Rrahja e “Plisave”, suspendohen dy policë
Rreshteri Faruk Celinaj dhe polici Bekim Maliqi janë suspenduar të hënën, për veprime që bien ndesh me parimet e Policisë së Kosovës dhe për përdorim të tepërt të forcës gjatë aksionit kundër një grupi të tifozëve të klubit basketbollit Prishtina, “Plisat”. Vendimi është marrë nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi.
Rrahja e tifozëve të Prishtinës pas ndeshjes basketbollistike midis Prishtinës dhe Bambit nga Mitrovica e veriut, të enjten e kaluar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, ka bërë bujë të madhe në Kosovë dhe përveç suspendimit të dy policëve, hetimet po bëhen edhe ndaj pesë të tjerëve, disa të nacionalitetit serbë.
Njësiti i Policisë Speciale nga Mitrovica të enjten pas ndeshjes ka përdorur shkopinj gome dhe prej ndaj “Plisave” të Prishtinës, gjë që ka shkaktuar lëndimin e shumë tifozëve. Policia ka thënë se ka qenë e planifikuar ardhja e njësisë speciale nga Mitrovica, që përbëhet kryesisht nga policë serbë. Por, në xhirime shihet një zyrtar i lartë policor të kritikonte hapur të tjerët, duke thënë se nuk kishin urdhër për intervenim.