A është Mitati në mesin e fëmijëve të trafikuar në Kroaci?
Lajmi i katër fëmijëve shqiptarë nga Maqedonia të trafikuar në Kroaci ka ngjallur shpresa tek familja e Mitat Ibrahimit të humbur në pranverën e vitit 2010. Ata shpresojnë se mes tyre mund të jete edhe djali i tyre, Mitati.
Familjarët kanë shkuar të kërkojë informata në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku u kanë thënë se duhet të presin edhe dy ditë. "Ishim në polici dhe na thanë se duhet të presim dy ditë për të na treguar nëse mes tyre është edhe vëllai im Mitati", thotë motra e Mitatit. Shpresa e tyre është rritur edhe më tepër, kur në emisionin "Njerëz të humbur" të gazetares Aida Shani kanë dëgjuar se dy prej fëmijëve të trafikuar në Kroaci kanë qenë pjesë e emisionit të saj. "Meqë vëllai im ka qenë pjesë e emisionit të Aidës shpresojmë se ai mund të jetë njëri prej tyre. Më shumë i besojmë Aidës sesa policisë, e cila deri më tani nuk ka bërë asgjë për të gjetur vëllain tim", thotë ajo.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë (MPB) nuk kanë asnjë informatë për identitetin e fëmijëve. Zëdhënësi i MPB-së Ivo Kotevski thotë se kërkesës së Kroacisë për të verifikuar katër numra amë, ata i janë përgjigjur menjëherë. "Persona, me ato numra amë, nuk ka të regjistruar në Maqedoni", tha ai. MPB po ashtu nuk e di nëse mes katër fëmijëve të trafikuar në Kroaci mund të jetë ndonjëri prej tre fëmijëve të zhdukur në pranverën e vitit 2010. Nuk e dimë, nuk kemi informata", thotë Kotevski.
Policia kroate para tre javëve ka arrestuar një person i cili ka tentuar të kontrabandojë në Kroaci katër fëmijë shqiptarë nga Maqedonia. Sipas medieve në Zagreb policia ka arrestuar personin Sadat Toskiç (33) dhe ndihmësen e tij Sanja Krishto (35). Toskiç edhe më herët ka qenë i njohur për policinë për shkak të veprave penale dhe kontrabandës me njerëz, tani dyshohet se katër fëmijët e shqiptarë ka tentuar t'i kontrabandojë në Kroaci përmes falsifikimit të certifikatave të lindjes. Sipas planit të Toskiç, ndihmësja e tij Krishto ka figuruar si nënë e katër fëmijëve në certifikatat e tyre të falsifikuara. Në bazë të këtyre dokumenteve, katër fëmijët shqiptarë është dashur të transferohen në Zagreb, por nuk dihet se çka është planifikuar më tej me ta dhe nëse kanë qenë viktima te tregtisë me njerëz. Toskic dhe Krishto kanë arritur t'i regjistrojnë fëmijët me dokumente të falsifikuar te ofiqari në komunën Sesvete, mirëpo kur kanë dashur t'i regjistrojnë edhe në komunën Zapreshiq, policia ka zbuluar dokumentet e falsifikuara.
Momentalisht në evidencën e MPB-së tre fëmijë figurojnë si të zhdukur. Dy fëmijë shtatë vjeçar, Mirsad Heldoviq dhe Dane Mehmedov nga Kumanova si dhe Mitat Imbrahimi, 10-të vjeç nga fshati Konjare e mesme e Shkupit. Që të tre u zhdukën njëri pas tjetrit në pranverën e vitit 2010. MPB nuk ka asnjë informacion për fatin e tyre