Abortimi i fëmiut me të meta fizike
Nga libri Fikhun-nevazil - diraseh te'silijjeh tatbikijjeh - i autorit Muhammed bin Husejn el- Xhizani
Falënderimi i takon Allahut, ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e fundit, Muhammedin, mbi familjen dhe mbi shokët e tij. Më pas:
Këshilli i Akademisë Islamike të Fikhut nën drejtimin e Ligës së Botës Islame, në mbledhjen e rregullt të mbajtur në Mekke nga data 10/02 deri 17/02/1990, paraqiti shqyrtimin e kësaj teme dhe pas debatit nga ana e këshillit dhe e disa mjekëve specialistë, të cilët prezentuan për këtë qëllim, me pëlqimin e shumicës mori vendimin që vijon:
- Nëse shtatzënia ka arritur njëqindenjëzet ditë atëherë nuk lejohet abortimi i fëmijës edhe nëse diagnostikimet mjekësore tregojnë se fëmia është me të meta fizike, përveç nëse vërtetohet me raport të komisionit mjekësor nga ana e mjekëve të besueshëm dhe specialistë se vazhdimi i shtatzënisë është një rrezik i konfirmuar për jetën e nënës; atëherë lejohet abortimi i fëmijës qoftë ai me të meta apo jo, duke eleminuar me këtë rrezikun më të madh, rrezikun e jetës së nënës.
- Nëse shtatzënia nuk ka arritur njëqindenjëzet ditë dhe nga raporti i komisionit mjekësor nga ana e mjekëve specialist dhe të besueshëm në bazë të kontrollave shkencore me aparate dhe laboratore është vërtetuar se fëmija ka të meta të rrezikshme që nuk mund të shërohen, dhe nëse ai fëmijë mbetet derisa të lindë, jeta e tij do të jetë e vështirë dhe me vuajtje për të dhe për familjen e tij, atëherë lejohet abortimi i tij; duke u mbështetur në kërkesën e të dy prindërve.
Ndërsa këshilli i akademisë gjatë marrjes së këtij vendimi porositë mjekët dhe prindërit që të kenë frikë Allahun dhe të vërtetohen mirë në këtë çështje, ndërsa sukseset janë nga Allahu.