Shtohet numri i fëmijëve të sëmurë nga virozat
Ditët e fundit është shtuar ndjeshëm numri i pacientëve të prekur nga virozat e stinës. Fëmijët e moshave pediatrike kanë qenë më të prekurit. Mjekët thonë se këto viroza kanë sjellë komplikacione në organizëm, në rrugët e frymëmarrjes, por fatmirësisht pa pasoja të rënda. Temperatura e lartë ka qenë një nga simptomat kryesore.
“Ka një numër të konsiderueshëm paraqitjesh në ambulancën e pranimit. Edhe tani kemi viroza që prekin më shumë traktin e sipërm respirator, ku hyjnë rinofaringitet dhe ndonjëherë edhe infeksionet bakteriale të rrugëve të sipërme dhe të poshtme respiratore. Por kemi edhe infeksione të traktit më të poshtëm respirator, bronkopneumonira”, ka thënë për AS, Rajda Petrela, mjeke pediatre.
Përballë këtyre virozave, mjekët japin këshillat e nevojshme për prindërit. Ata shprehen se nuk duhet të përdoren antibiotikët pa recetën e mjekut.
“Kur ka raste që fëmijët janë të sëmure me lie, mundësisht t’i izolojmë sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që të mbrojmë kontaminimin e fëmijëve të tjerë. Nuk duhen përdorur në asnjë mënyrë antibiotikë pa kriter, qoftë edhe përdorimi i antipiretikëve pa kriter, pa këshillën e duhur se mund të ketë edhe toksikime nga të tilla gjëra si p.sh nga paracetamoli ose të tjera preparate”, shprehet Petrela.
Ndërkohë në këtë sezon, janë të pranishme edhe alergjitë e ndryshme, në veçanti ato nga polenet e luleve, të cilat sipas mjekëve, sjellin komplikacione nëse nuk trajtohen.