Dorëshkrimi Grek nga Berati i Shqipërisë - Codex Purpureus [Φ]1)
I
Berati2) është një qytet i vogël turk i vendosur në hyrje të qafëmalit Apsus. Për të arritur në Berat nga porti më i afërt, Vlora, duhen pesëmbëdhjetë orë kalërim; rruga pothuajse nuk ekziston fare. Qyteti është i besimit mysliman; nga larg dallohen minaretë, të cilat zgjaten mbi shtëpitë e bardha dhe kopshtet e tyre; në hyrje të qytetit ndeshim varrezat e vjetra të të parëve. Tregu është në qendër të qytetit: ndeshim haxhi dhe hoxhë me çallmë në kokë, ushtarë dhe zyrtarë turq; herë pas here edhe gegë e vlleh, tregtarë nga rrethi i Elbasanit; përfundimisht edhe shumë hebrej, të cilët dallohen nga fesi i zi; por, gjithsesi dominojnë shqiptarët dhe gjuha shqipe. Pjesa e qytetit të vjetër është e rrethuar me mure gjysmë të rrënuara nga koha bizantine; këtu është Kalaja, tokë greke dhe e krishterë në të cilën nuk gjejmë asnjë gjurmë të xhamive apo pazarit, ngaqë banorët janë të gjithë grekë. Në këtë pjesë ndodhet edhe shtëpia e ipeshkvisë, e ashtuquajtura "Mitropolija e Shenjtë". Zbrita tatëpjetë në brendi të Kalasë, ku mora me qera një shtëpi, dritaret e së cilës shikonin bedenat e kalasë; kisha përshtypjen sikur po vështroja jetën mesjetare bizantine, "në themën Beratase".3)
Në "MitropolÃ" [ipeshkvÃ] më priti mitropoliti ortodoks, shkëlqesia e tij, prelati i shumëditur, imzot Anthime Alexoudis. Si mitropolit i Mitropolisë së shenjtë, ai i ishte përkushtuar arkeologjisë, kur këtë ia lejonin punët dhe detyrimet e shumta zyrtare. Është anëtar i jashtëm i Sinodit të Stambollit, ku çdoherë e thërrasin me nofkën: "miku i artit", nofkë të cilën imzot Anthime Alexoudis, vërtet e meriton. Ka zbuluar disa mbishkrime, ka botuar disa medalione;4) në shtëpinë e tij, ka një koleksion modest, me shumë eksponate antike, me një vlerë të jashtëzakonshme,5) që i bën nder të veçantë mitropolisë.
Vetë qyteti i Beratit nuk është vendbanim antik, ngase nuk janë zbuluar mbishkrime, ndërtesa apo gjëra të tjera nga lashtësia. Në qytet kanë arritur disa eksponate nga antika jo shumë të rëndësishme, por, në qytet ruhen disa dorëshkrime, të cilat janë tepër të veçanta dhe shumë të vjetra. Është e domosdoshme të theksoj se si i kam zbuluar dhe kush më ka treguar për ekzistencën e tyre.6)
Kur në vitin 1875, Duchesne ishte i ngarkuar me delegacionin që do të shkonte në Malin Athos, u shkëput nga rruga dhe vajti deri në Patmos për të përshkruar disa pjesë të dorëshkrimit grek N të Testamentit të Ri. Custos-i i bibliotekës së manastirit "Théologue", imzot Sakkélion-i, i cili tash jeton në Athinë, i tërhoqi vëmendjen për një vëllim të një dorëshkrimi grek për të cilin mendonte se ishte i ngjashëm me pjesët e dorëshkrimit N, ngase sikur ky, ishte i shkruar me shkronja argjendi dhe në purpur. Duke shënuar këtë të dhënë, Duchesne, e përmend këtë dorëshkrim vetëm një herë, në vitin 1881, në një studim të tij kritik, si një kujtim të veçantë.7) Në Greqi, ky njoftim nuk ka shqetësuar askënd, por në Gjermani8) po; dhe mund të thuhet se në vitin 1884, Duchesne ishte i vetmi i cili në botën shkencore kishte njohuri për ekzistencën e këtij dorëshkrimi të purpurt. Kur më ka ftuar që ta shikoj, kam kërkuar shënime plotësuese të cilat m'i ka ofruar Sauvaire, konsulli françez në Janinë, me anë të letrës, datë 27 nëntor 1884, ku ndër të tjera shkruan: "Ipeshkvi i Mitropolisë së Beratit, imzot Anthime Alexoudis, para disa vjetësh, ka botuar në gjuhën greke studimin: "Description abrégée et historique de la sainte métropole de Belgrade, aujourd'hui Bérat"9) [Vështrim i shkurtër historik i Mitropolisë së shenjtë të Belgradit, Beratit të sotëm], vepër kjo shumë pak e njohur dhe sipas mendimit tim, nuk ekziston asnjë përkthim në ndonjë gjuhë të tjetër. Vepra ka këtë përmbajtje; marr guximin të bëj përkthim tekstual të saj: "Kap. IX. Dorëshkrime të vjetra në pergamen. Mitropolia e Beratit ruan edhe disa dorëshkrime dhe libra të shenjtë:
1o Ungjillin e Shenjtë, i cili ruhet në kishën e famullisë së Ungjillëzimit në Kalanë e Beratit, të cilën, të gjithë besimtarët e krishterë e besojnë dhe e nderojnë sipas traditës së lashtë; dorëshkrimi i atit tonë, shën Gjon Gojartit, kryeipeshkvit të Stambollit, për festën e të cilit, çdo vit thuhet mesha e shenjtë episkopale. Gjatë gjithë kësaj kohe, sa zgjat kjo, dorëshkrimi është i ekspozuar në famulli: që të gjithë besimtarët të mund ta shikojnë, ta puthin, nderojnë duke u përkulur para tij me respektin më të madh. Shkronjat e këtij Ungjilli të Shenjtë janë të shkruara me flori [të gjitha janë kapitale, M.A.] si dhe të gjitha nistoret e çdo kapitulli. Në fillim të çdonjërit nga të katër Ungjijtë, është portreti i Ungjillorit, i punuar prej floriri.
