Det i rrëmbyeshëm. Erë e ftohtë. Frymë e furishme. Tundues në midis të detit të hapur. Herë djathtas, shpresa kur sheh brigjet. Herë majtas, frika nga përplasja. Përpara, një rrugë e gjatë. Atje larg, ku gjurmë s’ka më. Mbrapa, një udhëtim pa mbarim, përpara duke lundruar. Një zjarr i largët. Ishte dielli që po perëndonte. Thellësi. Errësirë palë-palë. Mbetje. Në barkë. Deti, kur frikën të ndjell, një shpresë të lind. Mes së djeshmes dhe të nesërmes, frikë që nuk zgjon, e shpresë që lakminë s’ta vdes!
Ç’bëhet! Çfarë po ndodh me atë udhëtar, në midis të detit i ngecur! Nuk është prej atyre që ka guxim të kthehet. Jo, guximi për të ndryshoi kuptim. Kjo është sakrifica, apo harrove kur trimërisht e me dashuri për të flisje! Qëndrueshmëria nuk të le të hidhesh. S’ke frikë nga ajo çfarë mban deti në gjir të tij. Jo, frika nuk ekziston për atë që fytyra e tij është drejtuar. Një drejtim që s’pret faqe tjetër qielli. Jo, nuk pret më vijë të murrmët. Kur qielli prej detit ndahet. Qielli për të është strehë. E uji lundrues në horizont përplot gjurmë.
Po tundohet. Po shtrembërohet. Po lëvizë në anë të panjohura. Po anon. Ç’u bë! Shpëtim, kur brigjet të prekin trupin me shpirt të ngritur në qiell, apo kur një dritë e kuqërremtë të drejton rrugën, aq më tepër i afrohesh, shkëlqimi i saj në sosje sikur prej detit gëlltitet. Gjë që flet e ti ndaj të folurës së saj i shurdhët. O ç’pret kur edhe gjësë që soset gojë njeriu do t’i vihet! Lëvize apo ndalove, po të pret një fund me fillim të pasosur.
Barkë e humbur, apo njeri i pavendosur! Çdo valë deti, një rënkim prej zemrës kumbon. Këmbët tua tokën ende s’po prekin. Je në një horizont të hapur, pa shtylla që duken. Ty të lundrojnë, ti s’po lundron. Barkë e det i zemëruar. Jo, zemër e trullosur me shpirt të plogësht. E përbiruar, pafundësi hutese. Vrimë e zezë, nga pikat e detit barkën po të rëndojnë. Mos zemra është mbushur me atë ujë të njelmët, i kriposur, pikat e zeza për t’i flak, pasardhës të paditurisë, epshit e lakmisë. Apo, barka do fundoset! Gëlltitje e pakthyeshme. Edhe sikur gishti yt tregues të dëshmonte!
S’të bën dobi vija e murrmët, kur qielli prej detit ndahet, nëse shpirti në trup e nënshtruar ndaj Krijuesit të vet nuk kthehet. Është kthyer, por tokës, adhurues e nënshtruar asaj e ribërë. Aq më shumë kupa qiellore po zgjerohet, aq më shumë shpirti yt po ngushtohet! Zgjohu, para se qielli prej detit të ndahet. Para se qielli strehë, i vrenjtur kundër teje të bëhet! Para se erërat e furishme prej brigjeve të të largojnë. Para se barka prej tundimeve në thellësitë e detit të të zhyt!
Avni Tafili/zgjim.org/