Benachrichtigungen
Alles löschen

Islami, jo për t’u ngushëlluar!

1 Beiträge
1 Benutzer
0 Reactions
137 Ansichten
(@enesi)
Beiträge: 941
Noble Member
Themenstarter
 
[#851]

Islami nuk është për t'u ngushëlluar e as thjesht makinë që pastron.

"E mos u dobësoni (fizikisht) dhe mos u dëshpëroni (shpirtërisht) derisa ju jeni më të lartit, po qe se jeni besimtarë të sinqertë." – Kur'an, 3:139

Ti me Islam gjallërohesh, kur atë e ndjen në çdo sekondë të jetës, në çdo gjendje e rrethanë të jesh. E si mund të ndjesh mesazhet islame në çdo sekondë përderisa ti nuk i përjeton si përgjigje për çdo gjë që ti me të ballafaqohesh.

Islam, jo vetëm pastrues i zemrave prej mëkateve dhe ndreqësh zemrash, sikur të ishte lavatriçe rrobash apo makinë ku futet trupi a zemra dhe vetëm me një shtypje të pullë, të bëhet pastrimi dhe ndreqja. Jo pak prej muslimanëve të sotshëm, më shumë me Islam shërbehen për të larë gjynahe se sa për t'u ngritur me të e për t'u forcuar! Bile ka disa, që me t'u rikthyer në Islam, mendojnë se vetëm me disa lutje a disa namaze të fitojnë gjithçka, e të pastrojnë gjithçka.

Jo, Islami nuk është për t'u ngushëlluar. E as thjesht makinë që pastron! Po, gjithsesi aty prehje e qetësi gjen, por aty duhet të gjesh edhe forcë dhe energji, për të qenë njeri i fuqishëm dhe energjik. Islami është plot jetë. Njerëzit e plogështuar, me Islam duhet të ringjallen, e jo të plogështohen edhe më tej. Kur ty mesazhet islame nuk të inspirojnë gjallëri e ngritje, atëherë duhet të ndjesh nevojën për të menduar më thellë!

Të gjitha ritet islame ashtu siç kanë anë shpirtërore, kanë edhe anë fizike. E kur abdes merr, nuk është vetëm uji që pastron thjesht disa pjesë të trupit, dhe nuk mund të ndihet pastërtia, prehja dhe rigjallëria, pa ndier edhe anën shpirtërore bashkë me anën fizike, e pra duke e medituar ujin kur shpërlajmë pjesët e trupit, zhytemi thellë në urtësitë e këtij procesi! Uji që të pastron, edhe prej tij jetë frymohet. Uji shlyen edhe mëkatet, por kur uji përdoret me bindje në Allahun xh.sh., dhe qëllimi i përdorimit të tij të jetë që pas çdo abdesi duke përjetuar freskinë dhe pastërtinë, të ndjehet edhe rigjallërim të trupit, zemrës dhe mendjes.

Po, Islami është më tepër se qetësi e prehje shpirtërore! Ti me të mund të bëhesh i gjallërueshëm, i frytshëm e i fortë. Ti nuk i përulesh Zotit tënd në sexhdeh veçse të forcosh lidhjen me Krijuesin tënd, e kjo lidhje forcohet kur ti sinqerisht i përmbahesh udhëzimit të Tij. E kur ti nuk forcohesh e këtë nënshtrim të plotë ndaj Zotit tënd nuk e shfrytëzon për të qenë më i papërkulur ndaj të tjerëve përveç Allahut, atëherë ajo përulje do të ishte thjesht ngushëllim. Sepse, nuk more atë që do të duhej ta merrje.

