Studime mbi Toponiminë Ilire1)
Programi i këtyne studimeve âsht i njâjtë me ate të punimeve të mija mâ të hershme në këte fushë. (shih: Glasnik zem. muz. në Bosnje Hercegovinë, XXIX, XXXI—XXXII.). Por me lejoni edhe nji here që të përmbledhi në pikat kryesore parimet metodologjike që më udhëheqën.
1. Pse shkrimtarët e lashtë e dokumente të tjera nuk i shkruejnë êmnat ilirë të vendeve gjithmonë njisoj. Puna e parë me të cilën do të merren këto studime âsht me hetue të gjitha grafitë e ndryshme e të krahasohen me mbishkrimet dhe trajtat e sotshme, ato që kanë mbetë. Në themel të këtij krahasimi do të vendoset ajo trajtë që âsht përdorë zakonisht në kohën e romakëve. Nji trajtë e tillë nuk lypet me doemosdo të jetë identike me atë që kanë perdorë ilirët. Sllovenët kanë muejtë me ndie vetëm trajtën romake të fjalës simbas lakimit, kuptohet, të latinishtes. Kur sllovenët kanë mbrritë këndej, gjuha ilire ka qenë e vdekun prej kohësh. Për këtë trajtë ja vlen me kërkue ato momente që do të mundsojnë me gjetë vendndodhjen dhe identifikimin me trajtën e sotshme serbokroate e atë romake.
2. Kur zhvillohet nji punë e tillë i vjen radha edhe pyetjes a bâhet fjalë apo jo për nji êmen ilir. Tue qenë se nuk e njofim gjuhën ilire mundemi me bâ krahasime vetëm me të dhana toponomastike prej territorit venecian e mesap.
3. Mbasi âsht gjetë nji material i tillë toponomastik ilir, duhet me u analizue, dmth. me u përpjekë me gjetë rrâjën, parashtesën, mbrapashtesën, kompozitën e lakimin. Hetimi i domethanies mundet me qenë detyrë vetëm e dorës së dytë dhe kjo për shkak të mosnjoftjes së gjuhës ilire. Në këte veshtrim, siguria përjashtohet.
4. Si ranë në kontakt ilirët në Japudi e Panoni me keltët e u përzien me ta aq sa sot me të drejtë mundena me folë për Kelto-ilirë, sikurse flasim për Kelto-iberjanë. Âsht me vend me gjetë edhe êmna keltë paralel me ata të përdorun në territorin e Japudijes e të Panonjes.
5. Me u gjetë êmna identikë ndër ilirë e trakë. Krahasimi mundet me vijue edhe në këte drejtim.
6. Shqyrtimi i êmnave homonimikë në krejtë Perandorinë romake si edhe i atyne që shfaqën rrâjë e formante të dukshme latine. Tue qenë se êmnat ilirë të njoftun në mâ të shumtën janë prej periudhës romake, duhet me ditë çka âsht fjalëformimi ilir e ai romak. Sigurisht interpretimi i homonimitetit mundet me qenë i shumëllojshëm. Kështu, në qoftë se gjejmë êmna identikë lumenjsh në Galje e në Iliri ose në tokat perqark, mundet që të bâhet fjalë per nji shtresë gjuhësore parailire. Por kur flitet per êmna identikë vendbanimesh mundet me qenë edhe që i kanë sjellë romakët në këto anë.
Detyra mâ e randësishme e jeme âsht me gjetë se sa material ilir âsht ruejtë edhe sot e kësaj dite në êmnat gjeografikë në serbokroatisht. Kjo âsht nji detyrë tepër delikate për arsye se shpesh mbështetemi vetëm në të dhâna mesjetare, të cilat në të shumten e rasteve nuk janë asgjâ tjeter veçse trajta romake o serbokroate në variante latine. Por ja vlen që edhe keto variante të njihen e të studiohen. Tue qenë se këta êmna nuk rrjedhin prej antikitetit âsht e kjartë se pse nuk na kanë mbetë në traditën e shkrueme. Posë këtyne, në territorin tonë gjinden me bollëk edhe êmna për të cilët nuk ka kurrfarëlloj dëshmish të shkrueme. Në êmna të tillë do të zbatojmë parimin mbi zbulimin e êmnave ilirë, parim të cilin e kemi nxjerrë tue pasë studiue mâ përpara êmna të lashtë.
1. Bakar—Buccari.
Në qoftë se êmni i sotshëm serbokroat i qytetit Bakra (shih: Ak. Rj. I. 159) krahasohet me trajtën italiane Buccari, vehen oroe disa fenomene të çuditshme fonetike të cilat në pamje të parë nuk dallohen. Trajta serbokroate për të cilën kemi deshmi i përket shekullit të XIII, ndërsa ajo italiane âsht e vjetit 1344 (shih: XI, 148). A-ja finale në rrokjen e fundit të trajtës serbokroate âsht padyshim nji gjysmëzanore e hershme sepse na lakojmë Bà kar, Bà kra etj. Kjo a shfaqet krejt papritmas edhe në trajtën italiane, ku do të kishim muejt me pasë i, e (Pisino: Pazin) ose u, o (mosto: mastika). Në vend të a-së së rrokjes së parë, në italisht kemi u; prej këtej, edhe Leskien (Gramatika serbokroate, §194) me të drejtë mbërrin në përfundimin se a-ja ka mbetë prej gjysmëzanores ъ.
Në të njajtën mënyrë për êmnin Bakarac në gjinin e Bakarit, i cili përmendet në letrën e venecianit Vincigverra (MhSlm VI 91) kemi me të drejtë zâvendësimin në italisht të ь me i : Buccarizza shfaq pra në vetvedi nji zâvendsim të tillë sikurse edhe e lexojmë në dokumentet dalmate të shkrueme në latinisht: sitinicus<s ъt ьnik ъ, Lusiz<luž ьc ь (shih: Leskien-in).
Kësisoj del padyshim se Bakarac ka rrjedhë prej Bakar me ndihmën e zvogluesit - ьc ь, sikurse dëshmojnë edhe êmnat e degëve të dyta të lumêjve të mëdhaj psh. Unac, degë e Unës, don me thanë «Una e vogël»; DrinaÅ¡, rrjedhje afër Shkodrës që bashkon Drinin me Bunën, u quete në shekullin e XIV Drimьcь; Ibarac degë e Ibrit. Si Bakarac prej Bakar âsht krijue edhe Kőzarac, në rrethinat e Banja Lukës, prej Kozar. Për me pa si âsht quejt ky vend në Mesjetë shih hartën e Klaiq-it. Pra, italianët e kanë ruejtun në fjalën Buccarizza ь-në, kuptohet të shkrueme si i. Këtu kanë shtue edhe nji -a finale, ndoshta simbas rasës gjind., nr. njajës së êmnit Bakarьca (por, kemi Novegradi për Novi grad.)
Simbas Buccarizza-s duhet që në italisht për *Bъkьrъ ose *Bъkъrъ të kemi ose *Bucheri ose *Buccori. Në qoftë se në vend të kësaj gjejmë a, atëherë kjo mund të interpretohet vetëm mbi bazën fonetike të dialekteve veneciane të cilat në vend të e-së kanë a në rrokje të parafundit (shih: pevaro<pipere>Scutari. Kështu, t-ja në vend të d-së na kujton Hydruntum>Odronto (Itin. Hieros.)>Otranto. Pra i-ja fundore në Buccari do të interpretohet në të njajtën mënyrë si në Scutari. Kjo -i âsht vërtet shumë e zakonshme në êmnat e vendeve në italisht, si psh.: Bari, Rimini, Girgenti dhe i pergjegjet lokativit të latinishtes. Por âsht edhe mâ e muejtshme që edhe në Buccari me dallue lokativin tonë υъ Bъkьri. Që edhe italianët i përdorin êmnat në lokativin tonë dëshmon mâ së mirit Novegradi, përdorun në vend të fjalës sonë Novi grad, qytetit bregdetar, i cili âsht lokativ i pastër në të dy pjesët e veta.
Kjo analizë na difton se Bъkьrъ ka mbrritë në gojën e venecianëve kur te na kishte ende dallim mes këtyne dy gjysmëzanoreve. Simbas Leskien-it ndryshimi mes ъ e ь âsht zhdukë përpara shek. XI.
Në Bъkьrьca>Buccarizza, ь ka mbetë si a edhe përpara theksit italian e kjo per arsye se italianët e kanë ndie lidhjen me Buccari (khs. me dialektet e tjera veneciane: pevarin, pevarela).
Pra trajta italiane âsht e vlefshme për me gjykue tingujt e trajtës serbokroate. Kjo gja na difton se si âsht për t'u përjashtue edhe ideja se Volcer(r)a romane âsht identike me Bakar. I këtij mendimi âsht edhe Cons, në «La Province romaine de Dalmatie», fq. 104. Ky mendim perjashtohet sepse ol do t'u zavendsote me u jo në trajtën italiane por pikerisht në atë serbokroate si psh. në Oúlkaìoi (pròs toīs Oúlkaìois élesi) Cons, fq. 153, RamovÅ¡ ČSJKZ II. fq. 99. = Hiulca palus PW VIII 2128>Vűka.
Se pse në trajtën italiane kemi u e në atë serbokroate a, duhet që të krahasojmë fjalën tonë me Muccurum>Makar, Makarska (shih: Glasnik XXXII 30 vijim). Ndrrimi italjan i a-së me e në rrokjen e parafundit ndodh edhe në mbrapashtesen Ulcirus (krhs. Glasnik 1.c.) sikurse thotë edhe G. Meyer (Arch.-epigr. Mitt., XVII fq. 139) në lidhje me fjalën shqipe ul'k. Kështu si bazë për êmnin Bakar mbas këtyne krahasimeve gjejmë *Bŭccĭrum, fjalë kjo që mund të ketë lidhje me atë kelte buccos, irlandishte e vjeter bocc > frang. bouc (shih: Holder, Altcelt. Sprachschatz I 626.) Sikur krahasuem Bakar në truellin e Japudjes, kështu mundemi me krahasue edhe këte. Mundet që fjala buccos të ketë ekzistue edhe në ilirishte sepse gjindet edhe në armen. buc ndërsa italishtja e rumanishtja kanë të njajtën fjalë me varjantin vokalik e: ital. becco, rum. bec (në maced. beč ka rrjedhë prej berbece). REW 9270 lidh ital. becco e rum. bec me vervex, gja që nuk qëndron sepse nuk shpjegon bashkëtingëlloret dyfishe në varjantin italian. Në këte rast fjala ital.becco mundet me qenë e ndonji lloji hipokoristik sikurse ndodh me êmnat e pagëzimit Beppo, Bice etj.
Simbas kësaj që thamë, *Bŭccĭrum>Bakar do të ishte si fjalë e jonë Kozjak.
*Bŭccĭrum na kujton Bucciniumin e Giudonit e Ravennatit që përdoret në vend të fjalës Ulcinium. A mos vallë bâhet fjalë thjeshtë për nji ndërrim të êmnave të kafshve ul'k me buccos? Paralele për nji dukuni të tillë nuk kemi.
2. Deraemestae.
Që mbrapashtesa ilire -ist ka shërbye në funksjon të nxjerrjes së ktetikonit e etnikonit prej êmnit të qyteteve âsht jashtë dyshimi. Këte e pohojnë shembuj si Burnum (qytet, sot kisha e Shupljes në Kistanjë në Dalmaci) - Burnistae (banorët), Splonum (qytet në provincën e Dalmacisë; vendndodhja e panjoftun) - Splonistae (banorët e tij). Simbas kësaj analogjije mund të deduktojmë se edhe Deramestae-t, të cilët i përmend Plini III 22, 143, janë qytetarë të ndonji oppidum-it (vendbanim i fortifikuem. Shenjim i përkthyesit) ndoshta *Deraemum. Deri tash nuk janë gjetë kurrfarë lloj provash për nji vend të tillë. Zanorja ndërtonike nuk âsht e njoftun plotësisht. Shkrimet e tjera të Plinit përmendin Deremistae, ndërsa mbishkrimi CIL III fq. 2031 përmend Deramista. Tue gjykue simbas këtij të fundit a-ja në pozicion ndërtonik duhet të ketë qenë zanore e fortë që mâ vonë âsht transformue në e. Nji fakt i tillë gjindet edhe në latinishten vulgare (shih: monecus, Madalena në Galje, Caeseris në vend të Caesaris në Spanjë). Falë këtij mbishkrimi âsht e muejtun me e gjetë vendndodhjen e tyne edhe në terren. Në këte mbishkrim thuhet se nji prej fisit të Deramistajve âsht martue me nji vajzë prej fisit të Daverzajve ose Daorsajve. Don me thanë, e i këtij mendimi âsht edhe Patsch (PW, V, fq. 236), se këta fise banonin afër njeni-tjetrit. Plini i vendos ata në konventën («Conventus» në lashtësà ishte bashkësia e shteteve apo qyteteve të së njajtës provincë romake. Shenjim i përkthyesit) e Narontës, gjâ që përputhet me nji përfundim të tillë. As Tomaschek-u (simbas Patsch-it), nuk âsht larg së vërtetës kur i vendos ata në Fushë Popovë e në luginën e Dabrit në Hercegovinë, pra në territorin e Zahumljanës. Analiza linguistike e êmnave të tyne i vendos edhe mâ në jug dmth., në territorin e kontesë së Trebinjës.
Sikur thamë mâ nalt âsht jashtë dyshimi se êmni i tyne âsht etnikon prej Déramum>*Déraemum>*Déremum. Âsht vue oroe se êmnat e qyteteve në Dalmaci, dalmatët i shkruejnë me de ose pa de përpara: Dekatera—Ekatera—Catera (sot Kotor); Dulcinium—Ulcinium (sot përdoren të dyja format: ital. Dulcigno, serbokr. Ociń (Ak. Rj. VIII), 504 me l2) >o si në fjalën ožujak, Lacin, Ulciń etj. Diádora—Jadera, Daxa—Axa, Dievali—Eval—Evali (sot Semani), Dysamo—Ysamo (sot Ishmi), Almisium—Dalmisium (sot Omish, (shih: Glasnik XXXII fq. 34), Ucculum—Duculum (sot Diklo). Kjo d-ja në fillim të fjalës diku-diku âsht ruejtë, diku-diku jo. Pse ka ra âsht e kjartë. Për arsye se âsht identifikue me de-në e latinishtes e kjo për rregullat e mbrendshme të gjuhës ka qenë diçka e tepërt. Kështu edhe *Déremum âsht përceptue si *d'Eremum e prej këndej ka dalë *Éremum, variant i cili me të drejtë ka dhanë *rm3. Këte trajtë Konstantin Porfirogeneti nuk ka muejtë me e greqizue ndryshe përveçse tue e kthye në tò órmos (Raçki, fq. 408) *rm4 mandej në gojën slave ka marrë edhe nji shtesë artificjale υъ, sikurse del edhe në fjalën Vnin afër Nin-it (shih: Arhiv za povj. J. IV fq 40), Uskoplje në Hercegovinë, Ugljan në Dalmaci (shih: Nast. Vj XXIV fq 659), Vis (shih: Nast. Vj. XXIII fq. 444). Vrm afër Klobukut në Hercegovinë, pra, ka qenë vendbanimi kryesor i Deramista-jve. Në kohën e Konstantinit ky ka qenë nji prej pêsë kástra-ve të kontesë së Trebinjës. Nuk di a futet këtu edhe êmni i malit përfund Përçanjës e i gadishullit përballë Kotorrit, Vrmac i cili shkruhet Vermanus mons.
3. Deuri.
Ptolemeu II 16,8, vendos menjëherë mbas Mazaīoi edhe dy fise të tjera ilire Dehrriopes kai Dehrrioi. Simbas shtrimjes në hapsinë duhet të kenë qenë kojshi. Prej gjeografëve të vjetër, fatkeqsisht, kurrkush nuk i përmend ata në këte trajtë. Porse Patsch PW, V fq. 240, 280 mendon se janë nji me fisin e vogël Deuri, i cili simbas Plinit numëronte 22 dekurje (lexo: bashkësina). Këta gjindeshin nën juridiksjonin e konventës së Solinës. Burime të tjera që pohojnë vendndodhjen e tyne nuk kemi. Tue citue Ptolemeun ndoshta këta kufizoheshin me Maezejt, Dindarët e Ditionët. Meqë të mbramet janë përcaktue tashma si vendndodhje simbas përfundimit të Bauer-it (Arch.-epigr. Mitt., XVII fq. 140), nuk mbetet gja tjeter veç se me e kërkue vendbanimin e Deurve në jug të ndamjes së degëve të Unës e Uncës.
Lind nji problem i tillë: cilën trajtë do të zgiedhim, atë të Plinit apo të Ptolemeut? Nuk do të jetë tepër e guximshme me kerkue paralele ilire jashtë Illyricum-it në Maqedoni e në Thrakje (Moezje) bie fjala, në qoftë se marrim për krahasim DeurÃas, vend afër Remesianës, e mandej êmnin e qytetit Derriopos ose DeurÃopos në veri të Manastirit mbi Lumin e Zi PWV 280 dhe êmnin e fisit të Paeonëve Deuriopes. Që nji krahasim i tillë me êmnat e Paeonjes âsht i muejtun e vërteton mâ së miri êmni i stacionit Scirtiana në rrugën Egnatia mes Ohrit e Manastirit të cilin latinishtja na e ka përcjellë me -anus prej êmnit të fisit pæon SkÃrtioi. Edhe këtyne në Dalmaci u korrespondojnë êmna si Scirtari = Scirtones (shih: Kazarow, Die ethnographische Stellung der Päonen, Klio XVIII fq. 25). Mbas sa thashë mâ sipër, më duket se trajta e Plinit i përgjigjet asaj ilire mâ mire se ajo e Ptolemeut. Në qoftë se âsht kështu, atbotë në Dalmaci kemi dy fise êmnat e të cilëve kanë dalë prej të njajtes rrâjë, por me mbrapashtesa të ndryshme, Deuri e Deuriopes. Ndryshe mbrapashtesa e fundit nuk del. Për variantin e drejtë të Plinit flet edhe nji krahasim tjetër. Deuri mundet me u krahasue me Đevrske, vend në Bukovicë. Ashtu sikurse Makarska ka rrjedhë prej Muccurum me mbrapashtesën -ьsk kështu me të njajtën mbrapashtesë ka dalë edhe shumësi Đevrske. Për eu>eυ kemi paralele në laurus>lovor, judaeus>židovinъ, vetëm se në fjalën e fundit -eυ si mbaresë âsht ndrrue me nji mbrapashtesë të mbiemnave, ndërsa në shembullin e mâsipërm nuk âsht ndrrue. Đ ka dalë prej diftongut eu: Dievalo—Devol. Prejardhja e êmnave të qyteteve me mbrapashtesën -ьsk âsht shumë e lashtë sikurse dëshmojnë edhe trajtat që përdorë Konstantini tò Dobriskà k(ástron), tò Mokriskà k(ástron), për fjalët Dabar e Mokro, shih: Rad 224 fq. 132.)
Âsht krejtësisht për t'u përjashtue që fisi Deuri që përmend Plini të ketë pasë ngulimin e vet në Đevrske-n e sotshme (në hartat speciale shkruhet Gjevrske), sepse ky vend gjindet në Liburnje, jo larg prej Skradinës që në vështrimin juridik duhet të kishte qenë pjesë jo e konventës së Solinës, si pohon Plini, por pjesë e Skradinës. Mundemi me thanë pra, se êmni Đevrske âsht fjalë që përfaqëson nji êmën ilir. Për shembuj të mâtejshëm shih Aemate—Imota, Imotski, Imotica.
4. -entum (cfr. Glasnik XXXI. fq. 155 etj.)
Edhe mbaresa -entum hîn në karakteristikën e êmnave ilirë të vendeve. Qe disa shembuj:
Acta Sanctorum i Etëntve Bolandistë i muejit gusht, java e tretë, fq. 156—163, përmban aktin greqisht me përkthim latinisht mbi martirizimin e tribunit Ursicinus të shek. V. Êmni i tij âsht krejtësisht romak. Ka rrjedhë prej emnit Ursus + dy mbrapashtesa zvogluese -ĭcus (kujto Dominicus) +īnus. I thonë gjithashtu edhe Ursicius. Vuejti martirizimin në kohën e Maksiminit, afërsisht në Sirmium edhe pse kjo nuk shprehet qartas në këto akte. U vorros prej njifarë Simplicia-s në rrethinat (e atij qyteti, ndoshta suburbium) e Calamos, larg 22 stade, simbas llogarinave të sotshme, rreth nji orë rrugë. Pra qyteti në të cilin Ursicinus apo Ursicius u martirizue duhet të ketë qenë i madh, përderisa ka pasë rrethina kaq të mëdhaja. Ky qytet mundet me qenë vetëm Sirmium. Ajo që na intereson mâ tepër âsht fakti që në këte akt shkruhet: «Sibento quidem Superioris Illyriae oriundus» . Per fat te keq, nuk jepet ndonji e dhanë tjetër. As gjeografë të tjerë nuk e përmendin këte vend. Sibentum âsht sigurisht êmen ilir që mund ta krahasojmë me Sipontum>Sipoús në Apulje e në Brutije të cilin Philipp (PW IX. fq. 734) rishtas e krahason me Siparoúnton (Ptol. II 16) në Dalmaci.
Nji vend tjetër që përmban këte mbaresë gjindet në territorin e Japodëve afër Ortoplës, sot Stinica në Lice. Ky quhet *Parentum ose *Parentium. Se cilës fjalë i përgjigjet sot, nuk dihet. Êmni vetë nuk gjindet i shkruem por etnikoni i tij Parentini po, mbasi përmendet së bashkut me Ortoplinin në mbishkrimin në të cilin caktohet kufini mes tyne dhe dalja në ujnat e rrjedhshme: Ex conventione finis. inter. Ortoplinos. et. Parentinos. aditus. ad. aquam. vivam. Ortoplinis. passus Đ latus. I.; shih: Patsch (Lika in römischer Zeit, fq. 22). Patsch-i në fq. 6 në hartë i vendos rreth Kosinjës së Epërme e asaj së Poshtme. Ky êmen vendi, dashje pa dashje na kujton Parentium në Istrje>ital. Parenzo>serbokr. Poreč. Vetëm këtu gjindet -entium si edhe në Pituntium në Poljicë. Për mâ tepër, në qoftë se na ka mbetë vetëm etnikoni Parentini, nuk mundemi me ditë a ka rrjedhë prej -ium apo -um. Tue qenë se êmnat e vendeve në gjuhën latine në rasën êmnore shkojnë simbas lokativit (krahaso Mediolanum me Mediolanium simbas lokativit -i në të dyja rasat), âsht e parandsishme a mbaron rasa êmnore me -ium apo -um. Paralele mes êmnave të vendeve në Liburni e atyne në Japudi o në Istrje ka edhe mâ, psh.: Cissa>ČaÅ¡ka në Pagë (shih: Nast. Vj. XXIX fq. 446) dhe Cissa në Istrjen prendimore (Procurator bafii Cissensis Venetiae et Istriae, Not. dign. II fq. 49, Cons, fq. 354).
Në qoftë se âsht i drejtë mendimi i Jokl-it (Idg. Jb. VIII. fq. 93) se edhe Bulentum>Bulet afër Dubrovnikut (shih: Glasnik XXXI fq. 155) mundet me qenë êmen ilir e me pasë lidhje me fjalën shqipe mbul'im (izvor), në geg. bunon, tosk. buron, atëherë edhe êmni i këtij vendi afër Dubrovnikut mund të krahasohet me Bolentium, nji êmen stacjonit në Dravë në rrugën që çon prej Poetovit në Mursje mes Barcsës e Moslavinës (shih: Kiepert, Formae XVII) të cilin Itin. Hieros. e pranon me mutatio: Bolentia; dmth. êmni âsht përceptue si mbiêmen (shih: Bacuntius); ndërsa Kodi Peutingerian e bjen në ablativ: Bolentio. Grafija e Ptolemeut Boléntion flet për nji o dmth. gadi për të njajtën zanore si në Bulentum. Rav. përmend gabimisht Ballenilo që ka dalë prej nji leximi jo të drejtë të hartës (i njajti gabim ka ndodhë edhe me Petinitis për Petuntio. Këto ide të mia unë i kam përmendë edhe në Glasnik XXXII fq. 43).
Prej këndej ndoshta vjen edhe êmni Picentinum në Panonje i cili përmendet afër prronit të Pleternicës që derdhet në Orljavë (shih: Kiepert, Formae XVII, e simbas kësaj edhe hartën e Klaiq-it). Meqë ky êmen vendi âsht thuejse i njajtë me mbiêmnin që ka dalë prej Picenum>picentinus, ndoshta në këte rasë bâhet fjalë për nji popullatë romake të shpërngulun prej Picenum-it e jo për nji êmen ilir, i cili kishte me të drejtë me u krahasue me êmnin Piquentum në Istri.
Përsa i përket qenies së nji mbarese të tillë ilire, mund të jetë që bâhet fjalë për të njajtin rast si në lat. Agrigentum prej greq. Akrágas, -ntos ku mbaresa latine ka mbetë prej lakimit greqisht -as, -ntos, me gjasë prej lokativit. Që nji lakim i tillë ka ekzistue edhe në êmnat e përveçëm ilirë e vërtetojnë Dazas, -ntis, Beuzas, -ntis, Panes, -ntis, Pinnes, -ntis etj. Por jo vetëm kaq. Ky lakim ka ekzistue edhe për êmnat ilirë të vendeve. Për këte na flet Maluentum në Italinë e jugut që në monedha gjindet i shkruem në trajtën Malies, e kjo e mbramja në vetvedi âsht nji rasë êmnore, (shih: PW IX fq. 740). Kjo domethanë që -entum âsht nji lokativ ilir i përcjellun në trajtën latine.
Sigurisht nji lakim të tillë kanë ndjekë edhe êmnat e lumenjve. Për stacionin romak në rrugën prej Sirmjes në Servitium Ad Basante kam pohue se në veshtrimin fonetik përkon krejtsisht me fjalën Bosut. Mrekullija këtu qëndron në faktin se nuk shohim ndrrim të gjinisë si me êmnat e lumenjve të tjerë psh. lat. Savus, Dravus, Oeneus>serbokr. Sáva, Dráva, Una, ku gjinija e êmnave ndjekë fjalën reka ndërsa në lat. fjalën fluvius. Bacuntius-i që përmend Plini âsht padyshim nji mbiêmen që ka rrjedhë si edhe mbiêmni tjetër Pessinuntius prej Pessinūs, -ūntos, i cili mundet me qenë gjithashtu edhe varjanti grek Pessinūntios i latinizuem, me fjalë të tjera nji mbiêmen prej êmnit ilir Basante. -cu- në vend të -sa- , sigurisht âsht gabim i mâvonshem i atyne që kanë rikopjue kodikun, për arsye se Bacuntius nuk mundet kurrsesi me pasë lidhje me Bosut, êmen ky i fundit të cilin sllovenët me siguri kanë muejt me e ndie kur kanë ardhë në këto anë.
Gjithashtu trajta serbokroate nuk shfaq kurrfarë ndryshimit për rrokjen ti si në Sontius>Soča (për këte shih: Bibl. del Arch. rom. s. II. v. 3, fq. 131; edhe RamovÅ¡, Slavia I, 28). Kjo âsht nji arsye mâ tepër për me na diftue në se Bacuntius-i i Plinit nuk ka ekzistue në popull, porse autori vetë e ka shpikë këte fjalë që t'i përkonte me fjalën fluvius.
Të njajtat gabime dhe shmangie të grupit ti në trajtën serbokroate i vejmë oroe edhe në êmnin e ishullit Solentia (Tab. Peut) > (në mesjetë) serbokr. Sulet (shih: hartën e Klaiq-it), sot Å olta. Fjala Sulet kërkon si bazë të vetën *Solentum ose Solenta, kjo e fundit rezulton edhe te Rav. V, fq. 24. Kah ana tjetër, Scylax shkruen Olúnta pa ti vetëm se len me ra s-në në fillim të fjalës sikurse e kemi pa edhe në fjalën Codras për Scodra ndërsa shtohet në Sanderva (shih: Tab. Peut.) për Anderba vërej Itin. Ant. PW I 2123 për shkak se s-ja âsht: "s <e>Spinut(i) (shih: Glasnik XXXII, 42). Prej êmnave që përmend Plini, këtij ishulli i përshtatet etnikoni Colentini, sepse, thotë autori në III 142: Petunt (lexo: Salonis iura) et ex insulis Issaei, Colentini, Separi, Epetini. Në këte fjali ka sigurisht gabime, sepse, bie fjala, Epetinë-t nuk janë banorë të ishullit, por jetojnë afër Spljet-it në sterë. Cons (vep. cit.) âsht i mendimit se Colentini lidhet me Sholtën ndërsa Mayhoff në botimin e ri të Plinit të vjetit 1906 (Teubner - I § 290) e korrigjon këte simbas Detlefsen-it e e shkruen Solentini. Pra edhe këtu kemi të njajtin gabim në rrëfimet e Plinit përsa i përket s-së si në fjalën Bacantius. Mbas sa thashë mâ nalt, âsht e muejtun që ishulli Collentum, për të cilin Plini III, 140 thotë se gjindet larg Zarës XXV m.p. ose nuk ka lidhje me Colentini-n, ose në qoftë se ka atëherë lypet me korrigjue shkronjen e fillimit. Simbas të dhanave të Plinit përsa i përket distancës, Buliqë e ka identifikue këte ishull me Murter që gjindet në jug të Vërgadës. Ndërkaq, në qoftë se Colentini âsht etnikon që ka dalë prej Collentum, e nga ana juridike këta banorë ishin banorë të konventës së Solinës, atëherë nuk mundet me qenë Murter-i ky ishull për arsye se ishulli Murter i përkitte Liburnëve, që jetojshin në konventën e Skradinës. Nuk ka rrugëdalje tjetër përveçse me pranue se Collentum nuk ka aspak lidhje me Colentini ose me e korrigjue e me e bâ *Sollentum, prej të cilit me të drejtë ka rrjedhë Sulet. Ravennas e shkruen me të njajtin gabim Celentum. Ptolemeu II 16,13 këtu i ka ngatërrue krejt punët. Simbas tij Skardóna âsht ishull në të cilin janë dy qytete Àrba kaì Kóllenton. Kjo âsht e pamuejtun, sepse dy êmnat e fundit shenjojnë dy ishuj.
Në qoftë se sot kena nji vend Sulet>Å olta atëhere kjo sigurisht âsht trajtë italiane e jo serbokroate. Trajta italiane Solta ka mbetun prej serbokroatishtes në këte mënyrë: e-ja e patheksueme ka ra sikur në Olib > Ulbo < Alòep, simbas Konstantinit <alluvium, (krhs. Nast. Vj XXIII, 345); kësaj i âsht shtue edhe nji -a sikur Brazza, Curzola, Meleda, Lesina. Trajta italiane ka mbytë atë të vjetër serbokroate. E njajta gja ka ndodhë edhe me fjalën Korçula që në italisht âsht Curzola. Kjo ka rrjedhë prej Corcyra vetëm se y âsht trajtue si iu (rumanisht: iur<g>r-l. Serbokroatishtja e vjetër nuk i përmban këto disimilime: Krkar për shembull.
Êmen tjetër lumi që shfaq të njajtin lakim me të njajtën mbaresë si Basante>Bosut, âsht Daranto, flumen Daranti, shek. 14 (shih: Jireček, Romanen I, 59) ndërmjet Orahovcit (populli thotë Oravac) dhe Dobrotës në Grykat e Kotorrit. Sot këtij vendi i përgjigjet êmni Ljuta, që âsht gjî edhe vendbanim njikohësisht. Nuk përjashtohet që të bâhet fjalë edhe për nji përkthim ose për nji êmnim të ngjashëm. Daranto mundet me pasë të njajtën bazë si Druentia>Durence në Francë (shih: d'Arbois de Jubainville, Les premiers habitants de l'Europe, II, fq. 153 vijim) Drūna>Drôme dhe shumë të tjera), Drina (shih: Mladenov, Spisanie na Bъlg. Akad. X, fq. 41 e vijim), por gjithashtu Daranto kishte me muejtë me u krahasue edhe me Tarento në Italinë e jugut e Tara, për arsye se ndrrimet mes t- e d- gjinden mâ shpesh në emnat ilirë (krhs. Glasnik XXXII fq. 35).
5. -estae, -istae (krhs. Glasnik XXXI , 154 vijim, XXX, 41)
Këtu do të vê në dukje disa shêmbuj të ri përsa i përket këtyne mbrapashtesave ilire.
Ndër këto hyn edhe Perast-i në Gryka të Kotorrit. Simbas theksit të Vukovës Pèrast, mund të mbrrijmë në përfundimin se theksi i vjetër ka qenë Peräst, pra mbî mbrapashtesën. Në dëshmite mâ të vjetra që sjell Jireçeku, (Romanen I, 50) duket se a-ja gjindej në rrokjen e parë e se metateza e zânoreve ka ardhë mâ vonë: në 1330 Paresto, Pareste, ndërsa qysh prej 1370 me metatezë si në trajtën serbokroate dmth. Perasto. Kështu thuhet edhe sot në italisht. Metateza serbokroate mundet ta ketë burimin në të folmen popullore. Ndoshta populli ka gjetë nji lidhje mes kësaj fjale e fjalës pero (dmth. pupël). Këtu ne do të na ndihmonin rrëfime e shprehje të urta, nqs ka të tilla. Mbi bazën e trajtës serbokroate janë themelue edhe trajtat e tjera italiane. Simbas asimilimeve italiane sanato danaro ka lindë në 1366 Parast (Acta et dipl. Alb II nr. 219), Parasto. Mandej me sinkopë si në virasca> frasca, voragine>frana etj., ka lindë në 1431 Prasto. Përveç këtyne, Jireçeku përmend edhe Pirasto, ku e-ja âsht trajtue si në reverire (Petrarca)—riverire. Pra format italiane nuk munden me na ndihmue për me gjykue tingujt e trajtave serbokroate tue qenë të gjitha të bazueme në variante serbokroate. Nuk kanë vlerë si në rastin Buccari—Bà kar.
Nqs. trajta mâ e vjetër âsht njikohësisht edhe mâ afër origjinalit (Nevest Glasnik XXIX, 155) atëherë padyshim edhe këtu kemi nji êmën vendi ilir me -este si në Atéste> Este ndër venecianë me theks në zanore. Në êmnin venecian ka ra ad (me fjalë të tjera mund të merret me mênd edhe trajta *Adeste simbas fonetikës veneciane) sepse âsht bâ nji me parafjalën ad. Pra *Parèst>Pèrast âsht shoqë i Bigeste-s, trajta e të cilit sot nuk âsht gjendë endè, nqs se ekziston. Por dihet vêndndodhja. Âsht Humac-i i sotshëm në Hercegovinë.
a-ja në *Parëst nuk âsht krejtsisht origjinale sepse përndryshe si zanore atone do të kishte kalue në o; krahasò Salona>Solin, *quaresima>korizma. Mund të rrjedhin vetëm prej gjysëmzanoreve ъ, ь, të cilat prap munden me pasë si burim ŭ ose ĭ. Për këto arsye krahasimi i Jireçek-ut me êmnin e fisit ilir Pirustae i cili banonte në kufî me Maqedoninë e që nuk mbrritte deri në Boka të Kotorrit, âsht i justifikuem. Në qoftë se Perast e Pirustae kanë qênë pernjimend identikë, mund të bâhet fjalë si në Gjeverske, Imota etj. për të njajtën kategorì êmnash ilir për të cilën ka shumë shêmbuj. Megjithatë, unë nuk besoj që Perast e Pirustae janë njisoj për faktin se për ŭ-në duhet të kishim pasë a, krahasò Muccurum > Makar, *Buccirum > Bà kar. Këtu mund të rreshtohet trajta serbokroate Parast e cila dëshmohet në dokumente latinisht e italisht por që nuk âsht mâ e vjetra. Se cila âsht baza e vërtetë *Pireste apo *Pureste nuk mund të dihet. Dihet vetëm kjo, që futet në vargun e êmnave ilirë të vêndeve, të cilët mbarojnë me -este e me theks në mbrapashtesë.
Êmnat e vêndeve me mbrapashtesë -st kanë muejtë me pasë theksin edhe në temë. Dëshmì për këte tip êmnash vêndesh gjejmë në Drivastum (për dëshmi mesjetare të këtij êmni kqyr: Acta e diplomata Albaniae). DrÃvaston nuk ka theks ilir siç difton edhe trajta e sotshme shqëpe Drishti. i-ja e mbaresës âsht e trajtës së shqueme. Fjala Drisht âsht nji zhvillim krejt normal i Drivastum-it. v-ja ka ra si në buał <b> cáephalus, kanep < *cannapus etj. Nji dobësim i tillë vêhet oroe edhe në formën Drivest të cilën e përdorin në të shkrueme raguzhanët (shih: Acta et diplomata etj., Jireçek, Romanen I, 50). Ky dobësim ka ndodhë në Dalmacì edhe me êmna të tjerë si Kátera, Spaletum etj. (krhs.: Glasnik XXXII 32, dhe Nast. Vj. XXVI, 25). Në gjûhën serbokroate nuk kanë mbetë gjurmë por kemi Kotor si edhe jastog < astacus, kështu si edhe Drivost e Drevos, (krahasò edhe Pilot me Pulati, Poláthoi, lat. Polatum (dëshmitë e Jireçek-ut, Romanen I, 59). Prej kësaj del se ky dobësim i zanores a ka ardhë në dalmatinishten e vjetër e në shqëp mbas ardhjes së sllavëve në këto vise.
e<-a lidhet me i-në e patheksueme në diftongun ie i cili para bashtinglloreve âsht bâ i, psh. prift <praebyter>*Tьržèstь. Kjo trajtë nuk ekziston fare. Në qoftë se RamovÅ¡ (Slavia I, 235) rindërton si theks mâ të vjetër *Tьržьstь‛ (me theks në fund të fjalës) për mbiêmnin tьržьstьskъ‛ atëherë ky âsht plotësisht i justifikuem edhe prej êmnave të vendbanimeve sllave. Por ky theks ka ardhë simbas fjalës sllovene třst Schilfrohr (kështu e ka interpretue këte êmën vêndi Valvasor, Die Ehre des Herzogtums Crain 1699 III 589), prst—serbokroat. p`rst sepse nuk përputhet as me romanen Tergéste>Trieste; në fakt asgjâ nuk flet për theksin e hershëm ilir o roman sepse âsht risì sllovene. Theksi që kanë vue sllovenët mundet me dalë në këte rasë vetëm prej shndërrimeve të zanoreve. Me sa kam pa deri më sot, tue u marrë me studimin e barbarizmave romane e êmnat e vêndeve, sllovenët e ruejnë theksin roman. Këte çashtje duhet në të vërtetë me e shqyrtue mâ mirë. Splĕt psh. pasqyron krejtsisht theksin Spálatum>Spáletum>*Splétum si edhe *Cólapis (Colops-i i Dionit)>*Cólepis (shih këtu dobsimin e a-së. Mund të shtojmë edhe cánnapa>rum. Cînepă) > *Klpa>Küpa.
Meqë deri më sot nuk kemi gjetë shêmbuj, e-ja e theksueme romane në daç e hapun në daç e mbyllun ( natyrisht tue përjashtue pozicionin para r+bashtingllore.) ka kalue në gjysëmzanore. Dalim në përfundimin se Třst, Trstà (slov.)—T″rst (serbokroat.) që përdorim na ka si bazë *Térgeste>*T‛ržьstь>Tržьstь‛. Shembuj për kalimin é->ь gjejmë në Nedinum > Nadin, Jáderae > Zadьrь, Sánsecum > *Sosьkъ > Susak, Venétici > Bьnetьci etj.
Shtrohet pyetja se ç'raport ka trajta sllovene me atë romane (në këte rasë friulane). Sido që të jetë puna, Trieste bazohet mbî Tergéste, sepse në Ter-in e patheksueme ka mbetë metateza Tre. (krahasò metatezën e anasjelltë në Crepsa>Cherso, vendi *Cressa në drejtim të Chersano-s. Para se të ndërhynte metateza kemi: ge>i si edhe në argentum> arint(friul.) Kështu përftojmë edhe Tergéste>*Teriéste>*Treieste>Trieste. Ndërsa trajta sllovene, përkundrazi, dëshmon se ge>ž si psh. në tergere>engad. terdscher grödn. tierger. Kjo ž duket qartë në mbiêmnin slloven tržaÅ¡ki. Nji ndërrim të tillë e kemi edhe për j-në: raja>raža, majus>maž, judaeus>Žydov(in). I njajti rezultat gjindet edhe në retorumanisht në fillim të fjalës: geminus>zimul (Cormons), ndërsa në dialektet e tjera dž ose ž. Prej këtu rrjedh se në friulat. ge mbas bashtingllorjet, âsht bâ dž në kohën e ardhjes së sllovenëve e se prej këndej mâ vonë âsht zhvillue tue dhanë i në disa dialekte. Pra ge në këtë fjalë ka dhanë të njajtin rezultat si edhe ce në duce>duž, dužd, cruce>kryžь, calice>kalež. Përfitoj nga rasa për me sqarue mêndimin tem lidhun me këte çashtje. Fjalët e fundit në dialektin friulan, në Akuilejë, dëshmojnë se jemi në kohën kur sllovenët bâhen të kështenë. Vetëm prej këndej ka muejt me ardhë termilonogjia e jonë kristiano—latine. Âsht thanë cruce>*croge si edhe në dialektet e tjera veneciane e prej këtu ka mbetë në venetisht croze=friul. cros, (krah. vicinus>*viginus> ven. vesin= friul. vizin e êmni i vendit Vizhinada. Që crux ka ardhë tek na përmes Akuilesë dëshmon edhe Brishqe<Broxiae>kryžь. Në doge>duž, dužd nuk ka pasë nji kalim të tillë për shkak se d-ja nuk âsht qëellzore, por psh. gjindet në judaeus>žydovinь falë qëellzores ž. Kjo mënyrë dyfishe theksimi gjen paralelin e vet edhe në emërtimet e tjera të ndryshme topografike në Dalmacì. Sllovenët për ishullin Krk kanë ruejt formën e vjetër ilire Curicum kur romanët e atjeshëm dolën e e lanë atë vênd tue themelue (Civitas) *vetula>Vekla, Vikla, Veglia. Kjo gja nuk na ndihmon ne me zbulue a kanë gjetë ilirë aty sllovenët kur kanë ardhë a jo. Por nji fakt âsht i sigurtë, se emërtimi Curicum ishte ende në përdorim e se mâ vonë romanët e zâvendsuen me nji të rì. Po këte mund të themi edhe për theksin e dyfishtë në fjalën Tergeste.
Në qoftë se në Dalmacì, në territorin venecjan, Mesapje e Maqedonì këtë mbrapashtesë toponimike e ndeshim në formën -este, në Panonje do të hasim variantin -ista: Jovista (shih: Glasnik XXXII 13.). Shndërrimi Ramista (Itin. Burd.) = Remista, Rav. afër Poetovës PW IX 136; Sonista (Tab. Peut.), Rav shndërrohet në =Sunista (Itin. Burd.), të ketë Holder (Altceltischer Sprachschatz II) e rreshton mes êmnave keltë. Theksojmë menjiherë se varianti -ista del edhe në Dalmacì por në trajtën e êmnave të popujve që kanë rrjedhë prej êmnave të vêndbanimeve: Burnum—Burnistae, Splonum—Splonistae; kurse për Armistae apo Arinistae (Plini III, 22, 143) nuk dihet as për qytetin e tyne as për vêndbanimin. Tomaschek-u në PW II 1200 piketon vetëm êmnin e vêndit ArÃnista në Tosknì në Epir. i-ja ka qenë e shkurtë siç mund të shihet edhe prej êmnit Deraemestae. Se si ka qenë kjo i në Panonje s'kemi si me e ditë për arsye se asnji prej këtyne êmnave që përmendem nuk ka mbijetue.
Në pamje të parë duket se në Panoni kemi edhe nji varjant: -esta, por nuk mêndoj se âsht kështu. Bâhet fjalë për Segesta-ën e Plinit III 131= hé Segéstè në Apjanë. Identifikohet me Siskun i cili në kohën e romakëve u quete Siscia (për raportin mes trajtës serbokroate e asaj latine shih: Zfr. Ph XXXVI, 654.) Straboni e Apiani edhe vetë Plini e shkruejnë mâ tej këte êmen në nji trajtë mbiêmnore: hé Segestiké (kupto: polis = qytet) që lidhet me Segestica (kupto: insula = ishull). Straboni e Plini dallojnë fare kjartë Segestica e Siscia. Engús dé tēs Segestikēs hésti kaì hé SÃskia froúrion, Straboni 7, 5, 2= Colapis in Saum influens iuxta Sisciam gemino alveo insulam ibi effecit, quae Segestica appellatur, Plini III, 148. Âsht, pra, jashtë çdo dyshimi se Segestica e Siscia janë dy êmna të ndryshëm që na kujtojnë Dubrovnik e Raguzë në Dalmacì të cilët fillimisht, ishin edhe këto êmna vendesh të ndryshëm kojshi me njeni-tjetrin. Vendet mâ vonë janë bashkue por êmertimet e ndryshme kanë mbetë.
Krahas kësaj ja vlen të përmendet edhe diçka tjetër. Siç më bân të dijtun Dr. Hoffiler, në muzeun arkeologjik të Zagrebit gjinden objekte prehistorike të zbulueme në gadishullin që krijohet prej lumit të Kupës para se ky të derdhet në Savë. Ky gadishull sot quhet Pogorelec. Meqë gjindet mes dy lumenjsh, atëherë duhet kërkue këtu Segestica insula-n e Plinit. Këtu, sikur del prej gërmimeve, ka jetue nji popullsì prehistorike. Ndërsa Siscia sikur e vendos në hartë baron Marsigli, anëtár i komisionit i cili ndryshoi kufinjtë mbas paqës së Karlovacit (e këtë vendndodhje në hartë përdor edhe Veith, Die Feldzüge des C. Julius Caesar Octavianus in Illyrien në hartën e vet nr. 7, 47, fq. 51), u gjindte në anë e djathtë të bregut të Kupës mes rrjedhjeve të Svibicës e Shkulecit, aty ku sot gjindet Stari Sisak. Pra, Segesta e Siscia kanë qenë dy vende krejt të afërta por të ndryshme.
Me të drejtë shtrohet pyetja nëse Segesta âsht krejtësisht fjalë ilire e jo vetëm për faktin se Segesta âsht vendbanim prehistorik, por edhe pse homonimet e saj gjinden të shpërndame kudo. Segestica del në Hispanjen e Poshtme (cf. Holder II); mbas kësaj kena Segesta në bregdetin verior të Siqëlisë ku âsht shndërrue në Akéste. Këtu bâhet fjalë për êmnin mitologjik grek Segéstè (= Egéstè), që ka ndryshue i pari. Segesta, për saktësì, âsht nana e themeluesit të këtij qyteti që u thirrte Aigéstes (Acestes). (shih: Roscher, Gr. röm. Mythologie II 598. Në Ligurje kemi Segesta Tigulliorum > Sestri di Levante. Nuk dihet a ka ndonji lidhje etimologjike me këte të fundit Segu(e)stero>Sisteron (Basses-Alpes) në Galje. (shih: Gröhler, Über Ursprung und Bedeutung franz. Ortsnamen, fq. 332.)
Fakte të tilla më bâjnë me mêndue se Segesta e Panonjes nuk mundet me qenë êmen iliro—epirotas por âsht ose parailire, ose e mbartun prej romakëve. Për këte mundsinë e mbrame mundet me dëshmue mâ saktë edhe nji rrethanë tjetër. Plini na thotë se Segesta âsht hyjnesha e të mbjellunave (shih: Roscher vep. cit., II, 221 dhe V, 598) Gjithashtu Segesta Tigulliorum na shtjen ndër mend epitheton ornans Augusta Taurinorum>Torino. Shtesën Augusta e kanë marrë shumë qytete të perandorisë romake në shenj nderimi ndaj Oktavjan Augustit (shih: Longnon, Les noms de lieu de la France, § 555.) Kësisoj, romakët i kanë kushtue hyjneshë së tokës Segestës, apo Segetijes sikur ende quhej në at kohë, tokat mâ pjellore e këto vênde kanë marrë êmnin e saj si epitheton ornans. Ky shpjegim përjashtohet për Segestën e Panonisë për arsye se romakët kur e pushtuen Panoninë e hoqën nji êmën të tillë (SegestanoÃ).
Nuk mbetët, pra, veç se mundësija e parë, që Segesta âsht êmën parailir e se ky êmen nuk duhet të futet në listën e êmnave ilirë që mbarojnë me -este.
Zagreb, 20 Prill 1923
Përktheu prej serbokroatishtes: Dr. Arben Marku
(vijon numrin e ardhshëm)
1) Marrë prej revistës «Arhiv za Arbanasku starinu, jezik i etnologiju», libri i parë, pjesa I-II, Beograd 1923. Redaktor Prof. Henrik Barić. Termat e fjalët greke qi përdoren në ketë artikull janë transkriptue në alfabetin latin. Gjithashtu, aty ku ka qenë e mundun, janë ftillue shkurtimet bibliografike, të cilat mâ së shumti paraqiten të atilla sa me e bâ tekstin të vështirë me u kuptue prej nji lexuesi të rëndomtë.
2) Germa l ka nên tê nji rreth qi për arsye grafike nuk muejtem me e paraqitë. Tue qenë se âsht nji sonante kjo duhet lexue sikur të ishte ël.
3) Idem: r-ja âsht në këte rasë sonante indoeuropjane. Prandej lexo: ërm.
4) Idem.
~~~ruani veten nga mallkimi,,,se veq vdekja eshte sherimi
~~~~~~~~!!!!!!~~~~~~~
nderime nga une zemra e kosoves,,,