2o Ungjilli i dytë, po ashtu shumë i vjetër, përmban vetëm tekstin e Ungjijve të shën Mateut dhe shën Markut. Ruhet në kishën e shën Gjergjit në të njëjtën famulli. Shkronjat janë prej argjendi të shkruara në pergamen me ngjyrë qershie [të kuqe, M.A.] të mbyllur, ndërsa nistoret janë të shkruara me flori dhe argjend të vëna në rreth dhe brenda kornizës. Në njërën anë të kopertinës, me shkronja të një kohe shumë të lashtë, është e shkruar kjo vërejtje: "Shikoni shkronjat e këtij Ungjilli të shkruara me dorën e vetë shën Gjon Gojartit, kur ishte dhjak ungjillori në atdheun e tij në Antioki...".
3o Një dorëshkrim tjetër Ungjilli, mjaft i madh dhe shumë i rëndë, i lidhur me kopertina argjendi sikurse edhe dy të parët, është pronë e kapitullit10) tonë. Në të njëjtën kishë, ruhet edhe një Ungjill tjetër i formatit të vogël, i shkruar në pergamen.
4o Në fund fare, ekzistojnë edhe dy dorëshkrime të Ungjijve, në pergamen të bardhë, të cilët ruhen në kishën e famullisë së Mangalemit11)
Me këtë pjesë të veprës së Alexoudis-it, ne u njohëm me dorëshkrimet Ungjillore të Beratit. Mendoj se është e domosdoshme të flas për këtë, fillimisht, ngase duhen sqaruar disa aludime të dyshimta, për të cilat ka folur në Athinë,12) duke i llogaritur si të domosdoshme, Sakkélioni, i cili pretendon se zbulimi i parë i Beratinus-it, i takon Alexoudis-it, dhe për të përforcuar një ide të tillë, për ipeshkvin arkeolog, bën citimin e këtyre radhëve, të cilat ne i përkthyem, duke pretenduar se nuk kishte asnjë njohuri për këtë; gjë që hapur vërehet se nuk është e saktë.
II
Koleksioni i dorëshkrimeve që gjenden në Berat është i ndarë në grupe të ndryshme. Secila kishë, dhe të tilla ka, zotëron disa dorëshkrime të këtyre librave liturgjikë, si psh. kisha e shën Gjergjit dhe kisha e Ungjillëzimit. Posaçërisht duhet theksuar, se ipeshkvi është pronar i disa dorëshkrimeve, të cilat i ruan në shtëpinë e tij, në ipeshkvà [mitropolÃ]. Por, para se të merremi me Beratinus-in, më parë të ndalemi disa momente në këto dorëshkrime të ndryshme.
Disa dorëshkrime janë të zakonshme, të gjitha ato të cilat i kam shikuar ndodhen te kryeipeshkvi dhe janë në rrëmujë të vërtetë, të lëna pas dore dhe në gjendje tepër të keqe. Më janë dhënë me shumë rezerva, kështu që kam qenë i detyruar t`i shikoj në orët e fundit të qëndrimit tim në Berat. Ia kam arritur që të bëj një përshkrim shumë përmbledhës, edhe pse nuk jam shumë i sigurt nëse ia kam arritur t'i shikoj të gjitha. Të gjitha këto dorëshkrime janë me tematikë kishtare. Kam shikuar tri vëllime dorëshkrimesh.
Vëllimi i parë [I.] është dorëshkrim në letër, format in quarto, me dorëshkrim nga shekulli XV
Vëllimi i dytë [II.] është diçka më i vjetër se i pari, gjithashtu është dorëshkrim në letër, format i vogël, in folio.
Vëllimi i tretë [III.] daton aty nga fundi i shekullit XII ose fillimi i shekullit XIII, është format i vogël, in folio, sikur i mëparmi, por është i shkruar në pergamen.
Do të veçoja dy vëllime me homeli. I pari [IV.] është koleksion i dorëshkrimeve të Ungjillit të shën Markut në lëkurë viçi, format i madh, in quarto, me dorëshkrim nga fundi i shekullit XII ose fillimi i shekullit XIII.
Vëllimi i dytë [V.] është i ruajtur mirë. Ky dorëshkrim është një koleksion homelish të shën Gjon Gojartit, për shën Gjonin Dorëshkrimi është në lëkurë viçi, me përmasa: 22 x 15 cm. Vëllimi ka 370 fletë me nga një shtyllë për fletë (20 rreshta për çdo shtyllë). Përafërsisht është i së njëjtës kohë me atë të mëparshmin. Së bashku me këto pesë grupe dorëshkrimesh, duhet shtuar edhe: një koleksion rregullash dhe dispozitash kishtare, me format in quarto nga shekulli XV.
[VI.]. Një leksion i dëmtuar nga membrana gjithashtu format in quarto nga shekulli XIII.
[VII.]. Një diptik i dëmtuar shumë rëndë, i lidhur me kapakë druri me dimensione: 22 x 15 cm, nga i cili janë të ruajtura vetëm edhe 77 fletë, dorëshkrimi i të cilit është nga fundi i shekullit XIV. Ky libër diptikësh është vepër e famullisë Philanthopa, sipas të dhënave që gjejmë në titull: Fillimi i diptikut nga famullia e Philanthopit, dhe kjo famulli ndodhet në Janinë,13) siç më kanë dëshmuar të tjerë.
[VIII.]. Një diptik tjetër, përafërsisht nga e njëjta kohë, në një gjendje edhe më të keqe se i mëparshmi, nga i cili na janë ruajtur vetëm 23 fletë, me përmasa: 21 x 14 cm, i takonte famullisë së shën Gjergjit, (Diptiku nga famullia e shën Gjergjit);
këtij dorëshkrimi do t'i kthehemi edhe njëherë më vonë.
[IX.]. Në fund, do të tërheq vëmendjen edhe mbi dy dorëshkrime të cilat kanë të bëjnë me Shkrimin e Shenjtë:
Njëri dorëshkrim është Veprat e Apostujve [X.], i cili ka 98 fletë; është i shkruar në pergamen dhe ka përmasa: 22 x 16 cm. Çdo fletë përmban nga një kolonë, të shkruar me 17 rreshta. Është i shkruar me një kaligrafi të bukur kursive nga shekulli XII, ndërsa vetë dorëshkrimi mban datën 1158 [përkatësisht: a. m. 6666]. Dorëshkrimi është i shoqëruar me shënime anash, në margjina, dhe është i zbukuruar me fije floriri të lidhura.
Pastaj kemi një Ungjill [XI.] nga shekulli XI, i shkruar në membranë, me një kaligrafi të bukur kursive, i cili ka 255 fletë, me përmasa: 21 x 16 cm. Çdo fletë përmban një kolonë, të shkruar me 25 rreshta. Dorëshkrimi si tërësi ka paraqitur të katër Ungjijtë, sipas rendit të pranuar. I ka munguar letra e Caprianus-it; në fillim të çdo vëllimi ndodhen kanonet [ligjet] e Euzebit, ndërsa në vetë tekstin, afër margjinave, janë shënimet e kapitujve të Amonijevit dhe Euzebit. Katër miniatura të tipit naiv paraqesin katër ungjillorët; ndërsa dekorimet janë plotësuar me disa shirita të ashpër.14)
Krahas këtyre dorëshkrimeve të zakonshme, duhet të paraqes edhe disa dorëshkrime kaligrafike me një rëndësi të veçantë.
Në paralagjen Mangalem, në hyrje të urës së lashtë të Beratit, u njoftova për restaurimin e një kishe që mbante emrin: Fjetja e shën Mërisë, që ishte bërë kohë më parë.
U njoftova se aty ruhej një Ungjill nga shekulli IV.15) Jam futur me plot emocione në kishë dhe kam gjetur Ungjillin më të ri për 8 shekuj.[XII.]. Ky është një dorëshkrim në pergamen me 260 fletë in quarto; i shkruar me një kursiv nga shekulli XII. Teksti përmban katër Ungjijtë sipas rendit të pranuar, që fillon me Kanonin e Eusebit; ndërsa në margjina të tekstit, janë disa shënime së bashku me kapitujt e Amonijevit dhe Eusebit. Në fillim të dorëshkrimit i janë shtuar 20 fletë të letrës në të cilat një dorë e kohës së vendosjes së këtyre fletëve ka shkruar: Synaxaire. Në vëllim janë katër miniatura që shtrihen në tërë faqen, të cilat paraqesin katër Ungjillorët, në sfond të floririt, të cilët janë të punuar me ngjyra shumë të bukura. Kapitujt janë të zbukuruar me shirita të hollë, ndërsa kanonët e Euzebit janë të vënë mes kornizash me shtylla të zbukuruara me lule dhe portikë.16) Çdo fletë e zbukuruar me dekorime është e mbuluar me mëndafsh të lashtë me vel purpuri.17) Dorëshkrimi mban këtë shënim: "Ky është një Ungjill nga Famullia e Shenjtë Eleuzu ose Famullia e re, e shkroi shumë i dashuri, i shenjti, i denji mbret, zoti Theodor Komnen Laskari, i ashtuquajturi Gjon Engjëlli, për shkak të mbrojtjes së shenjtit dhe engjëllit, monarkut Kalinik. Ju, që këto do t'i lexoni, luteni që përmes të plotëfuqishmit, t'i kërkoni Zotit, që të na mëshirojë."18)
Kuvendi i cekur është Notre-Dame-de-Pitié (Zonja e Mëshirës, Zonja shën Mëri), ose ndoshta është i njëjti me atë nga Mesebrija.19)
Selia ipeshkvnore, ruan edhe një Ungjill të shkruar në pergamen që është me kapakë argjendi [XIII.]; ka 310 fletë, me përmasa: 35 x 28.5cm dhe është i shkruar në dy shtylla. Është i shkruar me kursiv të madh nga shekulli XI ose fillimi i shekullit XII. Nistoret janë jashtë shtyllës së tekstit në lartësi, e cila ndryshon nga 3.5 cm deri në 5 cm; janë të praruara me flori dhe të plotësuara edhe me ngjyrë blu të hapur [ngjyrë qielli]. Edhe titujt janë të praruar me flori, por të shkruar me shkronja të vogla, me një theksim të veçantë cinabri. Çdo pjesë është e ndarë nga tjetra me shirit floriri dhe ngjyrë blu të hapur.20)
III
Këtyre dy dorëshkrimeve kaligrafike duhet t'iu bashkangjiten edhe dy dorëshkrime të tjera, të një forme tjetër, tepër të veçanta,:
- Liturgia argentea dhe
- Codex aureus Anthimi.
Ekziston një numër shumë i vogël dorëshkrimesh të krizografisë bizantine.21) Citohen psaltiri në Londër dhe nga një Ungjill në Firence dhe në Shën Petersburg, edhe pse ky i fundit, i vetmi në purpur dhe në lëkurë viçi.22) Së bashku me fragmentin e Uspenskit 23) nuk kemi njohuri për dorëshkrime të tjera.24) Dorëshkrimet me sfond të purpurtë, të shkruar me ngjyrë argjendi nuk janë shumë të përhapur:25) janë të njohur vetëm libri i Gjenezës; Psaltiri i Zürich-ut, Ungjilli i Patmoskut, Ungjilli i Rossanit dhe nëse këtyre iu bashkangjisim edhe fletët e palimpsestkut nga Dublini 26) dhe Ungjillit të Vjenës [nga shekulli IX], do të kemi një katalog përfundimtar të dorëshkrimeve të njohura me sfond të purpurt, të shkruara me ngjyrë argjendi. Koleksioni i Beratit na mundëson zgjerimin e këtij inventari me tri dorëshkrime të reja.
I pari nga këto dorëshkrime është pronë e imzot Alexoudis-it; nuk kam arritur të zbuloj origjinën e tij. Kjo është: Liturgjia e Shenjtë e shën Gojartit e shkruar me kursiv të bukur, për të cilin mund të thuhet pa asnjë dyshim se është nga shekulli XII. Ngjyra është e argjendtë, por emrat e shenjtorëve dhe përkujtimorja janë të praruar, sikur edhe vetë titulli. Teksti nuk është i shkruar në fletë por në role të purpurta pergameni, me gjatësi prej dy metra e tetëdhjetë e pesë centimetra [2.85m] dhe gjerësi prej njëzet e gjashtë centimetrash [26 cm]. Pjesa e jashtme, është e dëmtuar poshtë; është e shkruar në të dyja anët e rolesë, në një shtyllë të gjerë trembëdhjetë centimetra [13 cm]. Përkujtimorja është e rimuar si në vijim:
mnhsqhti ke kai27)
tvn svn doulwn; nikolaun
elenhV; grhgoriou; nikol x
anastasiaV ax; nataliaV ax;
upatiaV; zenhV ax ; dhmh
triou kai annhV 28)
Dorëshkrimin, të cilin në shenjë nderimi për imzot Anthime Alexoudis-in, ne do ta emërtojmë: Codex aureus Anthimi, i takon kishës së Ungjillëzimit të Zojës) (ekklhsia tou euaggelismou thV qeotokou)29)dhe llogaritet autograf i shën Gjon Gojartit.30) Është i lidhur në kapakë argjendi të shtypur; fijet e të cilit edhe sot janë të grisura. Dorëshkrimi ka 413 fletë, të lidhura nga 4 në një arak. Secila fletë ka përmasa prej 24 cm, lartësi dhe 19 cm gjerësi; Këto janë përmasat e formatit të vogël: in quarto. Pergameni është shumë i fortë, është i ngjyrosur me ngjyrë të purpurtë me theks blu në të hapur [ngjyrë qielli], pa theksime të zakonshme të elementeve të vjetra të purpurit, llumit të verës ose trëndafilit.31) Ngjyra është e artë. Çdo faqe ka nga një shtyllë tekst, ndërsa shtylla ka 17 rreshta si edhe te: Codex Theodoræ në Shën Petersburg. Gjerësia e anëve është 42 milimetra në kokë, 65 mm në këmbë, 34 mm në pjesët e brendshme dhe 58 mm në këndet e jashtme. Në anë ndodhen shënimet e kapitujve të Amonijev-Euzebit, të quajtura kapituj. Në fillim të çdo Ungjilli është një grumbull kapitujsh. Aq sa kam mundur të gjykoj nga një krahasim pjesërisht i themeltë, teksti nuk dallon nga tekstet tjera të traditës bizantine; është i shkruar në mënyrë shumë korrekte. Shkrimi është një kursiv i shkëlqyeshëm, në të cilin ekziston vetëm pika dhe asnjë shenjë tjetër pikësimi. Megjithatë, në çdo fjalë janë të shënuar theksat. Dorëshkrimi ka të njëtën formë si ajo e Codex Theodoræ;32) por, në të vërtetë, unë në mes tyre vërej një dallim të rëndësishëm; në Codex Anthimi, shenja [...] ka të njëjtën formë të cilën e ndeshim edhe në shekullin IX, kurse te Codex Theodoræ kjo shenjë merr zvetënim në formë unciali [...], të cilën nuk kemi mundur ta gjejmë në fund të shekullit X.33) Pa asnjë hamendje, mund të vendosim Codex Anthimi në shekullin X. Në fillim të çdo kapitulli te të katër Ungjijt, është nga një miniaturë e vizatuar me ngjyrë floriri; vetëm trupi pjesërisht është i punuar me ngjyrë, e cila pothuajse tërësisht është fshirë. Korniza e secilës figurë është paraqitur në mënyrë gjeometrike, ndërsa portreti i Ungjillorëve është i tipit banal [naiv].34)
IV
Më në fund arrijmë deri te dorëshkrimi më i rëndësishëm, i thesarit Beratas; atij të cilit i është vënë emri Beratinus; si pronë e kishës së shën Gjergjit, është ruajtur në shtëpinë e ipeshkvit. Përshkrimi i debateve në vazhdim është botuar në Mélanges të shkollës frënge në Romë; ndërsa këtu janë ribotuar përsëri me një numër të madh përmirësimesh dhe korrigjimesh të të dhënave të ndryshme si dhe me shtojca të tjera. Dëshirojmë që shqyrtimi ynë të shikohet dhe vlerësohet në dritën e këtyre versioneve të reja.
Disponojmë vetëm dy dokumente, të cilat mund të na ndihmojnë në ndriçimin e historisë së Beratinus-it. Dokumenti i parë është diptik nga kisha e shën Gjergjit (kodiku nr. IX), të cilin e kam përmendur më heret dhe pjesët e shkëputura të të cilit ndodhen në shtojcë. Në përkujtimoren nga shën Gjergji përmendet njëfarë Skouripékis "laik" [shekullar] nga Berati, i cili e kishte për nder që emri i tij të ishte shënuar në diptik, për shërbimet që i kishte bërë famullisë dhe qytetit në vitin 1356. Është thënë se në atë vit serbët kishin ndërmarrë një fushatë të ashpër kundër Beratit [Belgradit],35) të cilën qyteti nuk kishte qenë në gjendje ta përballonte; me këtë rast është dashur që me çdo kusht të shpëtohej thesari kishtar i Beratit dhe lutjes së murgut Théodoulos, i ishte përgjigjur me përkushtim Skouripékis-i. Ai, së bashku me murgun, kishin ngarkuar në "koshere" bletësh "27 shtatë dorëshkrime me vlera të jashtëzakonshme, të cilat i kishte "Theologu" dhe kisha e shën Gjergjit" dhe i kishin vendosur në vend të sigurt. Pason një regjistër i dëmtuar i dorëshkrimeve, i cili përmban mieje, librat liturgjikë, një regjistër të veçantë të dhuratave kishtare; një "psaltir të krijuesit"; "Katër Ungjij nga Bullgaria"[?]; dhe një vëllim dorëshkrimi të titulluar: "Katër Ungjij të shkruar me dorën e Gojartit në argjend". Duke u mbështetur fillimisht në shënimet e imzot Alexoudis-it,36) në fillim këtë dorëshkrim e kam identifikuar si të njëjtë me atë të Codex aureus Anthimi, por kuptimi i fjalës: "i shkruar me argjend" nuk lë vend për dyshim,37) ngase në të duhet të shikojmë sinonimin për: "i shkruar me argjend", atëherë, kundër mendimit të ipeshkvit beratas, i cili e kishte shënuar si "Ungjill i praruar me argjend", ose i lidhur me argjend, çka në të vërtetë kishte të bënte me Codex aureus, që dmth. se fjalia ka këtë kuptim: "Ungjill i shkruar me shkronja argjendi", dhe me këtë duhej të shënonte vetëm Codex Beratinus. Kemi vërejtur praninë e dorëshkrimit tonë, në thesarin e "Théologut" nga Berati që nga viti 1356.
Në kohën e sotme, emrin: "Théolog" e mban vetëm një manastir, e ky është ai i Panagia Ardéoussa. Por, diptiku i shën Gjergjit, na shërben si dëshmi se në shekullin XIV, ka ekzistuar një manastir në Berat me emrin e shën Gjergjit dhe të shën Gjonit - Ungjilltarit, përkatësisht "Théolog-ut", manastir i cili sot nuk ekziston më. "Théologu", i cili kishte në pronësi Codex φ, nuk do të duhej të kërkohej dikund tjetër, pos në Berat. Na mbetet vetëm edhe një gjë, që të interpretojmë edhe dokumentin e dytë, sipas të cilit ato që u pohuan më lart për "Théologun" e Beratit janë identifikuar me atë të shquarin "Théologue"nga Patmosi.38)
Përmbajtja e dokumentit të dytë është shënimi39) i shkruar në fillim të Codex φ; që sipas mendimit tim, dorëshkrimi është nga shekulli i kaluar [dmth. shekulli i XVIII]40) që dmth. më i hershëm se sa lidhja e Ungjillit; analiza gramatikore e dorëshkrimit, e vërteton një parashikim të tillë. Lexojmë: "Shikoni, ju o shikues, këto shkronja të shkruara me dorën e shën Gjon Gojartit derisa ishte dhjak i Ungjillorit... Shikoni ngjyrën e pakrahasueshme të fletëve si dhe vizatimet e bukura të atyre shkronjave"! Po, për të sqaruar uncialin e formës së shkronjave, autori shton: "Gjatë kohës së shën Gjon Gojartit, shumë njerëz kanë shkruar me shkronja të ndara /grafema të ndara/ dhe ka "harruar" të shënojë "forcën" e shenjave të floririt [?],me këtë dëshiroj të theksoj veçanërisht theksat e mprehtë, ata të rëndë dhe shenjat hundore si dhe hakat e lehtë dhe të ashpër. Nga të katër Ungjijtë, të cilët përbënin një vëllim dorëshkrimi, kanë mbetur vetëm ata të Mateut dhe të Markut, ndërsa pjesa e cila përmban Llukën dhe Gjonin është zhdukur". Sipas kësaj ne njohim Codex φ; por, ja edhe një rrëfim i pabesueshëm dhe jo i sigurt që na paraqitet: "Themeluesi i "Théologut"41) ka marrë këtë Ungjill në manastirin e tij, për shkak të një vizioni dhe një mrekullie, ose edhe këtë: "për ta shikuar, kundruar dhe për ta admiruar, veçanërsiht në shenjë nderimi të shën Gjon Gojartit; ndërsa dëmtimi ka ndodhur në kohën kur frankët nga Kampania kanë shkatërruar librat e "Théologut". Ky rrëfim bie ndesh me dy elemente kundërthënëse: "fjala është për Beratin nga vetë fakti se dorëshkrimi i kushtohet shën Gjon Gojartit dhe manastirit të "Théologut". Megjithëse lë për t'u kuptuar se "frankët nga Kampania", çfarë do të ishte shprehja e çuditshme për të identifikuar "çetat e Napolit"42) kanë hyrë në Berat dhe kanë plaçkitur Kalanë; ngase një gjë e tillë është e padëgjuar.43) Aq më parë, kur ky fakt është i vërtetë, përkundër të gjithave sa njohim nga ana tjetër, kjo më së voni do të duhej të ndodhte në vitin 1281, derisa diptiku i shën Gjergjit - dokument me më shumë vlerë se sa një shënim pa burim - dëshmitar shumë i sigurtë na tregon vitin 1356 kur Codex φ duhej të ishte ende komplet. Pas kësaj vazhdon pohimi i të dhënave të tjera, që na ofron ky shënim, pa ndonjë mbështetje historike dhe vlerë të rëndësishme historike.
Vetëm dy rreshtat e fundit, mund të bënin përjashtim, ngase mund të pranohen si një dëshmi personale. Mund të përkthehen në këtë mënyrë: "Ungjilli i "Théologut [të cilin ai e kishte] " është shkruar në Patmos, ka gjithashtu shkronjat e ndara, ashtu siç i kam parë me sy të mi, në Efez. Me fjalë të tjera, shkruesi i këtij shënimi pohon se në Efez ka parë një autograf [?] të shën Gjonit dhe dëshmon se shenjat grafike të Ungjillit të përmendur janë të ngjashme me ato të cilat i përkasin Gjon Gojartit. Kjo e dhënë nuk është e pavlerë, por nuk na flet asgjë për Beratinus-in.