Devotshmëria është mesazh hyjnor! E devotshmëria nuk arrihet vetëm me lëvizje trupore. Me to arrihet lloj devotshmërie, por jo e zemrës dhe mendjes. Ndoshta vetëm e trupit. E prej devotshmërisë është pastërtia. Po, ama edhe pastërtia në të ndijuar dhe të menduar, është ana tjetër e devotshmërisë. Kur për adhurim ngrihesh, apo kur Allahun e përkujton, tërë qenien duhet ta bësh të ndjejë atë që gjuha të pëshpëritë. Përndryshe, vetëm zemra e lodhur nga telashet e dunjasë gjen prehje në atë të përkujtuar, ndërsa nuk gjallërohet, e as mendja nuk kthjellohet! Edhe kjo formë adhurimi, thjesht pra, me të ngushëllohesh, e nuk forcohesh.

Ti me Islam gjallërohesh, kur atë e ndjen në çdo sekondë të jetës, në çdo gjendje e rrethanë të jesh. E si mund të ndjesh mesazhet islame në çdo sekondë përderisa ti nuk i përjeton si përgjigje për çdo gjë që ti me të ballafaqohesh. Në përditshmërinë tënde mund të takosh sfidash të ndryshme, por vetëm duke iu përmbajtur këshillave islame, ti i tejkalon me lehtësi. E jo të iket prej tyre, e të izolosh veten, e duke u ngushëlluar i vetmuar. Ndiq parimin islam: pas çdo vështirësie vjen lehtësimi!

Dije o musliman i dashur, se Islami është plot jetë! E nuk mund të përfytyrohet se, një musliman, duke ndenjur i lidhur, e duke mos lëvizur e as bërë gjë, të imagjinojë ndryshim a përmirësim, apo të paramendojë se një ditë jetës së tij do t'i jepet shkëndi energjie! Ti je përgjegjës për vetveten tënde, e ti mund ta gjallërosh atë! E ia arrin kur gjithçka lexon, a dëgjon prej mesazheve të pastra islame, ti e mendon, e logjikon, e ndjen, pastaj e integron në përditshmërinë tënde.

Kur'ani dhe Sunneti jetësohet dhe të gjallërojnë, kur ti çdo ditë praktikon diçka prej tyre. Ti nuk mund të praktikosh gjithçka në tërësi, por të paktën, të fillosh të jetosh nën hijen e tyre. E kështu gradualisht, të përsoset edhe Islami në qenien tënde. E nëse pretendon se, ose do ta praktikosh menjëherë të tërën ose hiç, atëherë ke mbetur pa asgjë. Allahu na ruajt! Prandaj, përpiqu që mesazhet islame t'i zbatosh në jetë me lehtësi, butësi dhe urtësi, që të arrish të shijosh edhe jetën e gjallërinë që Islami të jep!

Ki kujdes nga vrulli dhe euforia. Pasi gjërat nuk arrihen duke shpejtuar. Është parim islam, se kush e përshpejton një proces, është i dënuar të mos i shijojë frytet e tij. Prandaj, kur fillon të integrosh mësimet islame në jetën tënde, ta bësh atë gradualisht dhe me durim. Që të mos ftohesh nga mos arritja e shpejtë e gjithave. E vrullin dhe euforinë më së lehti e ke ta kontrollosh shemb. nëpërmjet pesë kohëve të namazit; nëpërmjet lëvizjeve, qëndrimi në këmbë, ruku e sexhdeh…, ti duron dhe e kontrollon vetveten. E pastaj, duke medituar në ato lëvizje, mendja fillon të ushqehet, e të vetëdijesohet, e në anën tjetër, zemra duke qenë e prehur në paqe e qetësi, ti fillon të organizosh mësimet islame që vetes ia ke vënë detyrë për t'i jetësuar.

Allahu na forcoftë dhe gjallëroftë zemrat, mendjet dhe shpirtrat tanë me fenë e Tij të pastër, Islamin!

Ve-l-hamdu lilahi ve salAllahu alejhi ve selem


Our Lord! Grant unto us wives and offspring who will be the comfort of our eyes, and give us (the grace) to lead the righteous

 
Veröffentlicht : 20/10/2008 9:34 p.m.
Teilen: