Nga "Tempulli i Poezisë Shqipe"1)
Poezia shqipe dokumentohet e shkruar shumë vonë, ashtu si vetë gjuha shqipe e shkruar. Por, sikundër vërtetohet që gjuha e sotme shqipe është vazhdim i gjuhës ilire, duhet menduar se edhe poezia e sotme shqipe i ka modelet e veta më të hershme në kulturën ilire, që dokumentohet ndër kulturat më të lashta në Ballkan e Mesdhe.
Këtë hershmëri e vertetojnë më së miri edhe disa tufëza vargjesh, të mbetura si fosile aty-këtu në ciklin e Këngëve të Kreshnikëve të Veriut, që vijnë deri në epokën moderne, si modele të pakrahasueshme të artit të fjalës së bukur, si dhe disa fragmente lirike nga poezia gojore shqipe, e cila vazhdoi të gjallojë deri në shekullin e kaluar në ceremonialet tradicionale të dasmës dhe të mortit, apo ndër rituale kremtimesh, që, për nga përmbajtja, vërehen të jenë të epokës parakristiane.
Disa tekste këngësh me ngarkesa figurative të ngurtësuara vazhdojnë të këndohen nga vajzat, që marrin pjesë në dasma (kori), të ndara në dy grupe. Në qendër të secilit grup qëndron një soliste (korifeu). Vija melodike është një frazë e vetme muzikore, që këndohet "a capella", me rimarrje nga solisti te njëri grup dhe, më pas, e njëjta frazë muzikore rimerret nga solisti dhe grupi përballë, i cili artikulon vargun pasues e kështu me radhë. Ekzekutimi shoqërohet me një lëvizje tepër të thjeshtë koreografike, që duket se shërben vetëm sa për të mbajtur ritmin.
Në tekstin e një kënge, që njihet me titullin "Mori drandofillja e bardhë", ndeshen vargje me një figurshmëri kaq të ngurtësuar, saqë vajzat, që i këndojnë, zor se ia dinë më kuptimin. Nga ana tjetër, aty vërehen simbole iliro-mesdhetare me ngarkesa mistiko-rituale, tanimë të harruara, si janë: numri nëntë ("nandë ogiç" x 2, "nandë kumbonë"), që ka lidhje me ciklin hënor, dhe figura gjeometrike rrethore ("t'gjithë nji vashë po i rrotullon"), që simbolizon diellin, plleshmërinë, sikundër disku (rrethi) në shkop ("t'gjith nji vashë po i rrotullon,| me një thupër...") që simbolizon plleshmërinë lidhur me gjarpërin (kulti më kryesor ilir), një lloj orgjie dioniziane, përhapjen e së cilës në brendësi të Ballkanit ilirologët e shpjegojnë me një tregim për lindjen e Aleksandrit të Madh, nga e ëma, Olimpia (nga fisi ilir i Mollosve), në bashkim mitik seksual me një perëndi gjarpër (A.Stipçeviq).
Por, si duket, nëse ato që e kanë bartur gojë më gojë këtë tekst poetik ndër shekuj, ia kanë humbur kuptimin, e ndiejnë emocionalisht atë që këndojnë nga melodia, ritmi dhe solemniteti i ceremonialit të dasmës ku vajzat këndojnë për nusen por, më shumë, për veten e tyre. Sot kjo ndieshmëri mund të merret me mend, po ta mbajmë si fjalëkyç vargun e fundit, një varg si kontrapunkt ironik, që përmbyll këngën dhe orienton interpretimin e të gjitha vargjeve në kuptimësinë e mjaftueshme të simboleve të lashta dhe të metaforave të ngurtësuara. Ai varg ironik është: "(dhëndri) donte vashen virgjineshë". Pra, kemi të bëjmë me një tekst poetik ku himnizohet feminiteti dhe ironizohet morali që ngrihet kundër tij. Është, afërsisht, koha kur virgjiniteti sapo ka filluar të institucionalizohet si normë morale, dmth, epoka kur patriarkati ka arritur në fazën e vet më të konsoliduar, që në Shqipëri ka zgjatur deri në fundshekullin e kaluar. Në atë epokë (minimumi, parakristiane) duhet konsideruar koha e ngjizjes fillestare të atyre vargjeve, që vijnë të ngurtësuara figurativisht deri në kohët moderne.
E sollëm këtë shëmbull për të treguar aftësitë poeziformuese të gjuhës shqipe që në parahistorinë e saj, si dhe për të dëshmuar se kjo poezi gojore ka vazhduar të jetë aktive edhe pasi është zhvilluar poezia e shkruar. Madje duhet theksuar fakti se poezia gojore shqipe dhe poezia e shkruar shqipe kanë pasur një zhvillim paralel dhe marrëdhënie të vazhdueshme. Kjo është veçoria e parë më kryesore e poezisë shqipe.
Mori drandofillja e bardhë është një lirikë e kënduar, në tekstin e së cilës ka vargje që mund të merren si ndër më të hershmet në gjuhën shqipe. Varianti i parë i saj u botua në fillim të shek.XX nga shkrimtari Vinçenc Prennushi (Kangë popullore gegnishte, Sarajevë 1911); i dyti, rreth tri dekada më vonë nga folkloristi Kasem Taipi ("Zana popullore", Tiranë 1933); i treti nga studiuesi Qemal Haxhihasani ("Balada popullore shqiptare", Tiranë 1982) dhe i katërti nga muzikologët T.Daija dhe T.Zadeja ("250 kangë qytetare shkodrane", Shkodër 2000). Fragmente të kësaj kënge janë gjetur edhe ndër arbëreshët e Zarës, në malësorët e Bregut të Matës dhe në Zadrimë, prej nga duhet të jetë mbartur në qytetin e Shkodrës.
Melodia, që shoqëron tekstin është një frazë e vetme muzikore, e cila këndohej "a capella" nga një kor vajzash në ditët para dasmës. Vajzat vendoseshin në dy radhë dhe këndonin duke shoqëruar vetën me lëvizjen e njërës këmbë para-prapa. Në qendër të secilit grup qëndron solistja. Kompozitori Preng Jakova e paraqiti në skenë këngën "Mori drandofillja e bardhë" si pjesë të tablosë muzikore "Dasma shkodrane"(1947). Duket se që nga ajo kohë në qytetin e Shkodrës nuk këndohet më "a capella" dhe nuk ruan elementet e tjera të interpretimit ritualo-koreografik. Ndërsa motivi muzikor i saj u shfrytëzua nga kompozitori Çesk Zadeja si lajtmotiv kryesor në "Simfoninë nr.1"(1956), që është edhe simfonia e parë në historinë e muzikës shqiptare.
Analiza tekstologjike na sugjeron të dallojmë disa shtresëzime të vargjeve, prej të cilave ka rëndësi ai më i vjetri, që lidhet me ceremonialin e dasmës, si ritual i çiftëzimit apo zhvirgjinitetit për vajzën që do të bëhet grua. Nisur edhe nga partitura muzikore, mendojmë se struktura ritmike e vargut është bazuar në sistemin kuantitativ të zanoreve (konkretisht në këmbën e tipit - vvv ), sistem që nuk funksionon më në poezinë shqipe, pasi vargëzimi i sotëm shqiptar bazohet tërësisht në sistemin silabo-tonik (bën përjashtim të pjesshëm poezia e shek. XVI-XVII). Edhe ndërtimi i disa figurave vjen i ngurtësuar, si fosile e të një fleksibiliteti të hershëm poetik të gjuhës: "mora gjethin me ty (ndërrova veshje, u riformova, u bëra zonjushë, jam gati për të çelur, për t'u bërë grua), pra, "mora detin me sy", "me një thupër xen(zë) lejthinë", por edhe pranon dhimbjen e pasojat e tjera ("pikoi loti e ra në det | u ngri deti akull-o").
mori drandofillja e bardhë
Mori drandofillja e bardhë!
Kur mora gjethin me ty,2)
Mora detin-o me sy.
Në mjedis të detit-o,
Ish nji lis i vogël-o.
Sa i vogël lisi ishte,
Sa të madhe hije kishte.
Ku mrizojshin nandë ogiç,3)
Nandë ogiç me nandë kumbonë,
T'gjith nji vash po i rrotullon.
Me nji thupur xen lejthinë,4)
Na i ra marinarit n'sy.5)
Pikoi lodja e ra në det;
U ngri deti akull-o;
Mbeten barkët shakull-o;
Barkaxhisë na i ra lëngimi;
Lypte gjana qi nuk ishin:
Lypte mish leprit të thinët,
Lypte djath fëllanxe t'butë,
Lypte vashen virgjineshë.
(Nga "250 Kangë qytetare shkodrane", Idromeno, Shkodër, 2000, f.429)
1) Fragment nga trajtesa me të njëjtin titull, përgatitur për botim.
2) Variant: "kur mora gjethin në ty" (Taipi), "kur mora gjethin më ty" (Haxhihasani).
3) Variant: "ku mrizojshin nand-e grigje" (Prennushi, Haxhihasani).
4) Variant: "me nji thupër gem lejthi" (Taipi, Haxhihasani).
5) Variant: "na i ra marnarit n'sy" (Prennushi), "na i ra djalit në sy" (Taipi), "na i ra manarit n'sy" (Haxhihasani).
~~~ruani veten nga mallkimi,,,se veq vdekja eshte sherimi
~~~~~~~~!!!!!!~~~~~~~
nderime nga une zemra e kosoves,,,