Prej mirësive të Islamit, që i ka dhuruar njeriut, është se atij i ka sjellë një program të përsosur dhe të paluhatshëm për edukimin e tij, për të formuar breza e për të ngritur popuj, për të ndërtuar civilizime e për t'i vënë themelet e lavdisë...
Falënderimet i takojnë Allahut xh.sh., i Cili ua ka shpjeguar robërve të Tij prog ramin e përsosur edukativ në Kur'anin e madhërishëm, ua ka sqaruar njerëzve parimet e begative të udhëzimit dhe të përparimit sipas dispozitave të larta të fesë.
Lutjet dhe paqja qofshin mbi zotërinë tonë Muhamedin, të cilin e ka dërguar Allahu për njeriun, si edukator, të cilit i është zbritur sheriati që i plotëson nevojat e njeriut dhe qëllimet madhore të tij dhe e ngre vlerën njerëzore në shkallën e lartë. Paqja dhe lutjet qofshin edhe mbi familjen e tij, shokët e tij, të cilët u dhanë gjeneratave vijuese shembuj të veçantë për edukimin e fëmijëve dhe formimin e gjeneratave, që më pastaj i ndoqën udhëzimet dhe programet e tyre dhe gjurmët e të cilëve kanë mbetur deri ne ditën e kiametit.
1 - Prej mirësive të Islamit, që i ka dhuruar njeriut, është se atij i ka sjellë një program të përsosur dhe të paluhatshëm për edukimin e tij, për të formuar breza e për të ngritur popuj, për të ndërtuar civilizime e për t'i vënë themelet e lavdisë dhe qytetërimit dhe këtë e ka bërë vetëm e vetëm që njeriun ta largojë prej errësirës se politeizmit, injorancës dhe konfuzionit e ta orientojë në dritën e monoteizmit, të dijes dhe të stabilitetit. Të vërtetën e ka thënë Allahu xh.sh. ne Kur'an: ``..Juve ju erdhi nga Allahu dritë dhe libër i qartë. Allahu e vë me atë (me Kuranin) në rrugët e shpëtimit atë që e ndjek kënaqësinë e Tij dhe me ndihmën e Tij i nxjerr ata nga errësira në dritë duke i udhëzuar në një rrugë që është e drejtë ``.
2 - Mjafton mburrje dhe vlerë për sheriatin islam, dëshmia e armiqve të tij për zhvillimin dhe vazhdimësinë e tij, si dhe fakti që kundërshtarët e tij e pranuan vitalitetin dhe amshueshmërinë e tij. Për ju të cilët bindeni në argumentet e perëndimorëve do t'jua sjellim disa mendime të shkencëtarëve jomuslimanë, të cilët kanë folur rreth amshueshmërisë së mësimeve të sheriatit?
Transmeton prof. Gustav Leboni thënien e prof. Libirit: "Po të mos u paraqiteshin arabët në histori, zhvillimi i Evropës bashkëkohore do të mbetej mbrapa për disa shekuj".
Profesor Line Poli, ne librin e tij ''Arabët në Spanjë''; thotë: "Evropa analfabete ishte e zhytur në injorancë dhe dekadencë, ndërsa Endelusi (Spanja) ishte prijës i dijes-shkencës dhe i kulturës botërore'.'.
- Iljas Ebu Shebekeh, në librin e tij "Lidhjet e rezonimit dhe ato shpirtërore ndërmjet arabëve dhe evropianëve'' ; thotë: "Largimi i civilizimit arab nga Spanja dhe Evropa ka qenë fatkeqësi e madhe; Endelusi nuk ka pasur lumturi, përveçse kur ka qenë nën sundimin arab, ndërsa me largimin e arabëve atë e goditi shkatërrimi në vend të begative, të bukurive dhe të bollëkut...".
- Sidloti, ne librin e tij `Historia e arabëve'; ka thënë: "Muslimanët në shekujt e mesëm kanë qenë të vetmit që merreshin me shkencë, filozofi dhe art, duke i përhapur kudo që u ka shkelur këmba; nga ata kanë depërtuar shkenca, filozofia e arti deri ne Evropë dhe se arabët kanë qenë meritorë për ngritjen dhe zhvillimin e Evropës".
Shumica e njerëzve të arsimuar e dinë dëshminë e filozofit të njohur anglez Bernard Shaw. Ja se çfarë ka thënë: "Pa dyshim feja e Muhamedit gjendet në pozitë fisnike, ngase në vete përmban gjallëri të madhe dhe se është feja e vetme e cila i mban nën kontroll lëvizjet në të gjitha etapat e ndryshme të jetës. Mendoj se është obligim që Muhamedi të quhet si "shpëtimtar i njerëzimit". Nëse do të ekzistonte dikush i ngjashëm me të e të udhëhiqte si ai, e gjithë bota bashkëkohore do të kishte sukses dhe do t'i zgjidhte problemet e veta.-.. ".
Këto thënie dhe thëniet të tjera të ngjashme ia bëjnë të qartë çdokujt që mendon dhe i pranon argumentet se sistemi dhe programi i fesë islame është shumë i fuqishëm dhe civilizues; ka parime zhvillimore gjithëpërfshirëse dhe mësime të gjalla e të përhershme. . .
3. Pasi që Sheriati islam është ligj i Allahut xh.sh., si ligj gjithëpërfshirës, si ligj që përkrah modernizimin dhe vazhdimësinë, vallë, a thua këto parime gjithëpërfshirëse, këto rregulla modernizuese janë vetëm ide dhe teori të shkruara nëpër libra, apo janë ligje të vërtetuara e të praktikuara nga umeti të cilat vërehen me anë të syrit?
Kësaj pyetjeje do ti përgjigjemi me thënien e dëshmorit të islamit, Sejid Kutubi (Allahu e mëshiroftë), i cili thotë: "Ka ngadhënjyer Muhamedi i biri Abdullahut qysh në atë çast kur ka ngulitur te sahabët e tij gjallëri me besimin e tij... si njeri ka ngrënë ushqim, ka ecur nëpër tregje; ka ngadhënjyer ditën kur secili prej sahabëve ka anuar nga vlera e Kur'anit dhe gjallëria e tij kudo në tokë. Ditën kur çdonjëri prej tyre bëhet model për personifikimin e islamit; njerëzimi duke i parë ata e sheh edhe islamin. Vërtet vetëm tekstet (ajetet dhe hadithet) nuk mund të bëjnë asgjë, vetëm Mus'hafi nuk do të mund të bënte asgjë si i vetëm, pa e zbatuar dikush atë në praktikë; parimet e islamit nuk do të mund të jetonin të vetmuara, pa i zbatuar ato në praktikë.
Nga e gjithë kjo na del në pah se qëllimi i parë i Muhamedit s.a.v.s. ka qenë që të krijojë njerëz e jo vetëm t'i këshillojë, të formësojë ndërgjegjen e njerëzve e jo që të mbajë ligjërata, që të formojë shoqëri e jo të vendosë filozofi; ndërsa sa i përket vetë idesë, përsipër e ka marrë Kur'ani, ndërsa Muhamedi s.a.v.s. është angazhuar që idenë ta hedhë në mesin e njerëzve, ashtu që ata ta praktikojnë e ta shohin me sytë e tyre. . .
Pa dyshim se ka ngadhënjyer Muhamedi, i biri i Abdullahut s.a.v.s., qysh nga dita kur islamin e ka ngulitur në njerëz dhe të tillët nga besimi i tyre e kanë praktikuar. Janë shtypur në fillim me dhjetëra mus'hafe, ndërsa pastaj me qindra e mija kopje, por ato nuk janë shtypur vetëm në fletë të shkruara, ngase drita e faqeve të mus'hafeve ndriçon zemrat e njerëzve, realizimi i mus'hafeve është bërë në atë mënyrë që njerëzit i kanë zbatuar udhëzimet në praktikë, e cila është vetë islami, e të cilën fe njerëzve ua ka sjellë Muhamedi, i bir i Abdullahut s.a.v.s., nga Allahu".
Ai, i cili dëshiron të ketë njohuri rreth edukatës së gjeneratës së parë-sahabëve të të Dërguarit s.a.v.s. dhe atyre që kanë ardhur pas tyre, le ta lexojë historinë ku do të mësojë shumë gjëra të dobishme dhe veti të tyre fisnike.
Vallë, a di që në këtë botë është dikush më fisnik sesa sahabët, më të mëshirshëm se ata, më madhështorë se ata, më progresivë dhe më të dijshëm sesa ata?!