Shkurtimisht, me shumë siguri, mund të pohojmë praninë e Codex Φ në Berat në shekullin e XIV; ky është i vetmi përfundim për të cilin mund të themi me siguri se është i saktë; duke u tërhequr nga hipotezat e mëparshme të pohuara, të shprehura me shumë rezerva.
V
Codex Beratinus ka një lidhje të kapakëve e cila datohet në fillim të këtij shekulli; të dy kapakët janë nga druri i pishës. Ballina është me zbukurime argjendi të gëdhendur dhe të shtypur në sipërfaqe; punim i argjendarëve grekë me kualitet të mesëm, i cili mban shënimin: 1805. Faqet e para janë nga një letër e ashpër; e papastër [e cila ishte e ruajtur në ndonjë tinar], në të cilën janë shënuar disa vërejtje. Faqen e parë e kemi përshkruar dhe është në shtojcë, ndërsa dy të tjerat janë një përshkrim i shkurtër i dorëshkrimit, të shkruara me dorën e imzot Alexoudis-it. Si mbrojtje për faqen e parë, prej lëkure viçi, është vendosur një faqe letre, e shkëputur nga ndonjë Ungjill i redaktuar dhe i shtypur.
Dorëshkrimi numëron 190 fletë të pafaqosura,44) të cilat kanë qenë të lidhura fort, por si duket libërlidhësi i ri, gabimisht i ka prerë, në vend që t'u linte kënde të lira dhe të paprera. Fletët, të cilat në brendi kanë qenë të dëmtuara, ishin të përforcuara me një shirit të bardhë letre; vetëm një fletë e kemi të lirë, dmth. kjo është nr. 69. Fletët të cilat kanë qenë të dëmtuara horizontalisht apo vertikalisht, janë qepur me kujdes; pos fletëve 74, 115 dhe 134, kanë mbetur në dy pjesë. Gjashtë faqet e para janë shumë të dëmtuara, shkronjat janë të oksiduara, ngjyra e purpurtë është zverdhur fare, për të mos thënë se është zhdukur; por, që nga fleta 7, dorëshkrimi është në gjendje të shkëlqyeshme, pos fletëve 75-78, të cilat janë të dëmtuara rëndë. Ungjilli i shën Mateut mbaron në shtyllën e dytë të fletës 112r; fleta 112v nuk është e shkruar fare; ndërsa fletët 113 dhe 114 përmbajnë Kapituj të shën Markut; Ungjilli i shën Markut fillon me fletën 115. Këndi i poshtëm i fletëve 115 dhe 116 ka qenë i shqyer; është i plotësuar me letër të thjeshtë; në të njëjtën mënyrë është vepruar edhe me fletën 121. Në fletën 144 vërehet një vrimë e madhe, e rrumbullakët, karakteristike për lëkurën e viçit; shkruesi këtë gjë e kishte parasysh kur ka shkruar rreshtat përkatës. Fletët 177 dhe 181 janë në gjendje tepër të keqe; por të gjitha të tjerat në vazhdim janë në gjendje të shkëlqyeshme, pos 4 fletëve të fundit, të cilat janë në gjendje të ngjashme me 6 fletët e fillimit. Është më se e qartë se dorëshkrimi një kohë të gjatë nuk ka qenë i lidhur dhe ka qenë nën ndikimin e lagështisë dhe pluhurit, para se të restaurohej në vitin 1805. Në këtë mënyrë, dorëshkrimi ka humbur 40 fletë, të cilat përafërsisht mund t`i shpërndanim në këtë mënyrë, pos Kapitujve të shën Mateut dhe kapakëve: Mt. I-VI, 3 = 25 fletë përafërsisht; Mt. VII, 7 = 1 fletë; Mt. XVIII, 24-XIX, 3 = 2 fletë; Mt. XXIII, 4-XXIII, 13 = 1 fletë; Mc[k]. XIV, 62-XVI, 20 =12 fletë. Pergameni është i fortë dhe me peshë të mesme, është shumë i thatë, shkronjat, zakonisht nuk vërehen nga njëra anë në tjetrën. Lëkura e viçit është e lyer me ngjyrë të purpurtë, derisa sot mbizotëron ngjyra vjollcë, e afërt me llumin e verës, që lë të nënkuptohet se në fillim ka qenë ngjyrë e kuqe e theksuar.
Këndet e fletëve janë zverdhur nga kontaktet me ajrin. Lartësia e fletëve është: 31.4 cm, ndërsa gjerësia është: 26.8 cm. Vijat në anë dhe për radhët e shkruara janë bërë me gërricje pende të thatë, dmth. pa ngjyrë, derisa vërehet shumë qartë gdhendja mjeshtërore e lindjes, në anën e qendrës. Çdo radhë përbëhet nga vija të dyfishta, të cilat kanë shërbyer për të shënuar lartësinë e shkronjave, poshtë e lartë. Çdo faqe ka nga dy shtylla me nga 17 rreshta. Numri i shkronjave është i ndryshueshëm nga 8 në 12 shkronja për çdo radhë, me një afërsi më shumë 9 se sa 10. Çdo shtyllë është 21 cm e lartë dhe 10.9 cm e gjërë. Ana, e cila ndan shtyllat, është e gjerë mesatarisht 3.5 cm. Në anën, lart dhe në vijën e veçantë afër këndit, ndodhen vetëm Kapitujt, pa ndonjë titull të zakonshëm, dhe këto, saktësisht mbi shtyllën për të cilën bëhet fjalë. Numrat për referencat e shënimeve të Amonijev-Euzebit, janë të shënuar në anë. Ngjyra është e floririt. Gërvishtja e pendës, është e rrafshtë, pa njolla dhe e punuar me shumë kujdes. Gjashtë fletët e para të shën Mateut janë të shkruara me shkronja floriri dhe paraqesin fjalët: Shkurtesat [për Ati, Jezusi, Biri. Përkthyesi]. Ngjashëm është shkruar edhe radha e parë, si titull, te shën Marku. Shkronjat e para të kapitujve, çdoherë janë shumë të theksuara, gati sa tërë gjerësia e anës, dhe janë dyfish më të mëdha se sa shkronjat e zakonshme, por nuk kanë dekorime. Vetëm shkronja "O" është e dekoruar me një kryq të vogël në mes. Meqenëse shën Mateu përfundon në mes të shtyllës, zbraztësira është mbushur me një shirit të floririt, me një motiv të thjeshtë gjeometrik. Në disa raste të rralla, shkruesi anon në anën e djathtë të margjinës për të përfunduar fjalën e fundit në rreshtin e ri, me këtë rast, shërbehet me shkronja më të vogla se zakonisht.
Në këtë formë na paraqitet Codex Beratinus.
Dorëshkrimi i takon fazës së hershme [të vjetër] të uncialit. Shkronjat e rrumbullakëta si: "E, Q, O, C" asnjëherë nuk janë të zgjatura; ndërsa shkronjat katrore si: "H, M, N, P" nuk janë asnjëherë në pozicion kënd-drejtë; as kur ndodhen në fund të rreshtit. Të gjitha shkronjat kanë pozicion të drejtë dhe askund asnjëra nga ato nuk qëndron pjerrtas. Shkronjat janë të rregullta dhe asnjëherë nuk kalojnë vijat të cilat shënojnë rreshat, poshtë e lartë; bile as: "z ose ax." Të vetmet shkronja që zgjaten poshtë vijave në rresht, janë "R" dhe "U"; ndërsa në disa raste, shkronjat: "F" dhe "Y," kalojnë këndet e rreshtave në të dyja anët. Shkronjat e theksuara [nistoret], si psh: "x," janë me kënde. Vija e drejtë e shkronjës "x," është e palidhur, lirshëm e hapur në krahë, por gjithnjë duke mos marrë asnjëherë formën e çomangës [Keulenform], e njëjta gjë mund të thuhet edhe për shkronjat: "T, P, G." Vija horizontale e shkronjës: "Q" asnjëherë nuk del jashtë rrethit, të cilin e ndan në dy pjesë të barabarta. Vijat e shkronjës: "E" me saktësi e kalojnë mesin e lakores i cili është në formë gjysmëhëne, duke krijuar kështu një rënie të lehtë, në anën e djathtë. Dy këndet e harqeve të shkronjave: "E dhe C" gjithashtu janë disi të sheshuara. Shkronja "W" është pothuajse e mbyllur.45) Shkronjat e fillimit [nistoret, M.A.], janë dyfish më të mëdha, por janë të të njëjtit veprim grafik, dmth. i takojnë uncialit të lashtë. I shikuar përgjithësisht, dorëshkrimi te Codex Beratinus është ndër më të bukurit të uncialit të lashtë, i ngjashëm me atë të Dioscoride të Vjenës;46) mund të themi se është edhe më i bukur, ngjashëm me Palimpsestin I7 nga Shën Petersburgu,47) për të cilin studiuesit mendojnë se vjen nga fillimi i shekullit VI.
Ky këndvështrim i fillimit është mbështetur në këto vërejtje. Dorëshkrimi nuk përmban shenjat e theksave, dhe për këtë, nuk mund të nxjerrim asnjë përfundim; nuk përmban as haket të cilët janë një tregues i sigurt i vjetërsisë së dorëshkrimit.48) Këtu ndeshim në mënyrë absolute scriptio continua pa asnjë radhë; teksti është i shkruar gjatë tërë vijës së shënuar dhe fjalët nuk janë të ndara. Shenjat e pikësimit vijnë në fund të fjalisë, të shënuara me një pikë të zgjatur, herë të thjeshtë, herë të dyfishura, të vënë nga mesi i lartësisë së shkronjave.49) Apostrofi që shënon elizionin, nuk përdoret rregullisht, por, çdo herë vendoset kur shkronja e fundit është: "P".50) Mbi zanoret "Ã
~~~ruani veten nga mallkimi,,,se veq vdekja eshte sherimi
~~~~~~~~!!!!!!~~~~~~~
nderime nga une zemra e kosoves,,,