Rreth veseve
Jeta në shoqëri njerëzore favorizon shfaqjen e veseve shoqërore, çka s"është arsye për të mos u bërë atyre qëndresë, krejt e kundërta madje. Ngadhënjimi mbi veset është në sajë të njerëzve rreth nesh si dhe falë Zotit, që na vëzhgon e do të na gjykojë.
Parasëgjithash është krenaria: të mbivlerësuarit e vetes duke nënvleftësuar ndërkaq të tjerët; përbën refuzimin e pranimit të përulësisë kur këtë e kërkon natyra e gjërave; për rrjedhojë, nënkupton marrjen si poshtërim të çdo qëndrimi që thjesht shpalos kufizimet tona.
Pastaj është egoizmi: të menduarit për interesin vetjak duke harruar kësisoj atë të të tjerëve. Pikërisht në këtë sektor gjenden egocentrizmi dhe narcisizmi, pa harruar sedrën.
Trashësia: paaftësia e të shquarit ndërmjet thelbësores dhe dytësores e, për pasojë, shëmtia morale e mendjevogëlsisë; është gjithashtu mungesë e ndjesisë së përpjesëtimit, pra përparësive.
Ligësia: vullneti për ta lënduar tjetrin, në një mënyrë a një tjetër; (e tillë) është sidomos përfolja, shpifja dhe mëria.
Hipokrizia: qëndron në kryerjen e të gjitha veseve, duke praktikuar ndërkohë ushtrime shpirtërore, të cilat në këtë kontekst bëhen sakrilegje.
Duke iu kthyer krenarisë dhe egoizmit: duhet patur parasysh refleksi i vetmbrojtjes dhe refleksi i akuzimit të të tjerëve.
Kurse përfolja e sidomos shpifja nëkupton fajet e mëposhtme: së pari, të thënit e tepërt, pra ekzagjerimin dhe fallsifikimin e gjërave; së dyti, të thënit e vetëm gjysmës së ngjarjes – çka përsëri nënkupton fallsifikimin e asaj që kërkohet të tregohet – ose thënien e gjërave jashta kontekstit; së treti, projektimi i qëllimeve të rreme tek të tjerët; së katërti, përgjithësimi arbitrar i fakteve të veçanta; së pesti, thjesht shpikja e gjërave inekzistente, që përbën shpifjen në kuptimin e saj të njohur.
Veset shpiejnë në ferr. Ne nuk e dimë si mat Zoti; një gabim që mund të na duket i vogël mund të jetë i madh tek Ai.
Njeriu është i lirë dhe zotëron aftësinë për t"i kapërcyer të gjitha veset. Ai mund t"i mposhtë ato me anë të përpjekjes, inteligjencës dhe lutjes; e gjithashtu nëpërmjet ndjesisë së të bukurës. “Qielli ndihmon ata që ndihmojnë veten.â€