Professeur Directeur-adjoint du Centre d'Etudes
Balkanique de l'INALCO - Paris
Rreth Bazës Dialektore të «Gramatikës Shqipe» të Pashko Vasës
Me 1878, në broshurën me titull «Alfabeti i gjuhës shqipe»1) Pashko Vasa njoftonte se kishte në mend të botonte, ndër të tjera, edhe një gramatikë të gjuhës shqipe, si edhe një fjalor. Pas nëntë vitesh, më 1887 e botoi gramatikën në frëngjisht me titullin «Grammaire albanaise à l'usage de ceux qui desirent apprendre cette langue sans l'aide d'un mâitre»,2) kurse fjalorin nuk arriti ta botonte.3)
«Gramatika shqipe» u shkrua, pra, nga Pashko Vasa «për t'u përdorur nga ata që dëshironin ta mësonin shqipen pa ndihmën e një mësuesi». Pra, qëllimi i Pashko Vasës ishte, siç shkruan ai, «t'ia nënshtronte gjuhën shqipe disa rregullave të qëndrueshme dhe të njëtrajtshme, ta vëmë para gjithë botës dhë t'ua japim në dorë dijetarëve evropianë një udhëzues të sigurtë në mënyrë që këta të mundin ta mësojnë gjuhën në fjalë pa ndihmën e një profesori»4). Pra, synimi i Pashko Vasës ishte të bënte një gramatikë praktike të gjuhës shqipe për të huajt.
Pashko Vasa ishte i vetëdijshëm për vështirësitë që paraqet hartimi i një gramatike të shqipes, prandaj ai shkruante se «Nuk besoj se kam bërë një gramatikë të plotë sipas rregullave, por jam i bindur se kam bërë një gramatikë të lehtë për t'u përdorur, praktike, të mjaftueshme për ta drejtuar çdo të huaj në studimin e gjuhës shqipe, se kam mundur ta ndihmoj këtë që të përvetësojë gjuhën në fjalë shumë më me lehtësi sesa të kisha stivuar rregulla mbi rregulla, shpjegime mbi shpjegime».5) Pashko Vasa mendonte se kjo ishte gramatika e parë shqipe e hartuar nga një shqiptar. «Ne nuk dimë të ketë pasur para nesh një shqiptar tjetër që të jetë marrë me përpilimin e një gramatike kaq të plotë sa e jona», shkruan ai6). Pra, Pashko Vasa nuk ishte në dijeni të gramatikave të botuara më parë nga Jeronim de Rada me emrin e të birit, Zef de Rada më 1870-1871, nga K. Kristoforidhi më 1882 dhe nga S. Frashëri më 1886.7)
Duke folur për këtë vepër, V. Bala ka shënuar që rregullat e gramatikës së shqipes Pashko Vasa i ilustroi shqip «mbi bazën e degëzimit verior të gjuhës...»8). «Është me interes, vazhdon V. Bala, të vërejmë përpjekjet e autorit për të përdorur një gegërishte sa më të afërt me toskërishten...»9). V. Bala edhe kur ka shkruar për punimin e Pashko Vasës për alfabetin ka shënuar që «shembujt për të ilustruar alfabetin e vet, ai i sjell nga gegërishtja, por nga një variant i saj (i gegërishtes BB) i afruar fort me toskërishten, me ndonjë përjashtim të rrallë si fjala vjen: kamë për kambë, shamë për ofshamje, mëndash për mëndafsh».10) Në dallim prej tij, J. Kastrati e ka vlerësuar «Gramatikën shqipe » të Pashko Vasës si « një dëshmi e gjallë dhe autentike e së folmes së qytetit të Shkodrës». Sipas tij, ajo «është e para gramatikë e botuar, e plotë, e shkodranishtes, duke përjashtuar shënimet sporadike gramatikore të Bardhit, Da Leçes, Rosit, Jungut para tij»11).
Në të vërtetë Pashko Vasa nuk jep shpjegime lidhur me dialektin a nëndialektin që është vënë në bazë të «Gramatikës» së tij. Megjithatë ai në faqen 16 të «Gramatikës» kur shkruan për përdorimin e rrjedhores së emrave ka shënuar që «rrjedhorja ka një formë tjetër shumë të përdorur sidomos në Shqipërinë e ultë»12). Pra, Pashko Vasa ishte i vetëdijshëm për praninë, të paktën, e ndarjes dialektore të shqipes në shqipe të Shqipërisë së Epërme dhe në shqipe të Shqipërisë së ultë. Dhe problemi shtrohet se çfarë përfaqëson gegërishtja e veprës së tij, pra, cila është baza dialektore e gjërë po edhe e ngushtë e kësaj gramatike dhe nëse ka përpjekje për ta zgjeruar bazën dialektore, në ç'drejtim shkojnë këto përpjekje.
E vërteta është se disa studiues e kanë veçuar Pashko Vasën nga disa autorë të tjerë gegë për prirjet e tij, siç shkruajnë ato, për afrimin në të shkruar të dy dialekteve të shqipes ose për afrimin e gegërishtes me toskërishten në fjalor e drejtshkrim13).
Po le të shohim më mirë tani konkretisht se cila është baza dialektore e «Gramatikës shqipe» të Pashko Vasës dhe në çfarë mase ai është përpjekur t'i afrojë dy variantet e shqipes së shkruar, pra të gegërishtes së shkruar dhe toskërishtes së shkruar ose më mirë dy variantet e shqipes letrare të kohës.
Për t'i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje ne kemi krahasuar të dhënat gjuhësore nga kjo vepër me tiparet dalluese të makrosistemeve të ndryshme të gegërishtes.
«Gramatika shqipe» e Pashko Vasës në përqasje me makro dhe mikrosistemet e gegërishtes
Pashko Vasa, duke folur për përdorimin e theksit lakor (circonflexe) që në tekstin e «Gramatikës» shënon gjatësinë e zanoreve, ka shkruar se «Theksi lakor vihet mbi zanoret, tingulli i të cilave duhet të zgjatet sikur të kishte dy zanore.14) Shenja e gjatësisë, në të vërtetë, është përdorur nga Pashko Vasa për të shënuar zanoret e theksuara gojore të gjata dhe gjysmë të gjata. Nga 117 fjalë të sjella në faqet 1-7 për ilustrim, të cilat në gegërishte dalin me zanore të gjatë (86 prej tyre) ose gjysmë të gjatë (31 prej tyre) në tekstin e «Gramatikës» janë shënuar si të gjata vetëm 25 fjalë, pra, jo më shumë se 22% e tyre: shqipta:r, hy:ll, sy:, dhe:, dhi:m, gja:m, gji:, shi:, shtëpi:, thi:, ka:, kushri:, ka:l, goma:r, dhi:, bu:lk, gra:t, va:rzat etj., por çal, çil, boç, sy, gji, rê, vlla, eja, erdha, gjyshe, nuse, dele etj. Pra shkalla e reduktimit të përdorimit të shënjës së gjatësisë është rreth 78%, çka e largon në këtë pikë gegërishten e kësaj «Gramatike» nga gegërishja e folur.
Për të shënuar hundorësinë e zanoreve, karakteristike vetëm për makrosistemin e shkallës së parë të gegërishtes, Pashko Vasa në «Gramatikën» e tij vë mbi zanoret shënjën e gjatësisë së zanoreve, të cilën ai e quan theks hundor.
Nga 65 fjalë të përdorura për ilustrim në faqet 1-12 të «Gramatikës», të cilat në të folmet e gegërishtes dalin me zanore hundore, janë shënuar si të tilla vetëm 27 prej tyre, do me thënë vetëm 37% e rasteve: rê, rrên, vâth, patâ, rikâ, qên, luâ, me kên, me vû, me prû, me shty^, me fry^ etj., por sy, frym, dhen, dhi:m, shi:, kushri:, zanin, i amël, etj. por edhe âsht e asht, me kên e me ken. Po kështu edhe në pasqyrat e zgjedhimit të foljeve lëkundjet janë shumë të dukshme: ti flên, ai flên, na flêim, ju flêni, ata flêin, por un flei, ti flishe, ai flite, na flishim etj. Sipas Pashko Vasës zanoret hundore janë vetëm të gjata, çka nuk pajton me të dhënat nga e folmja e Shkodrës po edhe më gjërë.15) Pra edhe shkalla e pasqyrimit të hundorësisë së zanoreve në «Gramatikën shqipe» të Pashko Vasës është relativisht e kufizuar.
Në «Gramatikën» e Pashko Vasës ë-së së toskërishtes i përgjigjen â -ja hundore dhe a -ja gojore, madje denduria e përdorimit të a-së gojore është më e madhe. Nga 18 fjalë që në gegërishte dalin me â hundore, janë shënuar si të tilla vetëm 3 fjalë: vâth, kândshëm, t'bâjsh, por gja:m, dhandër, asht, ban, i amël, nand, kang etj. Pra, edhe në këtë rast një prirje e qartë për një përdorim të kufizuar të shënjës së hundorësisë.
Grupi tingullor vo- në «Gramatikën» e Pashko Vasës ruhet si i tillë në të gjitha rastet: i vorfën, e vorfën, t'vorfën, me vorrue, vorfnisht, vorr. Pra, në tekstin e «Gramatikës» nuk gjejmë dukurinë e kalimit të o-së së shkurtër të theksuar në a në rrokje të mbyllur, karakteristike për të folmen e anës perëndimore të qytetit të Shkodrës, si edhe për të folmen e Ulqinit në fjalë të tilla si:voj>vaj, vorr>varr, kos>kas etj.16)
Në tekstin e «Gramatikës», në pajtim me të folmet e gegërishtes, paskajorja me me+pjesoren e foljes (me punue), ka një denduri të madhe përdorimi, po nuk mungojnë edhe rastet e përdorimit të lidhores në vend të saj. Nga 32 raste të përdorimit të tyre, 29 dalin me paskajore dhe vetëm tri me lidhore. Nga analiza e tërësisë së shembujve të përdorur me paskajore dhe lidhore del se lidhorja përdoret vetëm në bashkëvajtje me foljen mund, madje në «Gramatikëën shqipe» të Pashko Vasës flitet edhe për një formë foljore që autori e quan futur contigent (e ardhshme e mundësisë) të ndërtuar nga mund + lidhore:: un mundt'kemi, ti mundt'ke:sh, ai mundt'ke:t, na mundt'kena, ju mundt'keni, ata mundt'ke:n etj.
Pashko Vasa në «Gramatikën» e tij pranon tri forma të së ardhmes: të ardhmen absolute (kam me pas), të ardhmen (do t'kem) dhe të ardhmen e mundësisë (mund t'kemi). Nga 20 raste të sjella për ilustrim me të ardhmen dhe me të ardhmen absolute, 15 dalin me të ardhmen (do + lidhoren) dhe vetëm 5 me të ardhmen absolute (kam + pjesoren):
Njekio do t'martohet shpejt.
Keh do t'duesh ti qi s'ke zemër.
Këta kual kur do t'ja dërgosh.
por
Sikur të më thon kam me ba:
Banu i urt, ndryshe ke: me u pendue.
Eshtë një gjendje pak a shumë e përafërt me atë të të folmeve të gegërishtes, ndonëse nuk mungojnë edhe dallimet17).
Krahas këtyre tipareve karakteristike për të mbarë të folmet e gegërishtes, në tekstin e «Gramatikës» gjejmë edhe disa tipare të tjera karakteristike vetëm për të folmet e gegërishtes veriore.
Veta e parë njëjës e së tashmes së dëftores së foljeve me temë në bashkëtingëllore, zgjedhimi i parë, klasa e parë, në «Gramatikën» e Pashko Vasës del me mbaresën -i (un lidhi).Nga 36 folje të zgjedhimit të parë, klasa e parë, të sjella për ilustrim në faqet 65-69 të «Gramatikës», 29 dalin me mbaresën-i dhe vetëm 7 dalin pa mbaresë: rrahi, vdari, njalli, zbardhi, bari, rrasi, mieli, mielli etj., por edhe un mledh, ndiek, dieg, hiedh, dredh etj. Këto të fundit i përkasin klasës së dytë të zgjedhimit të parë(18). Eshtë pak a shumë e njëjta gjendje si në të folmet veriore të gegërishtes që shtrihen në zonën mbi lumin Drin, përfshirë këtu edhe të folmet e Kosovës. Kjo dukuri nuk ndeshet në të folmet e gegërishte qendrore që shtrihen në jug të tyre.19)
Veta e tretë njëjës e së tashmes së lidhores në «Gramatikën» e Pashko Vasës formohet me mbaresën -in , njësoj si veta e tretë shumës e së tashmes së dëftores: ai t'desin, t'vi:n, t'kiain, t'lain, t'nxe:in, t'mshi:n, t'shtyin, t'skkoin, t'falin, t'ndezin etj., por edhe ai t'ket, t'jet, t'dal. Këto të fundit janë të vetmit shembuj pa mbaresë që kemi gjetur. Kjo dukuri shtrihet në të folmet veriore të gegërishtes që shtrihen nga Malësia e Madhe në perëndim e deri në Has në lindje. Në të folmet e Kosovës që shtrihen në lindje të tyre kjo formë foljore e lidhores është identike me formën e vetës së tretë njëjës të dëftores.20)
Përemrat pronorë të vetë së parë, prona dhe pronari njëjës, në tekstin e «Gramatikës» dalin përkatësisht në variantet i jemi , e jemia.
kali jem, shtëpija jeme
Gjith burrat punoin, i jemi shkon në mal.
