Rreth Vëllimit të Sokol Zekës "Poeti e Rren Emocionin"
Po shkruaj edhe një herë për poetin Sokol Zeka, zëri i të cilit vjen nga anët e Malësisë së Madhe. Jeton e punon në qytetin e Koplikut dhe, siç është pohuar edhe nga kritika, ndonëse pa iu qasur aq dhe ashtu si do ta meritonte, në hyllësinë e krijuesve të sotëm të anëve veriperëndimore, Sokol Zeka shquan mbi të tjerët si poet i ndjeshëm e fjalëbukur, lajmi poetik i të cilit rrjedh i qetë, i shtruar por edhe aq i këndshëm e në mënyrë mbresëlënëse. Njeri që lexon shumë, ndonjëherë edhe përkthen në shqip nga poezia moderne evropiane, siç ka bërë në antologjinë me titull "I vetmi trëndafil", që sapo ka dalë nga shtypi prej Shtëpisë Botuese "Camaj-Pipa", ku ai ka përzgjedhur nektarin e ëmbël të poetëve të tij të adhuruar si Bodleri (Ch.-P.Baudelaire), Verleni (P.Verlaine), Remboja (J.A Rimbaud), Malarmeja (S.Mallarmé), Xhejmsi (H.James), Apolineri (G.Apollinaire), Pol Eluari (Paul Éluard) etj. Njeh dhe hulumton folklorin e pasur të krahinës e më gjerë dhe shkruan ese të thekura, të shkurtra e të përziera me shfrime poetike në vargje, ndonjëherë pa qenë e mundur të ndajmë se ku mbaron parashtrimi në prozë e ku nis të vrujojë poezia, duke sjellë aty edhe krijime në vargje. I tillë është edhe vëllimi më i ri me titullin intrigues "Poeti e rren emocionin", botim i Camaj-Pipa (2004), ku poeti ynë trajton mjaft këndshëm e me thekse të reja bashkëkohore gjuhën poetike, vlerat dhe rolin e saj në krijimtarinë artistike.
Teksa pinim një kafe së bashku, nën hijen e Rrapit para Galerisë së Arteve, e përlava me një frymë atë libërth, në dukje aq i hajthëm e disi i pakët, por që më bëri për vete aq shumë. Kjo edhe për arsyen se në të shkruhet aq bukur për gjuhën. Le ta citojmë vetëm një prej eseve të vëllimit, ndoshta nga më të përsosurit dhe më mbresëlënsit që janë shkruar deri më sot për gjuhën e letrave e veçanarisht të poezisë. Në mos tjetër është thënë në mënyrë shumë origjinale e të atillë që nuk mund të kalohet pa u ndalë mbi të:
"Bukuria e gjuhës në poezi është si ajo gruaja që shërben në një pallat mbretëror. Askush s'e takon as merret me të por të gjithë e dinë se aty, në atë pallat kristali punojnë duar të arta…Në kuptimin e zakonshëm, gjuha ka karakter utilitar dhe çuarja e saj drejt këtij funksioni është problem i shumëkujt. Por çuarja e gjuhës drejt funksionit estetik, është vetëdijshëm, problem në radhë të parë dhe mbi të gjithë, i poetëve". (f.35)
Më mbeti në mendje kjo metaforë e bukur për gjuhën dhe, në një tubim me disa krijues e miq të teatrit, në zyrën e Kiço Londos, e fillova fjalën time pikërisht duke cituar këtë ese, e cila më shërbeu pikërisht për të përthekuar më mirë idenë time se gjuha e dramës, në përgjithësi gjuha e skenës dhe e ekranit, ndonëse për të kujtohemi më pak sesa duhet, është kurdoherë e pranishme dhe prej saj burojnë e varen vlerat dhe lajmi (mesazhi) artistik i çdo vepre të vërtetë.
Le të përmendim, në këtë recension, disa prej "thepave" të këtij vëllimi me ese të zgjedhura.
Së pari, mendoj se ia vlen të ndalojmë për një çast tek ideja e rrenës "gënjeshtrës" (lojës intriguese ose atij mashtrimi) që poeti i bën emocionit, duke e marrë nga poshtë e duke ia prirë udhën deri në lartësi, ashtu siç e gënjëjn ujin bujku kur ujit arën.
"Për të ujitur arën e tij, bujku e lëviz ujin, duke e tërhequr me shatë në dorë, nëpër kuotat e larta të relievit, prej nga ai mund të kontrollojë krejt shtrirjen e tokës së vet të etur. Rënia e ujit në ultësira, do të shkaktonte përmbytjen e arës së tij. Shprehja është: bujku e rren ujin.Kështu bën edhe poeti. Ai nuk e lë emocionin të rrjedhë siç vjen nga një përvojë, si gjaku që del nga një damar rastësisht i çare, sepse kështu përmbyt vetveten dhe humbet zërin e fshehtë…Si bujku ujin, ai e lëviz emocionin mjeshtërisht nëpër kuota të larta, të holla dhe delikate, prej nga mund të vëzhgojë dhe të zotërojë krejt hapësirën e tij poetike. (Poeti e rren emocionin." f.13).
Së dyti, dëshiroj të ndalem në vlerësimet dhe përgjithësimet sa sintetike aq edhe mahnitëse që jep Sokol Zeka për gjuhën dhe për mëtimet artistike që mishëron ajo në poezinë e vërtetë. Gjuha është indi poetik, është tharmi dhe mjeti formësues i lajmit (mesazhit) poetik të vërtetë. Idetë e shprehura në formë thëniesh urtake, sintetike që të kujtojnë maksimat a lashtësisë, të ngjeshura edhe me citime nga poetë ose estetë të mëdhenj, që ai i adhuron, na vënë në mendime rreth artit të fjalës.
