Benachrichtigungen
Alles löschen

Dyshimi

1 Beiträge
1 Benutzer
0 Reactions
144 Ansichten
(@anonymous_1788263120)
Beiträge: 13309
Illustrious Member Guest
Themenstarter
 
[#2214]

Dyshimi

Prirja për dyshim nuk është mënyrë më normale inteligjence sesa mashtrimi. Nëse dyshimi është i ligjshëm kur shfaqet rastësisht – dhe si përjashtim – nga një përshtypje e drejtë, ai është i paligjshëm me t"u bërë prirje apo njëfarë parimi, sepse atëherë sjell një sëmundje shpirti të papërputhshme me virtytin dhe përshpirtshmërinë.

Dyshimi nuk ushqehet vetëm nga iluzione subjektive: ai jeton edhe në kurriz të përshtypjeve objektive, të cilat janë po aq iluzore, edhe pse të rrënjëzuara në fakte. Në të vërtetë, dyshimi, i cili në thelb shpërfill ligjet e koinçidencës dhe paradoksit, shpesh e gjen veten të mbështetet nga dukje që mjedisi i krijon krejt pa shkak, çka nuk hyn te aspektet më të pakta të iluzionit kozmik; këto mundësi – akumulime koinçidencash, dukjesh sipërfaqësore të kundërta me një realitet që fshehin – janë zbatime të domosdoshme të parimit të kundërshtisë, që përfshihet në Mundësinë universale. Nganjëherë paradoksi është i qëllimtë nga ana e njeriut, siç tregon shembulli klasik i Omar Khajjamit, urtia e të cilit e veshur në mendjelehtësi i kundërvihet farisejizmit të veshur në devotshmëri; nëse hipokrizia fetare është e mundur, paradoksi i kundërt duhet të jetë po aq i tillë.

Verbëria moraliste

Nëse 'Bukuria është shkëlqimi i të Vërtetit', atëherë mund të thuhet se moralizmi qëndron në shkëputjen e bukurisë nga e vërteta. Pa të vërtetën, bukuria nuk mund të qëndrojë, çka shpjegon shëmtinë që i përngjitet moralizmit. Ai e zëvendëson njohjen e të vërtetës me idhujtarinë e një 'të mire' shpesh arbitrare dhe të kufizuar.
Në vetë natyrën e gjërave, moralizmi është injorant si për të vërtetën, ashtu edhe për bukurinë: ai nuk e shmang dot të qenit hipokrit në lidhje me të parën dhe karikaturesk me të dytën.

Ndër kriteret më të spikatura të moralizmit është përgojimi i objektit në funksion të korruptueshmërisë së subjektit.

Gabimi i anasjelltë – ai i intelektualizmit – qëndron në shkëputjen e të vërtetës nga bukuria – jo per se, çka i mjafton në vetvete, por të vërtetës së pasqyruar brenda nesh e të përcjellë prej nesh. Çështja e bukurisë nuk ngrihet për të bukurën e kulluar, por për marrësin njerëzor, për substancën që ajo u jep shkëndijave ndriçuese të shpirtit.

Relativiteti i konceptimeve morale dhe i lidhjes së ideve përkatëse shfaqet në mënyrë mbresëlënëse tek përgjithësimet e rreme të moralizmit të veshjes, që ka asgjësuar shumë fise; njerëzit merakosen për "moralin" – me ose pa motive të mëtejshme komerciale – dhe janë të paaftë të vërejnë karakterin imoral të atij lloji të degradimit universal që është përhapur me forma të caktuara të veshjes. Ky moralizëm zyrtar e i "qytetëruar" duket se parapëlqen adulterin e veshur ndaj nuditetit të virgjër; mes njerëzve të zhveshur për nga tradita, ai përbën lehtësisht pedantizëm, lakmi e madje keqdashje.


 
Veröffentlicht : 23/03/2009 1:13 p.m.
Teilen: