Dr. Aid El-karnij
Sjellja e butë dhe dashamirëse, është një ndërmjetës dhe mik që nuk refuzohet kur çohet për të kërkuar diçka. Ti duhet ta dish mirë se një rrugë e ngushtë mes dy mureve, e cila është aq e gjerë saqë nxë vetëm një makinë, duhet të përshkohet me kujdes dhe butësi nga shoferi i makinës. Nëse dikush do kërkon ta përshkojë më shpejtësi këtë rrugë, do të përplasej me makinën e tij sa majtas djathtas, duke e dëmtuar rëndë makinën. As rruga nuk u ngushtua dhe as makina nuk u zgjerua. Ajo që ndryshoi është mënyra. Në rastin e parë, rruga u përshkua me kujdes dhe butësi, kurse në rastin e dytë u përshkua pa kujdesin e duhur.
Një pemë të vogël të sapo mbjellë në oborr, nëse e vadisim pak e nga pak nga uji i një kove, ajo ushqehet në mënyrë të përshkallëzuar. Por nëse ia derdhim një kovë me ujë mu tek rrënjët, do e shkulnim pemën me rrënjët e saj. Sasia e ujit është e njëjta në të dy rastet, por mënyra ndryshoi.
Ai që i heq rrobat e trupit me të butë, garanton jetëgjatësinë e tyre, sakaq ai që i heq dhe tërheq me forcë, ankohet nga grisja dhe këputja e kopsave.
Kur vëllezërit e Jusufit a.s e përgatitën për ta hedhur në pus, ia hoqën këmishën butësisht, pa i shkaktuar asaj çarje dhe grisje. Mandej, pretenduan se Jusufin e kishte shqyer ujku dhe e kishte ngrënë. Por nëse do e kishte shqyer ujku, do i kishte shqyer dhe këmishën.
Ne kemi nevojë për sjellje të buta dhe dashamirëse në radhë të parë me veten tonë (ke obligime ndaj vetes), me vëllezërit tanë (Zoti është zemërbutë dhe e do zemërbutësinë), si dhe me gruan (silluni butësisht me gratë).
Mbi urat e drunjta që patën ndërtuar turqit – në kohën e tyre - sipër lumenjve, shkruhej:”Kujdes! Mos ec shpejt!” Kështu kalimtarët mund të kalonin paqësisht, pa rënë në lumë. Kurse ata që e përshkonin me shpejtësi, mund të rrezikonin të rrëzoheshin dhe të binin në lum.
Në ditarin e një shkrimtari sirian, i cili banonte në qytetin Selmia lexuam këtë ndodhi. Një ditë, ai bashkë me motoçikletën e tij i duhej të kalonte urën e drunjtë, të ndërtuar nga turqit. Ura ishte ndërtuar e tillë që të përshkohej me kujdes dhe avash. Sakaq, shkrimtari ynë u turr me motorin e tij drejt urës, pa i kushtuar vëmendje tabelës paralajmëruese dhe aftësisë së urës për ta përballuar. Kur ndodhej në qendër të urës, pa anash saj, ajo u lëkund dhe duke mos e mbajtur dot ekuilibrin rashë në lum bashkë me motorin.
Në hyrje të kopshteve plot lule, trëndafila e tulipanë, në disa shtete evropiane, vendoset një tabelë me fjalët “Lëviz me kujdes!” Kjo, sepse nëse lëvizja bëhet me shpejtësi, mund të shkelen dhe këputen pa dashje trëndafilat dhe lulet e bukura që zbukurojnë vendin.
Në një fjalë të urtë thuhet se harabeli nuk fluturon paqësisht si bleta. Thotë profeti Muhamed a.s:”Besimtari është si bleta, ushqehet me të mira, prodhon ushqim të mirë dhe nëse qëndron mbi një filiz, nuk e thyen atë.”
Lulja nuk e ndjen aspak bletën kur qëndron sipër saj. Ajo thith nektarin dhe merr atë që i duhet me kujdes dhe butësi.
Sakaq, harabeli, me gjithë fizikun e vogël, kuptohet menjëherë kur qëndron mbi një degëz. Kur ngrihet në fluturim, ai brof nga vendi. Po ashtu me axhele ulet dhe qëndron në një vend.
Me këtë rast, më vjen ndërmend historia e një piktori indian, i cili kishte bërë një pikturë të mrekullueshme. Ai kishte pikturuar një kalli gruri, mbi të cilin qëndronte një harabel. Kalliri ishte plot kokrra, i zhvilluar mirë dhe qëndronte drejt. Mbreti indian i kishte dhënë një çmim piktorit dhe e kishte vendosur këtë tablo në pallatin e tij mbretëror. Delegacionet e ndryshmet që vinin për vizitë, sa e shihnin tablonë mahniteshin dhe e vlerësonin në maksimum punën e piktorit. Një ditë, rastis që këtë tablo ta shohë dhe një fshatar i varfër dhe hallexhi. Me ta parë, ai shprehu pakënaqësi dhe tha se tabloja ka diçka që nuk shkon. Njerëzit përreth rrudhën buzat dhe u ngrysën në fytyrë. Si guxon ky fakir të shajë atë vepër madhështore, të vlerësuar nga kaq e aq artistë?! Mbreti e dëgjoi kritikën e tij dhe e pyeti me butësi:”Çfarë ka që nuk shkon tek kjo tablo?!” Fshatari i varfër iu përgjigj:”Kjo tablo është pikturuar gabim, sepse piktori e ka pikturuar harabelin mbi kallirin e grurit, i cili vazhdon të qëndrojë drejt. Kjo është gabim. Nëse harabeli qëndron sipër kallirit, patjetër që do e lakojë për shkak të peshës dhe shpejtësisë me të cilën ulet.” Mbreti, i mahnitur përgjigjet:”Po, ke të drejtë!” Mandej, e heq tablonë dhe ia merr çmimin që i kishte dhënë autorit.
Doktorët këshillojnë që ilaçet të përdoren me kujdes dhe maturi. E njëjta gjë vlen dhe për punën dhe aktivitetin e përditshëm që ushtrojmë. Ka njerëjz, që nga pajkudesia shkul thoi, një tjetri i thyhet dhëmbi dhe një tjetri e mbetet kafshata në fyt, ngaqë e ka bërë të madhe dhe nuk e ka përtypur siç duhet.
Një nga dijetarët e hershëm thotë:”Një njeri i mençur edhe kur hyn dhe del nga shtëpia, e bën me kujdes dhe butësi. Po ashtu kur vesh rrobat, heq këpucët dhe i hip kafshës. Të nxituarit dhe sjelljet e rrëmbyeshme, janë garant për pasojat e dëmshme dhe humbjen e favoreve. Kjo, sepse e mira bazohet tek butësia. Thotë profeti Muhamed a.s:”Kudo që të vihet butësia e zbukuron atë dhe çdo gjë që privohet nga butësia shëmtohet.”
Butësia në komunikim i nënshtron zemrat dhe shpirtrat. Ajo është çelësi për të arritur çdo të mirë. Asaj i dorëzohet çdo pengesë dhe i nënshtrohen zemrat ziliqare. “Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. “ (Al Imran, 159)
