Profeti Muhamed
njeriu që kush e njohu e respektoi- Ferid Piku
Profeti Muhamed a.s, njeriu që pasohet prej mëse një miliard e treqind milionë njerëzve e për më tepër profeti i mbarë njerëzimit ( të paktën në besimin islam), fatkeqësisht është figura më pak e vlerësuar në krahasim me standardet e larta që ndoshta vetëm ai arriti t'i përmbushë.
Jo rrallë herë figura e tij është bërë pre` e shumë shkrimtarëve e për më tepër e shumë njerëzve të tjerë të pafajshëm të cilët kanë menduar se ajo që u serviret është e vërteta absolute dhe prandaj nuk kanë marrë mundimin ta shikojnë këtë çështje nga një këndvështrim tjetër, edhe pse tashmë perëndimorët këtë parim e zbatojnë deri dhe në gjëra të rëndomta.
Njeriu, siç thonë, mbetet armik i asaj që nuk e njeh, e kjo mesa duket po ndodh edhe me vlerësimin që kanë shumë njerëz e ndoshta dhe shumë shqiptarë në lidhje me figurën e profetit Muhamed.
Me shpresën për të sjellë diçka të re në vëmendjen e lexuesit shqiptar të cilit nuk i është dhënë rasti të lexojë për këtë njeri ose i është ofruar vetëm njëra pamje që nuk është reale, po sjell vetëm pak vlerësime të disa njerëzve joarabë dhe jomyslimanë, por që ndryshojnë nga shumë të tjerë në një pikë: ata kanë lexuar për profetin Muhamed, kanë lexuar me mendje e zemër të pastër.
Edhe nëse nuk janë bërë myslimanë, ata kanë guxuar ta thonë të vërtetën se ajo është amanet dhe kanë ditur ta vlerësojnë figurën e Muhamedit, të paktën si njeri i rrallë.
Muhamedi – njeriu që qëndron përtej çdo dyshimi
Marrë nga libri " Muhamedi- mesazhi dhe profeti" i autorit të krishterë egjiptian Nazmi Lukas.
Muhamedi nuk ishte si të gjithë njerëzit e tjerë. Tek ai u bashkuan mrekullitë e profetëve paraardhës dhe vullneti i heronjve, prandaj është detyrë që të paktën të njihet, të vlerësohet e më pas të respektohet.
Edhe pse popujt paraardhës e kishin bërë zakon të shenjtëronin deri dhe gjyshërit, heronjtë dhe mbretërit e tyre e jo më profetët, tek ai nuk gjejmë asnjë gjurmë shenjtërimi apo diçka të ngjashme me shenjtërimin. Jo rrallë herë kurani që ai solli, thekson fuqishëm atë që ai ishte njeri " Thuaj , unë jam njeri si puna juaj por që më shpallet" Kehf 110
Ai ishte një njeri i vetëm por që u bë zëdhënës i qiellit, sipër tij ishte vetëm madhështia e Zotit e poshtë tij njerëzit e tjerë, por megjithatë asnjëherë nuk u ndje mendjemadh. Madje mendjemadhësisë ia kishte gjithmonë frikën dhe i kishte shpallur luftë në veten e tij para se ta luftonte tek pasuesit e tij.
Sikur ai vetë të kish dashur të lavdërohej, nuk do të kishte qenë e huaj dhe e vështirë për pasuesit e tij se kishin me çfarë e lavdëronin, sidomos kur e krahasonin me shumë e shumë të tjerë që nuk i afroheshin aspak, por ai vetë ua kish ndaluar atyre diçka të tillë duke u thënë: " Mos më lavdëroni siç bënë të krishterët me birin e Merjemes se unë jam vetëm një rob i Zotit, prandaj thoni rob I Zotit dhe I dërguar I Tij"
E çfarë dilemash të tjera hedhin dashakeqësit ndaj tij?!
Një njeri, besimi i të cilit u sprovua aq shumë në një vend që ishte kryeqendra e idhujtarisë e nuk mendohej kurrë se ai mund të fitonte, e ai përsëri qëndroi larg të gjitha interesave personale, falës dhe tolerant pa treguar aspak mendjemadhësi dhe forcë pushteti…Nuk përfitoi për vete asgjë, nuk i la trashëgimtarëve dhe të afërmve të tij asnjë favor material, madje vetes ia ndaloi ato që ia pat lejuar të tjerëve ( lëmoshën). Duke kapërcyer të gjitha parashikimet ai arriti të barazojë ndërmjet skllevërve dhe shërbëtorëve etiopianë dhe të parëve të fisit të tij pa asnjë dallim. Cili është ai njeri që pas të gjithë këtyre fakteve merr guximin të ngrihet në këmbë e ta akuzojë këtë të lavdishëm?! Nëse realisht, Muhamedi nuk ka thënë të vërtetën, atëherë s'do kish njeri në këtë botë që do kish thënë qoftë dhe një fjalë të vërtetë.
A ka njeri që është më I meritueshëm se ai për ta mbrojtur nga akuzat e pabaza, në një kohë kur ai ktheu me miliona e miliona njerëz nga adhurimi I idhujve në adhurimin e një Zoti të vetëm, nga humbja dhe degradimi në besim dhe lartësim, e ai vetë nuk përfitoi asgjë personalisht apo familjarisht në një kohë që njerëzit për këta punë po vriten.
Muhamedi e sundonte lavdinë por lavdia nuk e sundonte atë, i shfrytëzoi të gjitha mundësitë por mundësitë nuk e shfrytëzuan kurrë atë. Mbi të gjitha ai ishte njeri me ndjenja por të cilat i vuri në funksion të misionit të lartë për të cilin vetë Zoti e kishte zgjedhur.
Muhamedi- më i madhi i historisë
Marrë nga libri " Heronj nga historia" të autorit Will Durant
Është e qartë që askush nuk i ka mësuar Muhamedit shkrim e lexim ashtu siç kjo gjë tashmë dihet botërisht. Por ky fakt nuk e pengoi aspak atë që t'i njohë punët e njerëzve më mirë se ç'i ka njohur ndonjë njeri tjetër që mund të ketë marrë arsimimin më të lartë.
Profeti Muhamed ishte nga ata komandantët e zotë por përkrah kësaj ishte një politikan ekspert që dinte si ta vazhdonte luftën me anë të paqes.
Nëse gjeninë e dikujt do ta matnim me ndikimin e atij personi tek njerëzit, do të thoshim me plot gojën se Muhamedi ishte njeriu më i madh i historisë. Ai mori përsipër të ngrejë lart gjendjen shpirtërore dhe morale të një populli ku thatësira dhe temperatura e shkretëtirës e kishin bërë punën e tyre dhe e kishin çuar këtë popull në një gjendje egërsie dhe errësire. Por ai pati sukses më shumë se çdo reformator tjetër në histori dhe rrallë të gjesh njeri tjetër përveç tij të ketë bërë atë që bëri ai.
E kjo nuk ndodhi thjesht se ai ishte shumë i lidhur pas fesë, por në të vërtetë nuk kishte forcë tjetër veç asaj të fesë që të mund t'i ndryshonte arabët.
Kur filloi të ftonte, tokat arabe ishin thjesht disa shkretëtira të pajeta, fiset arabe ishin disa paganë të përçarë mes njëri-tjetrit, por kur vdiq ishin një popull i bashkuar. Ai arriti të mposhtë forcën e fanatizmit tribal dhe të besëtytnive duke ndërtuar një fe të qartë, të lehtë e shumë të fortë, një sistem vlerash që në themel kishte heroizmin dhe krenarinë.
Nuk ka reformator në histori përveç tij, që t'i detyrojë të pasurit të japin kaq shumë ndihmë për të varfëritë.
Thëniet e tij tregojnë se ai nxiste shumë për dituri dhe i pëlqente dituria, e nga ky aspekt ai dallon nga shumë reformatorë fetarë.
Ky njeri ishte i habitshëm me të gjitha përmasat
Marrë nga libri" Muhamedi dhe kurani" i orientalistit zviceran Montet (1856 – 1927)
Çdo studiues i thellë dhe qëllimmirë do të habitej nga natyra fetare e këtij njeriu, zemra e të cilit karakterizohej nga një sinqeritet i madh. Ai ishte me të vërtetë një reformator me një besim të patundshëm, një reformator që u shfaq i tillë pas një moshe të pjekur duke predikuar një thirrje të madhe që e bëri atë një nga figurat më të mëdha fetare të botës.
Nëse merret për bazë vetëm përpjekja e tij ndaj paganizmit, idhujtarisë dhe zakoneve të këqija të asaj kohe, ai nuk do të ishte më pak se profetët e izraelitëve të cilët gëzojnë një vend të veçantë në historinë e tyre.
Fatkeqësisht, shumë njerëz nuk e njohin Muhamedin dhe prandaj nuk e vlerësojnë atë siç duhet, në një kohë kur ai është nga reformatorët e rrallë të cilit i dihen të gjitha detajet e jetës.
Muhamedi a.s ishte fisnik në moral, mjaft i sjellshëm me tjetrin, i ëmbël në komunikim, i ekuilibruar në vendim, i sinqertë në të folur. Cilësitë më dalluese të tij ishin vendimet e drejta, fjalët e sinqerta dhe bindja e plotë në atë që thoshte dhe vepronte.
Reforma morale që ai bëri në shoqëri na detyron ta konsiderojmë me të drejtë "bamirësin më të madh të njerëzimit".
A mundet që Muhamedi të ketë qenë thjesht një pretendues ?
Tomas Karlajl (1795-1881) “Heronjtëâ€
“Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të pamurit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.â€