Benachrichtigungen
Alles löschen

Rreth udhëtimit shpirtëror drejt Zotit

1 Beiträge
1 Benutzer
0 Reactions
189 Ansichten
(@anonymous_1788263120)
Beiträge: 13309
Illustrious Member Guest
Themenstarter
 
[#2209]

O shërbëtor i Zotit, ta dish se Zoti i lartësuar, e ka krijuar njeriun vetëm që t'ia mundësojë zemrës së tij ta kryejë udhëtimin drejt Tij, dhe të vëzhgojë Lavdinë dhe Bukurinë e Tij, çka përbën qëllimin e përfundëm të të gjitha synimeve dhe qëllimeve dhe cakun e të gjitha begative e dhuntive. Bota, dhe çdo gjë që ndodhet në të, janë krijuar për të njëjtin qëllim. Ardhja e pejgamberëve dhe të dërguarve, shpallja e Kur'anit dhe e zbulesave të tjera janë kryer për të përmbushur të njëjtin qëllim. Sikurse thotë Allahu në Kur'an:

{Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit, veçse që të Më adhurojnë} (51:56)

Ibn `Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë se këtu li ja'budun ("që të Më adhurojnë") do të thotë li ja`rifun ("që të Më njohin"). Pra, gjithçka është krijuar për të Më njohur. Sipas një hadithi kudsi, Allahu ka thënë:

Isha një thesar i fshehur dhe dëshirova të njihem. Atëherë e krijova botën që të (mund të) njihem.

Kurse për kuptimin e këtij udhëtimi, dije se zemra e njeriut ndeshet me perde, pengesa dhe largime të mëdha (ndarëse) nga Zoti.

Ai ka edhe gradë, stade e rangje afrie me Zotin. Nëse nuk kapërcehen pengesat gjatë rrugës, nuk mund të arrihet grada e afrisë me Zotin.

Zoti i Shenjtë (Hazret-i Kuds) nuk do të shfaqet për sa kohë udhëtari të mos i shqyejë perdet e egos (huxhubu'n-nefs). Ndaj, perdja e parë, që është shkaku i ndarjes nga i Gjithfuqishmi (Hazret-i 'Izzah) është padituria rreth Tij, shirku (të mveshurit shokë Atij) dhe dyshimi në cilësitë e tij të Lavdisë dhe Përsosjes. E gjitha kjo sjell mohimin (kufr) e Zotit të Lartësuarit, që është më i madhi dhe më i errëti i të gjitha perdeve, siç ka thënë Allahu:

{Me të vërtetë, Allahu nuk e fal të mveshurit partnerë Atij} (4: 48, 116)

Pra, për kërkuesin e Zotit është thelbësore që ta shndërrojë errësirën e paditurisë së zemrës së tij në dritë, nëpërmjet ndriçimit të diturisë, të arrijë dritën e sigurisë (jekin) duke larguar errësirën e dyshimit, të arrijë teuhidin duke dalë nga errësira e politeizmit, dhe të arrijë dritën e imanit duke u çliruar nga shushatja e mohimit. Përndryshe, trupi i tij do të mbetet në errësirë dhe mallkim të përhershëm në nivelet më të ulëta të ferrit, që Zoti i ka pregatitur për jobesimtarët, femohuesit dhe armiqtë e Tij.

Etapa e dytë në rrugën e arritjes së afrisë së Zotit është ajo e bindjes (ta'ah) dhe shërbimit (`ubudijjeh), sepse Allahu ka urdhëruar: {O ju njerëz, adhurojeni Zotin tuaj!} Gjithashtu, Pejgamberi i ndershëm (s) ka transmetuar nga Autoritetit Suprem se Ai ka thënë:

Ata që kërkojnë të Më afrohen s'e arrijnë qëllimin me asgjë më shumë sesa përmes kryerjes së obligimeve. Shërbëtori vazhdon të Më afrohet përmes nafileve (adhurimeve vullnetare), gjersa Unë e dua...

Ndaj, ai që e njeh Kujdestarin (Mawla) duhet t'i bindet Atij, dhe kushdo që e ka zbuluar Zotin e vet duhet ta adhurojë; ndryshe do të mbetet në errësirën e mëkateve të niveleve të blasfemisë, sepse mëkati është ndër stadet e largësisë (bu`d) nga Zoti, kurse bindja është mjet afrimi tek prania e Tij.

Etapa e tretë e afrimit është sjellja e mirë. Prandaj, është detyrë e kërkuesit të Hakkut ta shndërrojë sjelljen e tij të padenjë në të virtytshme, sepse çdo sjellje e denjë konsiderohet mjet afrimi për tek prania e Allahut. Duke qenë se çdo ves moral është një hap larg Tij, që sjell pakënaqësinë e Tij, kërkuesi i vërtetë e ka për detyrë të kthehet nga errësira e krenarisë në dritën e përuljes, nga poshtërsia e xhelozisë në virtytin e dhembshurisë e të mëshirës, nga ultësia e kopracisë në lartësinë e shpirtmadhësisë, nga humnera e errët e mosmirënjohjes në shpatet e ndritura të mirënjohjes, nga çulli i hipokrizisë në ndriçimin e sinqeritetit, nga shkretëtira e përngjitjes ndaj bukurisë e pasurisë sipërfaqësore të dynjasë në kopshtin e dashurisë dhe mbështetjes tek Zoti i qiejve e i tokës, nga terri i sigurisë (mashtruese) tek drita e frikës së Zotit, nga mugëtira e dëshpërimit tek ndriçimi i shpresës e i besimit, nga hijet e zemërimit dhe mërisë tek drita e durimit dhe tolerancës, nga errësira e padurimit dhe ankthit në vështirësi e sprova tek drita e durimit dhe dorëzimit të pakushtëzuar ndaj idhtësisë së fatit, nga errësira e shpërfilljes te drita e ndërgjegjësimit dhe kujtimit, nga errësira e hutisë dhe kokëfortësisë tek drita e heqjes dorë dhe përulësisë, nga errësira e varjes në mjetet e kësaj bote tek drita e nënshtrimit ndaj vullnetit të Zotit të të gjithë zotëruesve dhe nga errësira e robërimit para epshit e dëshirave tek drita e bindjes ndaj Krijuesit të lartësuar. Kështu pra, ky udhëtim është një nga më të rëndësishmit, dhe është detyrë e të gjithë synuesve të pranisë Hyjnore dhe kërkuesve të lumturisë më të lartë dhe vendqendrimit të përhershëm në ahiret, që ta kryejnë këtë udhëtim.

Stadi i katërt i udhëtimit shpirtëror është udhëtimi nëpër Emrat e Bukur (el esma' ul husna) dhe Cilësitë e lartësuara të Hakkut (sifat). Sepse, kur kërkuesi e pastron brendinë e vet (batin) nga shkaqet e largësisë (ndaj Zotit), duke e lëmuar dhe pastruar zemrën e tij me virtytet e afrisë, ai do jetë i denjë për të vazhduar drejt Mbretit të Mbretërisë, ku efekti i dashurisë dhe mirësisë së Zotit do t'i jenë shpalosur përbrenda. Në këtë etapë, ekziston dallim ndërmjet rangjeve të eulija've dhe asfija've (të zgjedhurve). Ebu 'Abdullah Muhammed ibn 'Ali et-Tirmidhi ka thënë:

"Allahu, i Lartësuari i Madhëruar, ua mësoi Emrat e Tij shërbëtorëve të Vet, ku çdo emër lidhet me një domen (iklim) të posaçëm (shpirtëror) dhe për çdo domen ka një autoritet (sultan). Secili domen ka kuvendin, diskutimin, dhuntitë e shpërblimet e tij, që u jepen njerëzve të atij iklimi. E Ai ka caktuar rangje të veçanta për zemrat e të zgjedhurve.

Mund të ndodhë që një wali të qëndrojë në iklimin e parë, sepse nga të gjithë Emrat e Zotit ai njeh vetëm atë që lidhet me këtë iklim. Ndodh shpesh që ndonjë nga eulija'të qëndron në iklimin e dytë, tretë dhe të katërt njëkohësisht. Prandaj, sa herë që t'i drejtohet një iklimi të posaçëm, atij i akordohet Emri i atij iklimi, ashtu që të arrijë pozitën e waliut pjesëmarrës në të gjithë Emrat. Ai përfiton nga të gjithë Emrat dhe bëhet prijësi i eulija've."

Tirmidhiu thotë më tej:

"Pjesëmarrja e njerëzve të zakonshëm në Emrat Hyjnorë është besimi i tyre në to. Kurse pjesëmarrja e atyre që janë në pozicionin e mesëm (as'hab ul-jemin) si dhe eulijave të zakonshëm, në Emrat Hyjnorë varet nga hapja e kraharorëve të tyre (sherh-i sadr) ndaj këtyre emrave dhe dritës që shkëlqen në to përmes njohjes (ma'rifeh) së Cilësive Hyjnore. Çdokush shijon sipas kapacitetit të tij dhe shkallës së dritës shpirtërore që i mbart zemra. Por përfitimi i shijuar nga të zgjedhurit prej eulija've - që janë krejtësisht të zhveshur nga rroba e përngjitjeve tokësore dhe të veshur në petkun e ri shpirtëror - qëndron në soditjen e drejtpërdrejtë të Cilësive Hyjnore, dhe brendësimin e dritës së tyrë në zemra."

Nga ç'na ka përmendur Shejhu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), duket se çdo wali gëzon një pozitë të caktuar posaçërisht për atë, të cilën ai s'e kalon dhe ajo i dhurohet nga Zoti në përputhje me aftësinë dhe kapacitetin e tij si dhe gradën që i ka dhënë Zoti. Ndaj, kur zemra e tij e arrin atë pozitë të njohur, udhëtimi i tij shpirtëror e arrin synimin dhe ecja e tij kulminon. Në këtë udhëtim nuk shtrohet çështja e lëvizjes nga një vend në një tjetër, e as nuk bëhet fjalë për zhvendosje të udhëtarit në hapësirë si dhe vendmbërritjen e synuar.

Sepse Allahu, i Lartësuari, i është më afër njeriut se vetë damari i tij i qafës. Këtu, me 'udhëtim' nënkuptohet heqja e perdeve që ia pengojnë shikimin zemrës së udhëtarit dhe dritën e Cilësive Hyjnore nga të ndriçuarit e saj. Ky është po ai udhëtim për të cilin u krijua njeriu.


 
Veröffentlicht : 23/03/2009 12:48 p.m.
Teilen: