Gati 400 burra koreanojugorë i janë përgjigjur në më pak se një muaj një njoftimi për martesë vërtetë të veçantë, të publikuar në një të përditshme nga një milionere 49 vjeçare e cila ishte në kërkimi “të shpirtit binjak me të cilin të ndante momentet e mira e të këqija të jetës”.
Sipas përgjegjësve të “Sunoo” (agjencia martesore e ngarkuar për të gjetur partnerin ideal për zonjën e pasur) që prej 20 majit kur dhe u publikua njoftimi, kanë ardhur 384 përgjigje nga burra të moshës 26 dhe 49 vjeç, mes të cilëve edhe mjekë, profesionistë dhe shumë ushtarakë.
Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e medias e cila me sa duket e ka çorientuar gruan, për të cilën nuk dihen shumë gjëra, por që ka një pasuri që vlerësohet në rreth 18 milionë dollarë. “Mendonim ta mbanin njoftimin deri në fund të muajit” shprehet një zëdhënës i agjencisë, “por klientja jonë vendosi ta tërhiqte më parë për shkak të vëmendjes se madhe që i kushtoi shtypi e televizioni”.
Megjithatë seleksionimi i pretendentëve ka qenë i prerë; nga gati 400 pretendentë vetëm 8 prej tyre janë gjykuar mjaftueshëm “seriozë” për të qëndruar në garë dhe për të kaluar në fazën finale të kërkesës së veçantë.