Përgojimet dhe shpifjet
Përgojimi është një e keqe sepse ai që nuk është i pranishëm s"mund të mbrohet dhe sepse nxjerrja e një fakti të pafavorshëm mund ta lëndojë, gjithashtu sepse për nga vetë natyra e tij njeriu priret ta mbivlerësojë fuqinë e vet të gjykimit. Nga pikëpamja e logjikës së thjeshtë është normale që një njeri të tregojë fakte që e habisin ose e bëjnë të vuajë, ngase në parim ai e gëzon përherë të drejtën që të kërkojë këshillë dhe të vetsigurohet për korrektësinë e ndjenjës së tij; por kjo kushtëzohet nga saktësia e fakteve dhe paanësia e dëshmuesit, si dhe nga dinjiteti moral i bashkëbiseduesit – kjo, veçmas mbrojtjes së të papranishmëve. Mirëpo, në praktikë nuk ekziston mënyrë për të garantuar që këto kushte të plotësohen krejtësisht gjithmonë, dhe ç"është e vërteta në nëntë nga dhjetë raste nuk do të jetë ashtu. Rrjedhimisht, përderisa merret me kolektivitetin, ligji moral e ka për detyrë ta flijojë përjashtimin për hir të rregullës dhe të vërtetën e veçantë për dobinë e përgjithshme.
Sa për shpifjen, ajo qëndron në përhapjen poshtë e lart të fakteve të pasakta dhe të pafavorshme, dhe në të interpretuarit e gjërave të pafavorshme që i nënshtrohen një kuptimi të favorshëm, duke mos bërë dallimin midis asaj që është e sigurtë, e besueshme, e mundur, e dyshimtë, e pabesueshme dhe e pamundur. Shpifja nuk është çështje gabimesh aksidentale, por pasioni sistematik.