A po infektohet edhe skena e këtushme politike nga sindroma e politikës shqiptare të Tiranës?. Një dilemë e këtilla u shfaqë në syprinë, dhe, pak a shumë, kësisoj do të mund të komentohej protestat e organizuar nga shoqatat joqeveritare shqiptare (fatkeqësisht të shoqëruara aty-këtu edhe me ca elemente partiake opozitare) e cila tuboi disa mijëra qytetarë. Ky fakt gjithsesi nuk mund të nënçmohet nga qeveria.
Nga ana tjetër, organizatorët u ndanë të kënaqur nga epilogu dhe shpalosja e kërkesave të tyre para institucioneve shtetërore, si dhe nga jehona e qytetarëve.
Por, në vend që kreu i ekzekutivit të shqetësohet, gjegjësisht të formulojë një qasje më serioze në kontest të shqyrtimit më konstruktiv dhe serioz të kërkesave të artikuluar, ata bënë të kundërtën. Në fakt, nga kabineti i Gruevskit, vrapuan për t’i nënçmuar protestat duke thënë se numri i vogël i protestuesve dëshmon se shqiptarët kërkojnë zgjidhje vetëm përmes institucioneve!.
Dhe, shpalosja në këtë mënyrë e qëndrimit të qeverisë për rrjedhën e protestave, më shumë i ngjante fërkimit të duarve, në stilin: “Shyqyr Zot që nuk ishin në numër më të madh”.
Vlerësimet e njohësve të mirë të rrjedhave politike në Shkup, janë të mendimit se megjithë deklarimet joserioze, me nuanca diletanteske të qeveritarëve, masiviteti i protestuesve dhe sidomos deklarimet e pjesëmarrësve që u shfaqën nëpër mediat e këtushme, determinojnë një shqetësim të shkallës më të lartë të qeveritarëve, sidomos atyre shqiptarë. Kur bëhen vlerësim për masivitetin e protestuesve gjithsesi se duhet t’i shtohet fakti se shqiptarët vështirë dalin në protesta të cilat nuk i mbështetë partia në pushtet (nga frika se do të përjashtohen nga puna ose do të përjetojnë ndonjë hakmarrje tjetër).
Pikërisht për këtë arsye numri i protestuesve nuk duhet aspak të nënçmohet. Rrjedhimisht, Ekzekutivi nuk duhej të nxitonte në shpalosjen e “gëzimit” të Qeverisë, pikërisht në atë formë. Qeveritë e shteteve me traditë demokratike në raste të këtilla, përpjekjet i kanalizojnë në drejtim të ndërmarrjes së hapave për përmirësim të gabimeve, e jo të nënçmimit të masës.
Ndërkaq që mënyra e “llafosjes” së Qeverisë Gruevski, më shumë i ngjante orvatjes për rritjen e hendekut ndërmjet “të pakënaqurve” dhe përfaqësuesve të kancelarive më të larta shtetërore edhe pse mllefi dhe revolta e tyre, trokiti në dyert e kancelarive shtetërore të Shkupit. Ende nuk dihet se sa e ka “xigluar” veshin e Ahmetit dhe Gruevskit!. Gjithsesi, ditët në vijim, do të tregojnë se kush kishte të drejtë: “protestëmenët”, “llafollogët qeverisës” apo “mediamenët”.
Një e vërtetë është e madhe, se tensionet ndëretnike dita-ditës shtohen. Gjykuar nga e kaluara e hidhur, dhe jo e largët, e vërtetë është se për të përballuar situatat e këtilla, shumë pak na kanë ndihmuar edhe deklarimet me vello politike dhe diplomatike të miqve tanë. Të mos harrojmë të kaluarën e hidhur, për interesa të grupacioneve dhe individëve të caktuar. Le të na shërbej e kaluara si leksion për të mësuar në gabime gjegjësisht për të mos i përsëritur gabimet, dhe jo e kundërta e kësaj