Benachrichtigungen
Alles löschen

Mëkatimi ndaj Allahut Ademi dhe ne

1 Beiträge
1 Benutzer
0 Reactions
156 Ansichten
(@anonymous_1788263120)
Beiträge: 13309
Illustrious Member Guest
Themenstarter
 
[#2679]

Ademi është njeriu i parë që Allahu e ka krijuar në fytyrën e tokës. Është një krijim i çuditshëm, mirëpo kur është në pyetje fuqia e Allahut çdo gjë është e mundur. Ai u krijua nga dheu. Ky krijim është i udhëhequr nga thënia e Allahut: "Kun – Bëhu". Pas krijimit të Ademit, Allahu trupin e tij e gjallëroi duke e futur shpirtin në të. Urtësi dhe porosi të mëdha fshiheshin në këtë krijim, e më kryesorja prej tyre është: bëhu i qetë, i urtë, i përkulshëm dhe i dëgjueshëm sikur toka, ndërsa trupin tënd gjallëroje dhe udhëhiqe me urdhrat të cilat vijnë prej qiellit.

Allahu vendbanim ku do të jetonte Ademi ia dha xhenetin. Aty iu mundësua të jetonte së bashku me gruan e tij Havanë. Ai ishte një vend shumë i bukur. Ishte i pajisur me të gjitha të mirat me të cilat mund të kalonte një jetë të qetë e të lumtur çifti bashkëshortor. Ishte kopsht, i çili ishte i rrethuar me pemë të llojeve të ndryshme. Dhe mbi të gjitha ishte lumturia dhe kënaqësia që mbretëronte tek çifti bashkëshortor.

Mirëpo, nga e tëra kjo me të cilën ishte i pajisur Ademi, ishte e pranishme një gjë e cila Ademin e kishte futur në sprovë. Në mesin e të gjitha pemëve të cilat ishin të lejueshme për të, ndodhej një pemë e cila i ndalohej.

Kjo ishte një armë e fortë për djallin, i cili filloi ta përdor menjëherë që njeriun ta nxit që të mëkaton ndaj Krijuesit. Mendjemprehtësinë filloi ta përdor menjëherë që njeriun ta fus në lojën e mëkatit. Zgjuarsinë filloi ta shprehë ndaj pemës së ndaluar. U zgjua ambicia e tij që njeriun mos ta lërë në rrugën e respektit ndaj Krijuesit. I zgjeroi rrugët e dijes me fjalët miradije që do t’ia thoshte njeriut. E përgatiti terrenin për ta realizuar qëllimin e tij. Dhe në fund aktivitetin e vet e realizoi me sukses derisa njeriun e gjunjëzoi para mëkatit.

Kjo çështje e goditi Ademin, respektivisht hapat të cilat i ndërmori djalli për ta futur Ademin në mëkat i realizoi në mënyrë të suksesshme. E joshi Ademin me fjalët e tij zbukuruese. E bindi me premtimet e tija të rrejshme. E habiti me garancinë të cilën ia dha, derisa në fund e përkuli para mëkatit duke e bërë të zhveshur në mesin e vendbanimit të tij.

Mirëpo, Ademi u "zgjua" menjëherë nga kjo gjendje që u gjend. U kthjell nga kjo huti që e goditi. U pendua dhe kërkoi falje për gabimin e bërë; për mosrespektimin e urdhrit të Allahut dhe për rrëshqitjen në mëkatin e bërë. Mëshira e Allahut ndaj robërve të Vet është e madhe dhe kujdesi i Tij ndaj tyre është i papërshkrueshëm; ia fali gabimin Ademit dhe ia pranoi pendimin.

Ajo që e goditi Ademin, sot është duke na goditur edhe neve. Djalli është duke përdor mjete dhe metoda që është duke na e zbukuruar të keqen dhe po na fut rrugëve të saja. Të keqes i ka dhënë ngjyrë joshëse që është duke e tërheqë çdonjërin. Rrugët e së keqes është duke i shumuar dhe po i le në pritë të gjithsecilit, në mënyrë që të jenë afër njeriut dhe të mos mundet që të shpëton prej tyre. Çështjen e aktivitetit ndaj së keqes është duke e rrit ndërsa kufijtë e saj dukshëm i ka zmadhuar. Është bërë thirrës në të keqën dhe largues nga e mira. Pronar i të kotës e këshillues në të dhe pengues për në rrugën e drejtë.

Pamja e njeriut të sotëm bashkëkohor po na kujton në punën e pandërprerë dhe të palodhshme që djalli po e kryen ndaj tij. E ka larguar nga rruga e vërtetë dhe e ka futur në ëndrra dhe iluzione. E ka bërë pasues të epshit dhe e ka orientuar vetëm nëpër vepra çoroditëse. Interesimin e tij e ka bërë vetëm në ato çështje që i përshtaten epshit të tij dhe që janë ngacmuese për të riun. Atë e ka futur në botën e të keqes dhe sherrit, mirëpo ia ka mbyllur të gjitha dyert që të mos mundet ta sheh realitetin e as që të kthjellët për t’u penduar nga ajo që po pason. E humbi njeriun në të kotë dhe nuk po i jep mundësi që të takohet me të Vërtetën. Po e largon njeriun sa më tepër nga Islami, ngase nuk po do ta sheh atë respektues ndaj Allahut. Ia turbulloi njeriut trurin duke ia mbushur me kotësi, me qëllim që të mos mundet të përputhet ajo me udhëzimet e Zotit. E la të varur nga shpresa të kota duke e neglizhuar nga udhëzimi. E privoi nga Kur'ani duke e lënë pa udhërrëfyes dhe e la të vetëm që të bredhë rrugëve. Tërë këtë punë dhe mundim që po e bën djalli ndaj njeriut, është vetëm me një qëllim: ta largon sa më tepër nga rruga e Allahut.

Fakt ky, sot jemi dëshmitarë të rezultateve që i ka arritur djalli prej punës së vet. Jo vetëm që e ka larguar njeriun nga e Vërteta, por e ka bërë luftues ndaj saj, mohues të argumenteve dhe mosbindës për në rrugën e drejtë. Çështjen e Islamit nuk po e shohin ndryshe vetëm si çështje prapambetjeje dhe ngecjeje. Personalitetin e myslimanit nuk po e shohin si paqedashës dhe liridashës por si terrorist dhe fundamentalist. Çështjen e shtëpive të Zotit po e shohin si rrezik dhe po ndërmarrin masa për djegien e tyre. Mbulesa po u duket absurde e robëri dhe kinse po ndërmarrin masa për çlirimin e gruas nga robëria, kurse qëllimi i tyre është me prapavija tjera. Pra, e tërë kjo që po mbretëron është si rezultat i largimit të njeriut nga e Vërteta dhe për shkak të mospasjes mundësi (për shkak të ndikimeve të djallit) që të ushqehet me udhëzimet e të Vërtetës.

Jo vetëm kaq, mosrespektimi i urdhrit të Allahut dhe mëkatimi ndaj Tij është bërë normale, bile edhe vepër zbukuruese. Kjo po përcillet me anë të lakuriqësisë së gruas duke vallëzuar nëpër kënga të ndryshme apo me anë të trupit të saj si mjet reklame; pasimi i hapave të modave të huaja derisa njeriun po e nxjerr nga ai kallëp në të cilën e ka krijuar Allahu; marrja e të rinjve me vepra shfrenimi dhe degjenerimi derisa iu dha një ngjyrë nënçmimi dhe turpi; vrapimi pas vajzave të reja dhe kontaktet e fëlliqura me to derisa nderin e bëri të panjohur për ne…

Çështja e mosrespektimit nuk mbeti vetëm me kaq, por i zgjeroi kufijtë e saj edhe më tutje. Filloi të shfaqet me vepra që vërtet janë shqetësuese dhe brengosëse për myslimanin. Vepra që, jo vetëm që mohohet e Vërteta dhe nënçmohet personaliteti, por edhe bëhet tallje me të. Kjo është vepra e njerëzve të humbur të Danimarkës. Të cilët pa fije turpi dhe mareje bënë karikatura me personalitetin e të Dërguarit. Tërë këtë aktivitet duke e bërë nën moton “liria e të shprehurit”. Zgjerimi i kësaj nëpër media askujt nuk i pengoi dhe nuk ia vrau syrin.

Pra, nga e tërë kjo që e thamë, na bëhet me dije se kjo çështje në kohën që jemi duke jetuar, pra në kohën bashkëkohore është duke marrë hov të madh dhe përmasa të gjëra. Çdo gjë që po ndërmerret është në mosrespektim të Allahut dhe në thyerjen e urdhrit të Tij. Por, ajo që na brengos dhe e bën faktin e habitshëm është se, përveç se të huajt që janë ngritur edhe ne po marrim pjesë në këto vepra, në to po marrin pjesë edhe disa prej nesh, të cilët së bashku me të huajt janë bërë bashkëpunëtorë në këto aktivitete.

Pasi që Ademi gaboi ndaj Allahut dhe e theu urdhrin e Tij, ai menjëherë u pendua. Kurse ne, jo që nuk pendohemi por as që e vrasim mendjen në atë se kemi thyer ndonjë urdhër të Allahut. Si rezultat i kësaj, Ademit iu pranua pendimi dhe u bë i pastër, kurse ne mbetëm të zhytur në mëkate dhe të ngjyrosur me njolla të zeza si pasojë e punëve të këqija që po bëjmë.

Na mbetet që ta pasojmë rrugën e Ademit dhe të pendohemi se përndryshe...


 
Veröffentlicht : 04/05/2009 12:58 p.m.
Teilen: