Kapitulli i tretë përbën pjesën më interesante të këtij vëllimi. Aty del në pah më së miri politika armiqësore e shovinizmit grekomadh, e cila, pas përfundimit të luftës, erdhi e u bë edhe më kërcënuese, edhe më e rrezikshme kundrejt Shqipërisë. Një qëndrim i tillë i shtetit shovinist grek ndaj vendit tonë, siç është folur edhe më lartë, ka pasur në themelin e vet pikësynimin e përhershëm për shpërbërjen e Shqipërisë. Ky pikësynim ka qenë “thelbi i politikës greke, ndërsa ëndrra e “Vorio-Epirit” kishte dominuar për një kohë të gjatë vetëdijen e politikanëve grekë. Por, me përfundimin e luftës, vërehet një kulm i ri dhe një intensifikim i politikës për aneksimin e Shqipërisë së Jugut” (f.228).
Autori na njeh me disa faza të ofensivës diplomatike të shtetit shovinist grek. Kështu, faza eparë përfshin periudhën janar-shtator 1945. Vetëm gjatë këtij harku kohor qeveria greke ka bërë 8 kërkesa, nota dhe memorandume, drejtuar diplomacisë se Fuqive Perëndimore, personaliteteve me peshë të botës dhe organizatave të tjera të rëndësishme, duke filluar nga Forin Ofisi, Departamenti i Shtetit etj. Faza e dytë nis nga shtatori i vitit 1945 dhe vazhdon deri në korrik të vitit 1946. Gjatë kësaj periudhe dhjetëmujore qeveria greke bën edhe 21 kërkesa, nota dhe memorandume të tjera për arritjen e të njëjtave synime shoviniste. Periudha nga 29 korriku deri më 15 tetor 1946, kur zhvillon punimet Konferenca e Paqes në Paris, përbën fazën e tretë të histerisë diplomatike të shovinizmit grekomadh për aneksimin e Shqipërisë së Jugut. “Në këtë periudhë politika e Greqisë arriti kulmin e agresivitetit të saj. Për të argumentuar gjendjen e luftës me Shqipërinë, qeveria greke gjatë kësaj periudhe veproi në disa plane: ajo vazhdoi të kundërshtonte kërkesën e Shqipërisë për pranimin në OKB. Intensifikoi goditjet në kufi, duke shkaktuar një gjendje shumë të acaruar, me qëllim që të krijohej përshtypja në opinionin botëror se vërtet midis dy vendeve ekzistonte një gjendje lufte, së cilës vetëm Konferenca e Parisit dhe Këshilli i MPJ mund t’i jepnin fund. Diplomacia greke vijoi të kërkojë me këmbëngulje dhe pa ngurrim aneksimin e Shqipërisë së Jugut, si kusht për kapërcimin e gjendjes së luftës midis dy vendeve” (f.269-270).
Në periudhën në fjalë të bien në sy edhe 18 ndërhyrje të qeverisë greke me fjalime të udhëheqësve të saj shovinistë, nota dhe memorandume, në të cilat çekani rrihte në të njëjtin vend - në aneksimin e Shqipërisë së Jugut.
Fazën e katërt të çmendurisë diplomatike greke e përbëjnë kërkesat e saj për diskutimin e pretendimeve territoriale ndaj vendit tonë në Këshillin e Ministrave të Punëve të Jashtme, pas përfundimit të Konferencës së Paqes. Në këtë kohë qeveria greke bën edhe 27 ndërhyrje të tjera në instancat ndërkombëtare dhe në takime me përfaqësues të diplomacisë evropiane dhe amerikane për të njëjtin qëllim. Kur, më në fund, të gjitha këto aksione diplomatike - 74 gjithsej - të diplomacisë së marrë greke nuk gjetën përkrahjen e duhur, kryesisht nga ana e diplomacisë amerikane, atëherë shovinizmi grekomadh vendosi të ndërmerrte një tjetër hap të dëshpëruar. Përmes zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Panajotis Pippinelis, ajo i paraqiti Departamentit të Shtetit një plan për aneksimin tërësor të Shqipërisë nga ana e Greqisë. Duke e njohur lexuesin hollësisht me Planin Pippinelis, autori shtjellon tre variantet e tij, të cilët mund të renditen si më poshtë: 1. Copëtimi iShqipërisë mes Greqisë dhe Jugosllavisë ose midis Greqisë, Jugosllavisë dhe Italisë (një plan i vjetër ky për zhdukjen e Shqipërisë nga harta e Ballkanit, i diskutuar në fshehtësi mes Greqisë dhe Serbisë në vitin 1913, pra, një vit pas shpalljes së pavarësisë sonë, dhe midis Britanisë së Madhe dhe Francës në vitin 1919). 2. Administrimi i Shqipërisë nga një organizëm ndërkombëtar ose nga një fuqi e painteresuar. Këtë lloj protektorati ndërkombëtar, megjithëse e propozonte si variant të dytë, vetë Pippinelis nuk e pëlqente si zgjidhje, meqenëse ekzistenca e shtetit shqiptar në Ballkan, qoftë edhe nën një protektorat ndërkombëtar, binte në kundërshtim me objektivat e politikës greke dhe jugosllave. “Pra, ai përjashtonte çdo mundësi të qytetërimit, të zhvillimit dhe të evropianizimit të Shqipërisë… Këtu janë shfaqur qartë konceptet politike shoviniste dhe paragjykimet raciste të politikës greke të kohës” (f.306). 3. Bashkimi iShqipërisë me një nga vendet fqinje dhe pikërisht me Greqinë. Këtë variant Pippinelis e vlerësonte si zgjidhjen më racionale.
Plani Pippinelis përfaqësonte në thelb një pabesi tipike greke dhe një hipokrizi të theksuar politike. Në mbështetje të variantit të fundit Pippinelis sillte si argumente: 1. Marrëveshjen e parë midis kapedanëve grekë dhe shqiptarë, në Sul, më 15 janar 1821, për të formuar një aleancë dhe zotimin që i kishin dhënë njëri-tjetrit se “do të ishin vëllezër të bashkuar në një trup dhe në një shpirt”. 2. Propozimin që gjoja i paskëshin bërë shqiptarët qeverisë greke më 2 qershor 1829 për përfshirjen e krahinës së Vlorës në shtetin grek, me kusht që atyre t’u garantohej liria e besimit dhe të ruhej nderi i haremeve të tyre. 3. Memorandumin e një “numri të madh” shqiptarësh, nën udhëheqjen e Gjolekës, dërguar mbretit të Greqisë, Otto-s, për bashkimin e Shqipërisë me Greqinë. 4. Memorandumin dërguar Lordit Bikonsfild (Beaconsfield) nga Komiteti Shqiptar gjatë zhvillimit të Kongresit të Berlinit, në të cilin sugjerohej ideja e bashkimit greko-shqiptar dhe pohohej se “fuqia jonë mbrojtëse mund të dyfishohet në një Federatë dhe nëpërmjet një aleance me Greqinë” (f.310). 5. Mbështetjen historike nga ana e opinionit grek të Konfederatës Greko-Shqiptare të Athinës, e cila në vitin 1899 kishte propozuar “bashkimin e të dyja racave sipas modelit të Austro-Hungarisë”. 6. Tratativat e Ismail Qemalit në vitet 1904-1906 dhe marrëveshjen e tij me kryeministrin grek George Theotoki më 1908 për çlirimin e Shqipërisë dhe bashkimin e saj me Greqinë. 7. Propozimin e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Koço Kota, në shkurt të vitit 1944, bërë guvernatorit ushtarak të Selanikut për bashkimin e grekëve dhe të shqiptarëve.
Pavarësisht nga përrallat që Pippinelis kërkonte t’ia shiste Departamentit të Shtetit për të vërteta, përvoja e marrëdhënieve të deriasokohshme, - siç ndërhyn me vend prof.Meta, - “nuk krijonte asnjë shkëndijë besimi e shprese për një bashkëjetesë politike me kombin dhe shtetin grek. Arsyet më kryesore ishin pengesat që u kishin nxjerrë shteti dhe kisha greke përpjekjeve të shqiptarëve për çlirim kombëtar, arsimit në gjuhën shqipe, afirmimit të identitetit të tyre kombëtar, pavarësisë dhe, mbi të gjitha, synimet e vazhdueshme të Greqisë për aneksimin e trojeve shqiptare. Masakrat greke të viteve 1914-1915 në Shqipërinë e Jugut dhe ato më të freskëtat, që ishin kryer në vitet 1944-1945 kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë, të cilat kishin përfunduar me spastrimin e dhunshëm etnik të saj, nuk linin asnjë shpresë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi” (f.308). Prandaj propozimi i paraqitur nga diplomacia dhelparake greke përmes Planit Pippinelis s’ishte gjë tjetër, veçse një hile djallëzore e shovinizmit grekomadh “për aneksimin e Shqipërisë së Jugut nëpërmjet krijimit të një shteti konfederativ shqiptaro-grek. Karakterin e vërtetë antishqiptar të Planit Pippinelis e zbulonin konsideratat politike, ekonomike, gjeopolitike etj., të cilat, sipas tij, e bënin të domosdoshme zhdukjen e Shqipërisë nga harta e Ballkanit” (f.311).
Benachrichtigungen
Alles löschen
Trojet Shqiptare
1
Beiträge
1
Benutzer
0
Reactions
508
Ansichten
Themenstarter
Veröffentlicht : 20/04/2010 9:49 p.m.