Mjafton që për pozitën dhe vlerën e tyre ka folur Kur'ani madhështor, duke thënë: ''Muhamedi është i Dërguari i Allahut, ndërsa ata gë janë me të (sahabët) janë të
ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet veti, ti i sheh ata kah përulen (në ruku), duke rënë me fytyrë në tokë (sexhde), e kërkojnë prej Allahut që të ketë mëshirë dhe kënaqësinë e Tij ndaj tyre. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e gjurmës së sexhdes. . . ''.
''Ata flinin pak natën. Dhe në syfyr (kah mbarimi natës) kërkonin falje për mëkate. Dhe në pasurinë e tyre kishin përcaktuar të drejtë për lypësin dhe për të ngratin (që ka nevojë, por nuk lyp). ''.
"Edhe ata që e përgatitën vendin (Medinën) e besimin para tyre, i donin ata që shpërnguleshin tek ata dhe nuk ndienin në gjokset e tyre ndonjë nevojë (për zili a tjetër) nga ajo që u jepej atyre (muhaxhirëve); madje, edhe sikur të kishin vetë nevojë për të, ata u jepnin përparësi atyre para vetes. Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, i tilli është i shpëtuar.'' .
`'Prej besimtarëve kishte burra që e vërtetuan besën e dhënë Allahut, e disa prej tyre e realizuan premtimin duke dhënë jetën dhe ka prej tyre që qëndruan duke pritur (ta zbatojnë) dhe ashtu nuk bënë kurrfarë ndryshimi''.
Kjo është me e pakta që u përmend nga e shumta që është zbritur për vlerën e sahabëve dhe bukurinë e lavdërimit ndaj tyre; vlera e këtyre u pa kur ata formuan shoqëri shumë të begatshme, e cila ishte ëndërr e shumë mendimtarëve e filozofëve që nga kohët e hershme. . .
E si të mos jenë shembull, kur dihet se kadiu në kohën e sahabëve brenda dy vjetëve nuk e ka pasur asnjë njeri për ta gjykuar?! E si të përleshen ata mes veti kur në duart e tyre ishte Kur'ani? Pse ata të mos pajtoheshin mes veti kur ua dëshironin vëllezërve të tyre nga feja atë që ia dëshironin vetes së tyre? Pse ata të jetë të pezmatuar mes vete, teksa islami i urdhëron që ta duan njëri-tjetrin e të vëllazërohen, duke i nxitur që të jenë të mëshirshëm mes vete dhe të jenë vetëmohues?
Po jua sjellim atë që e ka thënë sahabiu i nderuar, Abdullah ibn Mesudi r.a., për meritat dhe begatitë e shumta të sahabëve dhe obligimin e marrjes shembull nga veprat e tyre të mira e nga morali i tyre fisnik... Kush dëshiron që të marrë shembull nga dikush, le të marrë shembull-model në shokët e të Dërguarit s.a.v.s., të cilët kanë qenë gjenerata më e devotshme e këtij umeti, më të thelluarit në dije, që kanë shkaktuar më së paku vështirësi, më së miri kanë ditur të udhëzojnë, gjendja e tyre ka qenë më e mira. . . i ka zgjedhur ata Allahu xh.sh. që të jenë shoqërues të të Dërguarit s.a.v.s. dhe zbatues të fesë se Allahut xh.sh., andaj kuptojeni vlerën e tyre, ndiqni Fjalët dhe veprat e tyre, sepse ata kanë qenë ne rrugë të drejtë".
4 - Gjeneratat muslimane gjatë shekujve marrin shembull nga vlera e sahabëve, mbushen me dritë nga drita e tyre e fisnike, i përmbahen programit të tyre edukativ dhe ecin sipas mënyrës se tyre për të arritur famë - autoritet... derisa vjen koha që pushteti islam të mos udhëheqë shoqërinë islame dhe të zhduken shenjat e hilafetit islam në tokë, ashtu që t'u mundësohet armiqve të islamit që t'i arrijnë qëllimet e tyre të këqija e shkatërruese, duke e shndërruar boten islame në popuj të shkapërderdhur e të përçarë, në shtete të armiqësuara mes veti... duke e ndjekur pasionin, duke u dhënë pas lakmisë së tepërt, duke i shkatërruar rregullat e parimet, duke shkuar pas epsheve e kënaqësive, duke nxituar kah punët e ndyra e pornografia, duke lëvizur pa e ditur cakun e qëllimin, jetojnë duke mos u angazhuar që të jenë shoqëri të vlefshme, autoritare, të bashkuara e duke qenë pa kurrfarë strukture... mendojnë se janë bashkë, por zemrat e tyre janë të përçara, mendojnë se janë të forte, por realisht ata janë si shkuma e lumit... derisa është arritur tek ajo që reformatorët dhe thirrësit ne islam t'i humbin shpresat e të bëhen pesimistë, ashtu që të fillojnë të binden se më nuk ka mundësi të përmirësimit të këtij umeti dhe se nuk ka shpresa që këtij umeti t'i kthehen fama-autoriteti, qënësia e krenaria... arrihet deri tek ajo sa ka prej thirrësve islamë që bëjnë thirrje për abstenim të plotë nga thirrja për përmirësimin e umetit; kërkojnë që të izolohemi ne shtëpi, duke menduar se ka ardhur Fundi i kësaj bote, se është afruar koha që muslimani të dalë i vetmuar me bagëtitë e tij ne male vetëm e vetëm që të largohet për ta ruajtur fenë e tij nga fitnet e shumta.
