Benachrichtigungen
Alles löschen

Trashësia, dobësia dhe ligësia

1 Beiträge
1 Benutzer
0 Reactions
137 Ansichten
(@anonymous_1788263120)
Beiträge: 13309
Illustrious Member Guest
Themenstarter
 
[#2215]

Trashësia, dobësia dhe ligësia

Injoranca që përbën kushtin themelor të shkeljes është e një rendi krejt tjetër nga mosdija e thjeshtë teorike: ajo është padituri efektive, që e ka rrënjën te zemra e jo tek arsyeja apo kujtesa; dhe pikërisht kjo injorancë është ajo që Shkrimet monoteiste e quajnë, me saktësi të madhe, "ngurtësim zemre." Injoranca shpaloset në tri mënyra kryesore: trashësi, dobësi dhe ligësi, të cilat janë privime nga Urtia Hyjnore, Fuqia Hyjnore dhe Mëshira (ose Bukuria) Hyjnore, që kanë si cilësi përkatëse njerëzore inteligjencën, forcën dhe mirësinë. Trashësia është paaftësia për të shquar thelbësoren nga aksidentalja: ajo qëndron në të kapurit pas fakteve të thjeshta dhe të konsideruarit e tyre thjesht në vetvete, pra pa kurrfarë induksioni; dobësia është braktisja e iluzioneve dhe mungesa e depërtimit intelektual ndaj dukjeve, e kësisoj mungesë homogjeniteti të brendshëm e për pasojë edhe qëndrese; së fundmi, ligësia, që është ku e ku më i rëndi "jokonformitet" – sepse është haptazi "aktiv" dhe "i ndërgjegjshëm" – përbën një abstraksion i cili është i anasjellti i atij që vjen nga inteligjenca: ndërkohë që inteligjenca lejon shikimin e marrëdhënieve të brendshme të gjërave, ligësia përfaqëson një prirje qartësisht kufizuese, mohuese e shkatërruese. Para se të kryejë një shkelje, njeriu mashtron veten; për të rrëzuar përkohësisht gjykimin e tij, ai zhvillon argumente që, në varësi të rastit apo individit, karakterizohen ose nga trashësia, ose nga dobësia, ose nga ligësia: i trashi e shpërbën aftësinë e tij shquese në njëfarë topitjeje; i dobëti e braktis karshi iluzionit; i ligu e thyen atë me dhunë. Mund të thuhej më tej se shkelja përmes trashësisë është veprim – ose heqje – e privuar nga arsyeja e mjaftueshme; dhe përderisa është reagim, i përgjigjet thjesht një fakti. Shkelja përmes dobësisë karakterizohet me një arsye të mjaftueshme iluzore; ajo niset në thelb nga reagimi ndaj një dukjeje. Së fundmi, shkelja me anë të ligësisë ka si arsye të mjaftueshme pikërisht prirjen e ulët të mohimit, me fjalë të tjera, urrejtjen e asaj që duket si afirmim i Normës Hyjnore.


 
Veröffentlicht : 23/03/2009 1:13 p.m.
Teilen: