man%20thinking%20window-saidaonline.jpg)
Kush me Allahun ditën (s’)e nisi!
o, kurrsesi! Ti s’ke për t’u zgjuar, e as për t’u përmirësuar, përderisa zemrën nga jeta e kësaj bote s’e shkulë! Jo, kurrë, përderisa sytë nga harami s’i shkëputë! Jo, kurrë, përderisa mendjen me Kur’an s’e ushqen!
“Pra, ku jeni, kah shkoni?” – Kur’an, 8126
Kur për Zotin tënd, Krijuesin tënd, shtratin e braktis, kur për Të gjumin e prish, kur në Të shpreson, kur ndaj Tij përgjegjshmëri ndjenë ke ngjitur urën e thyer mes teje dhe Zotit tënd! Je lidhur me Të. E ti pasi në pjesën e tretë të natës u zgjove, ke dëshmuar vullnet dhe sinqeritet për të qenë i zgjuar ndaj Tij!
E ti duke e adhuruar Zotin tënd e përkujtuar Atë, në Krijuesin e muzgut të lindjes së diellit, ditën e fillon, gjithqysh do të ngadhënjesh, e ji i sigurt në këtë e fare mos dysho!
Merr abdes! Mos përto! Mos ki frikë nga freskia e ujit; mos u tremb nga lagështia. Mos u trishto nga uji që sytë t’i çel. Uji të gjallëron. Gjithçka prej ujit jetën e filloi. E ti prej ujit u krijove, e me të gjallërohesh. Përmend Allahun, e dije se, Ai ta do të mirën. Le të prishet gjumi, le të poshtërohet epshi!
Jo, po ndoshta ti ditën me Allahun s’e ke nisur! Ti nuk dëgjon qortuesin, por çfarë të pëshpëritin dëfryesit! Jo, ti ke turp prej të tjerëve të thuash: jam mëkatar e për udhëzimin e Zotit tim kam nevojë. Jo, po ti ngurron në Xhami të shkosh! Po, sepse njerëzit të shikojnë. E pale çka do të thonë! Erdh mëkatari! Jo, do të thonë: i paska ra pishman për mëkatet e veta. Po, e ata që shkojnë në Xhami janë të pastrit! Jo, kurrsesi! Kush në Xhami shkoi për të shlyer mëkate, e pra dije se, nuk ka shkuar për t’u përmirësuar. Jo, në Xhami shkohet prej mëkateve për t’u ruajtur!
E ti ditën s’e ke filluar ende, sepse ti nuk e dëgjon Zotin tënd, por dëgjon krijesat e Zotit! Po, ti bëhesh viktimë e krijesave, e që ndoshta kundërvetes hidhërimin e Allahut kanë tërhequr! E ti, ata i dëgjon, atyre iu nënshtrohesh, atyre iu mbështetesh! Në ta bindesh! E pra, kur për përmirësim flitet, ti hesht! Kur për të drejtën e të pastrën flitet, kokën ule! Të paktën të tjerëve gjendjen të mos ua ngatërrosh.
Kur ti ditën s’ke guxim ta fillosh, mos më fol për asgjë hiç fare! Të lutem mos huto të tjerët. Kur ti nuk zgjohesh para lindjes së diellit, mos më fol për të tjerët, sesi të penguan e sesi janë përtacë. Mos më fol për përtacinë e tyre, e mos u fol njerëzve për vullnetin tënd, të lutem mos i çoriento vullnetmirët! Ti je i dobët, brenda vetes jetë s’ke! Jo, për ty asgjë rëndësi s’ka; e kota gjithnjë ka qenë e kot, e asnjëherë e rëndësishme s’ka qenë!
Mjerë për ata njerëz, që vetes musliman i thonë, e dobësohen e nuk besojnë në të Plotfuqishmin; dëshpërohen nga varfëria, e nuk binden në Furnizuesin; humbin shpresat për zgjim, e nuk shpresojnë në të Gjithëpushtetshmin! E këta, Allahut – të Plotfuqishmin, Furnizuesin e të Gjithëpushtetshmin, thonë Zot të tyre kanë!
Jo, kurrsesi! Përderisa Atij të mos i nënshtrohesh edhe me tërë qenien tënde! Jo përderisa nga uria zemra s’të thahet, e nga etja gjuha s’të teret! Zemra që Allahun adhuron, e gjuha që Atë e përkujton, gjithnjë të gjalla i ka! Sa zemër e gjuhë gënjeshtare! Pretendojnë se Allahun e adhurojnë, por pretendimi i tyre sheshazi duket: vetëm kur të qetë e në paqe ndjehen! Jo, Allahu është Zoti, që ty të sprovoi! E me varfri, me vështirësi, me pengesa, me sfida, bindjen ta provoi!
Hesht! Mos pëshpërit! Binde veten! Nënshtroje zemrën! Mbizotëro mendjen! Duro! Ndje dhembje! Ndje hidhësi! Ndje dështim, por mos vajto! Ndje dëshpërim, por mos u çorodit! Ndje dobësi, por mos u anko!
Jo, kurrsesi! Ti s’ke për t’u zgjuar, e as për t’u përmirësuar, përderisa zemrën nga jeta e kësaj bote s’e shkulë! Jo, kurrë, përderisa sytë nga mëkati s’i shkëputë! Jo, kurrë, përderisa mendjen me Kur’an s’e ushqen! Jo, kurrë, përderisa nuk pendohesh sinqerisht e falje prej Allahut me përgjërim s’kërkon!
Ti s’loton! Ti i butë në zemër s’je! Ti kur Allahut i përkulesh, madhështinë e Allahut s’e ndjen! Ti kur me ballë e me fytyrë në tokë përulesh, lartmadhërinë e Allahut s’e ndjen!
E kush me Allahun ditën e nisi, ai është i shpëtuari! Ai është i ekuilibruari! Atij djalli i mallkuar nuk arriti t’ia fëlliq shqisat, e t’ia humb ditën! Lum për atë musliman, e mjerë për muslimanin që vetëm gjuha musliman i thotë!
Muslimani qan kur vëllai i tij musliman qan; muslimani vuan, kur vëllai i tij musliman vuan; muslimani forcohet, kur vëllai i tij musliman dobësohet; muslimani lufton, kur vëllai i tij musliman sulmohet!
Është thënë dhe përcaktuar: se njeriu nuk mund të jetë luftëtar i njëmendtë, përderisa vetveten s’mund ta luftojë.
O Allah! Na përforco, luftëtar kundër vetvetes sonë – të padëgjueshme, të parespektueshme, të papërgjegjshme, të pandërgjegjshme e të padrejtë, të bëhemi!
O Allah! Na udhëzo!
Shkruan Avni Tafili /zgjim.org/