Këto shtëpija jan drrasash, e jemja asht gurit.
Këto forma përemërore janë shtrirë në mbarë të folmet e gegërishtes veriore, si edhe në disa të folme veriore të gegërishtes qëndrore.21)
Siç shihet, në «Gramatikën» e Pashko Vasës dëshmohen jo vetë tiparet dalluese të makrosistemit të gegërishtës, po edhe ato të të folmeve të gegërishtes veriore që shtrihen në territorin në veri të Drinit të Bashkuar po edhe të Maleve të Sharrit. Po krahas këtyre tipareve, në «Gramatikën» e Pashko Vasës vihen re edhe tipare të tjera me një shtrirje më të kufizuar në të folmet e gegërishtes.
Grupet e vjetra të bashkëtingëllorve kl, gl, të cilat në të folmet e shqipes na paraqiten në variante të ndryshme, në «Gramatikën» e Pashko Vasës dalin përkatësisht ki (=k-j), gi (g-j). Shembujt që ilustrojnë këtë dukuri, edhe pse nuk janë të shumtë, janë gjithësesi sinjifikativ: un kieç, ti,ai kie, na kiem, ju kiet, ata kien, kiofsha, kiofsh, kioft, kiofshim, kiofshi, kiofshin; kiai, kia:n, kiaim, kiani, kiaishe, kiava, kam kia, pata kia; i giat, e giat, giuhën, por edhe: me kên, tui pas ken, gisht. Kalimi i grupeve të bashkëtingëlloreve kl,gl në k-j, g-j përbën një nga tiparet dalluese të të folmeve perëndimore të gegërishtes veriore, përjashtuar të folmet e popullsisë myslimane të Postribës, të qytetit të Shkodrës dhe të Ulqinit ku këta grupe bashkëtingëlloresh janë palatalizuar, përkatësisht në q, gj .22)
Në tekstin e «Gramatikës» grupi i bashkëtingëlloreve fsh në mënyrën dëshirore të foljeve me temë në zanore ruhet mirë. Nga 14 folje me temë në zanore, 12 folje e ruajnë grupin e bashkëtingëlloreve fsh në mënyrën dëshirore: kiofsha, kiofsh, kiofshim, kiofshi, kiofshin; nxefsha, nxefsh, nxefshim, nxefshi, nxefshin; mshifsha, mshifsh, mshifshim, mshifshi, mshifshin; shkofsha, shkofsh, shkofshim, shkfshi, shkofshin etj., por edhe: kiasha, kiash, kiashim, kiashi, kiashin; lasha, lash, lashim, lashi, lashim,.pra, prirja themelore në «Gramatikën» e Pashko Vasës është ruajtja e grupit të bashkëtingëlloreve fsh në mënyrën dëshirore të foljeve me temë në zanore. Në këtë pikë «Gramatika shqipe» e Pashko Vasës largohet nga të folmet perëndimore të gegërishtes veriore23) dhe bashkohet me shumicën e të folmeve të shqipes ku ky grup bashkëtingëlloresh ruhet.24)
Grupi i bashkëtingëlloreve ngj në tekstin e «Gramatikës» ruhet ose ka përfunduar në nj: ngjit (attribuer), kingji, ngjesh, por unj (= ungj), me njall (ressusciter), me njit (attacher). Ky grup bashkëtingëlloresh ka përfunduar në nj në të folmet perëndimore të gegërishtes veriore. Në disa të folme veriore të këtij grupi të folmesh ndeshen edhe variantet j, gj, q, h të grupit të bashkëtingëlloreve ngj.25) Pra, edhe në këtë pikë «Gramatika shqipe» e Pashko Vasës largohet pjesërisht nga të folmet perëndimore të gegërishtes veriore.
Rrjedhorja e pashquar e emrave të gjinisë femërore në «Gramatikën» e Pashko Vasës formohet me mbaresën -et: prei nanet, prei buket, prei shtpiet, prei doret etj. Kjo formë rasore është karakteristike për të folmet perëndimore të gegërishtes veriore nga Kelmendi në veri e deri në Shkodër me rrethina në jug.26)
Veta e parë shumës e së kryerës së thjeshtë të foljeve veprore në tekstin e «Gramatikës» formohet me mbaresën -me: na patme, kieme, la:me, nxe:me, mshi:me, përvu:me, shkueme, shkyeme, ndieme, folme, ndezme, erdhme, duelme, vu:me, prûme, dogjme, kërsitme ose krisme etj., por edhe: na la:m, kiem «qemë». Mbaresa -me është tipike për të folmet perëndimore të gegërishtes veriore, ndonëse nuk është e përgjithësuar. Në të folmen e Dushmanit, të Shkrelit bashkëekzistojnë mbarese -me me mbaresën -ëm (-m).27)
Paralelisht me mbaresën -me në «Gramatikën» e Pashko Vasës për vetën e tretë shumës të së kryerës së thjeshtë të dëftores përdoret edhe mbaresa -ne: ata patne, kiane, la:ne, nxe:ne, mshi:ne, përvu:ne, shty:ne, shkuene, shkyene, ndiene, falne, ndezne, erdhne, vu:ne, prûne, prene, pi:ne, fietne, hangërne, zune, dreshtne etj. por edhe: kien, dha:n, lan (laisser). Edhe pse këtë dukuri nuk e kemi vlerësuar si tipar dallues të të folmeve perëndimore të gegërishtes veriore, shtrirjen më të madhe ajo e ka në këtë grup të folmesh, përfshirë edhe të folmen e pjesës lindore të qytetit të Shkodrës.
Në «Gramatikën» e Pashko Vassës veta e parë shumës e së tashmes së dëftores së foljeve pësore formohet me mbaresën: -h-ena: krehena, pritena, gjindena. Kjo dukuri është karakteristike për të folmet e Kelmendit, të Hotit, të Shkrelit, të Kastratit, të Lohes së Sipërme, të Rranzave të Mbishkodrës. Ajo mbizotëron edhe në Dushman. Në Postribë e Zadrimë bashkjetojnë mbaresat -h-emi dhe -h-na. Në Shkodër dhe Shirokë është përgjithësuar varianti i shkurtuar -h-na i kësaj mbarese.28) Si shihet, Pashko Vasa përdor në këtë rast një formë më të përgjithshme veriore perëndimore të kësaj mbaresë, duke u larguar kështu nga varianti i përdorur në të folmen e qytetit të Shkodrës. Në këtë rast nuk përjashtohet edhe mundësia që varianti i shkurtuar i mbaresës (-h-na) në të folmen e qytetit të Shkodrës të jetë përftuar në periudhën pas vitit 1887, po kjo duhet vërtetuar.
Grupet e zanoreve ue, ye, ie në «Gramatikën» e Pashko Vasës dalin të pamonoftonguara: xhakue, grue, sherbtuer, Perenduer, krahnuer; krye, tui thye, me lye; qiell, tui zie, me përzie, me zie etj. Bëjnë përjashtim pronorët që dalin me u dhe jo me ue: i jui, e jui, i juji, e juja, t'uit, t'uja. Në të folmet veriore të grupit perëndimor të gegërishtes veriore këto grupe bashkëtingëlloresh në shumicën e rasteve ruhen, kurse në të folmet në jug të tyre në shumicën e rasteve monoftongohen përkatësisht në u, y, i.29) Po megjithatë nuk mund të themi që në këtë pikë «Gramatika» e Pashko Vasës pasqyron të folmet veriore të grupit perëndimor të gegërishtes veriore, sepse në këtë nëngrup të folmesh, krahas ue përdoren edhe uo, ua e u., që nuk i gjejmë në tekstin e «Gramatikës». Kështu që duhet pranuar se kemi të bëjmë me një përpjekje të vetdijshme të autorit për t'u larguar nga format nëndialektore të kësaj dukurie.
Grupet e bashkëtingëlloreve mb, nd, ng në «Gramatikën» e Pashko Vasës ruhen relativisht mirë: mbretnesh, e mba, mbasandej, u mbytne; ngane, kangët; ndigjo, i ndershëm, këndo, dhandër, perenduer, i rand, nand etj., por edhe kam «këmbë», e amël, mrrin, i nrit (humid), kadal, mledh, mushi, mrapa etj. po këto janë të pakta. Në të folmet perëndimore të gegërishtes veriore këto grupe bashkëtingëlloresh kanë pësuar zhvillime të dyfishta e të trefishta. Në mbarë të folmet e këtij grupi grupet e bashkëtingëlloreve mb, nd ng kanë dhënë përkatësisht m, n h. Në të folmet veriore të këtij grupi ndeshen edhe variantet b(p), d(t), g(k) të tyre. Në të folmet në jug të tyre, përfshirë edhe qytetin e Shkodrës nd>ñ (bashkëtingëllore dhëmbore hundore e zëshme).30)
Nga sa u tha deri tani, po edhe nga ato që nuk qe e mundur të parashtrohen në një shkrim si ky, del se baza dialektore e «Gramatikës shqipe» të Pashko Vasës është pa dyshim gegërishtja dhe më konkretisht gegërishtja veriore, ose po të shkojmë më tutje, grupi perëndimor i gegërishtes veriore, madje nëngrupi jugor i këtyre të folmeve ku përfshihet edhe e folmja e qytetit të Shkodrës. Po kjo nuk na jep të drejtë të pohojmë që «vepra e Pashko Vasës është një dëshmi e gjallë dhe autentike e së folmes së qytetit të Shkodrës» ose që kjo «Gramatikë» është «e para gramatikë e botuar e plotë e shkodranishtes...».31) Për këtë mjafton të krahasohen të dhënat e kësaj «Gramatike» për fonetikën me të dhënat për fonetikën e së folmes së qytetit të Shkodrës në punimin e G. S Lowman «Phonetics of Albanian» ose me të dhënat e punimit tonë për fonetikën e së folmes së Shkodrës32) dhe do të mund të shiheshin qartë dallimet.
Të dhënat e sjella në këtë trajtesë vertetojnë se baza dialektore «Gramatikës shqipe» të Pashko Vasës është gegërishtja veriore ose më mirë grupi perëndimor i të folmeve perëndimore të gegërishtes, përfshirë të folmen e qytetit të Shkodrës, po ato, në të njëjtën kohë, flasin për përpjekje të vetëdijshme të autorit për t'u larguar nga veçoritë e grupit perëndimor të gegërishtes veriore në përgjithësi dhe e folmja e qytetit të Shkodrës në veçanti, pra për ta zgjeruar disi bazën dialektore të saj. Për këtë flasin edhe të dhënat leksikore të përdorura për ilustrim. Kështu, në «Gramatikën» e Pashko Vasës, krahas fjalëve tipike për të folmet e gegërishtes në përgjithësi e të gegërishtes veriore, e veriperëndimore në veçanti gjejmë edhe fjalë tipike për të folmet e toskërishtes. Ja disa prej tyre: derr(krh. thi), bushtër (krh. shak), mac (krh.mic, dac), vash, çup (krh.vajz, çik, cuc), kok (krh.krye), unj «ungj» (krh. mixh), lal (krh.vlla), ngiye «gënjyer», etj. E parë me këtë sy, «Gramatika shqipe» e Pashko Vasës shënon ndoshta përpjekjen e parë serioze të ndërgjegjshme të një autori shqiptar për të na dhënë një gramatikë relativisht të plotë të gegërishtes së shkruar, për pasojë edhe për standardizimin e gegërishtes së shkruar dhe mënjanimin prej saj të disa varianteve nëndialektore tipike për mikro dhe makrosistemet e shqipes dialektore.
------------------
1. «L'alphabet latin appliqueée à la langue albanaise», Constantinople, 1878.
2. «Grammaire albanaise à l'usage de ceux qui desirent apprendre cette langue sans l'aide d'un mâitre», Par P. W., London, 1887.
3. Shih për këte V. Bala, «Pashko Vasa», Tiranë, 1979, f. 183-191; J. Kastrati, «Histori e gramatologjisë shqiptare (1835-1994)», Prishtinë, 1980; J. Kastrati, «Gramatika shqipe» e Pashko Vasës (1887), «Studime filologjike», Tiranë, 1992, 1-4, f. 79-82.
4. P. Vasa, «Grammaire...», f. X.
5. P. Vasa, «Grammaire...», f. 168.
6. P. Vasa, «Grammaire...», f. 169.
7. V. Bala, «Pashko Vasa», Tiranë, 1979, f. 183-191.
8. V. Bala, «Pashko Vasa», Tiranë, 1979, f. 185.
9. V. Bala, «Pashko Vasa», Tiranë, 1979, f. 188.
10. V. Bala, «Pashko Vasa», Tiranë, 1979, f. 82.
11. J. Kastrati, «Gramatika shqipe» e Pashko Vasës (1887), «Studime filologjike», Tiranë, 1992, 1-4, f. 81. Në faqën 82 të këtij artikulli J. Kastrati ka shkruar se «Gjuha e Pashko Vasës ka tendencat e afrimit me dialektin jugor» duke lënë të nënkuptohet që ai shihte një dallim ndërmjet gjuhës së veprave të tij ku ai shihte tendenca afrimi me dialektin jugor dhe «Gramatikës» që, sipas tij, ishte «dëshmi e gjallë dhe autentike e së folmes së qytetit të Shkodrës». Edhe T. Osmani, duke folur për gjuhën e prozës së Pashko Vasës «Shqypnija dhe shqyptarët» ka theksuar që «P. Vasa shkruan në variantin verior, duke ruajtur të folmen e vendlindjes, por duke u përpjekur që të shkruaj një shqipe sa më të bukur dhe të pastër dhe në një farë shkalle të njësuar. Kjo, vazhdon ai, pasqyrohet më shumë në fonetikë dhe deri diku edhe në leksik» T. Osmani, Vëzhgime për gjuhën e veprës së Pashko Vasës, «Gjuha jonë», Tiranë, , 1992, 3-4, f. 56. Termi «shqipe e njësuar» në këtë rast është tepër largvajtës dhe modernizues, aq më shumë, po të vihet përballë pohimeve të J. Kastratit që e vlerëson «Gramatikën» e tij si dëshmi autentike të së folmes së Shkodrës.
12. P. Vasa, «Grammaire...», f. 16.
13. Duke folur për shkrimet shqipe të shekullit XIX , ndër të tjera, ka vënë në dukje se «Në disa nga këto shkrime vihen re edhe përpjekje për t'i afruar në të shkruar të dy dialektet kryesore të shqipes si në fjalor ashtu edhe në drejtshkrim. Një punë e tillë e vetëdijshme për lëvrimin e gjuhës shqipe në shekullin XIX nisi me «Ëvetarin» e Naum Veqilharxhit dhe mori përpjestime më të gjëra në shkrimet e Kristoforidhit, të Samiut, të Naimit, të Vretos, të Pashko Vasës etj.» (Sh. Demiraj, «Gjuha shqipe dhe historia e saj», Tiranë, 1988, f. 264). Edhe Dh. Shuteriqi e J. Kastrati kanë shkruar se «Gjuha e Pashko Vasës ka tendencat e afrimit me dialektin jugor...» Dh. Shuteriqi, «Historia e letërsisë shqipe për shkollat e mesme», Tiranë, 1955, f. 134; «Letërsia e re shqipe», Antologji e komentuar për shkollat e mesme, Tiranë, 1950, f. 326; «Historia e letërsisë shqipe», II, Tiranë, 1960, f.274; J. Kastrati, «Histori e gramatologjisë shqiptare (1835-1994)», Prishtinë, 1980, f. 105.
14. P. Vasa, «Grammaire...», f. 5.
15. B. Beci, «Le système vocalique et consonantique du parler de la ville de Shkodra (Albanie du Nord)», Thèse pour le doctorat d'Université presentée par Bahri Beci, Tome I (1-392), Tome II (393-670). Directeur: M. R. Gsell, maitre de conférences et directeur d'études du 3-éme cycle, Paris, 1977. Shih edhe variantin shqip, «Të folmet veriperëndimore të shqipes dhe sistemi fonetik i së folmes së Shkodrës»», Tiranë, 1995, f. 233-255.
16. B. Beci, «Të folmet veriperëndimore të shqipes dhe sistemi fonetik i së folmes së Shkodrës»», Tiranë, 1995, f. 44.
17. B. Beci, Rreth tipareve karakteistike të dy dialekteve të shqipes, «Studme filologjike», Tiranë, 1978, 4, f. 82-83.
18. «Gramatika e gjuhës shqipe», Vëllimi I, (Morfologjia), Tiranë, 1995, f. 281.
19. B. Beci, «Të folmet veriperëndimore...», Tiranë, 1995, f. 50.
20. B. Beci, «Të folmet veriperëndimore...», Tiranë, 1995, f. 51.
21. B. Beci, «Të folmet veriperëndimore...», Tiranë, 1995, f. 52.
22. B. Beci, «Të folmet veriperëndimore...», Tiranë, 1995, f. 56.
23. Në të folmet perëndimore të gegërishtes veriore si edhe në disa të folme lindore të tij grupi i bashkëtingëlloreve fsh në mënyrën dëshirore të foljeve me temë në zanore ka dhënë sh (B. Beci, «Të folmet veriperëndimore...», Tiranë, 1995, f. 57).
24. B. Beci, «Të folmet veriperëndimore...», Tiranë, 1995, f. 57.
25. B. Beci, «Të folmet veriperëndimore...», Tiranë, 1995, f. 58.
26. B. Beci, «Të folmet veriperëndimore...», Tiranë, 1995, f. 57.
27. B. Beci, «Të folmet veriperëndimore të shqipes...», Tiranë, 1995, f. 58.
28. B. Beci, «Të folmet veriperëndimore të shqipes...», Tiranë, 1995, f. 59.
29. B. Beci, «Të folmet veriperëndimore...», Tiranë, 1995, f. 62-63.A. V. Desnickaja ka shkruar se «në fushën e vokalizmit koservatorizmi i së folmes së katolikëve duket në ruajtjen e pjesshme të diftongjevetë vjetra ie, ye, ue në një kohë që në të folmen e myslimanëve është dëshmuar në mënyrë të plotë shqiptimi si monoftong-zanore të gjata i, y, u (A. V. Desnickaja, «Albanski jazyk i ego dialekty», 1978, f. 108). Edhe G. S. Lowman ka vënë në dukje që në të folmen e dy katolikëve të qytetit të Shkodrës që i kanë shërbyer si subjekte është dëgjuar úe në ato raste ku myslimanët kanë shqiptuar u: (G. S. The fonetics of albanian, «Language», VIII, 1932, f. 289). Ndoshta kalimi i grupit të zanoreve ue, ye, ie >u, y, i në të folmen e banorëve katolikë të qytetit të Shkodrës është një dukuri relativisht e re. Problemi meriton të shqyrtohet më tej.
30. B. Beci, «Të folmet veriperëndimore...», Tiranë, 1995, f. 64-66.
31. J. Kastrati, «Gramatika shqipe» e Pashko Vasës (1887), «Studime filologjike», Tiranë, 1992, 1-4, f. 81. Për ne ky do të ishte një pohim tepër kategorik dhe jo dekuat. Që gramatika e P. Vasës nuk «...është një dëshmi e gjallë dhe autentike e së folmes së qytetit të Shkodrës» ose që kjo «Gramatikë» nuk është «e para gramatikë e botuar e plotë e shkodranishtes...», del edhe nga ato ka shkruar vetë autori. Ai në asnjë rast nuk flet për shkodranishte po për shqipe, pra siç shkruan ai vetë, ai ka synuar të bëjë «një gramatikë të gjuhës shqipe», një «Grammaire albanaise à l'usage de ceux qui desirent apprendre cette langue sans l'aide d'un mâitre». Ai ka synuar që përmes kësaj «Gramatike» «t'ia nënshtronte gjuhën shqipe disa rregullave të qëndrueshme dhe të njëtrajtshme».
Pra, qëllimi i Pashko Vasës ishte, siç shkruan ai, ta vëmë (gjuhën shqipe BB) para gjithë botës dhë t'ua japim në dorë dijetarëve evropianë një udhëzues të sigurtë në mënyrë që këta të mundin ta mësojnë gjuhën në fjalë pa ndihmën e një profesori»(4). Pra, synimi i Pashko Vasës ishte të bënte një gramatikë të gjuhës shqipe, madje ai besonte se kjo ishte gramatika e parë e gjuhës shqipe e hartuar nga një shqiptar. Në të mirë të idesë sonë flet, ndër të tjera, edhe fakti që në «Gramatikën» e P. Vasës nuk vihen re dukuri të tilla si alternimet e bashkëtingëlloreve q, gj > ç, xh ose ll > dh etj. tipike për të folmen e anës lindore të qytetit të Shkodrës të cilës i përkiste nga pikëpamja e origjinës Pashko Vasa (shih për dukuritë në fjalë B. Beci «Të folmet veriperëndimore...» f. 428, 430-435). Po kjo nuk do të thotë sigurisht që «Gramatika» e P. Vasës ka humbur lidhjet me të folmen e ytetit të Shkodrës, prej edhe nga ishte autori.
32. G. S. Lowman, Phonetics of Albanian, «Language», VIII, 1932, f. 271-293; B. Beci, «Le système vocalique et consonantique du parler de la ville de Shkdra (Albanie du Nord)», Thèse pour le doctorat d'Université presentée par Bahri Beci, Tome I (1-392), Tome II (393-670). Directeur: M. R. Gsell, maitre de conférences et directeur d'études du 3-éme cycle, Paris, 1977. Shih edhe variantin shqip, «Të folmet veriperëndimore...», Tiranë, 1995, 1-605 faqe.
~~~ruani veten nga mallkimi,,,se veq vdekja eshte sherimi
~~~~~~~~!!!!!!~~~~~~~
nderime nga une zemra e kosoves,,,