Suspendimi për punëtorin e EULEX-it i pamjaftueshëm
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut vlerësoi të hënën se suspendimi i punonjësit të EULEX është përpjekje të mos zhvillohen hetimet deri në fund. Ky Këshill pohoi se disa herë ka tërhequr vërejtjen e paprekshmërisë së të punësuarve në misionet e huaja në Kosovë.
Në reagimin e KMLDNJ-së thuhet se rasti i fundit i të punësuarit në misionin EULEX po dëshmon edhe njëherë që imuniteti karshi ligjeve në Kosovë ka krijuar mundësi të tillë si rasti i në fjalë.
“KMDLNj konsideron se masa e suspendimit për punëtorin e EULEX është e pamjaftueshme. Një masë e tillë është një mesazh i keq për qytetarin e Kosovës. Arsyetimi që EULEX ka dhënë në mediat e Kosovës që ‘suspendimi është bërë për arsye sigurie’ është edhe ofendim shtesë për qytetarin. Kjo do të thotë që nëse nuk do të ishte për çështje sigurie të pjesëtarëve të misionit atëherë kur rasti do të mbyllej”, thuhet në reagim.
Raste të ngjashme të shkeljeve, sipas KMDLNj ka pasur edhe misionin e UNMIK dhe të KFOR por që janë mbyllur apo fshehur nga këto struktura.
“Të punësuarit ndërkombëtarë në misionet si UNMIK, EULEX, KFOR etj kanë shfrytëzuar më të madhe gjendjen e rëndë ekonomike të qytetarit të Kosovës. Kështu, të punësuarve në këto misione u janë shkel të drejtat duke u pamundësuar edhe shprehjen e lirë duke i kërcënuar me vende pune nëse ata raportojnë rastet abuzive”, vlerësohet në reagim.
Këshilli mendon se pamundësia e të punësuarve vendorë në këto misione për t’u organizuar në sindikata është edhe një shkelje tjetër, ndërkaq sipas tyre kërcënimi se nëse raportojnë rastet me humbjen e vendeve të punës është shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut.
“KMDLNj mendon se fyerja për punëtorët shqiptarë, ndjenjën e tyre kombëtare, fetare, simbolet kombëtare e veçmas flamurin nuk është abuzim i thjeshtë. Një gjë e tillë është racizëm i pastër”, thuhet në reagim.
Sipas Këshillit është e pamjaftueshme që rasti të hetohet vetëm nga strukturat administrative të EULEX. “Nëse jo ndonjë komision i pavarur hetues atëherë ky hetim është dhe duhet të jetë përgjegjësi e prokurorëve të EULEX dhe të Kosovës. Racizmi është vepër e rëndë penale dhe nuk është shkelje administrative. Një akt i tillë duhet hetuar deri në fund dhe hetimi të jetë transparent”.
KMDLNj edhe një herë shtron nevojën e heqjes së imunitetit të punësuarve në këto misione, ndërkaq ftoi të gjithë të punësuarit pranë këtyre misioneve dhe të cilëve u janë shkelur të drejtat e njeriut që t’i paraqesin rastet në zyrat e KMDLNJ në Prishtinë.
Ndryshe, dy ditë më parë ka ndodhur një skandal në Misionin e BE-së në Kosovë. Incidenti ka të bëjë me një nëpunës ndërkombëtar në EULEX, i cili dyshohet për abuzim të pozitës së tij zyrtare.
Siç kanë raportuar mediat, denoncimin për abuzimin e detyrës nga ky zyrtar i EULEX-it e ka bërë personeli lokal i Misionit.
Lidhur me këtë çështje një punonjës ndërkombëtar i Misionit për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, është suspenduar prej detyrës, ndërsa disa të tjerë janë transferuar përkohësisht në detyra të tjera brenda misionit për shkaqe sigurie.
Sipas një komunikate për medie të lëshuar nga EULEX, thuhet se të gjithë këta persona kanë qenë pjesë e Njësitit për Mbrojtje të Afërt, të ngarkuar për sigurinë fizike të Shefit të Misionit.