Shqipëria në Europën e Krishterë
Është debatuar shumë në opinionin europian, por edhe në atë shqiptar, rreth çështjes se a duhet apo jo të shkruhet në preambulen e kushtetutes së re europiane identiteti i krishterë i Europës. Pozicionet janë të ndara në dy kampe vlerësimesh, të kundërta mes tyre. Njëri është ai i krishterë, përgjithsisht katolikët, dhe tjetri është ai laicist. Të parët, duke filluar nga ati i tyre shpirtëror Papa Gjon Pali II, ngulmojnë në atë që në kushtetutë të përfshihet i cituar identiteti i krishterë i Europës, sepse vlerat morale dhe shumë kategori kulturore të Europës së sotme identifikohen me krishtërimin. Ndërsa laicistët shprehen për mospërfshirjen e termit "i krishterë" në këtë projektkushtetutë me pretekstin e vetëm se ajo mund të rrezikojë karakterin laicist të një shteti dhe për arsye, që disa e quajnë esklusiviste, të rrezikut të përjashtimit të të tjerëvë që nuk identifikohen më krishtërimin. Nënvizova termin si fjalë, sepse edhe këta të fundit nuk e përjashtojnë faktin e vertetë se Europa, në pjesën më të madhe të historisë së saj, identifikohet qartazi me krishtërimin dhe përfaqësimin e tij në këtë pjesë të botës. Këtë fakt mund ta vërejë kushdo që merr mundimin - ose me mirë ka fatin - të lexojë historinë e krishtërimit ku do të konstatojë se, të paktën deri në fillimet e shekullit XVIII, kemi një histori ndërthurjeje dhe përputhjeje ngjarjesh dhe personazhesh fetare me ato shekullare. "Histori kjo si të them totale - thotë prof Paolo Siniscalo, njëri ndër redaktorët e 14 vëllimeve në italisht të "Storia del Cristianesimo". Një histori që do të flasë gjithkuptueshëm për të krishterët dhe mjedisin e tyre.....është historia e njerëzve, jo statike, por dinamike, jo vetëm tregimtare por edhe interpretative. Është historia e shkrimeve dhe e kulturës, të zakoneve dhe mentalitetit, e raporteve sociale dhe ekonomike, e aktiviteteve fitimprurëse, e jetës familjare. Është historia artistike, asaj arkitektonike dhe urbanistike. Është pikë vështrimi e realitetit global që përfshin në vetvete mbinatyrorën, natyrorën dhe socialen." Kjo është historia e krishtërimit dhe, nuk gabohem po të them, edhe e Europës ku ne dëshirojmë të aderojmë, të pakten de facto. Në këtë vështrim të thukët e para gjë që të vjen ndërmend është pyetja: a mundet Europa e sotme të identifikohet me krishterimin? Dhe nëse po, a do të ishte përjashtuese kjo për ne shqiptarët?
Kur them Europa, që aq shumë e dëshirojmë, nuk e kam fjalën për Europën si territor gjeografik, përndryshe ne jemi në Europë, as për Europën "kornizë model" kriteresh ekonomike për t'u plotësuar, as vetëm një konvencion politik që kërkon të ruajë dhe zhvillojë hegjemoninë social-ekonomike në favor të disa shteteve pjesëmarrëse në të. Flas, para së gjithash, ashtu siç thotë edhe Ati i Shenjtë Papa Gjon Pali II, për atë Europë që njihet sot si një entitet socialkulturor i formuar në rrjedhën e shekujve - sigurisht jo pa travajë - me performansen që ne sot e shohim dhe e lakmojmë.
Pikerisht në këtë performansë kulture dhe unifikimi, për të mos thënë të vetmin rol, por atë më vendimtarin e ka luajtur krishtërimi. Nuk po evidentoj krishtërimin si fe - edhe pse kjo ka pasur rolin më unifikues - 95% e Europës është e krishterë - por për ndihmesën dhe kategoritë e vlerave që kjo fe ka sjellë dhe përçuar në krijimin e identitetit të sotëm europian.
Idetë e cituara në projektkushtetutën e re dëshmojnë se ato rrjedhin nga një korpus themel vlerash, që kanë nevojë të rizbulohen parasëgjithash nga një metodologji afirmuese e origjinës së tyre. Ministri dhe filozofi Italian Rocco Buttiglione e sheh me shqetësim faktin e mos citimit të vlerave historike të krishtera, kur thotë se "nuk mjafton evokimi i vlerave nëse nuk të tregoj metodën me të cilën këto vlera janë konkretizuar në mua; në raste të tilla ato rrezikojnë të mbesin vetëm abstraksione, objekt vetëm admirimi, të pamundura të imitohen". E tillë mund të jetë vetëm Europa pa themel, pasqyrë iluzive e gatshme me joshë me trukun e saj çdokënd që i bie tangent joshjeve të saj materialisto-edoniste.
Për të mos qenë retorik mbi çka thamë, dëshiroj të përshkruaj se cilat janë idetë-themel që krishtërimi ka përçuar e nga të cilat ka ardhur një korpus i gjallë vlerash, të evokuara këto në shumë kushtetuta perëndimore dhe së fundi siç kërkohet edhe nga Projektkushtetuta Europiane.
E para ide-themel, është koncepti i personit. Të gjithë janë në një mendje se ky koncept, që në lindjen e tij (idea e personit ka lindur në mjediset teologjike në shekullin II pas Krishtit, për të percaktuar marrëdhënien e Krishtit (Birit) me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë), ka revolucionarizuar këndvështrimin kundrejt qënies njerëzore dhe më vonë kundrejt shoqërisë njerëzore. Nga ky moment njeriu nuk është më vetëm "individum" ose vetëm "entes", por një person që do të thotë qënie relacionare e aftë të realizojë vetveten vetëm atëherë kur e pranon tjetrin dhe i dhurohet atij në liri.
Realizimi i kësaj ideje konkretizohet kur jeton me tjetrin dhe për tjetrin. Kjo ide konstitutive risillet në shoqëri në dy nivele; në atë individual dhe në atë shoqëror të ndërlidhur me njëri-tjetrin duke krijuar kështu një afërsi ndërmjet personave dhe kombeve.
E dyta - dhe e treta do të thoja - është ajo që Alessandro Manzoni e përcakton si materniteti i kulturës dhe i kombit italian; Falja dhe Pagëzimi. Përtej aspektit sakramentar apo teologjik, në aspektin e peshës simbolike që mbartin këto dy koncepte lexojmë dy elemente kuptimplote nga ku kanë marrë jetë vlerat universale të kulturës së shëndoshë europiane. E para, paraqet rrëzimin e mureve ndarës dhe urrejtjeve, ku historikisht këto kanë shërbyer si inkubatorë për të lindur konflikte dhe luftëra shekullore; ndërsa ideja tjetër, që është Pagëzimi, paraqet evokimin e shpirtit të shënjtërisë, të paqës dhe dashurisë, të domosdoshme në krijimin e mentalitetit demokratik dhe të bazave të përparimit të çdo kombi.
Faktin real të reabilitimit të shoqërisë njerëzore dhe të krijimit të vlerave universale të Europës së sotme nga krishterimi, ku edhe gjithë ne shqiptarët dëshirojmë të aderojmë, nuk mund ta mohojnë as fobitë masone të mbeshtjella me lëkurën jakobine të laicizmit, as mëkati i inkoherencës dhe blasfemisë të kryqëzatave, të natës së shën Bartolomeut të inkuizicionit e të tjera si këto, të sjella në histori nga mëkati i shumë të krishterëve.
Përballë ngjarjeve të tilla indinjuese dhe fyese për çdo të krishterë, shtuar edhe mentalitetin opulent të konsumizmit të sotëm, duken se asfiksojnë në një farë mënyre rrënjët e krishtera të Europës. Porse, siç thotë publiçisti i njohur musliman Khaled Fuad Allam: "Nuk mund t'i ikim faktit të vertetë se instancat e sotme moderne politike janë të rrënjosura pikërisht në krishtërim: e drejta dhe institucionet janë frut i shtjellimit kompleksiv që ky cilivizim ka prodhuar, përtej luftërave vëllavrasëse që kanë shënuar shekujt e kaluar. Madje është diçka më e rëndësishme dhe e thellë që ka përcaktuar në mënyrë përfundimtare këtë kontinent me ngjyra të ndryshme kulturore, por me një thelb të vetëm; ndoshta e vështirë të perkufizohet racionalisht me një fjalë të vetme, por që është e pranishme në thellësinë e zemrës së çdo europiani: domethënë pasioni për lirinë ose e thënë më mirë pasionet demokratike dhe ndjesia për t'u ndjerë pjestarë të së njëjtës histori. E gjithë kjo e ka bërë krishtërimin dritën e vetme rreth së cilës Europa ka marrë formë. Prandaj ne admirojmë dhe mbesim pa mend përballë Krishtit pikturë e Cimabues, mrekullohemi nga Mëritë rinashimentale, tjetërsohemi kur dëgjojmë një kompozim me motete të Bach-ut apo requiemin e Mozart-it. E gjithë kjo nuk do të kishte qënë e mundur pa këtë borxh. Europa i ka borxh Krishtërimit sepse, duam a s'duam, Ai i ka dhënë formë, domethënie dhe vlerë. Të mohosh gjithë këtë do të thotë për Europën të mohosh vetvetën". (marrë nga «La Repubblica» dt 29-03-2003). Të mohosh këtë fakt nuk është shprehje qytetnimi, as nuk është një ndihmë, si ndaj vetvetes, ashtu edhe ndaj të tjerëve me ngjyrime kulturore apo edhe me fe të ndryshme, qoftë kjo edhe vendi më ekstrem i saj siç mund të jetë edhe Turqia.
Europa që njeh vetveten është një Europë që nuk krijon paradokse, sepse si e tillë ajo është më e aftë të pranojë cilindo që respekton dhe vlerëson kulturën dhe identitetin e saj, në respektim edhe të kulturës dhe identitetit të tjetrit.
Ja përse nuk mund të jetë përjashtues identiteti i krishterë i Europës për askënd, për më tepër për ne shqiptarët që historikisht kemi qenë të veshur me petkun e kulturës dhe identitetit të krishterë. Nuk kanë mundur ta zhveshin nga kjo veshje (fatmirësisht) asnjë prej peripecive dhe incidenteve të rënda që historia - shumë herë e padrejtë - i ka rezervuar kombit tonë.
Elemente të tilla si pozita gjeopolitike, rrjedha historike (ndoshta shumë herë e cënuar) dhe elementet e traditës kulturore janë më së tepërmi kontribute vokacionale që kanë treguar gati gjithmonë orientimin tonë drejt identitetit europian. Mohimi i këtij fakti, përveçse injorancë, është edhe një formë e dëmshme afazie (memecëri psikologjike për të treguar identitetin dhe të vërtetën tënde), që mund të na sëmurë rëndë në gjendje të inferioritetit permanent.
Nuk janë vetëm veprat e artit apo figurat e larta të traditës sonë që na japin dëshmi të qënies sonë europiane, por edhe raportet sociale të ruajtura dhe të zhvilluara në vite ndërmjet kujtdo që ishte i ndryshëm, qoftë në traditë, në mentalitet, dhe në fe, të cilat rrezatojnë qartë humusin e atyre që më parë i kemi përcaktuar si idetë themel të Europës.
Ndërsa skepticizmit të atyre, që e shohin si përjashtues faktin e shumicës së popullsisë shqiptare të besimit musliman, mund t'u përgjigjen më mirë disa të vërteta historike që janë bërë të njohura tashmë ndër ne, nëpërmjet figurave dhe ngjarjeve historike.
Islami erdhi në vendin tonë nëpërmjet pushtuesit, i cili përdori metoda me pasoja dramatike në nënshtrimin e arbnorëve (kujtojmë aktet barbare të vrasjes së shumë shqiptarëve, vetëm në rënien e Shkodrës u vranë 12 mijë shqiptarë, rreth 40% e popullsisë u largua nga trojet e veta, rrënimi pothuajse i të gjitha shkollave dhe objekteve të kultit të krishterë etj.). Kjo kthesë e rëndë për kulturën dhe popullin tonë, falë Zotit, mori tjetër fytyrë kur ra në dorën e shqiptarëve. Njerëzit, të shtyrë në mohimin e fesë së tyre të mëparshme, nuk krijuan hendeqe ndarëse në një shoqëri të brishtë, siç ishte ajo e atëhershmja, por vijuan të bashkëjetojnë duke na dhënë premisën e asaj që ne sot e quajmë krenaria e popullit tonë, d.m.th. bashkëjetesën ndërfetare.
Kjo bashkëjetesë është duke u paraqitur në opinionin botëror si argument identifikues i yni, por mendoj se kjo paraqet edhe paradigmën e një bote ku e ndryshmja prej meje nuk është diçka që na ndanë, por ajo që i jep më kolorit mjedisit dhe jetës së përbashkët. Nga ana tjetër, bashkëjetesa ndërfetare duhet të jetë një shtytje e fuqishme për shmangjen e diskriminimeve, që ende, individë apo qarqe të caktuara të fanatizuara, përpiqen t'u servirin grupeve të ndryshme përbërëse të shqiptarizmës. Bashkëjetesa ndërfetare nuk mund të përdoret më si term për të fshehur diskriminimet e rënda, që po vërehen sidomos kohët e fundit, nga qarqe të paemancipuara të shoqërisë, politikës shqiptare apo organizmave të vetëquajtura intelektuale. Prandaj është imperative për ne shqiptarët të paraqitemi në Europë me shprehi vokacionale historikisht të provuara, me intitucionet e lirisë të stabilizueme, pa mohuar identitetin tonë kulturor.
Nuk kemi nevojë të përshtatemi, madje nuk kemi pse ta bëjmë nje gjë të tillë, por siç thotë Atë Anton Harapi, studiuesi i madhë i shqiptarizmës, "ma i miri e ma i shëndoshti element nuk asht gjithmonë ai që përshtatet ma kollaj e ma fort, pse zakonisht ai asht edhe ma i ligësht, ndërsa fuqinë dhe vetveten e gjejmë nder ata të cilët din çka marrin e din çka lanë, janë të zot ta ruejn personalitetin e vet kundrejtë tana shndrrimeve të jetës".
Në këto shndërrime të jetës kombi ynë ka nxjerrë personalitete të shquara të cilat, e thënë me Kadarenë, kanë qenë urat lidhëse ndërmjet shqiptarizmit dhe europianizmit. Të tilla figura, si asnjë vend tjetër i Ballkanit, kemi me qindra, duke filluar që nga shën Jeronimi në krishtërimin e hershëm, duke vijuar pastaj me humanistët Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani, rilindasit si Frashëllinjtë, Vaso Pasha, pastaj Noli, Fishta e deri tek Ajo që mund të quhet emblema e vokacionit tonë kombëtar, Nënë Tereza, sepse është tërësisht shqiptare dhe në të njëjtën kohë tërësisht universale. Këto figura të ndritura dhe kontributet tona, të traditës dhe kulturës sonë, le të jenë për ne sot tharmi ngjizës i një kulture të përbashkët europiane ku kombi ynë ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë në këtë familje të madhe një rol të rëndësishëm.
~~~ruani veten nga mallkimi,,,se veq vdekja eshte sherimi
~~~~~~~~!!!!!!~~~~~~~
nderime nga une zemra e kosoves,,,