Mbi optimizmin, shpresën dhe gjendje të tjera
Nuk mund ta them me siguri të plotë se, gjendja mbizotëruese në periferi është pasojë e një rastësie. Kryesisht, fjala është për rastësinë si fenomen dhe, specifikisht për rastësinë tashmë të mitizuar. Është me rëndësi të theksohet se çdo periferi i përket më shumë “harresës” se sa kujtesës; gjithnjë duke e parë kujtesën në kuadrin e një mikpritjeje, e cila mëton për një lidhje që sfidon rëndomtësirat e mërzitshme që, për “fat të keq” po shumohen zhurmshëm. Në njëfarë mase, dyshimi që shqetësonte banorët (ose të ftuarit) e këtij skaji, kishte pësuar njëfarë zhvendosjeje. Tashmë, orvatja është përqendruar për të vënë në dyshim qëllimin e përhapjes së dyshimit. Përse pra, nuk trokasin në derë, por e gërvishtin atë dhe ia mbathin pa lënë shenjë e nishan!? A nuk do të ishte më e fisme sikur fjala e parë të ishte një trokitje me ballë lart!? Dhe, këtu s’kemi të bëjmë me asnjë fije mendjemadhësie, e aq më pak me mburrje rrugicash, që, për nga ndikimi dhe jehona nuk zgjasin më shumë se sa perëndimi i diellit. .
Gjendja në të cilën mbizotëron dyshimi shpërshfaq faqe botës shumë të vërteta të domosdoshme, që, medoemos duhet të dihen; por, nga ana tjetër, duke patur kujdes ngjyresat mitizuese. Po ashtu, kjo gjendje, është një ndihmesë shtesë për të zbuluar ku rrahin dhe çfarë ndjellin. Dyshimi mbi ekzistencën e dyshimit është një udhë jashtëzakonisht e errët. Sido qoftë, çdo masë errësire ka fundin e saj shpresëndjellës dhe po aq poetik për nga doza e mbresëmbetjes. Errësira nuk është frymëmarrja e Sizifit, madje ajo nuk e lejon hijen e tij të duket qoftë edhe një herë të vetme. Në fakt, shpresa për të tejkaluar një zonë të caktuar errësire, në thelb është më e fuqishme dhe më mbizotëruese se çdo errësirë, bile edhe sikur të gjitha errësirat të tubohen sëbashku. Shpresa nuk ka burim vështirësinë, por bëhet edhe më ngadhënjyese përbrenda kur shfaqet pas vështirësive dhe vuajtjeve që rrjedhin për shkak të një kuptimësie që përfaqëson njeriu. Përndryshe, vuajtja që bart një logjikë njerëzore, është njëfarë termometri, ose një lloj kuti që shenjon (nuk është e thënë që -ndonjëherë- të mos gabojë) të vërtetën e shpresuesit dhe, disa herë edhe arsyen nxitëse. Obligmi i padokumentuar i shpresës (edhe pse në dukje krijon hamendësime) është tejkalimi, pra, thënë tjetërsoj, rendja drejt sigurisë që ajo premton.
Natyrisht, çdo nismë që shoqërohet me vrull, edhe nëse bëhet fjalë për vrullin e mirëkontrolluar, ka nevojë për maturi dhe, që kjo maturi të japë atë çfarë njeriu pret, duhet gjetur një pikë e cila të mban në lidhje, pra një pikë-mbështetje që luan rolin e vyer të përkujtuesit. Vetëm përkujtimi i herëpashershëm (i endur me fijet e bardha të urtësisë) ofron mundësinë e madhe për të mirëqartësuar dhe mirëforcuar synimin -ofron poashtu edhe shquarjen e pengesave që hasen në këtë rrugëtim-, pasi synimi është përcaktues i të gjithë veprimtarisë së njeriut. Në të vërtetë, duhen levizur të gjithë gurët që zotërojmë në mënyrë që synimi të mos mjerojë në pabotën e një synimi për hir të një synimi tjetër, ku nuk është paracaktuar ende asgjë, sepse, përtjetërsoj, puqen të gjitha konditat e shkarjes drejt një rrethi vicioz, ku dihet fare mirë që e gjithë përgatitja e mëparshme shumëzohet me zero. Në pamje të parë, ekziston njëfarë frike për një rënie të mundshme në pesimizëm, por pa harruar asnjëherë se synimi për të cilin bëhet fjalë, nuk i nënshtrohet ligjit të asgjësimit, aq më pak atij të tkurrjes. Pikërisht, këtu gjendet ilaçi për rritjen e ambicies, për të arritur kështu një kuptim të qenësishëm të optimizmit; ngaqë, optimizmi nuk është iluzion që shfaqet vetëm në një ditë të dielë me diell, por është një realitet i njëmendët që shënon një dallim rrënjësor (duke përftuar ndjesitë/dëshmitë më sublime) mes njeriut dhe krijesave të tjera. Për fat të keq, është pikërisht ky dallim tejet i rëndësishëm, i cili është cënuar vrazhdë, -për të mos thënë është shkërmoqur- nga pseudohumanizmi i Modernizmit dhe i Pasmodernizmit. E pra, ky dallim, është një nga sfidat më paradoksale që është hasur ndonjëherë përgjatë historisë, dhe njëkohësisht është kërcënimi më i madh për njeriun bashkëkohor.