Pyetje
Ngritja në këmbë për dikë, kur lejohet dhe kur nuk lejohet
Pergjegjie:
Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut, kurse salavatet dhe selamet qofshin mbi Muhammedin, alejhissalatu vesselam, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi gjithë ata që ecin në rrugën e tij, deri në Ditën e Gjykimit.
Ngritja në këmbë në mënyrë të palejuar
Muhammedi, alejhissalatu vesselam, thotë:”Kush dëshiron t’i ngrihen njerëzit në këmbë, le ta përgatisë ulësen e tij në zjarrin e xhehennemit”. (Trans. Ahmedi me sened sahih)
Enes ibn Maliku, radijallahu anhu, thotë:”Nuk ka pasur person më të dashur për sahabet sesa Muhammedi, alejhissalatu vesselam. Mirëpo, kur e kanë parë atë, nuk i janë ngritur në këmbë, ngase e kanë ditur se Pejgamberi, alejhissalatu vesselam, e urrente një gjë të tillë.” (Trans. Tirmidhiu me sened sahih)
Në bazë të këtyre dy haditheve, kuptojmë se personat që i ngrihen dikujt, e ndihmojnë shejtanin të mbjellë dëshirë për ngritje tek ai që vjen. Kurse, Muhammedi, alejhissalatu vesselam, thotë:”Mos u bëni ndihmëtar të shejtanit kundër vëllait tuaj.” (Trans. Buhariu)
Pra, Islami ngritjen për dikë që e respekton, nuk e konsideron nderim, ngase një person nderohet duke e respektuar dhe praktikuar urdhrin e tij, duke i dhënë selam dhe duke shtrënguar dorën gjatë përshëndetjes. Shpeshherë, ndodh që, kur hyn një njeri i pasur në ndonjë vend, i ngrihen të gjithë njerëzit, kurse, kur hyn ndonjë i varfër, jetim, etj. nuk ngrihet askush. Ky gjest më tutje, patjetër, do të mbjellë urrejtje dhe zili ndaj të pasurit tek i vobekti. Në këtë mënyrë, shejtani e shfrytëzon këtë rast dhe fut përçarje në mesin e muslimanëve, gjë të cilën e ka ndaluar Islami rreptësishtë. E gjithë kjo për shkak të kësaj ngritjeje të palejuar. Mund të ndodhë që i varfëri, të cilit nuk i janë ngritur në këmbë, të jetë nga njerëzit më të vlefshëm në atë vend, për shkak të devotshmërisë së lartë që e posedon në vetën e tij. Ngase Allahu xhel-le she’nuhu thotë:
"Vërtet, më i ndershmi tek Allahu është më i devotshmi prej jush.” (El-Huxhurat-13)
Ibrahim ibn Ed'hemi, Allahu e mëshiroftë, me gjithë atë asketizëm, devotshmëri e dije që posedonte, kur u pyet se ç’është modestia, tha:"Të tregohesh mendjemadh ndaj të pasurve”.
Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, thotë:”Nëse ndërgjegjja jonë është e pastër, pse t’i lodhim trupat me ngritje ndaj dikujt. Mos lejo që vëllai yt të të nderojë me një formë që manifeston haram. Pasi të gjithë jemi të bindur në dashurinë e ti, atëherë pse të brengosemi!”
Pra, çdo ngritje në këmbë, që bëhet në shenjë madhërimi ose frike për dikë, qoftë i shoqëruar me përkulje të trupit a të kokës ose pa të, si p.sh. ngritja dhe qëndrimi i ushtarëve në këmbë për komandantin, me nderim ushtarak, duke mos e lëkundur trupin fare para tyre; ajo që veprojnë nuset në ditët e para të ardhjes së tyre, në shtëpinë e burrit, kur qëndrojnë në këmbë me orë të tëra para grave të ulura rreth saj, pa lëvizur trupin, si dhe marrja ose puthja e duarve1 të çdo hyrësi (Nëse marrja e duarve ndodh edhe me burrat, fesadi dhe harami është më i madh); qëndrimet në këmbë në rezidenca e zyre para kryetarëve të ndryshëm, duke qenë ata të ulur, (pra, e gjithë kjo) është haram për ngritësin dhe ka dënim të ashpër për atë që obligon për ngritje apo shpreh dëshirë të ngritjes për të. Allahu na ruajt.2
Ngritja në këmbë në mënyrë të lejuar
Në shumë hadithe të vërteta dhe në vepra të sahabeve, vërejmë lejimin e ngritjes në këmbë për atë që hyn, mirëpo kur dhe si? Pejgamberi, alejhissalatu vesselam, i është ngritur vajzës së tij, Fatimes, kur ajo ka hyrë tek ai dhe anasjelltas. Kjo mënyrë e nderimit është e lejuar dhe e kërkuar, ngase në këtë mënyrë nderohet musafiri.
Muhammedi, alejhissalatu vesselam, thotë:"Kush i beson Allahut dhe Ditës së Gjykimit, le ta nderojë musafirin e tij.” (Trans. Buhariu dhe Muslimi)
Pejgamberi, alejhissalatu vesselam, u ka thënë disa sahabeve:”Ngrihuni zotërisë tuaj.” (Buhariu dhe Muslimi)
Edhe disa sahabe i ngriheshin në këmbë atij që hynte nga sahabet tjerë, si rasti i Talha ibn Ubejdullahut, i cili iu ngrit Ka’b ibn Malikut që ta përgëzonte për pranimin e tevbes së tij, etj. (Buhariu)
Nga këto hadithe kuptojmë se ngritja për musafirin, për udhëtarin e ardhur nga larg, është e lejuar, pa marrë parasysh kush janë ata, qoftë prind që e viziton fëmijën e tij dhe e kundërta; shok, i afërm, etj. Vërejmë se të gjitha këto hadithe lejuese për ngritje në këmbë kanë ardhur në gjuhën arabe me fjalët "ila" apo "alejhi", përkundër haditheve që ndalojnë ngritjen, të cilat kanë ardhur me fjalën "lehu". Ekziston dallim i madh ndërmjet shprehjes "kame alejhi" (i është ngritur atij) dhe "kame lehu" (është ngritur për të), d.m.th i është ngritur duke qëndruar në një vend, në shenjë madhërimi. Padyshim se këto dallime kaq precize qëndrojnë vetëm në gjuhën arabe, ndërsa në gjuhën shqipe nuk hasim në dallime të tilla. Dhe çdo hadith që vjen në versionin e parë të fjalisë së sipërpërmendur lejon ngritjen në këmbë, pa marrë parasysh shkakun e ngritjes, dhe e ndalon ngritjen, nëse vjen në versionin e dytë. Allahu A’lem. Vel-hamdulil-lahi rabbil-alemin.
Përgatiti: Abdulmelik Besfort Maxhuni
"I thash zemrës sime: "Kur të zërë merakosja gëzohu, pasi shumica e merakosjeve janë të kota"
hej pa dashje po me duhet me te shkrue e me te than
mos e perdor kete se a duhet me u ngrit ne kemb per dikon a jo
a lejohet a jo dhe ngaterrohesh me fjalet e tua nuk ka qellim ketu fjala qe a lejohet a jo me u ngrit per dikon ne kemb a jo mos e pshtjell se nuk ke fjalla e te pasurit qe po u ngriteshe ti ne kemb e per fukaren nuk ngritesh ti ne kemb
e kendej po thua se njerzit e bajn keshtu
gabim e kie o ti
ne kemb duhet me u ngrit edhe nese je 80 vjeqar kure ne shtepi tane po vjen nje musafir edhe ne qoft edhe femije ai
per babe e nane duhet me u ngrit ne kemb
e mos ti permeni edhe te tjera ngritje qe duhet e i ba njeriu me mendje te shendosh
tung