Ngjyrat e trëndafilit kanë simbolika të ndryshme
Trëndafili me anë të ngjyrave të tij, të cilat natyra në mënyrë të pagabueshme i kombinon, me anë të aromave të këndshme dhe pamjen joshëse, gjithmonë ka tërhequr vëmendjen, nuhatjen dhe ka qenë frymëzimi më i madh i njeriut.
Shumica e femrave ndjehen mirë kur pranojnë këtë lule nga dikush. Mirëpo, fatkeqësisht, janë vetëm 8 Marsi, Shën Valentini ose përvjetori i martesës, kur meshkujt u dhurojnë lule të dashurave të tyre.
Në fillim, para se të vendosni për blerjen e ndonjë trëndafili, mendoni mirë për zgjedhjen që bëni, sepse ngjyrat e shumta të trëndafilit kanë simbolika të ndryshme.
Trëndafilat e kuq përveçse tregonë dashurinë dhurohet edhe si shenjë falënderimi për kryerjen e ndonjë shërbimi, ose kur dikush e ka kryer mirë punën. Trëndafili i bardhë tregon sinqeritetin, mistifikimin, spiritualitetin dhe paqen. Trëndafili i verdhë, personit të cilit i dhurohet i ofron mbështetje dhe gëzim, ndërsa në dashuri simbolizon xhelozinë. Kombinimi i trëndafilave të kuq dhe të bardhë, jep mesazhin e harmonisë në dashuri. Trëndafilat e kuq të zbehtë do të thonë miqësi, përkushtim, afërsi dhe admirim. Trëndafilat e kaltër, zakonisht nuk pëlqehen, pasi që janë të ngjyrosur artificialisht dhe simbolizojnë të pamundurën, ndërsa trëndafili i kuq i errët tregon ekscentriken, dëshirën për ndarje dhe lë një përshtypje të sëmurë, sidomos nëse është tufë lulesh. Trëndafili pa gjemba ka kuptimin e dashurisë në shikim të parë. Nëse i dhuroni trëndafil të kuq mashkullit, atëherë ia keni dhuruar besnikërinë tuaj.
