërkund mbillte e tjetërkund mbinin ?

Unë personalisht mendoj se çdo shpjegim racional i Gonxhe Bojaxhiut do të lênte jashtë pjesë shumë të qenësishme të jetës së saj. Kësisoj avancoj idenë se inteligencia shqiptare, përfshi edhe ata që kanë luftue sinqerisht për skjarimin e etnisë së shêjtneshës, falë kufizimeve të botëkuptimit e shterpsisë që la mbas vetes ateizmi i adoptuem dhe jo i zbuluem, nuk âsht e interesueme kulturalisht ta shpjegojë e aq ma pak ta përvetësojë veprën e saj.

Mjerisht për ta Nanë Tereza âsht nji dritë që s'mund ta shofin, nji flori që s'mund ta peshojnë, nji qiell me ajër të rralluem për krahët e tyne të atrofizuem. E vetmja gjâ që mund të bajnë ata âsht të transmetojnë papagalisht veneracionin dhe admirimin e të tjerëve pa e pasë përvetësue vetë Nanë Terezën ose, çka mund të jetë edhe ma skandalozja, pa e pasë pranue atê as si të vetën, as si model, madje as si fenomen tipik shqiptar.

Pirro Loli në librin e tij «Urdhëri i lotit » ua përqas sot shqiptarëve Nanë Terezën dhe vlerat e saj autentike dhe, tue përdorë ndjeshmënitë e tij shpirtnore të origjinës, përpiqet të hapë nji shteg të thjeshtë drejt vlerave e mesazheve të veprës së saj. Kujdesi i tij âsht që ky shteg të jetë i tranzitueshëm, i frekuentueshëm, pa shumë përpjeta e mundim, vepër kjo iluministe për etjet tona të prapsueme. Ky hap poetik e iluminist njiheri, përban të renë e të guximshmen e librit. Me gjithë thatësinën në tregun e leximit të poezisë, ai nuk rreket të zbulojë shijet e gatshme e të shfaquna të atij publiku të paktë që përtyp sot poezinë. Atij këtu i intereson të inicojë ngacmimin e nevojave për dimensionin e thellësisë drejt botës trashendentale të shpirtit e të krijesës. Tue e njoftë mirë shkretinën të cilës i drejtohet, poeti zihet ngusht dhe s'ia lshon frenat pegasit të vet të flutrojë atje ku ai fluturon për vetë atê. Misioni âsht delikat dhe fati i librit varet nga masa e ngarkesës. Autori i ka ecë për vijë temës fetare, e ka anashkalue me delikatesë, ka ndezë dritat mbi vijën e demarkacionit dhe e ka bâ të dukshëm kufinin. Asht si me thanë se ata që s'kanë sy me pa nji far, duhet të msohen me pa tue ia fillue prej xixëllonjës. Kjo vepër filigrani iluminist âsht përcaktue kshtu prej përplasjes jo të padhimbshme të vetdijes së autorit për caqet e vetes me pafundsinë e shkretinës shpirtnore të rretheqarkut që ushqen iluzionin e rremë të lirisë. Duhet ta coptosh dritën verbuese të nji fari në miliona xixëllonja, në mënyrë që syni i topitun ekskluzivisht prej përvojave të ditës,të marrë racionin e vet të ushqimit e të terapisë. Duhet të ketë qenë shumë e vështirë për autorin dozimi i masës së dritës, me të cilën ai do të fillonte terapinë e do të përcaktonte racionin e saktë për të verbtit.

Asht e çuditshme sesi parabola e këtij misioni të tij kaq të mshefët e kaq të hapët njiheri, gjendet e trupëzueme në njenën prej poemave të tij ma të parandësishme me titull Vrima drite :

që çelin vrima drite

tek unë e tek ti.

Dhe e pyesim veten përnjimend jo kush ishte Nanë Tereza, por çka ishte Nanë Tereza. Po i lejojmë vetes ketë jokorrektsi gramatikore, sepse jemi të bindun se ajo nuk do të kishte kurrfarë problemi me sedrën e saj, poqese do ta shihte emnin e saj të shkruem edhe shkronjë të vogël si të ishte emën i përgjithshëm. Tue zbritë tek pjesa prej sendi e subjektit të saj, tek ky rast kemi të bajmë me nji sjellje të pazakontë të un-it dhe të libidos. Nji shembull kaq i hatashëm i altruizmit e i vetmohimit, ku epshi i të qenit shtojcë e nji subjekti tjetër për t'i lehtësue dhimbjen ose për t'i zgjidhë nji problem ekzistencial, tregojnë për nji „unë" e për nji libido të ndrydhun deri fare afër asgjâsimit të tyne. Simbas psikanalizës dobësimi i libidos dhe zbehja e unit edhe në masa shumë ma pak të dukshme se ky që po shqyrtojmë, shkakton patologji, neuroza të thella e disa lloje psikozash. Subjektet me libido të dobsueme e „unë" të shpartalluem shfaqin papërjashtim, prirje të pakundërshtueshme drejt vetëvrasjes. A ka ndonji logjikë a arsyetim që ta shpjegojë veprën e kësaj grueje si nji lloj varianti vetvrasje ? Pesëdhjetë vjet vetëvrasje tue shërue, tue shkollue, tue asistue njerz në çastin e mbramë e të vështirë të kapërcimit, lëkurë-më-lëkurë me gërbulën, sëmundjen makabre të ronitjes së mishit ? Unë nuk shoh prirje për vetëvrasje. Shoh sfidë ndaj vdekjes, nji të ngranë sysh me tê, dhamb për dhamb. Dhe vazhdimësinë e jetës që ka shijen e fitores, ku kjo e fundit nuk âsht ngjarje por ekuilibër.

Varianti tjetër shpjegues i fenomenit "Gonxhe Bojaxhiu" do të ishte interpretimi i saj psikik si nji individ ku nji "unë" tejet i fuqishëm vërshen dhe përmbyt të gjitha kategoritë e tjera të strukturës së psikes, asgjâson dëshirat e mëdha e të vogla të jetës dhe mbretnon i vetëm si monokulturë ose si fatalitet. Ky kandvështrim e përqas shumë shêjtneshën tonë me kategorinë e herojve dhe të heroinave. Por edhe këtu më duket se ndryshimi âsht thelbsor. Në çastin e hymjes në luftim herojtë përfshihen prej nji eksitimi e paroksizmi që pak a shumë ua deh atyne vetëdijen që ta peshojnë realisht se me se janë tue u përballë. Herojve që hidhen në betejë u mungon në atë çast kthjelltësia e kjartësia e vetëdijes dhe e qëllimit, sepse instinkti i vetëmbrojtjes ndodhet në zenit të eksitimit dhe roli i tij shfaqet i pamjaftueshëm. Kurse për Terezën e Kalkutës thonë se shtrihej, u qasej, i merrte ngrykë pa asnji rezervë të sëmundët e saj dhe rrinte për të gjatë natës e përqafueme me ta derisa jepnin shpirt ose bâheshin ma mirë. E futun në votrën e infeksioneve të llahtarshme, asnji instinkt i vetëmbrojtjes, asnji pamjaftueshmëni e rolit të saj nuk ia turbullonte vetëdijen dhe qetësinë. Përveç kohës që lutej, ajo komunikonte normalisht me të sëmundin, fliste me tê, e inkurajonte, i bante katekizëm, gjithsesi nji dialog lucid e i kthjelltë.

Pirro Loli që e ka zvjerdhë me kohë teorinë e herojve e të heroizmit, nuk mund të pajtohej as nëpër mend me etiketimin heroinë të Nanë Terezës. Mllefin e vet për heroizmin jashtë epoke dhe keqpërdorimin e tij mbrenda stinës komuniste, poeti e gjen të trupëzuem te modeli absolut joheroik i Nanë Terezës. Me marifet e zgjuetësi poetike, ai i mpleks idealet e veta me thelbin e Nanë Terezës, dhe si të gjithë moralistët kur gjenden në nji botë pa virtyt, i sillet nji autoriteti epror, e intrigon atê tue e implikue në punët tokësore. Asht fjala për poemën Lutje jashtë lutjeve tek cikli i tretë me titull Kënga e gjarpërit. Stina joheroike e letërsisë përkon fatlumnisht me altruizmin joheroik të veprës e jetës së Nanë Terezës. Ketë fakt autori i poezive nuk e len me i ikë. Prirjet historike të letërsisë bashkëkohore, në rrjedhë të të cilës vozit poeti, përforcohen tue thirrë në ndihmë edhe retorikën e heshtun të moralistëve të vendit. Kumbona e mbarimit të erës epike bie në nji faqe. Por poeti s'âsht ende i sigurtë:

Vendin tim e kanë lodhur heronjtë!

Mandej vjen lutja e vërtetë:

Dhe ruajmë nga heronjtë!

Me interes më duket në ketë libër edhe shartimi i motiveve e temave. Mbas nji karrelate poetike mbi jetën e çastet kryesore të jetës së Nanë Terezës, ku vend kryesor zen sa poetizimi por edhe përsiatja e kontemplacioni, Pirro Loli hidhet në motivet e përditshmënisë, tue ruejtë me kujdes tonalitetin simbolik e ajror të pjesës kushtue Nanë Terezës. Poeti kalon nji martir të vetin kur, kokën plot me dritën e farëve që ndrisin konstantë pa e ndie hiç fare të ndërruemit e stinëve, ndër kambë i ngatrrohen zvarranikë e ferra, pëllumbat metamorfozohen në gjarpij e stina e lirisë ende s'po e çliron shpirtin prej eklipsesh.

Balada e pëllumbit âsht nji realizim interesant mbi raportin liri-njeri. Këtu s'âsht ma fjala për lirinë e dhanë, por për lirinë universale, lirinë e krijimit e të vetëkrijimit, të kultivimit e të vetëkultivimit, për nji naltësim shpirtnor drejt kërkimit personal të së vërtetave personale. Mbrenda nji forme disi bukolike e barok (se barokun ma kujtojnë fjongot) zhvillohet e shpërfytyrohet pllumbi i P.Lolit, i cili nuk duhet pa aspak si njeriu i virtytshëm, por thjesht si njeriu i pabamë, njeriu ende i papërcaktuem në paradhomën e "procesit social e historik", shndrrimin në rang specjeje të të cilit autori do ta paraqesë si tragjik.

Tashti due të ndalem pak te vargjet:

Liria

plas

në mua

si kryq.

Gjashtë fjalë. Tue përfshi në to edhe parafjalën, edhe lidhëzen krahasore. Gjashtë fjalë që janë shkrue për të krijue nji konfuzion të madh, hutim, ndoshta edhe buzëqeshje. Buzëqeshja me origjinë moskuptimin ose shpërfilljen realizohet lehtë, sepse nji pjesë e madhe e lexuesve, edhe e poetë-lexuesve nuk janë të stërvitun me zbërthye strukturat eliptike (hermetiket, mos o Zot!).

E ndiej për detyrë ta zbërthej ketë strofëz të thatë litotike, sepse ajo pikëmasëpari të krijon hutim. Dhe hutimi në lexim, në shumicën e rasteve, paralajmëron mineral. Strofa ka tri gjymtyrë: liria-plasja (eksplozioni)-kryqi. Kurrfarë lidhjeje racionale mes këtyne tri fjalëve. Nji bujk do ta quente "korr e mos lidh". Ta lamë bujkun në shêjtninë e vet e të merremi me shêjtninë e poezisë. "Liria" koncept mjaft abstrakt, "plasja" shumë konkret,"kryqi" aq sa konkret, aq edhe abstrakt sepse simbol. Më duket se fjala "kryq" me sjelljen e vet të dyfishtë, sa konkrete edhe abstrakte, futet në mes "lirisë" e "plasjes" dhe e zbut fenomenin e "flakjes" që shkakton pranëvumja e këtyne dy njisive heterogjene në pikpamje të landësisë. Rreshtimi i këtyne tri gjymtyrëve, mbas hutimit e mbas ngulmimit, nuk rrin ma si ma sipër, por kshtu: liri-kryq-plasje. Na duket se me ket spostim vendesh në aksin e logjikës fjala "kryq"e humb tashma vështrimin krahasimor dhe fiton të drejtën e literalitetit ose të njimendsisë." Liria" deri tashti kishte "ngecë" se nuk mund të plaste. E, aq ma pak, "kryqi". Tashti përqasja ndodh dhe ngul kambë mes "lirisë" e "kryqit". Kjo përqasje kambëngulëse shkakton zbërthimin e këtyne dy koncepteve dhe, kur ky kryhet, përbamëset kuptimore ndodhen në nji pozicion edhe ma të afërt deri sa me dhanë kuptim pothuejse të njimendët e linear. Shkurt, fjala "liri" zbërthehet në përbamëset e veta kuptimore: "zgjedhje", "zotnim", "krijim", "përgjegjësi", kurse fjala "kryq" si "figurë gjeometrike e sajueme prej ndërpremjes së drejtzave pingule", "simbol i fesë së krishtenë", "mundim i pafund", ose si "ndëshkimi ma i egër i pafajsisë". Përbamësja "zgjedhje" e gjymtyrës së parë përqaset me përbamësen "ndëshkimi ma i egër i pafajsisë" dhe prej këndej del edhe kuptimi i poezisë. Gërmadhat se individi i paguen shtrêjtë zgjedhjet e veta të lirisë ose, se ata që gogsijnë, aprovojnë, konformohen dhe nuk guxojnë, e sigurojnë luksin e rehatit pikëmasëpari tue i bâ atentat, së parës, lirisë së vet.

Mendoj se ide e forma të tilla të mendimit poetik nuk i gjejmë edhe aq shpesh në poezinë që shkruhet sot ndër ne e që mugullon e shëndetshme si fara e hîthave. Pirro Loli ka prirjen ta distilojë landën e poezisë së vet, ta ngjeshë dhe ta bâjë sa ma të tejdukshme. Ajo âsht nji poezi sensuale derisa na çon të shijojmë ngjyra,tinguj e deri aroma. Pavarsisht prej preteksteve që rrëmben, Loli e përdor poezinë për të bâ propozime,ku këlthitëse e ku në surdinë. Nanë Tereza ishte nji shkas i bukur për t'i hapë poezisë nji dimension kah fryma. Ai e di mirfilli se as Nanë Tereza, as fryma nuk janë në modë. Ndoshta mbrenda tij ai nanuris idenë e të qenit pararojës, edhe pse sot objektet e vemendjes së tij mund të jenë jashtë mode.

Maj 2004.


~~~ruani veten nga mallkimi,,,se veq vdekja eshte sherimi
~~~~~~~~!!!!!!~~~~~~~
nderime nga une zemra e kosoves,,,

 
Veröffentlicht : 24/02/2009 6:36 p.m.
Teilen: