Erë që vret, kur fjala shpifet, e përgojohet, e cila njeriut të pafajshëm mishin copë ia heq! Sa rëndë qenka të nxirren fjalë, që zemra nuk i përballon dot...
"O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit, dhe mos përgjoni njëri-tjetrin; a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë pra e urreni!" – Kur'an, 49:12
Erë që vret, kur fjala shpifet, e përgojohet, e cila njeriut të pafajshëm mishin copë ia heq! Sa rëndë qenka të nxirren fjalë, që zemra nuk i përballon dot, e as gjuha nuk i shpreh dot, e as penda nuk i shkruan dot, po çka për atë që këtë erë mban në maje të gjuhës së vet! Po edhe në zemër të vet!
E rëndë, por më e rëndë dhe e hidhët qenka kjo veti që zemra haka, ballë të mos i bësh! Ja, po i drejtohem një njeriu, që Zoti e nderoi me të folurit, por që të folurës së vet, të drejtën nuk ia jep; atë pastërtinë e natyrshme ia ndytë! Ndërsa, zemrës së vet gropën ia çel!
Sa e vështirë që njeriu vëllait të vet njeri mishin të vdekur t'ia hajë! E kush këtë nuk e urren!
Po le ta dijë njeriu përgojues, se era e gojës që përgojon, është më e rëndë se era e mishit të vdekur! E si mos e dijë këtë, kur ndjenjat e pastra të njeriut sa të ftohura bëhen kur prej të tjerëve përgojohet e shpifet.
Sikur të mendonte, kur përgojuesi përgojon, si zemërohet, e si shpirti i rëndohet! E si copëton zemrat e njerëzve!
E si të mos ndjehesh shpirtërisht i rënduar, e zemër e copëtuar, o njeri që kundër teje u shpif dhe u përgojua! Sikur duan të të shoh përgojuesi përtokë. Jo ata dëshirojnë fjalë të mbartin, shpifje të bëjnë, përgojimin jetë kanë. Sa e pamëshirshme, të ushqehet kur kundër të tjerëve shpif e përgojon.
E aq më e rëndë, kur po këta përgojues e shpifës, hiqen si viktimë e të tjerëve. Ata do të ishin ndryshe, do të ishin të ngritur, të pastër, të aftë, por ti, a akëcili, u ngriti atyre kurthe e u hapi lajka, dhe ja përfunduan përgojues! Edhe deri këtu mund të arrijë arsyeja e paarsyeshme e qenies njerëzore e paudhëzuar me udhëzimin e Zotit të vet!
Të pafajshmin kjo gjë e mundon! Por, mos të të mundoj, sepse ti je dëshmor, për ty çdo gjëje do t'i jepet të folurit, që pafajësinë tënde ta dëshmojë!
Ata le të flasin, le të përgojojnë, le të shpifin, mendojnë se janë më të mirët, e në dehjen e tyre janë duke përjetuar epërsi; por dije o shpirt i pafajshëm, se nuk ka përgojues të mirë! Këtë e di e dëshmon edhe thellësia e ndërgjegjes së tij.
Për çudi, por edhe jo aq, ti je i vetëdijshëm, se gjuha e përgojuesit para se t'ia shijojë hidhësinë të tjerëve, njëherë për vete do ta shijojë. Ai tanimë hidhësinë e ka shijuar; iu është mishëruar ftohja, e i është shkëputur ndërgjegjja!
Po ti përgojues e bartës shpifjesh, je kundër, zemërohesh, ndjehesh i rënduar, po edhe ndjehesh i dobët, i paaftë, i ulët, edhe ti kur përgojohesh! Ti paske zemër siç kanë të tjerët. Pse nuk i thërret thellësisë sate, jo më të shpifësh e të përgojosh, por edhe të bëhesh pengesë e atyre që përgojojnë? Pse kur shpifet nuk zemërohesh? Dije se, edhe kundër teje, të tjerë, sikur ti, të hanë zemrën mbrapa shpine.
Ende nuk e ka kuptuar arsyeja jote, se, përgojuesi që përgojon, një gjë për të është e lehtë: të flas vetëm mbrapa krahëve të njerëzve!
Jo, po ti ndjehesh i fyer, vetëm kur ti fyhesh, e nuk fyhesh kur të tjerët fyejnë të tjerët e ti duke qenë në shoqërim me ta. Por, mos harro: pikërisht ata njerëz që merren me shpifjesh, me përgojimesh, e me fyerjesh ndaj të tjerëve, janë ata që njerëzimit ia dëshirojnë të keqen, e janë njerëz të këqij; po ata njerëz janë që hanë edhe mishin e vëllezërve të tyre të vdekur!
E ti mund të përjetosh sadopak se sa erë të keqe mund të ketë era e mishit të prishur. Ja, po erën e përgojuesit nuk e ndjen, e ti afër tij. Ai, përgojuesi, atë mish të prishur po e han, e jo vetëm kaq, por e përtyp, dhe era më e rëndë bëhet kur t'i kthehet prej brendisë.
Sa e pështirë qenka gjendja e atij njeriu që shpif e përgojon.
Zot, na ruaj!
Ç'torturë i bëhet vetvetes, po edhe të tjerëve! Nuk mjaftohet vetëm përgojim e shpifje, por edhe e shpërndanë atë! Shpërndan erë që vret! Ah, sikur të përjetonte vetëm për një çast gjendjen e atij që i ka shpifur, si e ka bërë të hyjë në tokë i gjallë!
Jo, ti njeri i pafajshëm, mos lejo që shpifja e përgojimi të të mbyllë në vetvete, ke Zot që sheh e dëgjon! Vetmia jote nuk i ndihmon të vërtetës që të dale në shesh. Ti do ta dëshmosh të kundërtën, por jo me gjuhë e zemër të njëjtë; ti je ndryshe, ti nuk je shpifës e as përgojues!
Ata, përgojuesit, në të vërtetë, janë ata që më së shumti i bënë padrejtësi vetes së tyre. Ata dhembjen do ta përjetojnë më gjatë sa do ta përjetosh ti. Ata në barqet e tyre kanë mishin e vëllait të tyre të vdekur! Ti mos bjer në kurth të tyre, duan që edhe ty ta shijojnë atë mish të prishur, dhe dije se, është thënë dhe përcaktuar që: kush hap kurthe, vetë bie në të!
Njerëzit me forcën e besimit e të moralit, qëndrojnë palëkundur, qoftë edhe përballë stuhive të furishme. Nuk lëvizë, rri në vend e i qetë. Sepse ka Zot që përkujdeset për të, për të drejtën e për të dobëtin!
Por ti mund të tentosh të hapësh fronte kundër tyre, duke menduar se kështu mbrohet e vërteta! Gjithsesi, ç'të bëri kaq të sigurt se ç'është thënë në të vërtetë për ty? E ku e di ti se, ajo që ke dëgjuar se është përfolur kundër teje, është i çiltër postieri i saj? Edhe postieri mund të jetë autori i shpifjes dhe përgojimit. Mos paragjyko, që të mos gjykohesh padrejtësisht nga të tjerë.
Shpirtmadhësia, dëlirësia, urtësia, ty do të të shpëtonte! E kur emri yt të zihej në gojët e të tjerëve, drejtësia do të ngadhënjente. Dikush do të tërhiqej, do të kundërshtonte. Po edhe vetë gjuhës së përgojuesit do t'i merrej aftësia e nxjerrjes së tingujve, që shpërndan erën e hidhët! Gjuha e shkëputur nga majat e ndërgjegjes do të pengohej nga rrënjët e saj.
Jo, s'ke pse të paragjykosh kundër askujt. Po pate argumente, mund të jenë argumentet e njëjta edhe e të tjerëve kundër teje, që ti i quan shpifje.
E vërteta është e vërtetë, dhe atë nuk mund ta ndryshojë asgjë. Nuk e ndryshon gjë, pasi ajo nuk ecë mbi tokë, por nën të. Por kur të dalë, nuk mund ta ndalë askush!
Të të përkujtoj: i fyeri, fyen duke iu kundërvu me fyerje, i paragjykuari, paragjykon ,duke iu kundërvu me paragjykim, dhe shpifësi shpif, duke iu kundërvu me shpifje.
E ti njeri, përgjegjësi ke, që vetes detyrë t'i bësh ballë përgojuesit kur përgojon, e shpifësit kur shpif! Po dëshirove të jesh i pastër, e të jetosh në pastërti, mos u cyt të ndytësh të tjerë, e as t'ua nxish të tjerëve jetën!
Sa po e dobësuaka shpirtin njerëzor të shpifet e përgojohet kundër tyre; po më shumë po ulka njerëzinë e njeriut përgojues e shpifës. Po, erën e hidhët që po e shpërndaka, qenka i pari që po e shijuaka, po edhe kush gjendet i pranishëm me të kur përgojohet dhe shpifet e nuk kundërshton!
"A e dini se ç'është përgojimi?" Thanë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë. Tha: Të përmendësh për vëllanë tënd atë që ai e urren." Iu tha: Po nëse e ka atë që e themi? Tha: "Nëse e ka atë që e keni thënë, atëherë e keni përgojuar dhe nëse nuk e ka atëherë keni shpifur ndaj tij." – Hadith:Muslimi.
O i bindur në Zotin tënd, Allahun që dëgjon e sheh gjithçka në hollësi, ki frikë e respekt ndaj Allahut, e mos u bë prej atyre që veprojnë kundër të tjerëve diçka që shumë do të urrehej të veprohej ashtu kundër tyre, e ti, që viktimë e padrejtësisë u bëre, mos humb shpresën në Allahun xh.sh., se ndihma e Tij është shumë afër!
Allahu na përforcoftë në udhëzimin e drejtë e na ruajt nga papastërtia, nga era që bën të vdes vëllazëria e afërsia!
Our Lord! Grant unto us wives and offspring who will be the comfort of our eyes, and give us (the grace) to lead the righteous