Departamenti i Historisë
Universiteti i Shkodrës "Luigj Gurakuqi"
Fjala e rastit e Mitingut të organizuar me 28 nandor 2004 në Kishën Katolike Shqiptare të Shën Palit, në Rochester Hills të Michigan
I nderuem Dom Anton Kçira
Të nderuem zonja e zotërinj bashkëatdhetarë,
Të nderuem anëtarë të Këshillit të Kishës Katolike Shqiptare Shën Pali
Jemi mbledhë sot në këtë voter të madhe të shqiptarisë dhe të Kishës Katolike Shqiptare, mijëra e mijëra milje larg atdheut tonë të dashur, Shqipnisë etnike, dhe votrave tona familjare stërgjyshore, të përkujtojmë Ditën e Bardhë, 28 nëntorin 1912, ditë në të cilën Shqipja dykrenare, e "strukun për pësë shekuj robnije nën nji vetull mali, mbas vdekjes së Gjergj Kastriotit", hapi krahët dhe u valëvit në qiellin e lirë të vendlindjes sonë. Jemi mbledhë jo rastësisht këtu në Detroit, në vatrën ma të madhe binjake të djemve dhe nipave të Lekëve të Malësisë në Perëndim, dhe jo rastësisht në votren gjigande shqiptare që krijoi këtu në Miçigan, Dom Anton Kçira, si bir i Nanës sonë të madhe Tereze, si pauses i denjë veprës krenare të At Gjergj Fishtës, Dom Nikoll Kaçorrit, Dom Ndre Mjedës, At Benardin Palajt, Dom Lazer Shantojës, Padër Anton Harapit, At Donat Kurtit e dhjetra e dhjetra klerikëve të shquar, që nuk e ndanë kurrë nga jeta e veprimi i tyre binomin "FE dhe ATDHE". Jemi mbledhë në votrën e Komunitetit Katolik Shën Pali në Miçigan për të përkujtue Diten e Flamurit dhe nderue vepren e madhe të patriotëve shqiptarë nga Malësia, Kosova, Çamëria, Shkodra e Vlora, Gjirokastra e Korça në arritjen e kësaj dite. Me këtë rast duhet të nderojme gjithashtu dhe rolin që ka luajtur Kleri Katolik Shqiptar në ndriçimin dhe udhëheqjen e rrugës drejt pamvarësisë së popullit shqiptar, rrugën drejt ndërgjegjësimit si popull i lirë europian.
Personalisht ndjehem i nderuem që marr pjesë në këtë ceremoni madhështore dhe të veçantë, dhe nuk gjej fjalë të shpreh falenderimin tim për këtë rast të mrekullueshëm që më krijuat.
Por le të ndalemi tani në rrjedhën e ngjarjes historike që ndryshoi jetën dhe mendjen e shqiptarit, 28 nëntorin 1912:
Fillimi i dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit XX përkon në Shqipni me një moment vendimtar procesin e ringritjes së pozicionit nacional, politik dhe kulturor të popullit shqiptar pas 500 vitesh robnie të imponueme barbarisht, në të cilen do të thyhet përfundimisht ndërvarësia e politike me shtetin pushtues. Nga pikpamja kulturore, duke nisur nga kjo periudhë do të fillojë konsolidimi i asaj linje rilindase shqiptare që synonte rikthimin natyral të vetëdijes së tronditun kombëtare në shtratin e origjinës së vet europiane, të mishërueme në rranjet e kulturës mijëravjeçare iliro-arbnore. Fatmirësisht, Shqipëria pati një berthamë intelektuale iluministe rilindasish, të formuem kulturalisht në Europë, e cila arriti gradualisht ta shkëpuste zemren e kombit shqiptar nga pozicioni i imponuem nga pushtuesi dhe ta lidhte me origjinen e vet të natyrshme europiane. Ngjarja kurorëzuese e kësaj veprimtarie patriotike asht Shpallja e Pamvarësisë së Shqipnisë në kufijt e saj etnikë.
Më 28 Nandor 1912 mendjet ma të ndrituna të kombit shqiptar të mbledhuna në Kuvendin Kombëtar në Vlonë "me një za venduan që Shqipëria më sot të bahet në vete, e lire e e mosvarme". Ndër firmatarët e këtij vendimi historik ne duhet të përmendim, Ismail Qemalin, Dom Nikoll Kaçorrin, Luigj Gurakuqin, Qazim Kokoshin, Rexhep Mitrovicën, Abdi Toptanin, Mid'hat Frashërin, Salih Gjuken, Pandeli Calen, Bedri Pejanin, Mustafa Krujen e figura të tjera të randësishme të shqiptarizmës. Por duhet të pranojmë së pranë firmatarëve kanë qenë me mendje dhe me zemër të gjithë ata që e përgatiten realisht 28 nëntorin, krahinat që asnjëherë nuk iu nënshtruen pushtuesit aziatik: Malësia e Madhe, Dukagjini, Mirdita, Kosova, Labëria, Himara, Çamëria-Suljote, komunitetet e vetëdijshme qytetare në Shkodër, Korçë, Gjirokastër e Durrës etj., pra e gjithë Shqipnia luftarake dhe antiosmane. Ata madje ishin firmatarët ma të parë dhe ma të kjartë të mëvetësimit të Shqipnisë nga pushtuesi, mbasi nuk iu përkulën asnjëherë atij. Në një shtëpi modeste të Vlonës, kishte kohë qi zonja Marigo Poze, nji zonjë orthodokse shqiptare, "e shqiptare me mish e me gjak e me shpirt, po qendiste me duart delikate e t'afta të saj e me nji dashuni pa skaj, nji shqipe të madhe dykrenëshe, të zezë mbi pëlhurë të kuqe". Ishte flamuri i Shqipnisë së Lirë. Këtë flamur, pasditën e 28 Nanduer 1912, pasi përfunduan brohoritjet e rezolutës së Kuvendit për pamvarësinë kombëtare, Ismail Qemali i mbështetun fuqimisht nga Luigj Gurakuqi dhe Dom Nikoll Kaçorri e ngriti madhnisht duke iu dridhun duert nga mallëngjimi, në nji dritare qendrore të ndërtesës historike. Flamuri i Shqipnisë asht flamuri qi përdorte Skenderbeu.[1] Flamurin e Heroit tonë Kombëtar e kishte ngritur një vit e gjysëm më parë, i pavdekshmi kreshnik i Lekëve të Malësisë, Dedë Gjo' Luli, i cili me 6 prill 1911 e nguli në majë të Bratilës së Deçiqit, dhe i ndjekun prej mijëra malësorë trima filloi luftën për indipendencen kombëtare[2]
Po çfarë përfaqëson flamuri për një komb? Nuk ka komb që mos të ketë flamurin e vet, me ngjyrat e simbolet, të cilat përfytyrojnë karakterin fizik dhe shpirtnor, si të vendit ashtu edhe të popullit. Flamuri paraqet deshirat e stërgjyshave tonë, trimnin e karakterin e tyre. Flamuri ynë kombëtar asht nji shqipe e zezë dykrenëshe me krahë të lirë në shtroje të kuqe. Ngjyra e kuqe simbolizon gjakun e derdhun nën robninë gati 500 vjeçare, ndërsa ngjyra e zëzë asht për jaz të asaj robnie aq të gjatë. Ka edhe nji vështrim tjetër: ngjyra e kuqe përfytyron flakë, dashtni e prandej bashkim; Shqypja e zëzë në tokë të kuqe ka kuptimin e maleve të mnershme në të cilat kanë shqipet çerdhet e veta; këto male janë mburojë e asaj toke ku mbretnon dashnija dhe bashkimi; shqipja dykrenëshe nënkupton gjithashtu bashkimin e kombit dy degësh, Toskë e Gegë, të cilët si dy krena në nji trupi, do të qindrojnë përjetësisht së bashku për me mbajtë vedin e lumnin e kombit të vet.
Flamuri kombëtar pas 28 nëntorit 1912, asht ngritun më pas më 13 qershor 1913 nga Fretnit e Gjuhadolit në Shkodër në kumbonaren e Kishës, përkundra urdhnit të përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha. Me 5 mars 1914, flota ushtarake e Fuqive të Mëdha ngriten Flamurin e Shqipnisë duke përshendetë me topa në portin e Trieshtes, dhe përcollën për në Durrës, Princin e Shqipërisë Vilhelm Vid, të zgjedhun prej gjashtë Fuqive, e më 7 të të njëjtit muaj, Flamuri i Shqipnis valëvitej në Pallatin Mbretnor në Durrës. Më 19 mars 1914 zelli i atdhetarëve shkodranë, bani me ngrehë flamurin komtar edhe në Kështjellën Rozafat të Shkodrës, megjithëse ky qytet ishte ende nën administrimin e Fuqive të Mëdha.[3] Kështu flamuri i Kastriotëve u adaptue në të gjithë Shqipërinë, dhe u bë flamur i shtetit të cunguar shqiptar dhe i të gjithë shqiptarëve në trojet e veta etnike. Kështu sot, prej Zotit, kemi nji unjisim të plotë në flamur kombëtar, në të gjitha trojet, pavarësisht përpjekjeve të nostalgjikëve të regjimit otomanist dhe komunistave për me i përçydnue simbolet tona kombëtare.
Por si kanë rrjedhë ngjarjet pas shpalljes së pavarësisë? Natyrisht, shpallja e pamvarësisë nga udhëheqësia shqiptare nuk përbante zgjidhjen e plotë të problemit kombëtar shqiptar. Ngritja e flamurit ishte vetëm një akt të njëanshëm i brendshëm i popullit shqiptar, ishte shprehje e dëshirës së pjesës ma të përparueme të popullit shqiptar, por që kishte nevojë të njihej ndërkombëtarisht, madje në kufijtë etnikë. Prandaj, më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali i dërgoi një telegram fillimisht Kontit Berchtold, ministër i punëve të jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze e më pas edhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë e të mbretërive të mëdha të tjera. Telegrami njoftonte se „Kuvendi Kombëtar i .. të gjitha viseve shqiptare pa dallim feje, të mbledhum. në qytetin e Vlonës, shpalli formimin e Qeverisë së Përkohshme, e ngarkuar të mprojë të drejta e jetesës së popullit shqiptar, i kërcënuar për shfarosje nga ushtritë serbe e ta çlirojë tokën kombëtare që asht pushtue nga ushtritë e shteteve aleate". Ma tej, kryetari i qeverisë së parë shqiptare post-otomane do t'i lutej qeverive të fuqive të mëdha ta njohin "këtë këmbim në jetën politike të kombit shqiptar". dhe t'i mprojnë shqiptarët "nga çdo cënim të jetës së tyre kombëtare e nga çdo copëtim të tokës së tyre." Ky ka qenë veprimi i parë diplomatik i qeverisë së Përkohshme të Vlonës.[4] Me 2 janar 1913, përfaqesuesit e qeverisë shqiptare në Londër: Rasih Dino, Mehmet Konica dhe Filip Noga, i drejtuen një kërkesë Kryetarit të Konferencës së Ambasadorëve Eduard Grey, në të cilen shpjegoheshin kjartë dhe shkoqur dëshirat shqiptare dhe shtrirja gjeografike e etnise shqiptare.[5]
Shqiptarët dhe Shqipnia e re që po fillonte të përvijohej ishin të interesueme në mos lëshimin e asnjë pëllambe toke shqiptare dhe në këtë drejtim ata duhej të mbështeteshin pikërisht tek ajo fuqi, e cila kishte ba të gjitha përpjekjet në Konferencën e Ambasadorëve, për krijimin e shtetit shqiptar në kufijtë e vet etnikë, Austro-Hungaria. Aq ma tepër të interesuem për këtë ishin banorët e zonave të rrezikueme nga ndarja, veçan ato të Shkodrës, Malësisë, Kosoves dhe jugut të Shqipnise, të cilët prekeshin nga vendimet e Konferencës së Londrës. Në këtë kuadër, Malësorët e Malësisë së Madhe nuk kanë ndenjë duarkryq, por janë interesue vazhdimisht pranë autoriteteve ndërkombëtare të instalueme në Shkodër për fatin e matejshëm të trevave të tyne. Megjithatë, më 1912-1913 kena të bajmë përsëri me një rast jo të favorshëm të historisë shqiptare. Mungesën e përputhjes së interesave strategjike të aleatit ma të parë që ishte Austro-Hungaria, dhe një fuqie tjetër që kishte dhanë shënja të randësishme realizmi dhe sensi pozitiv në vlerësimin e çështjes shqiptare, pra Anglisë, por që bante pjesë në një grupim të ndryshëm të Fuqive të Mëdha.
Më 21 maj 1913 Nën-Admirali britanik Cecil Burney që komandonte trupat ndërkombëtare në Shkodër priti në oborrin e rezidencës ushtarake britanike në Shkodër rreth 130 prijës malësorë, që kishin hyrë në qytet të paarmatosur. Prijësit e fiseve malësore të Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit dhe Shkrelit i dorëzuen Admiralit një peticion që kishte të bante me problemin e kufinit veri-perendimor të Shqipnisë dhe atë të ndarjes së territoreve që i përkisnin këtyre pesë fiseve ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipnisë. Peticioni ishte i shoqëruem me kërkesen. për t'u paraqitun para qeverisë britanike, sa më shpejt që të ishte e mundur. M E M O R A N D U M I, të cilin e kam zbulue personalisht në arkivin e Londrës (P.R.O.) ka këtë përmbajtje: T'nęnshkruemt Kreen t' Bajrakut t'Kelmęndit, tuej vűu oroe: a) se pęsë Malet e Mishkodres: Hoti, Gruda, Kelmęndi, Kastrati e Shkreli, permręnda atyne kufîjve nder t'cillt sod me sod gjinden të caktueme, jânë për kahë gjaku, gjuha, kanuni e doket nja me fise tjera t'komit shqyptaar; b) se kahë feja jânë nji besimit me Dukagjin, Pukë, Mirditë, Kthellë, Malcië t'Lezhës etj., e se prandej ndollin t'ndryshuem prejë Malit t'Zii; c) se intereset e gjallimit t'tynë gjinden t'lidhuna e t'pershkueme me ato t'krahinës (Vilajetit) t'Shkodres, njaq saa e shűmta pjesë e Malcorve dimnon nder vise t'shtrîme prejë Shkodret deri n'gjytet t'Kavajës, e qi prandej t'kaluemt e tyne nęn sundim t'Malitzii kishte me u pertrîi nji rrenim t'madh n'ekonomii; d) se kto Male per trii vjet rresht kan derdhë gjakun vetun per lirië e perparim t'komit shqyptaar..... e) se Malazezt, (si tjerët Slav t'Balkanit), gjith kohen e luftës me Turkië kan bîndë marë shekullin e gjytetnuem me mizorii e dhunii t'kryeme mîi Shqyptarë e mîi katolikë t'Shqypniis, t'cillve u kan djegë Kishë, rrenue eltert, mytë meshtarë, grîi fmîi e graa, plaçkitë gjâa e pasunii e rroposë me top e me zjarm, kundra ç'do arrsyjet e vullndetit t'Europës, gjytetin e Shkodrës; f) e se prandej antipatia e saa qind vjetve ndermjet komit shqyptaar e popujve Slav t'Balkanit sod gjindet mâa teper e egercueme, po mârrim lęjen me ja u paraqitë luten neper mjet t'Madhniis s'Ate atyne Pushteteve t'Mdhaa t'Europës, t'cillat ja kan vűu detyrë vedit me perkujdesue per lirim e perparim t'Shqypniës, si pesë Malet, t'permęnduna sypri, me ata kufîj nder t'cillt jânë gjetë deer sod t'pershtrîeme, t'perbâjnë nji pjesë t'vetme me Shqypnië t'librueme. Për ndryshe, si n'kohë t'kalueme, nder ata kufîj kaa me rjedhë prap gjak nierit. Ndër të nënshkruemit e këtij peticioni në lexojmë sot emnat e: Kol Nika, Gjon Neli, Prek Groshi, Gjergj Pręçi, Luk Nika, Gjeto Deda, Pręk Zuri, Baza Doshi, Pręk Shtiefni, Luc Ujka, Tom Gjoni, Prel Toma, Kol Pręçi, Marash Vata, Pjeter Ndoka, Tom Prela, Pashko Elezi, Mark Kola, Mark Ujka, Pjeter Deda, Zef Pjetri, Zef Gjoni.[6]
Ndërhymja e prijësve malësorë pati ndikimin e vet në bindjet e admiralit britanik, i cili do t'i propozojë eprorëve të tij në Londër një vijë kufitare të ndryshme nga përvijimet paraprake.[7] Propozimin ai e mbështeti në vëzhgimin e drejtë se,"në qoftë se territoret e fiseve të Hotit e Grudës i jepen Malit të Zi dhe fiset e Malësisë ndahen nder sundime të ndryshme, atëherë do të jetë e pashmangshme lufta guerrile e në këtë pjesë të vendit nuk do të keqë qetësi." Një muaj ma vonë, Burney, jo vetëm që i përmbahej përsëri kësaj ideje, por e avancon më tej atë. Ai shprehet: "për sa i përket kufirit verior, unë jam i bindur se në qoftë se Hoti do t'i jepet Malit të Zi, të katër fiset, Hoti, Kelmendi, Kastrati dhe Shkreli do të ngihen së bashku dhe do të ndërmarrin veprime armiqësore kundër Malit të Zi, gjaku do të vazhdojë të derdhet në këtë krahinë dhe Europa do të duhet të përballojë të njejtat vështirësi që ajo pati pas Traktatit të Berlinit, kur Plava dhe Gucia u caktuan për t'u pushtuar nga Mali i Zi."[8]
Për të mbeshtetur përpjekjet e popullit, nga fundi i qershorit 1913, Qeveria e Përkohshme e Vlonës dërgoi në Romë dhe në Vjenë një komision të përbamë nga Ajet Libohova, Ekrem Vlora dhe disa patriote të njohun nga Gjinokastra dhe Çamëria, me synimin për të theksue pretendimin e Shqipnise ndaj njeres prej krahinave te saj ma të pastra dhe ma te pasura, Çamërise, të banuar prej 50000 shqiptaresh muslimane dhe 14000 shqiptarësh orthodokse e prej asnje greku.[9] Por shpresat për të arritun diçka në këto çeshtje ishin gati të kota.
Për fat të keq, Fuqitë ë Mëdha të mbledhuna në Konferencën e Ambasadorëve në Londër lëshuan para presioneve të fuqishme të Rusisë. Si rezultat, Malësia e Madhe ashtu si Kosova, Çamëria, iu shkëputën trungut të shtetit të ri shqiptar. Malësia e Madhe, siç dihet, kje faktori ma i parë e ma i fuqishëm i lirisë sonë kombëtare. Malësorët e Mbishkodrës gjatë kohës së pushtimit osman kanë qënë një mburojë e fuqishme e shqiptarizmës në trevat veriperëndimore shqiptare dhe me eshtnat e tyne i vunë një gardh Shqipnisë përballë lakmive të pafundme sllave. Por vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës më 1913 shkëputen prej fisit e gjakut të vet, territoret e fiseve të Hotit dhe të Grudës, dy pjesë këto që plotësojnë Malësinë dhe pa të cilat trungu shqiptar në përgjithësi mbetet i lënduem randë. Gjithashtu, vendimi përfundimtar i Konferencës së Ambasadorëve do t'i shkëpusë katolicizmit shqiptar dy prej fiseve ma të fuqishme të racës arbnore. Duhet të nënvizojmë se më këtë vendim arbitrar katolicizmi shqiptar pësoi një copëtim të randësishëm dhe mjaft të pamotivuem për ndërgjegjen europiane: Arqipeshkvisë së Shkodrës iu shkëputën famullitë e Tuzit, Traboinës, Grudës dhe Klleznas, të cilat tani i kalojnë Arqipeshkvisë së Tivarit.
Edhe mbas marrjes së vendimit përfundimtar, gjatë veprimtarisë së Komisionit të Caktimit të Kufirit Verior të Shqipnisë, malësorët dhe prijësit e tyne nuk kanë ndenjë duarkryq, përkundrazi, ata kanë zhvillue një aktivitet të dendun, ushtarak dhe politik, në të mirë të mbrojtjes së tanësisë tokësore të Shqipnisë, madje edhe përkundër vendimeve të padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Kështu, pas mesit të muajit prill 1914, prijësi i Selcës dhe udhëheqësi kryesor i fisit të Kelmendit, Mik Turku, pati një takim me përfaqësuesin britanik në Komisionit e Caktimit të Kufirit, Granet, në cilin ai i argumentoi përkatësinë shqiptare dhe kelmendase të Vermoshit. Ai i deklaroi përfaqësuesit britanik se "rajoni i Vermoshit është konsideruar gjithmonë se i perket fisit të Kelmendit. Gjenden 70 familje të cilat jetojnë atje gjatë gjithë vitit dhe 400 të tjera që shkojnë atje gjatë periudhës së veres."[10]
Për t'u shënue në këtë aktivitet asht krijimi i Komitetit "Pro Hoti dhe Gruda", president i të cilit ishte Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Jak Serreqi. Me datën 8 maj 1914, ky komitet dërgoi një delegacion në Durrës, të përbamë nga tre prijës malësorë, mes të cilëve Dedë Gjo' Luli i Hotit dhe dy qytetarë shkodranë, Mikel Topalli dhe Palokë Kurti, të cilët i dorëzuan Mbretit të Shqipnisë, Wilhelm Wied I një peticion[11]. Peticioni, të cilin unë e kam paraqitun për herë të parë në Konferencën "Krishtërimi ndër Shqiptarë" më 1999 në Tiranë asht një thirrje e fuqishme kombëtare për riintegrimin krahas Hotit, Grudës dhe të Gjakovës edhe 22 fshatrave të Anës së Malit në shtetin shqiptar. Në interes të paqes, drejtësisë dhe të drejtave të shenjta njerëzore, Komiteti i kryesuem nga Arqipeshkvi, kërkoi një korrigjim të Traktatit të Londrës në aspektet kufitare shqiptaro-malazezo-serbe. Ky ndryshim paraqitet në kërkesë si një domosdoshmëri e pashmanshme për të vënë në vend moralitetin e Europës së qytetërueme.[12] Siç dihet, në qiejt e Europës asokohe fluturonin re të errëta që e eklipsuan randësinë e Çështjes Shqiptare. Gjithashtu, në planin e brëndshëm shqiptar, rigjallërimi i masave të fanatizueme pro-osmane, i shoqnuem ky me ndërhymjet e venizellistëve në jug të Shqipnisë, e troditën në themel përpjekjen neo-skenderbegiane për konsolidimin e shtetit shqiptar dhe mbrojtjen e tanësisë territorale të tij në kufijt etnikë. Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore nga ana tjetër e ndërlikoi edhe ma tej situatën dhe çështja shqiptare do të mbetej pezull deri në ritrajtimin saj nga Konferenca e Paqes së Parisit. Pavarësisht nga kjo rrjedhë e padëshirueme e ngjarjeve, Shpallja e Pamvarësisë së Shqipërisë me 28 nëntor 1912 përban ngjarjen më të madhe për kombin shqiptar, me të cilën kanë ba dhe bëjnë të gjitha llogaritë jo vetëm shqiptarët, por i gjithë sistemi marrëdhënieve ndërkombëtare në epokën bashkëkohore. Pamvarësia i lejoi popullit tonë, të vogël, por gjithmonë bujar, të gjejë personalitetin e tij në zhvillimin e gjuhës e letërsisë, kulturës dhe të zgjuarsisë kombëtare, duke ruajtur njëkohsisht traditat e vjetra të një populli të thjeshtë por krenar.
Sot, më 28 nëntor 2004, në 92 vjetorin e Shpalljes së Mevëtësimit, konstatojmë se Shqipnia dhe Çështja Shqiptare vazhdojnë të mbetën probleme në trajtim për diplomacinë europiane. Në kushtet e proceseve integruese që kanë përfshi gjithë kontinentin e vjetër, në rrethanat e një jetë të lirë që po kalon Shqipnia Verilindore, respektivisht Kosova e çlirueme nga okupacioni serb, dhe të proceseve demokratizuese në të cilat asht përfshirë Mali Zi, Maqedonia e vetë shteti amë shqiptar, sot ka një klimë ma të favorshme për trajtimin ma objektiv të problemit shqiptar. Mbi të gjitha sot Fuqitë Perëndimore nuk kanë mbi vehte peshën e randë të ballafaqimit me fuqinë sllavo-ruse në Ballkan, sikurse qe deri në të kaluarën jo të largët.
Nga ana tjetër, mendojmë se para se të jetë problem i diplomacisë europiane, Çështja Shqiptare në radhë të parë asht një problem i brendshëm i vetë shqiptarëve. Kjo në kuptimin se shqiptarët, ma saktë klasat politike shqiptare, priten të bajnë zgjedhjen përfundimtare në mes të qenurit objekte të paqendrueshme dhe kalimtare politike, apo subjekte të vetëdijshme politike të një shteti demokratik dhe europian, që priret të integrohet në kontinentin e vjetër. Fatmirësisht sot de facto, në Europë ekzistojnë dy shtete shqiptare: Republika e Shqipërisë dhe Kosova, kjo e fundit e administrueme përkohësisht me Rezolutën 1244 të OKB. As personazhit ma dritëshkurtë në Serbi nuk do t'i shkonte ndërmend që ndonjëherë në të ardhmen Kosova do të rikthehej në Serbi. Mirëpo ne ende nuk kemi një afat të saktë mbi përcaktimin e statusit të ardhshëm të Kosovës. Përveç faktorëve që kanë të bajnë më ekuilibrat e brishtë ballkanikë dhe europianë, në vonësen e zgjidhjes së çështjes së shtetit të dytë shqiptar në Ballkan kemi dorë edhe ne shqiptarët. Pra, ne jemi në provë nga komuniteti ndërkombëtar për shkallën e seriozitetit dhe aftësisë shtetformuese. Artikulue ndryshe kjo do të thotë që shteti i ri shqiptar në Ballkan nuk do të jetë ma mbrojtësi i interesave të një grupi etnik dhe kulturor në dëm të kërkesave të një grupi tjetër. Shteti i ri duhet jetë tashmë gjykatës i kthjellët, pajtues dhe tutor i rendit shoqëror dhe politik në një territor gjeo-politik objekt kontestimesh historike, një faktor stabiliteti në Ballkan dhe ma gjanë, një njësi e sigurtë politike kundër depertimeve të terrorizmave dhe aktiviteteve kriminale ndërkombëtare. Qënia popull shumicë e shqiptarëve në Kosovë nuk asht privilegj për të sundue mbi nacionalitetet dhe grupet e tjera kulturore, siç konceptohej në mënyrë të padrejtë nga regjimi i Millosheviqit, apo siç mund ta kuptojë edhe ndonjë mendje e fanatizueme shqiptare, por një obligim për të sigurue një përfaqësim proporcional në legjislativ, ekzekutiv, gjyqësor dhe në përgjithësi në administratë e në vendimarrjen politike të të gjithë qytetarëve të Kosovës së ardhshme. Hapi i parë në këtë drejtim, asht përfaqësimi i përpjesshëm dhe i drejtë mes komponentëve përbas të vetë shqiptarëve. Vendimmarrja e ardhshme politike në Kosovë nuk duhet të konceptohet në asnjë mënyrë vetëm si demokraci e shumicës, por para së gjithash si konsensus mes shumicës me pakicat, bazue në shtyllat themelore të funksionimit të një sistemi demokratik perëndimor; kurse qeveria e re që do të formohet së shpejti, duhet të jetë ajo ma qytetarja, ma e pjekura, ma a hapura dhe ma e pastra në pikpamje të biografisë jetësore dhe ma e besueshmja për komunitetin e vendeve demokratike perëndimore. Perfshimja e përsonaliteteve intelektuale të Kosovës në drejtimin e qeverisë së re dhe shmangia e elementeve që sjellin sherre për ne shqiptarët, duhet të jetë shqetësimi kryesor për ekipet vendimarrëse politike.
Funksionimi i demokracisë dhe i shtetit ligjor ka qenë sfida ma e madhe me të cilën vazhdon të ballafaqohet shteti amë, Republika e Shqipnisë. Mungesa e seriozitetit në krijimin e institucioneve demokratike, shmangia e plotë nga kërkesa masive e shqiptarëvë të 1991 "për ta ba Shqipninë si gjithë Europa", paqendrueshmëria në ndjekjen e një kursi konstant "pro-perëndimor" dhe krijimi i aleancave të reja të përpërshtatshme, deformimi i aspekteve të veçanta të funksionimit shtetit ligjor dhe ligjeve të ekonomisë së tregut të lirë, mosrespektimi dhe vonesa në gjetjen e një rrugëzgjidhjeje të qëndrueshme të problemit të respektimit të të drejtës së pronës private, krijimi i dizekulibrave të panevojshëm në përfaqësimet krahinore dhe fetare, mund të themi se kanë ndikue në një ecuri jo normale, madje të paqartë, të Shqipnisë postdiktatoriale. Grupimet kryesore të politikës së sotme shqiptare janë po ato që u kristalizuan menjëherë pas ditës së parë të shpalljes së pluralizmit politik. Këto dy grupime kanë monopolizue të gjithë strektrin e jetës politike, ekonomike dhe shoqërore, duke eklipsue dhe mbajtun nën fre prirjen e krijimit të një force më të vertetë demokratike, jokomuniste dhe pro perëndimore në shtetin amë. Përndryshe, Mërgata antikomuniste në Perëndim, jo vetëm që në vitet 1990' ndodhej në një proces shterimi energjish, por ajo asht shmangë që në fillim, me një finesë mjeshtërore komuniste, nga mundësia e riintegrimit në jetën politike shqiptare. Prandaj sot mund të endesh pa fund nëpër të gjitha pavionet dhe nuk gjen dot kurrkund, ideologjinë e përkushtimin e Luigj Gurakuqit, Çerçiz Topullit, Muço Qullit, Faik Konicës, Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Abdi Toptanit, Stavri Vinjaut, Mirash Ivanajt, Mid'hat Frashërit, Ernest Koliqit, Kapidanit të Mirditës, në mbrojtjen e tanesise tokësore të trojeve shtetnore dhe konsolidimin e institucioneve. Ma të rinjve të këtij formimi dhe kësaj përgjegjshmënie, që arritën t'i shpëtonin mrekullisht asgjesimit fizik dhe ta shohin ditën e lirisë, profesorëve të nderuem Arshi Pipa, Sami Repishti, Nush Radovani, Ihsan Abdi Toptani, Gjon Sinishta, Nikolla Pano etj., nuk iu dëgjua as këshilla dhe fjala e urtë. Orientimet e panderprera qe u bani zhvillimeve shqiptare te pas 1991 shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare u kaluen ne heshtje nga lidershipi politik në Shqipni. Si rrjedhim, Shqipnia sot, pas ma se 13 vitesh, gjendet ende në situatë tranzicioni dhe eksperimentesh, një vend që ende nuk ka një time table të qartë në procesin integrues në Bashkimin Europian.
Megjithatë vendi ynë amë ka një shans të madh: ka një popull me zemër të madhe dhe të vetëdijshëm për origjinen e vet europiane; një popull tolerant dhe i vllaznuem në komunitetin e vet qytetar. Pamvarësisht besimeve fetare të ndryshme, shqiptarët e kanë të kjartë se Zoti dhe religjionet nuk e cënojnë jetën shqiptare, përkundrazi, ato i japin forcë dhe dashuni jetës në shoqërinë tonë. Rrezik për jetën tonë komunitare nuk përbajnë besimet fetare, por pabarazia e madhe ndëmjet elementevet të ndryshëm fetarë, pabarazi që deperton më pas jetën shtetnore e kombëtare, me ndryshim morali, përpjekjesh, zakonesh, interesesh ideale e materiale, që mbërrin deri në përbuzjen të shoqishojit, me ngallnimin e forcës kundër të drejtës, të pasunis kundrejt aftësis, të numrit kundër idealit.[13] Varra të tilla, në qoftë se ekzistojnë, nuk shërohen vetëm duke i ndrydhë apo fshehë, pse pa u kujtue mund të shkojnë në gangrenë. Çështja e besimit nuk ndreqet me luftimin e tyre indirekt, por duke krijue e vendue nji modus vivendi të drejtë e të arsyeshëm. Harmonia e sinçertë në mes rrethevet e elementevet të ndryshëm asht shpëtimi i Shqipnisë. Duhet të jetë në interesë të udhëheqësve shqiptare, qofshin këto shtetërore, në Shqipëri dhe Kosovë, qofshin këto politikë në Mal të Zi dhe Maqedoni, përfshimja në një veprim intensiv dhe të barabartë të fuqive morale, ditunore, ekonomike dhe administrative të të gjithë elementeve përbas të shqiptarizmës, duke kompensue në masë të barabartë para së gjithash atë element që vuajti ashpërsisht nga diktatura komuniste. Më duhet të nënvizoj se shteti dhe jeta shqiptare e prirun fuqimisht drejt rintegrimit Euro-Atlantik, kanë nevojë për pjesmarrjen sa ma të gjallë dhe ma vepruese të komponentit të vet vëlla katolik, që ende vazhdon të jetë nën peshën e randë të margjinalizimit.
Asht koha që shqiptarët sot ma shumë se kurrë që tolerancen qytetare ta kthjenë plotësisht në dashuri mes vllaznish të një gjaku e race dhe tolerancen shtetnore në drejtësi ligjore. Vetëm atëherë harmonia fetare mes nesh do ta përfshijë e do ta përshkojë të tanë jetën tonë, duke e drejtue e rregullue tolerancën në çdo kohë e në çdo pikpamje. Pikërisht për këtë problem madhor të jetës shqiptare, e Përkohshmja famemadhe „Hylli i Dritës" në vitin 1930 shprehej në këtë mënyrë: „E kur e verteta, duke iu shfaqë arsyes së shqiptarit, t'ia ndrisë mendjen, kur dashurija e njimendtë duke ia prekë zemren, t'i japë fuqi entuziazmit, kur vullnesa a tij sado e ligshtueme, të marrë shkas veprimi e të përtërihet prej këtyre virtytevet, paqa ashte e vendosun dhe e mbajtun. Këso dore krejtë shqyptari asht i përtrim e i ritrajtuem ndër fuqit e para shpirtnore."[14]
At Gjergj Fishta gjithë jetën tij i këndoi bukurisë e traditave tona të shëndosha, lëvdroi fisnikërinë e zakoneve të kullueta arbnore, bani apologjinë prirjeve të natyrshme të kombit, zbuloi qytetnimin e thellë që kanë zemrat malësore, ku në to heshtin paragjykimet e flet instikti bujar i racës. E mësimi qi na paraqet Fishta, jo me ligjerata doktrinare, por me krijesa bukurije e me magjinë e artit asht ky: Shqiptari nuk duhet t'i humbin karakteristikat e veta, besën, burrnin, mikpritjen sedren krenarinë, respektin e vertetë të shoqishoqit, elemente këto të çmueshëm qytetnimi, por t'i pastrojnë ato nga bestytnitë, idetë e shtrembëta të trashëgueme nga sundimet aziatike, interpretimet e ngushta në të cilat shekujt e territ i kanë ndërlikue. (citue). Thanun ndryshe, Shqipnia e shqiptarët munden me ecë përpara, kur breznia e re, me mendje të ftillueme si ma i miri qytetar perëndimor, ta ketë zemren e thjeshtë e bujare si të Marash Ucit e Oso Kukës, kur udheheqësia shqiptare të operojë me mendjen, zemren e idealin e Dedë Gjo Lulit, Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës, Fan Nolit, Bajram Currit, Ismail Qemalit, Ernest Koliqit etj.
Vetëm mbi themel të nji ndjesie vllaznore, qi të përfshijë në rrathin e flakës së vet të gjithë shqiptarët qi bajnë hije mbi dhe, Shqipnija amëshohet,
Së fundi, dua t'u rrefej një brengë që më ngacmon shpesh vllazën, sa herë që unë kapërcej kufinin shqiptaro-malazias dhe vizitoj Malësinë. Asht një brengë që me përsëritet gjithashtu, por me një forcë ma rrënqethëse, sa herë kapërcej Rapshen e Hotit dhe drejtohem për në Kelmend deri në Vermosh, brenda kufinit të shtetit tim: Malësia kreshnike shqiptare që ruajti të pastër racen shqiptare po zbrazet me një shpejtësi të frikëshme. Çdo ditë sternipërit e Lekëve të Malësisë largohen nga vendlindja stërgjyshore me një nxitim të pamatshëm. Për ironi të fatit, ma katastrofike paraqitet situata në pjesën e mbetun brenda shtetit amë. Të braktisun nga ai që duhet të ishte shteti i tyne: pa infrastrukturen elementare rrugore, pa shërbimin parësuer shëndetësor, me ndërpremje drastike të furnizimit të energjisë elektrike, pa një sistem dhe infrastrukturë arsimore të përshtatshme, malësorët marrin çdo ditë rrugën e emigrimit. E shteti bashkëkohor i Tiranës, vazhdon të mbetet indiferent, i patrazuem dhe i pashqetësuem për fatin e atyne që i dhanë emrin Shqipnisë, të atyne që krijuen kryeqytetin e shtetit, të atyne që mbrojtën së bashku me kufinin veriprendimor edhe gjuhën e racën shqiptare në përgjithësi. E si mund të mendohet që shteti amë shqiptar do të punojë ndonjëherë për ngritjen aq të dëshirueme të statusit të shqiptarëve në Mal të Zi, kur situata e trojeve të Malësisë në shtetin e vet asht në një gjendje krejtësisht ma të mjerueme??! Prandaj mendoj se asht detyrë e të gjithëve të ngrihet zani që të ndalet tatëpjeta që po pëson Malësia në të dy anët e kufinit, dhe qyteti i tyne ma i dashtun, Shkodra e Mbretit Gent, e Pashko Vasës, e Luigj Gurakuqit e Oso Kukës, e At Gjergj Fishtës dhe Ernest Koliqit. Shkodra juej, dikur qytet i krenarisë për gjithë shqiptaret në Veri dhe në Jug, sot vllazen asht nji qytet i rrënuem, i braktisun çdo ditë nga bijtë e vet ma të mirë e të mençur, i asfiksuem nga politikat qendrore dhe lokale, dhe nga ndërhymjet e damshme.
Pjesmarrja sa ma e gjanë e shqiptarëve të Malit të Zi në vendimarrjen politike, nëpërmjet shfrytëzimit të hapësinave që krijon sistemi politik malazez, natyrisht asht një detyrë dhe obligim i çdo shqiptari atje. Nga ana tjetër, krijimi i një ekipi përfaqësuesish ma të besueshëm, në pikpamje profesionale, dhe nga pikpamja patriotike dhe proeuropiane, mbetet nje detyrë ende e paplotësueme për shqiptarët që banojnë në Mal të Zi. Janë me dhjetra forcat e urta, patriote e intelektuale shqiptare që mund të angazhohen drejtperdrejtë në përfaqësimin ma dinjitoz të shqiptareve dhe të nxjerrin nga kulltuqet individët që asnjëhereë nuk kanë mbrojtun seriozisht të drejtat e popullit shqiptar, ato që asnjeëherë nuk e nderuan Flamurin e Deçiqit dhe deshirën shekullore të shqiptarëve për të qenë popull i lirë europian. Shqiptarët e Malit të Zi kanë një grupim intelektual të randësishëm, që po të angazhohet në perfaqësim tashma, mund të sjellë një strategji të re në shkollimin efikas të shqiptarëve, një ndihmesë të randësishme në ristrukturimin administrativ dhe asaj çfarë dëshirohet nga të gjithë, në ngritjen e Komunës së Malësisë.
Duke e mbyllur më lejoni të shpreh edhe një herë urimet ma të mira për këtë organizim jubilar dhe të'ju uroj Gëzuar Ditën e Bardhë të 28 Nandorit.
Rochester Hills-Michigan, 28 Nandor 2004.
--------------------------------------------------------------------------------
[1] Mustafa Kruja, Antologji Historike, shkrime e përkthime, Sejko, Ellbasan 2001 fq 274.
[2] P. Marin Serdani, Flamuri Komtar, Hylli i Dritës qershuer 1923 numri VI, fq 275.
[3] P. Marin Serdani, Flamuri Komtar, Hylli i Dritës qershuer 1923 numri VI, fq 275.
[4] Dhimitër Berati, Rreth ngritjes së Flamurit, Shejzat, vjeti 2, 11-12/1958, fq. 368.
[5] Shih: Memorandum i krerëve të Bajrakut të Kelmendit dërguar autoriteteve britanike në Londër , më 26 maj 1913, Revista "Phoenix" 1999, (3-4) (11-12), faqe 225-257, gjetur ne Public Record Office (më tej PRO) ne Londer . Shih: gjithashtu: www.phoenix-shkodra.de. Gjithashtu edhe: Eqrem bej Vlora, Kujtime 1885-1925, Tiranë 2003, faqe 324.
[6] P.R.O. F.O. 371 1771 doc. 25150 datë e protokollimit 02.06.1913 Shkodër më 26 maj 1913.
[7] P.R.O. F.O. 371 1771 doc. 25150 datë e protokollimit 02.06.1913 Shkodër më 26 maj 1913. Nën-Admirali bën propozimin e mëposhtëm:E di se nuk është detyra ime të sugjeroj vijen kufitare që do të ndajë Malin e Zi nga Shqipëria, por nga eksperienca e fituar këtu, unë jam i bindur se varianti më i kënaqshëm do të ishte si vijon: Kufiri jugor i territorit të Malit të Zi të jetë lumi i Bunës nga grykderdhja deri në Liqenin e Shkodrës: prej andej të kalohet një vijë përpjetë liqenit, afërsisht përmes gjysmërrugës së vijës së sotme kufitare: nga kjo pikë vija e sotme do të duhet të vijojë drejt bregut e nga atje në majë të Malit të Deçiqit: të ndiqet më pas vargmali i Deçiqit drejt lumit Cem, lum që duhet të formojë kufirin natyrorë në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë në Veri e Veri -Lindje. Kjo ndarje do t'ia japë Taraboshin dhe qytezen e Tuzit Malit të Zi, kurse fiset malësore të Hotit e Grudës do t'i mbesin Shqipërisë. Gjithashtu duhet të merren garanci nga Mali i Zi se Mali i Taraboshit nuk do të fortifikohet.
[8] P.R.O. F.O. 371 1806 doc. No. 28918 Admiralty to Foreign Office, Enclosure 2 in No. 1 Vice-Admiral Burney to Admiralty, Scutari, Albania, 16.06.1913. pragrafi nr. 12. Më tej ai shton se "për sa i perket fisit të Grudës i cili shtrihet në veri të Hotit, unë nuk jam edhe aq i sigurt, për sa ata nuk kanë shfaqur një armiqësi të tillë ndaj Malit të Zi. Hoti është fisi më i vjetër dhe fiset kanë aleancë mes tyre, kështu që në qoftë se Hoti lufton, të gjithë do të bashkohet ta ndihmojnë atë"
[9] Eqrem bej Vlora, Kujtime 1885-1925, Tirane 2003, faqe 325.
[10]P.R.O. F.O. 371 1891 doc. no 18461 page 48, Granet > Grey, Scutari 20.04.1914.
[11] P.R.O. F.O. 371 1891 doc.nr. 21511 pg.132, Lamb > Grey, Durrazo 08.05.1914.
[12] PRO FO 371 1891 doc. no. 21511 fq 132 Enclosure in Mr. Lamb's despatch no. 100 of May 8, 1914. Përmbajtjen e plotë do ta gjeni në: Romeo Gurakuqi, Aspekte të qëndrimit të klerit katolik shqiptar në agimin e pavarësisë shqiptare (mars 1911-maj 1914), "Krishtërimi ndër Shqiptarë, Shkodër 2000, faqe 293-294.
[13] Shka duem na katolikët, Hylli i Dritës, Tetuer 1935 numri 10 faqe 476.
[14] Tri zanamare ase harmonija nder elementa të ndryshëm në Shqypni, Hylli i Dritës, maj 1930 nr V fq. 263.
--------------------------------------------------------------------------------
~~~ruani veten nga mallkimi,,,se veq vdekja eshte sherimi
~~~~~~~~!!!!!!~~~~~~~
nderime nga une zemra e kosoves,,,