Kjo paraqitje pesimiste ka si burim tri shkaqe:
- Injoranca dhe mosdija për natyrshmërinë e kësaj feje,
- Dashuria ndaj kësaj bote dhe urrejtja e vdekjes,
- Moskuptimi i qëllimit për çka është krijuar muslimani.
a. Ditën kur ta kuptojnë muslimanët se vërtet islami është fe stabile, e forte dhe se sllogan ka: `'E ju përgatituni sa të keni mundësi, force … .''.
Ditën kur të kuptohet se vërtet islami është fe e dijes dhe e shkencës dhe se sllogan ka `'Dhe thuaj: Zoti im shtoma diturinë"
Ditën kur të kuptohet se islami njeriun e ka konsideruar si mëkëmbës të Allahut ne tokë, i cili e ka të drejtën e kontrollit e të shfrytëzimit të begative të tokës dhe të drejtën e zbulimit të çdo fshehtësie të saj, e që për këtë e ka slogan: `'Ai është që ju ka bërë mëkëmbës në tokë"
Atëherë kur të kuptohet se islami e ka respektuar njeriun dhe se e ka dalluar nga të gjitha krijesat që i ka krijuar Allahu; që njeriu t'i kuptojë përgjegjësitë e veta dhe që ta kryejë detyrën që i është besuar atij dhe se për këtë është slogani: "Ne, vërtet, nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), ua mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam ".
Ditën kur ta kuptojnë se islami e konsideron njeriun përgjegjës për logjikën e tij, për shqisat e tjera, nëse ai i ka keqpërdorur dhe se për këtë sllogani është: " Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, sepse për të dëgjuarit, për të parët dhe për zemrën, për të gjitha këto ka përgjegjësi "
Atë ditë kur muslimanët ta kuptojnë se çdo gjë është në qiej e ne tokë është e krijuar për njeriun dhe se slogan për këtë është: " Dhe për ju nënshtroi gjithë çka në qiej dhe ç'ka në tokë. . . "
Ditën kur ta kuptojnë muslimanët se Islami është fe, e cila kërkon studimin dhe rezonimin në krijimin e qiejve dhe tokës për të arritur tek e vërteta e pamohueshme dhe se për këtë slogani është: "Thuaj: Vështroni me vëmendje se ç'farë ka (nga argumentet) në qiej dhe në tokë. . . "
Ditën kur ta kuptojnë se islami është fe që kërkon punë, aktivitet dhe gjallëri dhe se për këtë sllogani është: " Ai është që jua bëri tokën të përshtatshme; andaj, ecni nëpër të dhe shfrytëzojini begatitë e Tij, meqë vetëm të Ai është e ardhmja ".
Ditën kur muslimanët ta kuptojnë se islami e ka ndaluar pesimizmin dhe humbjen e shpresës dhe se sllogani për këtë është: " : . . sepse vetëm populli jobesimtar e humb shpresën nëAllahun ".
Ditën kur muslimanët të kuptojnë se Islami është fe e krenarisë, e fisnikërisë dhe se me to duhet të zbukurohen muslimanët, se duhet ta ngritin flamurin e tyre në botë dhe se për këtë sllogani: ". . . Ndërsa e tërë krenaria i takon Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por hipokritët këtë nuk e dinë ".
...ditën kur muslimanët ta kuptojnë kështu fenë e tyre dhe kur ta njohin njerëzit - thirrësit ne islam - natyrshmërinë e kësaj feje, të vërtetën e islamit, duke mos pasur ne vete kurrfarë pesimizmi, por të angazhohen për ta kryer misionin e thirrjes, modernizimit dhe ndërtimit... duhet që të kthehen te gjenerata e mëparshme, që ishin prijës të botës, udhërrëfyes të shumë shoqërive, kandila me shkëlqim ndriçues në errësirat e jetës. . ., ngase njerëzimi merr mësim nga shkencat e tyre, nga njohuritë e civilizimi i tyre shekullor, derisa Allahu ta trashëgojë tokën dhe gjithçka që ndodhet në të.
b. Ditën kur të çlirohen myslimanët - kur të bëhen prijës të tyre dijetarët dhe thirrësit në rrugën e Allahut - nga dashuria ndaj kësaj bote, bindja ne vlefshmërinë e saj, kënaqësinë dhe dëshirën e madhe për t'i shijuar kënaqësitë e kësaj bote... të bëhen të atillë që t'i udhëzojnë njerëzit, ta modernizojnë shoqërinë, të angazhohen për ta zbatuar ligjin e Allahut ne tokë. . . brenga më e madhe e muslimanëve duhet të jetë arritja ne shkencë dhe arritja e qëllimeve të larta.
Ditën kur muslimanët të çlirohen nga pabesia, frika, urrejtja e vdekjes dhe të binden se furnizimi rrjedh prej Allahut xh.sh.; se Ai që mund t'i sjellë dëmin e dobinë është Allahu; se fatkeqësitë që i godasin muslimanët nuk janë pasojë e mëkatit të tyre; se gabimet e tyre nuk janë shkaktare që ata të pësojnë fatkeqësi, ngase, sikur i gjithë njerëzimi të mblidhej për t'iu sjellë dobi atyre, nuk do të mund të bënin kurrfarë ndihme në këtë drejtim dhe sikur të gjithë të tuboheshin për t'iu shkaktuar dëm atyre nuk do të mund të bënin gjë, përveç asaj që e ka përcaktuar Allahn.
...Ditën kur të binden muslimanët për këto çështje dhe të çlirohen nga këto shkaqe të dobësimit e të plogështimit, në momentet kur t'u shpjegohet njerëzve islami, si në aspektin e edukimit, udhëheqjes dhe modernizimit... kur të jenë guximtarë, ta kryejnë misionin e tyre, duke u thirrur në rrugën e Allahut e pa iu frikësuar askujt, përveç Allahut xh.sh. Duhet të jenë të bindur plotësisht se Allahu xh.sh. është Ai i Cili do t'iu ndihmojë atyre, do t'ua mundësojë që ta udhëheqin tokën, do t'ua largojë frikën dhe do t'ua sjellë sigurinë, do ta largojë përçarjen dhe do t'i bashkojë. E gjithë kjo për Allahun xh.sh. është çështje e lehtë, nëse muslimanët i përmirësojnë qëllimet e tyre, i kryejnë obligimet e tyre me vendosmëri dhe çlirohen nga pesimizmi, frika e lakmia!
c. Ditën kur muslimanët ta kuptojnë se ata janë krijuar në këtë botë për një qëllim të lartë e fisnik, të cilin e ka përcaktuar Allahu xh.sh. në Kur'an: "Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër, pos që të më adhurojnë ".
Por, a thua çfarë është ky ibadet që po e kërkon prej nesh Allahu xh.sh. dhe për të cilin po na urdhëron e na nxit në të?
Me këtë ibadet nënkuptohet nënshtrimi e ndjekja e programit të Tij dhe rrugës së Tij të drejtë.
Vërtet ky është amaneti, të cilin ua paraqiti Allahu xh.sh. qiejve, tokës dhe maleve, por që të gjithë e refuzuan këtë barrë nga frika se nuk do të mund ta kryenin.
Pa dyshim se ibadeti është një obligim i vazhdueshëm me qëllim që te njerëzit shmanget adhurimi ndaj njerëzve dhe të kthehet në adhurim ndaj Allahut xh.sh.; që të nxirren nga brengat e kësaj bote në qetësi, nga despotizmi i feve në drejtësinë e fesë islame.
Ibadeti-adhurimi është një dhuratë nderimi për Allahun, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët.
Adhurimi është edhe refuzimi i ideve dhe mendimeve që nuk përputhen dhe nuk burojnë nga sheriati islam.
Pra, kjo është një detyrë e muslimanit në tokë dhe është gëllimi kryesor pse jeton muslimani... Muslimani duhet ta ofrojë angazhimin e tij në respekt Allahut xh.sh. të Dërguarit të Tij. Besimtari, duke e adhuruar Allahun xh.sh., në momentin kur e pranon amanetin si besimtar, i vendosur dhe i sinqertë, i ka bërë ibadet Allahut xh.sh.; kur njeriu nuk pranon asnjë udhëzim, përveç udhëzimit të Allahut, kur nuk pranon asnjë ligj, përveç ligjeve të Allahut xh.sh., atëherë ai i ka bërë ibadet vetëm Allahut xh.sh. Po ashtu, kur njeriu vazhdimisht angazhohet që t'i largojë njerëzit nga adhurimi i njerëzve dhe t'i orientojë në adhurim ndaj Allahut xh.sh., nga brengat e kësaj bote në qetësi dhe nga despotizmi i feve në drejtësinë e fesë islame, i ka bërë ibadet Allahut.
Përveç kur njeriu shkon pas kënaqësive të kësaj bote, bëhet rob i pasionit, rob i shejtanit, rob i pesimizmit dhe i mosangazhimit... ecën duke mos pasur cakun se ku do të shkojë, lëviz i paudhëzuar dhe bën pengesa pa kurrfarë argumenti... Allahu xh.sh. thotë: "Vallë; a është ai që ishte i vdekur, kurse ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë, me të cilën ecën mes njerëzve, si ai që ka mbetur ne: errësirë (i humbur) dhe nuk mund të shpëtojë nga ajo? Ja, kështu (si këtij në errësirë) iu duket mirë mohueseve ajo që bëjnë"'.
Atëherë, le ta dinë muslimanët natyrshmërinë e fesë së tyre, le të çlirohen nga lakmia për këtë botë dhe nga urrejtja e vdekjes.
Le ta dinë qëllimin pse janë krijuar dhe sipas qëllimit të tillë të jetojnë.
Kështu duhet të veprojnë derisa të zgjohen duke punuar sipas islamit përsëri, ta kthejnë krenarinë e tyre, qëndrimet e tyre serioze, fuqinë e tyre të madhe, bashkimin e tyre të plotë. E gjithë kjo për Zotin është e lehtë.
5. Por, cila është rruga e përmirësimit? Cila është fillesa e vërtetë e formimit të shoqërisë së dobishme? Cilat janë detyrat me të cilat ngarkohen prindërit, edukatorët, njerëzit e përmirësimit në këtë kohë? Të gjitha këto pyetje në realitet sillen rreth një pikënisjeje dhe një qëllimi final.
Sa i përket asaj se çdo gjë sillet rreth një pikënisjeje: vërtetë çdokujt që i intereson çështja e përmirësimit dhe çështja e edukimit, e jep mundin e tij për ta ndryshuar këtë gjendje të dhimbshme, të cilën e kalojnë shumica e njerëzve. Po ashtu secili duhet ta harxhojë çdo gjë që e ka dhe t'i përdorë të gjitha mjetet e mundshme vetëm e vetëm që ta shohë këtë shoqëri ne një shkallë të ndritshme dhe në një jetë të qetë e të begatshme.
E sa i përket faktit se çdo gjë e ka një qëllim final: çdokush që është i angazhuar në fushën e edukimit, të udhëheqjes dhe të përmirësimit duhet të mobilizohet me të gjitha forcat, ti përcaktojë vendimet për ta ngritur shoqërinë e begatshme, për ta formuar një shoqëri të fuqishme me plot iman, të fuqishme me moral, të fuqishme fizikisht, të fuqishme në shkencë dhe të fuqishme shpirtërisht... kjo bëhet vetëm e vetëm që të arrihet fitorja e plotë, bashkimi i forte dhe autoriteti i madh!
Mirëpo, cilat janë rrugët për t'i arritur të gjitha këto? Cilat janë mjetet që duhet të praktikohen dhe cilat janë etapat në kuadër të të cilat duhet të zbatohen këto mjete?
Përgjigjja e gjitha këtyre çështjeve mund përfshihet vetëm me një fjalë, ndërsa ajo është `Edukata':
Kjo fjalë në vete ka shumë kuptime të gjera dhe të plota! Ndër kuptimet e kësaj fjalë janë: edukimi personal, edukimi i fëmijëve, edukimi i shoqërisë, edukimi i njeriut... dhe në secilin nga këto shpjegime ka nëngrupe dhe lloje të ndryshme, por që të gjitha kanë qëllimin parësor e final vetëm formimin e një shoqërie të begatshme dhe të një bashkësie shembullore.
Sa i përket edukimit të fëmijëve ekziston një nëndegë e edukimit personal, për të cilën gjë angazhohet feja islame, në mënyrë që ta përgatisë dhe ta formojë atë që të mund të jetë një prej më të dobishmeve, një njeri të mirë gjatë jetës.
Mirëpo, edukimi i fëmijës nëse është kryer si duhet dhe nëse është udhëzuar mirë, atëherë është arritur qëllimi i vetëm, i cili është formimi i personit të dobishëm, përgatitja e tij për t'i zbatuar obligimet dhe përgjegjësitë e jetës.
6. Dhe ky libër, i cili është para teje lexues i nderuar, e shpjegon programin e përsosur dhe patëmetë për edukimin e fëmijëve në islam... në momentin kur të jepet mundësia e leximit të këtij libri do ta kuptosh se tiparet e sheriatit islam janë tipare gjithëpërfshirëse dhe se janë të atilla që i mundësojnë njeriut lumturi në besimin e tij, në këtë botë dhe në botën tjetër. Po ashtu do të të bëhet e qartë se islami e ka metodën e vet për edukim dhe modernizim... Në rastin kur edukatorët t'i përmbahen programit islam, atëherë do të jetë e mundur për umetin që të këtë stabilitet, siguri dhe lumturi në vend të anarkisë, frikës dhe mungesës së lumturisë. . . Ka për t'u bërë e qartë se islami është fe e jetës, fe e humanitetit, fe e diturisë, e edukimit dhe e modernizimit. Kur njerëzit udhëzohen me islamin, e marrin islamin si mbrojtës dhe shteti punon me ligjet islame, atëherë botën do ta udhëheqë paqja, ndërsa shoqëritë do të jenë të begatshme e të dobishme, të gjitha këto do të shihen qartë me syrin e rëndomtë dhe se njerëzit do të qëndrojnë nën hijen e islamit të lumtur e të sigurt!
Përse?.. Sepse Islami është fe e Krijuesit të të gjitha botëve, mesazh i të Dërguarit s.a.v.s., ligj gjithëpërfshirës dhe i përsosur, për të cilin është i kënaqur Allahu xh.sh. që kjo fe të jetë kushtetutë e program jete për njeriun.
7 - Njëra prej vërejtjeve është se biblioteka islame është e varfër ne aspektin e shkrimeve për edukimin e fëmijëve në islam. Deri tash nuk kam gjetur gjatë gjurmi meve dhe studimeve libër gjithëpërfshirës dhe të veçantë që është shkruar për edukimin e fëmijës nga lindja e deri në vitet e tij kur ai do t'i bartë obligimet dhe përgjegjësitë, përveç librit të Ibn el-Kajjim el-Xheuziut Tuhfetu-l-Mevdudi fi Ahkamil Meuludi, ne të cilin flitet për lindjen e fëmijës dhe dispozitat që kanë të bëjnë me lindjen e fëmijës. Pa dyshim prej këtij libri kam pasur dobi të shumta kur e kam shkruar kapitullin e parë të pjesës së trete të këtij libri. Allahu e shpërbleftë me shpërblimin më të mirë dhe e gradoftë me gradën më të lartë në xhenet.
Allahu e di se sa mund kam harxhuar për këtë libër, sa burime i kam konsultuar, për t'ua mundësuar lexueseve një libër që, në mënyrë të veçantë, i shtjellon temat që kanë të bëjnë me edukimin e fëmijës prej lindjes deri në moshën e pubertetit dhe më tutje edhe deri ne moshën kur ai t'i marrë obligimet e përgjegjësitë... Po ashtu në këtë libër është shpjeguar programi, të cilit duhet t'i përmbahen prindërit, edukatorët dhe kushdo që është i obliguar për të udhëzuar e edukuar.
Falënderojmë Allahun e Lartësuar për faktin se libri që është para jush e ka arritur qëllimin kryesor. Me këtë nuk pretendojë se libri është i përsosur, i patëmetë e pa gabime, por shpresoj, duke e lutur Allahun xh.sh., që ky të jetë një fillim motivues për studiuesit islamë të kësaj kohe që të shkruajnë dhe të shpjegojnë lidhur me këtë fushë shumë të rëndësishme, duke i sqaruar e duke i shpjeguar metodat dhe programet e edukimit të fëmijës, me shpresë që pas një kohe të shkurtër të shohim se si bibliotekat islame do të mbushen me libra e me punime në fushën e edukimit... Shpresojmë që ky libër të jetë një literaturë e dobishme për ata që mendojnë të shkruajnë e të studiojnë në fushën e edukimit dhe të formimit të fëmijës si një musliman i përpiktë shpirtërisht, moralisht dhe intelektualisht... Shpresojmë që një ditë studiuesit të ndihmohen mes veti për të shkruar më shumë në fushën e edukimit islam, ashtu që ta kryejnë detyrën dhe obligimin e tyre në këtë sferë... që t'ua bëjnë të qartë gjeneratave të sotme rrugën e arritjes së krenarisë e të fuqisë; që t'ia shpjegojnë çdokujt se cilat janë mënyrat e mjetet praktike për t'u bërë një shoqëri e begatshme dhe se si të formohet gjenerata që do të jetë shembull për të gjithë.
8 - E kam parë të arsyeshme që librin "Edukimi i femijëve në islam " ta ndaj në tri pjesë dhe që në secilën pjesë të këtë kapituj të ndryshëm, ndërsa në çdo kapitull të trajtohen tema e çështje të shumta.
Temat kryesore të këtij libri janë si vijon:
Pjesa e parë:
Kapitulli i parë: Martesa shembullore dhe lidhja e saj me edukimin.
Kapitulli i dytë: Ndjenjat shpirtërore ndaj fëmijëve.
Kapitulli i tretë: Dispozitat e përgjithshme që kanë të bëjnë me fëmijën e lindur. Ky kapitull përmban këto tema:
- Çfarë duhet të bëjë edukuesi kur të linde fëmija,
- Dispozitat e emërtimit të fëmijës,
- Dispozitat e të prerit kurban për fëmijën,
- Dispozitat e synetisë se fëmijës.
Kapitulli i katërt: Shkaqet e devijimit të fëmijëve dhe mënyra e trajtimit të devijimeve.
Pjesa e dytë:
Kapitulli i parë: përgjegjësitë e edukimit për besim.
Kapitulli i dytë: përgjegjësitë e edukimit moral.
Kapitulli i tretë: përgjegjësitë e edukimit fizik.
Kapitulli i katërt: përgjegjësitë e edukimit mendor.
Kapitulli i pestë: përgjegjësitë e edukimit shpirtëror.
Kapitulli i gjashtë: përgjegjësitë e edukimit social.
Kapitulli i shtatë: përgjegjësitë e edukimit seksual.
Pjesa e tretë:
Kapitulli i parë: Mjetet e edukimit efektiv.
Kapitulli i dytë: Rregullat themelore për edukimin e fëmijës.
Kapitulli i tretë: Rekomandimet edukative të cilat patjetër duhet të merren parasysh.
Në fund: Si zakonisht pason përfundimi.
Ky është në vija të shkurtra libri dhe përmbajtja e tij e përgjithshme. Lexues i nderuar, ti do të kesh mundësi që të gjesh ne këta kapituj tematika shumë të rëndësishme e të dobishme. Të gjitha kanë për qëllim të ta sqarojnë programin më të mirë e më të qëndrueshëm për edukimin e fëmijëve dhe përgatitjen e tyre që të jene pjesë e dobishme e shoqërisë, ushtarë të fuqishëm e të pathyeshëm për islamin, ashtu që të rinj e të moshuar ta bartin në shpirtin e tyre kuptimin e fisnikërisë, të sakrificës dhe të dhënies së jetës për liri.
Dhe, në fund, e lus Allahun xh.sh. që këtë punë timen ta pranojë si të sinqertë, të bërë vetëm për hatër të Tij, që ta pranojë ditën kur të takohemi me Allahun, që ta e bëjë këtë libër të dobishëm për njerëzit, shkëndijë drite dhe udhëzim për secilin që dëshiron të jetë në rrugën e drejtë (në fenë islame). Më së miri është që të shpresohet në Allahun dhe është Ai që përgjigjet në mënyrën më të mirë.
Our Lord! Grant unto us wives and offspring who will be the comfort of our eyes, and give us (the grace) to lead the righteous