Benachrichtigungen
Alles löschen

Liria Shqiptare dhe Politika Italiane nga 1878 deri me 1912

1 Beiträge
1 Benutzer
0 Reactions
684 Ansichten
(@zemra-e-kosoves)
Beiträge: 524
Honorable Member
Themenstarter
 
[#1866]

Liria Shqiptare dhe Politika Italiane nga 1878 deri me 1912

Shqipëria para e mbas Kongresit të Berlinit

Kush do të lexojë këto faqe nuk duhet të mendojë se lakmoj të paraqes ndonjë farë origjinaliteti. Desha të ravijëzoj një kuadër të Rilindjes Shqiptare, duke e parë që nga lindja, përcaktimin e zhvillimin e saj sa më përmbledhtas.

Janë ngjarje për të cilat është thënë shumë, por mbi të cilat ka ende shumë për të folur. Eshtë një pjesë e historisë ballkanike, që pret ende një fjalë përfundimtare, objektive e mbi të gjitha të qetë. Duke trajtuar këtë argument, nuk mund të mos merren në shqyrtim disa pikëpamje mbi kushtet e trevës shqiptare në fund të qindvjetorit të shkuar, kur problemi ballkanik iu paraqit më vendosmërisht Fuqive kqyrëse të luftës ruso-turke në fillim e të Traktatit të Shën Stefanit më pas.

"Shqipëria përbënte një nga provincat e Perandorisë Turke, e ndarë në disa vilajete simbas administratës otomane; bashkëjetonin tri besime fetare, katoliku, ortodoksi dhe myslimani, ishte qendër ndikimesh të Fuqive të ndryshme, të interesuara drejt për së drejti për problemet ballkanike. Pothuajse i injoruar nga Europa, populli i saj i shërbente Sulltanit, përbënte një armë të fortë të ushtrisë së tij, i jepte njerëzit më të vlefshëm në këmbim të përfitimeve të ruajtura gjatë e vendosmërisht, megjithëse pushtimi shekullor i kishte marrë frymën çdo ndjenje të bashkimit e të lirisë kombëtare."1) Nëse mbahet parasysh karakteri i posaçëm i popujve të Lindjes, mund të kuptohet lehtë cila ishte gjendja e vërtetë e Shqipërisë.

Napoleoni III e quante shekullin XIX, shekull të nacionalizmit, sepse shihte të lindëte e të zhvillohej ndjenja kombëtare tek shumë popuj që ishin pothuajse të panjohur, e thënia e Perandorit të fundit francez mund t'i përshtatej mirë popullit të Shqipërisë. Ai ishte i vetëdijshëm se ishte i ndryshëm nga fqinjët, se përfaqësonte një rracë më vete në lëmshin e kombësive ballkanike, se ruante një pasuri etnike, megjithë pushtimin shekullor, që i përforconte krenarinë e origjinës. Që kjo vetëdije të bëhej me të vërtetë vepruese në një lëvizje aktive politike, ishte e nevojshme një krizë e madhe, lufta dhe traktatet e Shën Stefanit e të Berlinit.

Qeveria Otomane nuk ushtronte në Shqipëri një zotërim faktik të përgjithshëm: që nga koha e pushtimit shqiptarët kishin mundur të fitonin privilegje, ndonjëherë edhe të mëdha, në shkëmbim të një ndihme ushtarake të vazhdueshme Turkisë e të kthimit në islamizëm, që duhej të kishte qenë i përgjithshëm. Por kjo nuk pakësonte padurimin ndaj Qeverisë Otomane, që herë-herë bëhej i papërmbajtshëm e atëhere shpërthenin kryengritjet e ashpra e tragjike, të mbytura në gjak, që përsëriteshin mbas një periudhe, në dukje, qetësie relative. Me këto kryengritje e me këto periudha qetësie është sendërtuar historia e popullit shqiptar që nga fillimi i pushtimit turk. Eshtë e lehtë pra të kuptohet se sa më i fortë e krenar bëhej karakteri i këtij populli, aq më i vështirë dhe i pamundur ishte depërtimi i çfarëdo forme qytetërimi. Ja pra arsyeja pse në njëzetvjetorin e fundit të qindvjetit të shkuar [kupto të shek. XIX - E.M.] ai përfaqësonte shprehjen më tipike të zotërimit turk në Europë. Në këtë kuadër negativ gjërash, që përmblidhej në pafuqinë e një fitimi të shpejtë të lirisë, shtohej veprimtaria e disa kombeve, të interesuara më shumë për pozitën gjeografike të tokës shqiptare.

Kur Perandoria Turke shfaqte ato shenja të dukshme, që paralajmëronin shembjen e saj përfundimtare, Fuqitë e Mëdha të Evropës kuptonin se po afrohej çasti të përfundonin veprën e depërtimit të gjatë e shekullor mes popujve të Ballkanit. Kjo vlente dhe për Shqipërinë, por me një ndryshim të dukshëm në krahasim me kombësitë e tjera ballkanike, se ajo nuk kishte vetëm një besim. Shumllojshmëria e besimeve, edhe nëse nuk ndikonte në bashkësinë e rracës, përfaqësonte një element paragjykues për një Fuqi të madhe katolike apo ortodokse, që të merrte mbi vete politikisht e shpirtërisht kujdestarinë, si në rastin e shteteve të tjera në formim.

Për më tepër, në fund të shekullit të shkuar, a mund të flitej për një komb shqiptar të aftë për të qenë i pavarur nga Porta e Lartë? Në një vështrim të gjërë do të kishte qenë i pamundur, sepse ishte e nevojshme një punë e gjatë e plot durim që të zgjohej i gjithë populli, jo vetëm një pjesë, e me vendosmëri të ngrinte para Evropës çështjen e kombësisë së tij. Nga ana tjetër, mohimi i të qenit të këtij populli do të ishte ende më i dëmshëm.

Kishte disa fuqi të interesuara për Ballkanin: Rusia, Austro-Hungaria, Italia; kjo e fundit, për arsye të dukshme, do të arrijë më vonë, dy të tjerat do të kenë një rol më të gjatë. Rusia, që nga koha e Katerinës, ushtronte një ndikim të fuqishëm dhe është e lehtë të kuptohen arsyet. Kur Dostojevski shkruante te "Gazeta e një shkrimtari" se "Rusia nuk mund të tradhëtojë idenë e madhe të trashëguar për kaq shekuj, të cilën ajo e ka ndjekur pa lëkundje", ishte një pohim i qartë i asaj ideje pansllaviste, nga e cila u frymëzua gjithmonë politika ruse. Duhet mbajtur parasysh se Rusia përfaqësonte traditën dhe bashkimin e një rrace përballë mozaikut të Perandorisë së Vjenës. Ndikimi rus, i fortë në Shqipëri, ishte dobësuar mbas disa incidentesh e, sidomos, mbas përgjigjes së Qeverisë së Carit shqiptarëve të nesërmen e Traktatit të Adrianopojës, simbas të cilit: " nuk mund të çimentonte ekzistencën e tij për të favorizuar qëllimet e popullit të ndershëm shqiptar. Fuqitë do të shihnin me sy të keq një dinasti luftëtarësh të fortë e bujarë të pasonte pasardhësit e mefshtë të Osmanit; të presin pra shqiptarët kohë më të mira, duke shpresuar në simpatinë e mbrojtjen e Rusisë së madhe."2)

Ndikimi austriak kishte krejt një rreze tjetër veprimi dhe një rëndësi më të madhe e më të qëndrueshme: interesimi i Perandorisë Austro-Hungareze për Shqipërinë e shqiptarët përcaktohej nga arsye gjeografike e politike. Ende "Mbretëria e dyfishtë" ruante të drejtën tradicionale të mbrojtjes së katolikëve nën sovranitetin e Portës, që fillonin me Traktatet e Karlovacit ( 26-1-1699), të Pasarovicit (21-7-1718) dhe të Beogradit ( 18-1-1739), me qenë se këto traktate i kishin dhënë Perandorisë së Shenjtë Romake një të drejtë të përgjithshme për të mbrojtur gjithë katolikët në Turki, ndërsa përsa i përket Shqipërisë protektorati mund të thuhet se ishte i veçantë."3)

Ishte një politikë ndikimi e depërtimi të qëndrueshëm e të palodhur: shkollat, manastiret, zyrat postare, përfaqësues dhe agjentë konsullorë punonin për realizimin e projekteve të Vjenës. Një këngë shqiptare e vitit 1813 thoshte: "... provincat e bukura e pjellore të Bosnjës e Shqipërisë, këta male ari e këto luanë do të bëhen qengja. Rusia, e fundit por më finokja hesht: ajo ruan për vete tri provinca të pasura, të bukura e pjellore ku rritet gruri e ku kullotat janë të bollshme. Sa e bukur është të përkundesh në iluzione të ëmbla, të ëndërrosh në një dremitje një të ardhme të pasur e të dëshëruar gjatë. Por kur zgjohen përnjëherësh vdekëtarët e shkretë mallkojnë kohën e humbur në projekte të kota. Kjo ndërtesë e stërmadhe, megjithëse e ndarë në copa, mbetet një dhe me një zot. Ndarësit kishin harruar se për të përvetësuar provincat e një Perandorie janë të nevojshme fati dhe arsyeja."

Një tjetër fuqi ushtronte ndikimin e saj të drejtpërdrejtë në Shqipëri, edhe nëse kishte arritur vonë të bënte të ndihej pesha e saj në gjërat e Lindjes, Italia. Shumë të lashta e të thella ishin lidhjet mes dy brigjeve të Adriatikut; por që Italia të merrte pjesë drejtpërsëdrejti në zgjidhjen e problemeve Lindore duheshin vite, ashtu sikurse duheshin për të rregulluar një vend mbas lëvizjeve e luftrave për bashkim. Është interesant të vërehet sesi, edhe mbas bashkimit, pak njerëz e quanin të nevojshme që të ndihej zëri i Italisë tek popujt ballkanikë, përsa i përket sistemimit të tyre kombëtar e territorial. Më parë se të mblidhej Kongresi i Berlinit nuk mund të flitej për një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Italisë në Shqipëri. Në Italinë jugore dhe në Siçili gjindeshin koloni të pasura e të lulëzuara shqiptare, pasardhëse të atyre familjeve që, para katër qindvjetorësh e gjysëm, kishin qenë të detyruara të braktisnin Atdheun përballë mësymjes turke. Do të jenë pikërisht ata, këta italo-shqiptarë, që do të ndihmojnë zgjimin e Shqipërisë e kthimin në traditat, por dhe në nevojat e jetës bashkëkohore.

Vendimet e Fuqive, të marra në Berlin, patën ndikime të thella në Shqipëri. Kongresi kishte vendosur t'i jepte Malit të Zi disa provinca të Veriut, Greqisë disa toka të Jugut. Gjatë luftës shqiptarët kishin mbështetur Sulltanin, ndërsa në bisedimet e paqes nuk kishin të drejtë fjale sepse ishin nënshtetas të Portës. Të vënë para realitetit të vendimeve të Berlinit, të hidhur por të pashmangshëm, nga Shkodra, më 13 qershor 1878 ata i dërguan një memorandum Lordit Beaconsfield. Fatkeqësisht memorandumi nuk pati asnjë lloj efekti, pra vendimet e Kongresit do të gjenin zbatim të menjëhershëm. Ishte për Shqipërinë fillimi i copëtimit, pasojë e fundit jo të largët të Perandorisë Turke në Europë.

Kryengritja shpërtheu menjëherë. Ishin mbajtur tubime në Veri si në Jugë, në Prevezë, Janinë, Shkodër, Prizrend e të tjera dytësore në pothuaj të gjthë qytetet. Në fillim të vitit 1878 u bë një mbledhje e gjërë, e përbërë në pjesën më të madhe nga të krishterë katolikë, në të cilën u vendos t'i kërkohej ndihma dhe Protektorati i Italisë. Kur u paraqit propozimi " u ngrit një duartrokitje e vetme, e njëzëshme, shumë e gjatë."4) Një mbledhje e madhe u bë, nga fundi i atij viti, në Gjirokastër dhe u caktuan dy përfaqësues të shkonin në kryeqytetet europiane, Abdyl bej Frashëri e Ali bej Vrioni, që u nisën fill mbas saj. Që nga koha e Traktatit të Shën Stefanit ishte Lidhja, e quajtur e Prizrendit, që mblidhte rreth programit të saj të thjeshtë e të qartë miratimet e njëzëshme e të shumta të shqiptarëve. Asaj i detyrohej memorandumi drejtuar Kongresit dhe qëndresa e mëtejshme ndaj vendimeve evropiane.

Mbasi u kthyen të dërguarit nga vizita Qeverive të Evropës, Lidhja thirri një mbledhje solemne në Prizrend dhe vendosi t'u bëjë qëndresë vendimeve të Europës. Për të parën herë, duke lënë mënjanë mëritë e paragjykimet, shqiptarët paraqiteshin të një mëndjeje në qëllime e në veprime. Në këtë kuadër ndikonte puna e një fuqije, Austrisë, dhe lejimi i një tjetre, Turkisë, gjë e dukshme për kë shqyrton me qetësi ngjarjet e mëtejme. Janë të njohura vështirësitë që iu desh t'i kalonte diplomacisë për të arritur në firmën e konventës së Konias mes përfaqësuesit malazez e atij otoman dhe përfundimit të bisedimeve me Greqinë (Konventa e Konstantinopojës, 24 maj 1881), për dorëzimin e ndërsjelltë të Ulqinit e të Artës. Të gjata e të vështira kishin qenë negociatat me Qeverinë greke për shkak të Janinës e Qeveria italiane kishte bërë në vend një hulumtim të rëndësishëm, duke u përpjekur në çdo mënyrë t'i bindëte grekët të hiqnin dorë nga zotërimi i Janinës për të mos armiqësuar përfundimisht shpirtin e fqinjëve shqiptarë. Eshtë i njohur propozimi i një ministri italian, Corti, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes; është e njohur që Europa u detyrua të sjellë flotën luftarake për të thyer qëndresën e shqiptarëve.

Ndërkaq Lidhja ushtronte mbi shqiptarët ndikime të tilla që, me kalimin e kohës, do të bëheshin premisa për çuarjen më përpara të idesë nga e cila frymëzohej. Vihej re një zgjim i ndjeshëm i popullit që synonte në vlerësimin e historisë, të traditave, të fuqisë së tij. Lidhja dëshëronte të bashkonte në një të katër vilajetet, të Janinës e Shkodrës, pjesët me mbizotërim të shqiptarëve të atyre të Shkupit e të Manastirit, për të krijuar një strukturë të madhe kombëtare me kryeqytet Manastirin, shqipen si gjuhë zyrtare, një financë të pavarur dhe shërbimin ushtarak në kufijtë e vilajetit të madh shqiptar. Ishte e nevojshme që i gjithë populli ta kuptonte e të merrte pjesë në veprën e ndërmarrë, por mungonin libra, ishte e vështirë madje dhe të shkruhej gjuha e folur, populli jetonte në një padije të plotë. Fillonin atëhere të mbinin institucionet e para të kulturës, të botoheshin gazetat e para që dalngadalë shpërndaheshin në Shqipëri, prurëse të një fryme lirie, lajmëtare të një pavarësie jete e mendimi ende shumë të largët.

Ja lidhjet e para jashtë vendit: më 1879 në Konstantinopojë, pastaj në Egjypt e në Bukuresht; librat e parë, dhurata e parë e një abetareje të gjuhës shqipe Sulltanit, veprat e para të Pashko Vasës, emrat e autonomistëve të parë, të atdhetarëve të parë. Por programi i Lidhjes së Prizrendit, qëndresa e saj e armatosur, përpjekjet e përgjakshme i kishin pezmatuar Fuqitë dhe Portën që dërgonte në vend dyzet batalionet e Dervish Pashës. Pranvera e vitit 1881 ishte njëra nga të shumtat pranvera gjaku në Ballkan. Në prill të atij viti Dervish Pasha pushtonte Prizrendin dhe fillonte veprën e shtypjes. Guximi i dëshpëruar me të cilin hidheshin shqiptarët kundër mbrojtësve të Gjysëm-hënës në Europë nuk shkonte kot. Në ndeshjen e atyre armëve, në kundërshtinë më të gjallë e më të ndierë me kombësi të tjera të rilindura e të pabesa, formohej vetëdija e re, zgjohej ndjenja e lirisë e popullit të Shqipërisë. Vepra, e filluar me kaq entuziazëm brënda vazhdohej jashtë, në Egjypt, në Bullgari, në Rumani, në Amerikë. Kjo, shumë përmbledhtas ishte veprimtaria e Lidhjes dhe e atdhetarëve të parë shqiptarë.

Kush i vëzhgon këto ngjarje nuk mund të mos bindet për ndihmat e rëndësishme që, drejtpërdrejt apo tërthorazi, i vinin kësaj lëvizjeje të parë autonomiste: Austria dhe Turkia, secila simbas interesave të veta, kishin lejuar më parë e inkurajuar më pas Lidhjen dhe njerëzit e saj. Porta ishte e kënaqur që Europa kishte gjetur një pengesë serioze për vendimet dhe aspiratat e saj. Qeveria e Vjenës, nga ana tjetër, në synimin për të krijuar një shtet gjithënjë e më të paqëndrueshëm në rajon, gjë që do t'i lejonte një ndërhyrje, të pamundur në rrugë të tjera, me dëshirën e vazhdueshme për të shtuar simpatitë e banorëve kundrejt Mbretërisë së dyfishtë, nxiste aspiratat për pavarësi e bashkim dhe inkurajonte, pa kursyer mjete e ndihma, ata njerëz që nuk do t'i harronin mbështetjet e do t'i kishin qëndruar besnikë idesë austriake. Pavarësisht nga këto konsiderata, Lidhja e Prizrendit, me veprën e saj të guximshme, të gatshme, të palodhur, dëshmon se për çfarë zgjimi është i aftë një popull, se çfarë fuqie fsheh një kombësi edhe kur ka kaluar qindvjeta zotërimi të huaj, kur ruan zilishëm veçantitë e rracës, gjuhën e pastër, të paprekur vetëdijen e zanafillës e, mbi të gjitha, të vazhdueshme e mbi gjithshka idenë e Atdheut.

Italia, në këtë rast, ishte e pranishme zyrtarisht në diskutimet përkatëse për Shqipërinë: ishte i ministrit italian Corti propozimi për t'i dhënë Ulqinin Malit të Zi, në shkëmbim të vendeve të caktuara më parë. Për arsye të njohura një interesim i drejtpërdrejtë kishte qënë gjithmonë.

II Shqipëria dhe Italia nga Kongresi i Berlinit tek lufta greko-turke

Më 20 prill 1880, përpara Konferencës së delegatëve europianë në Konstantinopojë, lordi Fitzmaurice, ambasador i Anglisë, shpaloste një zgjidhje të veten për problemin shqiptar: të formohej një Shqipëri autonome, ku të përfshiheshin katër vilajetet, i Shkodrës, Janinës, Kosovës e Manastirit. Propozimi ishte pasojë e një shkëmbimi të gjatë e të imtë letrash e shpjegimesh ndërmjet përfaqësuesve anglezë në Turqi dhe Lordit Granville e mbështetej në nenin 23 të Traktatit të Berlinit që parashihte ndryshime dhe reforma të mundshme në Turkinë e Europës. Propozimi në përgjithësi u prit keq, por edhe nëse orvajtja britanike nuk dha fryte, ishte i rëndësishëm fakti që çështja shqiptare shtrohej para Fuqive të Mëdha. Ky popull ishte i pranishëm me të gjitha nevojat e tij e përbënte një faktor të rëndësishëm në historinë e Ballkanit. Për këtë dëshmojnë dokumentet angleze të paraqitura në atë kohë në parlamentin britanik.

Në Itali ngjarjet kishin një jehonë të rëndësishme. Më 28 nëntor 1880 Francesco Crispi deklaronte: "Shqiptarët, si popujt e tjerë të përzierë në atë pështjellim që është Perandoria Otomane, meritojnë të trajtohen si kombësitë e tjera...Në Turkinë Europiane ka një milion e gjysëm shqiptarë; është e vërtetë se ata nuk janë më ata të para katër shekujsh e gjysëm...por rënia e një populli nuk i jep të drejtë harresës së të drejtave të tij; harresa nuk mund të jetë kurrë një mbrojtje për një Ministri italiane."5) Të tjera deklarata të ngjajshme nuk mungonin nga ana e njerëzve me përgjegjësi, gjithmonë në kuadrin e atyre parimeve që ishin në bazë të Rilindjes italiane. Më 1880 Franca pushtonte Tunizinë dhe është e njohur goditja e pësuar nga kjo ngjarje për aspiratat italiane: ishte frika se dhe në brigjet e Adriatikut, si në ato afrikane, do të arrihej shumë vonë e më i gjallë bëhej interesi për Shqipërinë.

Më 28 gusht 1881 u nënëshkrua Traktati Austro-Ruso-Gjerman që zgjeronte Traktatin e fshehtë të 7 tetorit 1879 ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë. Në Traktatin e ri Rusia merrte përsipër të mbante parasysh interesat e Austro-Hungarisë e të mos lejonte, jashtë një marrëveshjeje të përbashkët, asnjë ndryshim në statu quon territoriale të Turkisë Europiane. Protokolli i fshehtë i bashkangjitur i njihte Austro-Hungarisë të drejtën të aneksonte Bosnjën dhe Hercegovinën, kur ta shihte të nevojshme.

Italia, si pasojë e këtij Traktati, ishte e veçuar në Lindje, por ndërhynte Aleanca Tripalëshe më 1882 dhe Italia do të kishte, që atëhere, si aleate Austro-Hungarinë. Ishte një gjendje ende më e vështirë për ndeshjet e pashmangshme e të shumta të ndikimeve, veçanërisht në Shqipëri. Në krahasim me Italinë, Austro-Hungaria ishte pa dyshim në një pozitë më të mirë. Që nga viti 1857 Hecquard, konsulli i Francës në Shkodër, njoftonte Qeverinë e tij për depërtimin austriak, gjë të cilën e pohonte pak më vonë Meregnoni. Mbretëria e Dyfishtë ndihmohej në veprën e vet të depërtimit në Veriun shqiptar, mes malsorëve e mirditorëve, nga marredhëniet me Vatikanin, nga mjetet financiare, nga aftësia e të dërguarve të saj, nga bashkëpunimi i klerit shqiptar për arsimimin e të cilit kujdesej me shumësi mjetesh, duke ndërtuar kisha, duke ndihmuar manastire, duke mbrojtur dhe nxitur kultin dhe besimin në Kishën e Romës. Italisë i mungonte ndihma e Vatikanit dhe mundësia e mjeteve të gjera financiare por, nga ana tjetër, kishte mbështetjen e madhe të kolonive shqiptare si dhe kujtimin e veprës e politikës së Serenissimas (Republikës së Venedikut ) në Dalmaci e Shqipëri.

Kundër sllavizmit punonin komitetet shqiptare jashtë, kundër sllavizmit drejtohej politika e Austro-Hungarisë, kundër sllavëve luftonin prej dhjetëvjeçarësh popullsitë malsore të Veriut shqiptar. Në fakt ishte një gjendje guerriljeje e përhershme e dukej se Qeveria e Konstantinopojës nuk ishte krejt e huaj ndaj lëvizjeve të tilla. Arsye historike e të çastit shtynin kundër njëri-tjetrit serbët e shqiptarët. Forcat e sllavizmit, të ripërtërira në një jetë të re në sajë të disa Fuqive, ishin vënë në kërkim të atyre territoreve që i quanin të domosdoshme për të ardhmen e popullit të tyre. Nuk mund të mos pranohet se arsyet e të dy popujve , secili për llogari e vet, quheshin të sakta, por nuk duhet harruar sa shkatërruese ishte politika e Portës që mbështeste kryengritjet shqiptare kundër serbëve, duke krijuar në ato vise një gjendje të vazhdueshme shqetësimi të përhershëm, duke nxitur nacionalizmat e të dy palëve e duke u shërbyer prej tyre për të vendosur mbi ato treva autoritetin e Gjysëmhënës. Në Jugë po ashtu jetonin popujt fqinjë, shqiptarët e grekët. Shqiptarëve shpesh ju është vërejtur se nuk kanë ditur të përfitojnë nga rastet e shumta e nuk kanë mbajtur një qëndrim të qartë, kur ngjarjet mund të ishin në dobi të tyre, si gjatë luftës greko-turke të vitit 1897. Por gjendja në Shqipërinë Jugore nuk u jepte shqiptarëve një garanci të sigurtë mirëkuptimi e bashkëpunimi pa interes nga ana e grekëve, sepse këta prej vitesh ndiqnin një politikë të hapur shkombëtarizimi në trevat e fqinjëve të tyre, një politikë pa dyshim e aftë, e lidhur me interesat e Patrikanës greke të Konstantinopojës, e drejtuar me metoda që nuk njihnin caqe, në një krahinë që do të ishte dëshmitare dhune, masakrash e poshtërimesh. Rumania bënte të njohur më 1905, në një Libër të Gjelbër, historinë e kobshme të këtij depërtimi shkatërrimtar. Shëmbulli më i qartë i këtyre ndjenjave ishte kundërshtimi i shqiptarëve ndaj vendimeve të Berlinit. Më 1897, urrejtja, e grumbulluar prej vitesh, shpërtheu në luftën greko-turke.

Veprimet ushtarake shihnin shqiptarët në luftë përkrah trupave otomane kundra ushtrisë greke. Janë të njohura ngjarjet para luftës dhe përfundimet shkatërrimtare, për Greqinë, të betejave të ndryshme. Edhe populli grek, i shtyrë nga një valë entuziazmi, e kishte dëshiruar këtë luftë e i kishte bindur, për drejtësinë e luftës së tij, shtetet e Europës, përfshirë Italinë. Niseshin nga siujdhesa Garibaldinët vullnetarë, nën komandën e Ricciotti Garibaldi-t, ndërmjet tyre dhe deputetët Faci e Frati. Më 21 prill grekët u sprapsën në Ligaria, më 23 braktisnin Matrin duke u drejtuar për në Larisë, linin Velestinin, Volon e më 5 maj dukeshin në ultësirën e Farsalës. Garibaldinët u mbanin besën traditave luftarake të Këmishëkuqëve, por fati i armëve greke ishte shënuar pakthyeshmërisht. Dihet se Greqia u shpëtua nga ndërhyrja e Fuqive të Europës, por dështoi synimi, i përkëdhelur prej kohësh, për të pushtuar zonat e lakmuara të Shqipërisë së Jugut. Fshatrat e shkatërruara, shtëpitë e rrafshuara ishin aty dëshmitare të "entuziazmit" me të cilin ishin pritur grekët nga gjindja e Epirit. Ishte thelluar aqë shumë hendeku nga urrejtjet, mëritë, masakrat e dhjetëvjeçarëve, saqë nuk arrinte ta mbushte as urrejtja për shtypësin otoman. Shqiptarët nuk kishin faj kur zmbrapsnin me zjarr luftarak ushtritë greke, nën habinë dhe përbuzjen e Evropës. Për ndjenjat greke ata që nuk besonin do të bindeshin kur të bëhej realitet Lidhja Ballkanike e të bëheshin të njohura projektet e serbëve e të grekëve kundrejt popullit shqiptar.

Dhe në Itali nuk munguan ata që nuk miratuan sjelljen shqiptare në atë rast, por Qeveria Italiane e kishte bërë të njohur prej kohësh mendimin e saj: Italia dëshironte autonominë e kombësive të ndryshme, kur Perandoria Turke nuk do të ishte më në gjëndje të mbahej. Këtë politikë do ta ndjekë vazhdimisht gjatë gjithë periudhës që do t'i paraprijë e do të pasojë fundin e zotërimit të Portës në Europë. Më 6 tetor 1887, kur Nigra i komunikonte Francesco Crispit disa marrëveshje të kryera ndërmjet ambasadorëve të Austrisë, Anglisë e Italisë në Konstantinopojë, ministri italian shprehte gjithë mirëkuptimin dhe mbështetjen e tij. Ishin marrëveshje të mbështetura në tetë pika: "paqe, statu quo, mbështetje autonomive lokale, pavarësi nga Turkia, përfshirë dhe neutralitetin e ngushticave, mosnjohje të konçesioneve të saj për ndërhyrje në Bullgari në dëm të të drejtave sovrane të saj, dëshirë për të ortakësuar dhe Turkinë në veprimet e tri Fuqive, mbështetje asaj në rast ndërhyrjesh të sipërthëna, ndaj të cilave ajo ishte bashkëjetuese dhe e paaftë për qëndresë, pushtim i përkohshëm i disa pikave të Perandorisë Otomane nga ana e tri Fuqive me marrëveshje për të rivendosur ekuilibrin."6)

Por kjo marrëveshje nuk pati jetë. Në atë vit mbaronte dhe Traktati i parë i Tripalëshes dhe protokolli i ri kishte dhe një formulë kushtuar "les regions des Balcans", gjithmonë në kahun e marrëveshjes dhe këshillimeve të ndërsjellta, në prani të ndryshimeve të mundshme në shumë të dëshiruarën Turqi të Europës.

Në Shqipëri nuk pushonte për asnjë çast vepra e nacionalistëve, të cilët nuk humbnin asnjë rast për t'i dërguar peticione e lutje Sulltanit, duke i kërkuar me durim gjithmonë të njëjtat gjëra: njohjen e kombësisë, të drejtën e përdorimit të gjuhës së tyre, hapjen e shkollave shqipe. Një nga këto memorandume, më 1895, i kushtoi internimin dyqind bejlerëve. Simpatitë shqiptare i drejtoheshin Italisë dhe nga Janina vinte një raport i konsullit italian, më datë 6 janar 1896, që përmbante deklaratat e bejlerëve shqiptarë një nënshtetasi italian. Ndërmjet të tjerash thuhet: "Bejlerët shqiptarë i thanë Fanti-t se tashmë nuk kishte asnjë dyshim se fati i Turkisë po rrëkëllehej e që, në mes të shpërbërjes së afërt, sytë e të gjithë shqiptarëve të vërtetë si të krishterë si myslimanë ishin drejtuar paprerë drejt Adriatikut, tek Italia. Ata gjithashtu kanë deklaruar se nuk do të pranonin kurrë bashkim me Greqinë..."7) Por nuk mungonin dhe mendime që mbështetje të tilla të kërkoheshin dhe nën mbrojtjen austriake.

Visconti-Venosta takoi në Monza Goluchovski-n në nëntor 1897 dhe marrëveshja mbeti e qëndrueshme për sa i përket Ballkanit në përgjithësi e Shqipërisë në veçanti. Një vit më parë, mbas Aduas, Italia kishte qënë e shtrënguar të mbyllte shkollat e saj në Prevezë, Vlorë e Durrës. Kjo marrëveshje mund të shëmbëllente si një farë shpërblimi për lëshimet e mëparshme. Por kur ministri italian takonte Goluchovski-n ishte në fuqi marrëveshja austro-ruse për Ballkanin, e nënshkruar në St. Petersburg në prill të atij viti. Shqipëria përbënte një pikë të rëndësishme të kësaj marrëveshjeje, megjithëse propozimet, vendimet, zgjidhjet e parashikuara ishin të përcaktuara njëanësisht, mbasi ishte e qartë se Rusia nuk angazhohej krejtësisht, duke e quajtur "të parakohshëm" çdo vendim përkundrejt Shqipërisë. Austro-Hungaria e përfundonte, pavarësisht nga Italia, marrëveshjen e saj me St. Petersburgun duke e ndarë Ballkanin me Rusinë në dy zona eskluzive ndikimi: "Sfera e ndikimit të plotë të Rusisë përfshinte Bullgarinë, ajo e Austrisë Serbinë. Sfera e ndikimit të kufizuar të Austro-Hungarisë përfshinte Maqedoninë, Selanikun, Shqipërinë; ajo e Rusisë pjesën tjetër të Turkisë në Europë."8)

Nëse marrëveshja ishte me rëndësi të madhe për Austrinë sepse shmangte luftën e heshtur ndaj politikës ballkanike të Mbretërisë së Dyfishtë, por duke përjashtuar Italinë, mbi të gjitha nga problemi shqiptar, në siujdhesë trondiste besimin në një bashkëpunim italo-austriak në Shqipëri dhe asgjësonte pjesërisht vlerën themelore të Aleancës Tripalëshe. Por Italia hapte në Shqipëri konsullata, shkolla e përpiqej të kryente veprën e depërtimit fetar nëpërmjet Urdhërit Salezian, gjë që shkaktonte zëmërimin e hapur të Qeverisë së Vjenës.

Në korrik 1899 Komiteti shqiptar i lëshonte një thirrje bashkatdhetarëve për një kongres në Bukuresht, që duhet të ishte një dëshmi e fuqishme e mundësive dhe aspiratave të rracës. Duhej të mblidhte gjithë nacionalistët jashtë shtetit, atë bërthamë agjitatorësh bredharakë në kryeqytetet e ndryshme të Europës, shpesh pa mjete, të shqetësuar nga ankthi i arritjes së qëllimit e i fitores, të pakuptuar herë herë edhe nga bashkatdhetarët, të padëgjuar nga interesat e politikës dhe të diplomacisë së Kontinentit.

III Shqipëria në vitet e para të qinvjetit XX

Çështja shqiptare, për arsye të pashmangshme historike e gjeografike, hynte në çështjen më të gjerë maqedonase. Sa më e mprehtë bëhej ajo, aq më fort mëshonte nevoja për të zgjidhur dhe këtë. Treva shqiptare përfshihej mes atyre ndaj të cilave duhej zbatuar regjimi i reformave, të parashikuara nga neni XXIII i Traktatit të Berlinit. Por këtu projektet ndesheshin me kundërshtimin e pamposhtur të banorëve ndaj çdo lloj shenje të reformës. Në popull ishte rrënjosur thellë ideja se përparimi, mbasi të kishte hyrë në kufijtë e Kombit, do të kishte zhdukur çdo formë të së shkuarës jo të begatë dhe me kohë do të shënonte fundin e sundimit turk por, sigurisht, do të kishte sjellë një tjetër; nuk mund të kalonte pa u vënë re vepra reformuese e Fuqive, që fshihte synimin e tyre për të zëvendësuar Perandorinë e drobitur të Portës së Lartë. Duhet mbajtur parasysh niveli i kulturës, mosbesimi që vetvetiu ndjen ai që, megjithëse i pajisur me aftësi për të marrë veten, gjendet për herë të parë përballë përfaqësuesve të kombeve të mëdhenj që janë zëdhënës, jo të një mase të njëzëshme populli, por të qeveritarëve dinakë e jo gjithmonë të çinteresuar që shohin me mospërfillje, madje, me mosbesim zgjimin e mundshëm të një populli tjetër për të cilin natyra dhe historia nuk kishin qënë bujarë në dhurata e mbështetje. Duhen kujtuar gjithashtu privilegjet që Porta u kishte lejuar e që regjimi i reformave do t'i shkatërronte përgjithmonë, paragjykimet e banorëve.

Janë vite luftërash dhe gjaku: me një monotoni tragjike historia e ultësirave pjellore maqedone nuk do të flasë veçse për vdekje e shkatërrime, për urrejtje, dhuna e grabitje. Në verën e vitit 1902, Komiteti bullgaro-maqedon, i mbledhur në Sofje, i kërkonte Sulltanit autonominë e provincave shqiptare. Kryengritja shpërthente e ashpër në vjeshtë, megjithëse Austria kishte arritur ta bindte Rusinë të përjashtonte nga reformat vilajetet shqiptare. Ishte në lojë interesi i drejtpërdrejtë austriak, që mbështetej shumë në elementin shqiptar për të luftuar sllavizmin. Italia i kishte paraqitur Qeverisë së Vjenës, në fillim të vitit 1903, një program reformash për Shqipërinë por këshilla italiane nuk ishte dëgjuar.

Shqiptarët ngriheshin me armë: të mbledhur në Pejë betoheshin të kundërshtonin reformat e mëpastaj, të prirë nga Isa Buletini luftonin në Dibër, në Ohër, në Kostur. Turqit dërgonin kundër kryengritësve batalione në të cilat kishte dhe shqiptarë. Faqe shumë të trishtuara masakrash që nuk do të njihnin kufij.

Edhe njëherë ndërhynte Europa: në Muerzsteg (Marrëveshja e Muerzsteg-ut), në tetor 1903, Austria dhe Rusia përcaktonin mes tyre një plan të ri, i njohur pikërisht me emrin e programit të Muerzstegut, me nëntë pika, bëheshin traktativa të reja, merreshin angazhime të reja. Ndërkaq një luftë diplomatike e ashpër fillonte në Konstantinopojë, kryesisht ndërmjet Italisë dhe Austrisë. Ishte e rëndësishme që Italia, megjithë armiqësinë e Vjenës, të kishte vilajetin e Manastirit për stërvitjen e xhandarmërisë e që një gjeneral italian, de Giorgis, të ishte në krye të të gjithë organizimit.

Pika tre e programit të Muerzsteg-ut thoshte: sapo të vërehet paqëtimi i Vendit, Fuqitë do t'i kërkojnë Qeverisë Otomane një ndryshim në përcaktimin territorial të bashkësive administrative, me synimin e një grumbullimi më të rregullt të kombësive të ndryshme. Kishte qenë e mjaftueshme kjo klauzolë për të nxitur gjithënjë e më shumë urrejtje e çrregullime: çdo rracë, çdo fis i vendosur në trevën maqedone fillonte punën e tij të bëhej i njohur mbi të tjerët.

Në nëntor 1902 u formua në Paris Komiteti shqiptar i përbërë nga Dervish Hima dhe Dhimitër Papazoglu, i pari me orijinë nga Ohri, i dyti nga Manastiri. Kryetar ishte princi Albert Gjika e në program ishin gjithmonë të njëjtat pika, studimi i nevojave të popullit të Shqipërisë, përhapja e aspiratave të tij. Më 23 prill 1904 u mbajt në Bukuresht një Kongres Kombëtar. Por shpesh, në veprimtarinë e disa prej këtyre komiteteve, nuk mund të dallohet diçka me të vërtetë serioze e konkrete, mbasi ata vepronin jashtë tokës shqiptare pa njohur nevojat reale të popullit që vuante në një mjerim të papërshkruar, në kryengritje e shtypje të përgjakshme.

Më 9 prill të vitit 1904, në Abaci, Goluchovski e Tittoni ritheksonin parimin e statu quo-s ballkanike e të tërësisë shqiptare. Më 29 prill 1905, në Venedik përsëri u shqyrtuan çështjet maqedonase e shqiptare, gjithënjë simbas politikës së autonomisë të kombësive të Ballkanit. Me gjithë këtë marrëveshje, në dukje e përsosur, ndërmjet Mbretërisë së Dyfishtë dhe Italisë ekzistonin dyshime e ndrojtje për aspirata të ushqyera, por të parrëfyera në lidhje me politikën shqiptare. Shumë gjatë do të shkonte të ndiqeshin gjithë fazat e kësaj lufte ndikimesh e kësaj gare hegjemonish: incidente të karakterit fetar, manovrat austriake të 1906, lundrimet e skuadrave austriake e italiane ndërmjet Vlorës e Durrësit, trysnitë e Vjenës mbi klerin shqiptar, sigurisht nuk ishin episode të mjaftueshme për të shpërndarë dyshimet e pakënaqësitë.

Më 1907 u mblodh Konferenca e Hagës dhe shqiptarët dërguan një memorandum ku shfaqnin idetë e tyre, nevojat e tyre, aspiratat e tyre. Kërkesa të njëjta dërguan edhe kolonitë shqiptare të Egjyptit e të Rumanisë.

Austro-Hungaria nuk hiqte dorë nga aspiratat e saj dhe përhapte planin e hekurudhave ballkanike, të cilit i përgjigjej ai italiani, i përkrahur nga Rusia, në mbështetje të kërkesave serbe. "Ishte hekurudha Danub-Adriatik ajo që do ta kishte nxjerrë botën sllave në det, një dalje kaq shumë e dëshiruar për energjitë dhe nevojat e atyre popujve. Shqipëria ishte në qendër të atyre projekteve. Vetëm nëpërmjet Shqipërisë, Serbia, e mbyllur ndërmjet Austrisë dhe Turkisë, do të thyente rrethin ekonomik që e shtrëngonte. Nëpër Shqipëri, po të ishte e zhvilluar ekonomikisht, do të kishin kaluar gjithë mallrat që vinin nga Maqedonia e drejtoheshin në Europën Perëndimore."9)

Papritmas Revolucioni i Turqve të Rinj do t'i jepte një rrjedhë të re ngjarjeve.

IV Shqipëria nga Revolucioni Xhon-Turk në shpalljen e pavarësisë

Lëvizja revolucionare kishte filluar në Shqipëri në Ferizaj, ku njëzetmijë shqiptarë i kërkonin Abdyl Hamitit shpalljen e Kushtetutës. I gjithë garnizoni i Shkupit rebelohej e këtu mblidheshin shqiptarët nga të gjitha anët e krahinës, të drejtuar nga prijësit e tyre, disa prej të cilëve kishin pasur një rol të rëndësishëm në revolucionin e Konstantinopojës. Më 2 gusht erdhi në Shqipëri lajmi i shpalljes së Kushtetutës dhe ata njerëz të lumtur hymnizonin lirinë e fituar. Se çfarë prisnin shqiptarët nga gjendja e re është e vështirë të thuhet, por në mendësinë e tyre të thjeshtë kujtonin se Kushtetuta e dhënë, mbas kaq mundi e sakrificash, do të ishte një ilaç për vuajtjet e tyre.

Preng Bib Doda, i mërguar që nga kohët e ikjes nga Prizrendi, kthehej në malet e tij e te mirditorët e tij besnikë.Të mërguar prej vitesh ktheheshin për të vazhduar veprimtarinë e filluar jashtë. Gjakmarrjet, ky trashëgim tragjik i një mesjete të përgjakshme, faleshin; klube e shoqata kulturore ngriheshin në gjithë Shqipërinë, në Janinë, në Elbasan, në Manastir. Me sakrifica të pamatshme ky popull jo i pasur hapte shkolla në Hieron, Kaninë, një femërore në Leskovik, një tjetër në Gjirokastër. Në Korçë u hapën shpejt shkollat shqipe; u themelua "Klubi i arsimit shqip" në të cilin u regjistruan të gjithë njerëzit e shquar të krahinës, u themelua gjithashtu shoqëria "Përparimi", u vunë bazat e Lidhjes Ortodokse Shqiptare. Tri të përdirtshme panë dritën menjëherë: "Koha", "Korça" dhe "Lidhja ortodokse", organ i shoqatës që mbante të njëjtin emër; revista "Zgjimi" e, së fundi, nën drejtimin e Luigj Gurakuqit u hap një shkollë Normale model.

Një veprimtari e ethshme, pra një ankth, një dëshirë për të kurorëzuar me sukses ëndërrat e sakrificat e viteve. Por për pak. Në tetor Austro-Hungaria shpallte si provinca të saj përfundimisht Bosnjën dhe Hercegovinën, mbi të cilat ushtronte prej kohësh protektoratin e saj; në të njëjtin muaj Bullgaria shpallej Mbretëri e pavarur. Turqit e Rinj të befasuar, të tronditur nga ngjarjet merrnin masa, dhe shpejt dukej se nga çfarë ndjenjash shtyheshin. Grushti i Shtetit i prillit 1909 fillonte shtypjen e pamëshirshme e të egër të çdo nacionalizmi: u ndërprenë në Shqipëri të gjitha botimet, u mbyllën shkollat private, rrethet deri dhe shkolla Normale në Elbasan. Drejtuesit më përgjegjës shpëtonin jetën me arratinë ose mërgimin. "Në këtë mënyrë arrijmë tek kryengritja shqiptare. Shqiptarët të tërë u bënë po kaq armiq të Turqve të Rinj sa ç'kishin qenë më parë përkrahës të tyre."

"Nga maji i 1909 deri në shpërthimin e Luftës së parë Ballkanike më 1912, historia e Shqipërisë është një vazhdë kryengritjesh dhe shtypjesh të tyre."10)

Këto kryengritje të errëta, këto lëvizje të përgjakshme, në sytë e shumkujt mund të dukeshin si pasojat e natyrshme të keqqeverisjes otomane, por në të vërtetë ishin diçka më shumë, ishin shprehja e një ndryshimi të thellë e rrënjësor që po piqej në Lindjen Ballkanike. Që nga ky çast marrin formë ato arsye të errëta e të lashta që, duke u grumbulluar vit mbas viti, do ta çojnë Ballkanin në luftërat e 1912-1913s.

Në prill të vitit 1909, dhjetëmijë shqiptarë u mblodhën në rrethinat e Prishtinës. Rindizej lufta në fushën e Kosovës kundër taboreve turke. E drejtonte kryengritjen Isa Boletini, që kishte qënë në ballë të kryengritësve kundër projektit të reformave. Ai kishte lindur më 1870 dhe kishte fituar "famë e vlerë" në Mitrovicë, saqë Abdyl Hamiti, mbasi kishte shtypur kryengritjen e 1904s, e thirri në oborrin e tij dhe arriti t'i marrë një betim besnikërie ndaj tij. Me t'u rrëzuar Sulltani ai u vu përsëri në krye të malësorëve të tij dhe drejtoi me themel luftën, të përkrahur nga Mali i Zi dhe Austro-Hungaria.

E shtypur këtë herë nga Xhavit Pasha, kryengritja rifillonte në pranverën e vitit 1910. Shqiptarët kishin rreth 12000 burra të pajisur e të armatosur mirë, gjë që dëshmonte për ndihmat e heshtura e të rëndësishme që jepte Austro-Hungaria. Shtypja e kësaj kryengritjeje iu besua Turgut Pashës, emri i të cilit mbeti sinonim i mizorisë së pamëshirshme në krahinë. Të prirë nga Isa Boletini, në grykën e Kaçanikut, shqiptarët qëndruan trimërisht, deri sa, të rrethuar u detyruan të tërhiqeshin. Ushtria e Turgutit u drejtua për në Shkodër, mbas përpjekjesh të ashpëra në fushën e Kosovës dhe në rrugën e Gjakovës. Në Shkodër, mes dhimbjes shtangëse të popullit, fillonte mbledhja e armëve.

Që në tetor 1909 Rusia kishte përfunduar me Italinë një marrëveshje, në bazë të së cilës ishte përkrahja e ndërsjelltë për interesat e tyre. Kur kryengritja shpërtheu në Shqipëri Italia mbikqyrte ngjarjet, veçanërisht në Veri, ku ishin ngërthyer një lëmsh interesash vendimtare për Qeverinë e Romës.

Dhe kryengritja e vitit 1910 dështoi, por nuk ishte shuar entuziazmi për të organizuar një tjetër me shpresën e një fati më të mirë. E paralajmëronte pranvera e vitit 1911, këtë rradhë e lidhur me interesa më të gjëra dhe mbështetur nga ndihmat malazeze dhe italiane.; për të parat Mali i Zi kishte biseduar me krerët e kryengritësve që më 30 mars në Cetinë, kishin bërë një mbledhje në të cilën kishin formuluar në gjashtë pika propozimet e tyre; për të dytat ishte Ricciotti Garibaldi që u kishte bërë thirrje shqiptarëve. Që nga 23 marsi kryengritja pështjellonte gjithë Veriun e tokës së Shqipërisë, por dhe kjo ishte vetëm një flakë, e shuar shpejt nga shtypja turke, nga bisedimet e fshehta të Portës me malazezët, nga ndihmat e pamjaftueshme të Italisë, nga vullneti i Fuqive.

Dymbëdhjetë pikat e lëshimeve të Podgoricës u pranuan nga luftëtarët e mbetur në këmbë që, të mundur nga mungesat, kishin dorëzuar edhe një herë armët. Po Fuqitë? Po ndihmat e premtuara? Malësorët i ishin drejtuar Sir Edward Grey-t me një memorandum më 12 qershor, një nga të shumtit dërguar Fuqive të Evropës, por interesimi i kërkuar nuk kishte arritur.

Dështimi i kësaj sprove të re nuk ishte vetëm faji i rrethanave, por pjesërisht edhe i shqiptarëve, të tërhequr nga interesa të ndryshme, herë turke, herë austriake, herë italiane. Ishin të pakët ata që shihnin qartë të vërtetën, pak dinin cila duhet të kishte qenë rruga për t'u ndjekur dhe ata mbeteshin të padëgjuar në lëmshin e interesave të ndryshme që jepte historia ballkanike e atyre viteve. "Por asgjë nuk mbetet pa dhënë fryte dhe veprat e mira fitojnë mbi të këqijat. Nëse nuk do të ishte kështu njerëzimi nuk do të kishte përparuar. Por kush mund të mohojë përparimin tonë? Sepse ajo që bashkësia prodhon është më e madhe se ajo që keqbërësit shkatërrojnë. Ç'rëndësi ka nëse duket se fara nuk do të mbijë kurrë? Vjen gjithmonë ora e korrjes. Përpara pra, si mbjellës të mirë, me dorë të gjerë të shpërndajmë farën larg, sa kap hedhja e krahut."

Kështu shkruante në një letër mbi ngjarjet në Shqipëri, disa vite më vonë, nga Vlora më 5 korrik 1916, një ministër italian që nga politika dhe historia e Shqipërisë njihte dhe kuptonte shumë e që ishte një nga përfaqësuesit më të shquar të politikës italiane në Shqipëri.

Që shpresat nuk ishin shuar vërtetohej nga kryengritja e re. Në maj 1912, me pretekstin për të kundërshtuar ndërtimin e hekurudhës nga Mitrovica në Pejë, kryengritja shpërthente përsëri edhe këtë herë e udhëhequr nga Isa Boletini. Por ndërmjet krerëve kishte dhe njerëz me vlerë dhe me përgatitje, politikanë, deputetë, oficerë të nxjerrë mënjanë nga grushti i shtetit turk. Kryengritja vinte në lëvizje përsëri fushën e Kosovës. Në Junik ishte përpiluar një memorandum që mbarte gjurmët e një bashkësie mendimi më të plotë. Kërkoheshin shkolla shqipe, njohja e gjuhës, e traditave, e dëmeve të pësuara në kaq kryengritje e shtypje të tyre, shfaqej nevoja e një inspektori të përgjithshëm për Shqipërinë, të nëpunësve shqiptarë, të një administrate të çqendërsuar. Këto kërkesa mbeteshin të paplotësuara edhe se Porta vazhdonte të përpilonte gjithmonë propozime të reja për kryengritësit nëpërmjet gjeneralëve Kara Seit në fillim e Galip Pashës më vonë. Mbasi u vendos vazhdimi i kryengritjes, rrjeshtat e rebelëve zbrisnin rrëmujshëm poshtë në fushën e Kosovës duke përmbysur qëndresën e Otomanëve e duke pushtuar Shkupin, ku formuan një Qeveri të përkohshme të Shqipërisë e duke kërcënuar se do të zbrisnin deri në Selanik. Porta, mbasi u thyen batalionet e saj nga kryengritësit, u përpoq të rimarrë në dorë kontrollin e ngjarjeve nëpërmjet korrupsionit dhe mosmarrëveshjeve midis krerëve. Propaganda turke, mjerimet e papërshkrueshme të luftës, interesat e shumëllojshme të Fuqive e bënë Shqipërinë të zhytej në një anarki të paparë.

Megjithatë, edhe në mes të gërmadhave, njerëzit më të mirë përgatisnin veprën e rindërtimit, të fortë në autonominë e fituar me kaq beteja, kaq sakrifica, kaq gjak kur, si një vorbull, ja mbërriti lufta e parë ballkanike për të prishur gjithë ndërtesën e ngritur me kaq mund.

Sistemimi i trevave shqiptare ishte pjesë e rëndësishme e bisedimeve që kishin çuar në marrëveshjen ballkanike. Nga çfarë idesh ishin vënë në lëvizje, përkundrejt Shqipërisë, shtetet e kësaj marrëveshjeje u duk qartë kur Gechov-i, Kryetari i Këshillit të Bullgarisë, mbas takimit me Milovanoviqin, atëhere përfaqësues i politikës serbe, deklaronte në raportin e Këshillit të Ministrave: " Milovanoviqi ka ngulur këmbë përsëri mbi rrezikun që një Shqipëri e tillë ( e kishte fjalën për projektin austro-italian të pavarësisë së Shqipërisë ), e shtrirë deri në kufijtë e Bullgarisë, duke përfshirë dy vilajetet e Shkupit e të Manastirit, paraqiste për sllavët e siujdhesës ballkanike.

Simbas Milovanoviqit, shqiptarët, të përbërë nga shumica myslimane, e si të tillë të njohur si të paaftë për të formuar një shtet të qytetëruar, janë të dënuar me shortin e popujve myslimanë, me atë të Algjerisë, të Tunizisë, të Marokut apo Tripolitanisë. E vetmja zgjidhje në rastin e shpërbërjes së Turkisë, do të ishte aneksimi i Shqipërisë veriore Serbisë dhe asaj jugore Greqisë."

Kur marrëveshja ballkanike nuk ishte më e fshehtë për asnjë dhe synimet e shteteve ballkanike dukeshin shkoqur, në gjithë vërtetësinë e tyre, Italia dhe Austro-Hungaria ndërhynë vendosmërisht për të shpëtuar atë parim të autonomisë shqiptare që, prej vitesh, kishin formuluar, ndihmuar dhe mbështetur. Më 14 gusht 1912 konti Berthold shpallte projektin e tij të shpërqëndrimit të Turkisë Europiane. Se çfarë nënkuptonte ky ishte e qartë: për autonomi të kombësive të ndryshme ishte e vështirë të flitej, me përjashtim të shqiptarëve e për ta Austria kryente hapin e saj diplomatik. Qëndrimi i Fuqive, me përjashtim të Rusisë, nuk ishte armiqësor ndaj këtij projekti por veprimi diplomatik i Europës rezultoi i kotë e i vonshëm në lidhje me ngjarjet.

Shqiptarët mbeteshin jashtë marrëveshjes. Asnjanësia e tyre karakteristike ishte e pakuptueshme për opinionin e popujve europianë. Filluan veprimet e trupat malazeze mund të mbështeteshin në forcën e malësorëve të malësive shqiptare, me ndihmën e të cilëve, përgjatë liqenit, arrinin në Shkodër mbasi kishin marrë fortesat e Deçiqit, Tuzit, Shipshanikut, Vladmisë. Hapnin kështu rrugën për Plavë, Guci e Pejë për t'u takuar me serbët që synonin Shkupin, Manastirin e së fundi detin. Nga Jugu Grekët përparonin shpejt duke synuar në Manastir e Selanik.

Në Shqipëri gjendja ishte kaotike dhe e papërshkrueshme: gjindja e Malësisë luftonte për Malin e Zi, ndërsa mirditorët me armë për tokë këqyrnin të qetë luftën e ashpër; myslimanët e Kosovës përkrah turqve luftonin për ta, shqiptarët e qendrës prisnin asnjanës fundin e luftës. Por kudo ku kalonin ushtritë e Marrëveshjes flisnin një gjuhë të veçantë me zjarret, litarët, masakrat ndaj popullsive të paarmatosura, sidomos myslimane: në Gjakovë, në Dibër, në fshatrat e malësisë, në vendbanimet e vogla të fushës. E gjithë kjo ishte përfundimi i "një asnjanësie të çarmatosur, të pazonjë të fitonte simpati, po ashtu sikundër t'i qëndronte një sulmi. Shumë prisnin nga Europa që të bënte për ta atë që, të dëshpëruar, nuk guxonin ta bënin vetë ata shqiptarë që qenë të pranishëm në shkatërrimin, me një fatalizëm të hidhur që cikte indiferencën."

Ndërsa Perandoria Turke binte, dhe dukej i afërt perëndimi i gjysëmhënës në Europë, një grup burrash e shpallte Shqipërinë të pavarur. Më 28 Nëntor 1912 Ismail Qemal Beu ngrinte në Vlorë flamurin e lashtë e të lavdishëm të Skënderbeut, simbol i rracës dhe i besimit të shqiptarëve, duke formuar të parën Qeveri të Përkohshme të Shqipërisë. Veprimtaria syhapët dhe e vazhdueshme e Italisë do të ligjëronte Shtetin e ri në Konferencën e Londrës, ku Qeveria italiane do të shihte të realizuara vite të një depërtimi ballkanik të gjatë, të vështirë por dhe të aftë.

Në vija të trasha kjo qe historia e Rilindjes Shqiptare; historia e një populli që, i zgjuar nga topitja e shekujve, ka vuajtur shumë, ka luftuar shumë, ka sakrifikuar gjithshka për ato ideale që krijojnë mrekullinë e një rrace, e bëjnë të shenjtë tokën ku ajo lindi, e ngrënë atë në gjykimin e njerëzimit.

Sot, kur vuajtjet e mëritë duhet të jenë zhdukur, kur Shqipëria ka vendin e vet mes Kombeve të botës, të fituar nga gjaku i shumë bijve të saj të rënë më parë se të shihnin të sendërtuar ëndrrën e një jete të tërë, nga vepra dhe mbështetja e vazhdueshme, e palodhshme e Fqinjës së saj të madhe me të cilën e lidhin nyje të pazgjidhshme, gjindja e saj ka kuptuar se cila është rruga, cila është detyra. Nëse duket e rëndë detyra për të shkatërruar paragjykime e armiqësi të vjetra, asgjë nuk mund të shpërblejë gëzimin e pamasë të pasjes më së fundi e me siguri një Atdhe.

Shënime

1. Mustafa Merlika Kruja: "Lindja e Shqipërisë së Madhe" në " Rivista d'Albania"

2. Attilio Brunialti: "Shqipëria dhe shqiptarët" në "Nuova Antologia" shtator-tetor 1881

3. Tommasini: " Italia në prag të luftës" Vëll.III, faqe 181. Bolonja, Zanichelli 1934, 1935, 1937.

4. Brunialti: artikull i sipërpërmendur

5. Dokumenta të Parlamentit italian, 28 nëntor 1880

6. Luigi Salvatorelli: "Aleanca Tripalëshe" Milano, Instituti për studimet e politikës ndërkombëtare, 1939, faqe 141-143

7. Francesco Crispi: "Çështje ndërkombëtare", Milano, Treves 1923, faqja 239 e në vazhdim

8. J. Larmeru: "Politika e jashtëme e Austro-Hungarisë", vëll. I. Paris, libraria Plon, Plon-Nourrit e k. 1918, faqe 385

9. J. Larmeru: vepra e sipërshënuar, vëll. II, faqe 402 e në vazhdim.

10. Antonio Baldacci: Albania. Instituti për Studimet Orientale. Romë 1930, faqe 142

Napoli, 1941.

Shënim i red. Phoenix:
Ky studim botohet për herë të parë në revisten Phoenix, me leje të djalit të autores, zotni Eugen Merlika, me rastin e dy-vjetorit të vdekjes së saj, 5 tetor 2002.


~~~ruani veten nga mallkimi,,,se veq vdekja eshte sherimi
~~~~~~~~!!!!!!~~~~~~~
nderime nga une zemra e kosoves,,,

 
Veröffentlicht : 24/02/2009 6:25 p.m.
Teilen: