Pejgamberi i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë;
"Përkujtoni shpesh shkatërruesin e kënaqësive d.m.th. vdekjen." 1
Përkujtimi i vdekjes të largon nga mëkatet dhe e zbut zemrën e vrazhdë.
Nuk do të përkujtojë askush kur ka të këqija e që të mos i vijë më lehtë e as kur është mirë e që të mos i rëndohet.
Vdekja më së miri përkujtohet gjatë vizitës së varreve.
Për këtë,Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka urdhëruar që të vizitohen varrezat, duke thënë;
"Ua kam ndaluar vizitën e varrezave,prej tani vizitojini ato,sepse ajo jua zbut zemrat,jua loton sytë dhe jua përkujton ahiretin.Dhe mos flitni për të keq."2
Muslimanit i është e lejuar të vizitojë edhe varrezat e jobesimtarëve për të kujtuar vdekjen.
Këtë e vërteton hadithi në të cilin transmetohet se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem kishte vizituar varrin e nënës së tij, kishte qarë dhe i kishte shtyrë të qanin edhe ata që kanë qenë me të.
Ai kishte thënë;
"Kam kërkuar nga Zoti im që të më lejoj që të kërkoj falje për të dhe nuk më ka lejuar.
Dhe kam kërkuar që të më lejoj të vizitoj varrin e saj dhe më ka lejuar.
Pra vizitojini varrezat,sepse ato jua kujtojnë vdekjen."3
Vizita e varrezave është mjeti më i mirë për zbutjen e zemrës.
Ai që i viziton ka leverdi sepse i kujtohet vdekja,ndërsa të vdekurit kanë dobi prej duasë suaj, e cila është vërtetuar me sunet;
“Es selamu alejkum (shpëtimi qoftë mbi ju) banorë të varrezave,besimtarë dhe muslimanë,Allahu i mëshiroftë të parët dhe të fundit nga ne,edhe ne në dashtë Allahu,do t'ju bashkëngjitemi."4
Ai i cili dëshiron të vizitojë varrezat duhet të përgatitet me sjelljet e tij,të jetë i pranishëm me zemër,qëllimi i tij duhet të jetë arritja e kënaqësisë së Allahut dhe shërimi i zemrës,e pastaj të marrë shembull nga ata të cilët i kanë braktisur familjet e tyre.
Të përkujtojë ata të cilët kanë qenë para tij dhe kanë shkuar,të cilët kanë punuar dhe arritur pasuri,se si u janë ndërprerë shpresat e as pasuria nuk i ka ndihmuar.
Dheu ka mbuluar bukurinë e fytyrave të tyre,pjesët e trupave të tyre po shkatërrohen në varreza,pas tyre kanë mbetur gratë e veja,kurse fëmijët e tyre i ka kapluar mallëngjimi i jetimëve.
Varrezat vizitohen që t"i kujtohet vizitorit fatkeqësia e gabimeve dhe besueshmëria në shëndet dhe rini si dhe animi nga kënaqja e epsheve,ta kujtojë se edhe ai duhet të shkojë në atë rrugë.
Duhet të kujtojë e të mendojë mbi gjendjen e të vdekurve, se si u janë lëshuar këmbët,sytë u janë mbyllur,krimbat ua kanë ngrënë gjuhët e tyre,kurse dheu ua ka mbushur gojën.
Ai që e kujton shpesh vdekjen,ka tri të mira;pendohet shpejt,kënaqet me atë që ka dhe ka vullnet për adhurim.
Kurse ai që harron vdekjen,do të dënohet me tri gjëra: e vonon pendimin, është i pakënaqur me atë që ka dhe është përtac në adhurime.
Ajo që ndikon te njeriu është shikimi i vdekjes dhe i të vdekurit, sepse shikimi i të vdekurit apo frymëmarrjet e tij të fundit si dhe vuajtjet, ose të menduarit mbi pamjen e tij pas vdekjes, e largojnë atë nga epshet, e largojnë gjumin nga sytë dhe trupin nga qetësia e kësaj bote, e inspiron për punë dhe bëhet më i zellshëm.
Hasan el-Basriu ka shkuar ta vizitojë një të sëmurë dhe e ka takuar atë në frymën e vdekjes.
Ai ka shikuar vuajtjet e tij si dhe frikësimin e tij, se çfarë e ka kapluar, pastaj është kthyer tek familja e tij me ngjyrë të ndryshuar në fytyrën e tij.
E thirrën për të ngrënë bukë, kurse ai u tha;
"Hani e pini, se unë pasha Allahun e kam parë vdekjen dhe do të punoj për vdekjen derisa të takohem me të."5
Nga mjetet që i forcojnë ndjenjat për vdekjen është edhe falja e namazit të xhenazes, mbartja dhe përcjellja e saj deri te varri, varrosja e të vdekurit, duke e mbuluar atë me dhe.
E gjithë kjo ia kujton njeriut ahiretin, siç ka thënë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem;"Vizitoni të sëmurët dhe përcillni të vdekurit, do të ua kujtojnë ahiretin." 6
Përveç kësaj, përcjellja e xhenazes e ka shpërblimin e madh, siç thotë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem;
"Kush e përcjell xhenazen prej shtëpisë së saj (në një transmetim tjetër: Kush e përcjell xhenazen e një muslimani, me besim të plotë dhe duke shpresuar shpërblimin nga Allahu) e derisa t'i falet namazi i xhenazes, do të ketë shpërblimin e Kiratit, e ai i cili merr pjesë edhe derisa të varroset, do të ketë shpërblimin e dy Kirateve." As"habët pyetën;
“O i Dërguar i Allahut, ç" është Kirati?"
Është përgjigjur Pejgamberi salallahu alejhi ue selem: "Sikur dy kodra të mëdha." E në versionin tjetër qëndron: "Si kodra e Uhudit."7
Paraardhësit tanë të mirë, kur e shihnin dikë duke gabuar, do t"i kujtonin atij vdekjen.
Kështu, njëri prej tyre, në praninë e të cilit dikush kishte përgojuar dikë, i dha vërejtje tjetrit dhe e kërcënoi me fjalët;
"Kujtoje pambukun, kur do të ta vendosin në sy." d.m.th, kur do të të veshin qefinin.
Muhamed Salih El Munexhid
Përktheu dhe përshtati;Eroll Nesimi
Duaj sa te Duash,nji Dite do te Ndahesh,Jeto sa te Duash,nji dite do te Vdesesh,Vepro si te Duash,nji dite Do te japesh Llogari...???