"Nëse nuk ka pasur një ndjenjë fillestare -thotë poeti duke cituar Filip Larkinin (Philip Larkin)- mekanizmi verbal nuk ka ç'të prodhojë dhe lexuesi nuk do mund të kuptojë asgjë".
Mjerisht, koha në të cilën jetojmë, po të parafrazojmë një titull të qëlluar të Agim Vincës, "është kohë e keqe për lirikën". Në "duelin" me mediat e zhurmshme e fjalëshuma, poezia e ka humbur betejën. Njeriu modern, edhe ndër ne si kudo në Evropë e më gjerë, ka tashmë ritmin e "skupit" mediatik. Qysh në pikë të mëngjesit, njeriu ndez radion ose televizorin dhe dëgjon lajmet. Del të pijë kafenë e mëngjesit para se të nisë punën dhe ngarkohet me një tufë gazetash, fjalët e të cilave i përpin më rrëmbimthi se hurbat e lëngut të kafesë. Po poezia? Ah, kjo mbretëreshë e fjalës artistike ka mbetur gati e harruar, si ato vashat e bukura që u ka kaluar mosha e martesës. Pak, shumë pak njerëz, përditë e më pak, për fat të keq, lexojnë libra me poezi, paçka se ato mund të jenë edhe shumë të bukura. Edhe më të rrallë janë ata që blejnë ndonjë libër me vjersha. Bibliotekaret thonë se edhe në raftat e bibliotekave publike librat më pak të kërkuar janë ata të poetëve. Këtë e ka të qartë edhe Sokol Zeka dhe këtë ai e shpreh aq bukur në një nga esetë më të thekura të këtij vëllimi. "Poezia ka pak lexues, ndonëse fjala poezi është e pranishme kudo ku është e bukura…Poezia ka pak shanse t'u përgjigjet disa kërkesave të njeriut të sotëm, si joshja e shpejtë e lehtë e menjëhershme, konsumi flakë për flakë dhe intensiv i së bukurës, efekti i fortë apo edhe shpëlarës, meqënëse ai, njeriu, nuk paska kohë".
Por, lum kujt i shkon mendja të lexojë në rreshta të vëllimeve me poezi të bukura ose edhe me ese të atilla si këto që na sjell Sokol Zeka në librin e tij. Lexojeni këtë vëllim, lexues të nderuar. Ju siguroj se, pasi ta keni mbaruar së lexuari, do t'ju duket se keni shijuar një dorë qershi të ëmbla e plot aromë, ose se …(por, më mirë, le ta themi me fjalët e njërës prej eseve të tij): "Ti sheh në majë të pemës një kokërr dardhë të pjekur. Ajo është krejt e verdhë dhe të josh si magjia. Ti ngjitesh dhe e shijon menjëherë. Befas zgjohesh. Ke qenë në ëndërr. Ka qenë, si të thuash, një ëndërr e shijshme.
Por ja, i zgjuar, ti ke në gojë shijen e frutit të këndshëm, të cilin sapo e ke ngrënë në ëndërr. Kush ish e para, dardha apo shija?
Kështu dhe poezia,lind si ëndrra." (f.25).
Ka disa ditë që e kam lexuar këtë vëllim të Sokol Zekës. Më duket se kam ende në gojë shijen e mirë të një fruti të këndshëm ose, në mos tjetër, më duket sikur kam parë një ëndërr të bukur, prekëse dhe që nuk më shqitet dot nga mendja.
Sokol Zekën e njoh prej kohësh, por nuk shihemi aq shpesh. Gati gjithmonë kur vjen më sjell ndonjë nga librat e tij të rinj. Të gjithë ia kam lexuar dhe më kanë pëlqyer, sepse ndejnë një lajm poetik sa të spikatur aq edhe origjinal, shenjë e qartë e një krijuesi të ndjeshëm e me mëtime, por që nuk buçet as këlthet. Poezia dhe krejt krijimtaria letrare e Sokol Zekës niset prej gurrave veriake dhe shkon drejt liqenit të poezisë së sotme shqiptare për t'u bashkuar dhe shkrirë me të. Kam bindjen se rrjedha të tilla, të freskëta e të pastërta, sidomos të çiltra e të thjeshta, si poezia e Sokol Zekës e përtërijnë vjershërinë shqiptare, ia largojnë asaj lëmashkun e vargëzimeve të ripërtypura që aq shpesh i kemi lexuar në vëllimet poetike të kohëve tona. Sokol Zeka është tashmë një poet më përvojë dhe në pjekurinë e tij letrare. Ai ka botuar disa vëllime me vjersha si dhe një roman, i cili është mirëpritur nga lexuesit dhe nga kritika. Le të përmendim se për krijimtarinë e tij kanë shkruar dhe shprehur vlerësime të mira prof. Ali Aliu, Xhevahir Spahiu, Gazmend Krasniqi, Flutura Açka etj.
Poezia dhe krejt krijimtaria letrare e Sokol Zekës sjell ngjyresat dhe cilësitë e një krijimtarie ku gjithçka jepet në qerthullin e një arti që rritet e piqet me një vetpërmbajtje aq të këndshme, po edhe me disa vrulle lirike të mahnitshme. Mund të themi se këtë cilësi e kanë edhe esetë e tij, të përmbledhura në vëllimin më të ri "Poezia e rren emocionin".
~~~ruani veten nga mallkimi,,,se veq vdekja eshte sherimi
~~~~~~~~!!!!!!~~~~~~~
nderime nga une zemra e kosoves,,,