Benachrichtigungen
Alles löschen

SUGJESTIONI DHE AUTOSUGJESTIONI

1 Beiträge
1 Benutzer
0 Reactions
176 Ansichten
(@anonymous_1788263120)
Beiträge: 13309
Illustrious Member Guest
Themenstarter
 
[#4082]

SUGJESTIONI DHE AUTOSUGJESTIONI

„Ndërdija mund të krahasohet me tokën ku rriten të gjitha llojet e bimëve, si ato të mirat, ashtu edhe ato tëdëmshmet. Dikush korr fruta e dikush baroja. Secili mendim, qoftë i juaji apo i imponuar, është shkas, ndërkaq të tjerat janë vetëm pasoja“

NATYRA E MENDJES

Sipas fizikës, realiteti objektiv është vetëm lëvizje e vazhdueshme e llojeve të ndryshme të energjisë, të cilat njeriu i regjistron falë organeve shqisore dhe sistemit nervor. Kështu që, çdo gjë që përjetojmë gjatë gjithë kohës, vjen deri tek ne nëpërmjet shqisave. Shqisat: të pamurit, të dëgjuarit, të nuhaturit, të shijuarit, të prekurit si dhe shqisa e gjashtë ( e padefinuar ende), janë të ndërtuara për të kapur llojet e veçanta të ngacmimeve, për të cilat ne bëhemi të vetëdijshëm përmes proceseve të ndijimit dhe përceptimit. Sipas psikologjisë së sotme, ndijimi konsiderohet si proces pasiv, përmes së cilit ngacmimet kapen nga receptorët ndijues dhe shndërrohen në impulse nervore, ndërsa përceptimi si një proces më aktiv, në të cilin impulset nervore përcillen përmes sistemit nervor deri në tru, ku bëhet organizimi dhe interpretimi i tyre.

Pasi që mjedisi ku jetojmë është i mbushur me ngacmime të llojllojshme, ne, në çdo moment, përjetojmë një numër të madh të tyre. Meqenëse s’mund t’i përgjigjemi njëkohësisht, këtij numëri kaq të madh të ngacmimeve të jashtme, ne i zgjedhim dhe u kushtojmë vëmendje vetëm një numëri të kufizuar të tyre, të cilat kanë ndikim më të thellë në jetën tonë. Kështu që, gjatë eksperiencës, ne mësohemi që t’i kapim vetëm të dhënat që kanë të bëjnë me qëllimet tona, dhe ky frymëzim dhe ndikim në psikën tonë quhet sugjestion.

Me të arritur ngacmimet në tru, siç thamë, ato organizohen dhe interpretohen. Ne e posedojmë, sipas psikologjisë, natyrën e dyfishtë të mendjes: vetëdijen (mendja e ndëgjegjshme) dhe ndërdijen (mendja e pandërgjegjshme). Këtu nuk janë në pyetje dy mendje të ndryshme, por dy fusha të aktivitetit brenda mendjes.

„Për ta kuptuar më mirë funksionin e mendjes suaj - thotë Xh. Marfi, paramendojeni atë si një kopsht. Ju jeni kopshtari që tërë ditën diçka mbjell (mendon v.j.). Atë që e keni mbjellur në ndërdije, do ta korrni në trupin tuaj në marrëdhënie me botën e jashtme“. Me fjalë të tjera: ju jeni mendimi juaj.

„Ndërdija mund të krahasohet me tokën ku rriten të gjitha llojet e bimëve, si ato të mirat, ashtu edhe ato të dëmshmet. Dikush korr fruta e dikush baroja. Secili mendim, qoftë i juaji apo i imponuar, është shkas, ndërkaq të tjerat janë vetëm pasoja“. Mu për këtë duhet t’u kushtohet rëndësi mendimeve, sugjestioneve, pavarësisht se a janë tuajat apo të huaja, sepse, kur ato i pranon vetëdija, kalojnë në ndërdije, pastaj si forcë krijese, nga thellësitë e ndërdijes udhëheqin veprimet e individit. Kështu që, tek ata individë që janë më të ndieshëm emocionalisht, edhe sugjestionet më të thjeshta bëjnë efektin e vet, qoftë pozitiv, qoftë negativ.

Duhet ta kemi parasysh se, për pranimin e sugjestioneve, rolin kryesor e luan vetëdija. Këtë e vërtetojnë edhe eksperimentet e shumta që i kanë bërë psikologët dhe ekspertet me anë të hipnozës. Pra, ndërdija i pranon si të gatshme të gjitha sugjestionet që vijnë nga vetëdija. Qofshin të mira apo të liga, të vërteta apo të pavërteta etj. P.sh: në qoftë se hipnotizuesi (pasi që nën hipnozë sugjestioni pranohet plotësisht) i sugjeron mediumit ta pranojë identitetin e një individi tjetër, ose të shndërrohet në fëmijë etj., ai pa kundërshtim do ta pranojë rolin e imponuar. Ngjashëm do të ndodhë p.sh. edhe në qoftë se mediumit i sugjerohet se po i kruhet koka, po i dhembë dhëmbi, po kollitet etj. Këta shembuj na tregojnë sesa është e fortë forca e sugjestionit apo autosugjestionit të pranuar si të vërtetë. Prandaj, përmbajuni atyre sugjestioneve që i kontribuojnë fatit, shëndetit dhe kënaqësisë suaj.

Ç’ËSHTË SUGJESTIONI DHE AUTOSUGJESTION?

Njerëzit sugjestionin e përcaktojnë në mënyra të ndryshme. Prof. Ch. Baudauin thotë: „Sugjestioni është krijim i një ideje nëpërmjet ndërdijes“, ndërsa psikologu Fritz Lambert konsideron: „Gjithçka që në ne ndikon shpirtërisht, është sugjestion, sepse në momentin kur i nënshtrohemi ndikimit shpirtëror lind besimi që i përgjigjet atij ndikimi“. Kurt Tepperwein thotë: „Sugjestioni është thelbi i çdo ndikimi hipnotik“. Prof. G. Lazanov në librin e tij „Sugestiologia“, botuar në Sofje më 1971, paraqet 27 karakteristika, me të cilat autorë të ndryshëm u munduan ta përcaktojnë konceptin e sugjestionit.

Me sugjestion, kryesisht dhe më së shpeshti, nënkuptohet pranimi i një ideje apo mendimi të huaj. Sipas fjalorit, fjala sugjestion, që rrjedh nga latinishtja, do to të thotë frymëzim, zgjuarje e mendimeve të caktuara në mendjen e dikujt, gjegjësisht, pranim në procesin mendor, në kuadër të së cilit ndonjë mendim pranohet, adaptohet a jetësohet.

Njerëzit reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj sugjestionit të njëjtë, varësisht nga dëshira, besimi dhe vullneti i tyre. Ja një shembull klasik nga libri i Xh. Marfit „Forca e ndërdijes“: „Merreni me mend sikur i afroheni ndonjë udhëtari të zbehtë në anije dhe i thoni: -Dukeni shumë keq. Sa i zbehtë që jeni?! Sigurisht vuani nga sëmundja e detit. Më lejoni t’ju përcjell deri në kabinën tuaj... Udhëtari me siguri edhe më shumë do të zbehet. Sugjestioni juaj është bashkuar me frikën e tij. Por, po nëse i drejtoheni p.sh. marinarit me të njëjtat fjalë, varësisht nga temperamenti, marinari do t’ju buzëqesh ose do t’ju fyej. Në këtë rast, sugjestioni ka hasur në rezistencë, sepse në mendjen e marinarit bashkohet bindja e tij e fortë se nuk mund të sëmurët nga sëmundja e detit. Në këtë rast, marinari nuk i frikohet sëmundjes së detit; ai është i bindur se kurrë nuk mund të mposhtet, prandaj, sugjestioni negativ tek ai nuk ka mundur të ngjallë frikë. Ndërsa, tek udhëtari i parë, sugjestioni në plan të parë e vë frikësimin e tij të fshehur nga të menduarit, dhe mu kjo forcë e brendshme e drejton jetën e secilit prej nesh“.

Por edhe diçka duhet ta kemi të qartë: sugjestioni ndikon vetëm atëherë, kur me ndihmën e autosugjestionit pranohet si i vërtetë. Pra, që të pranohet sugjestioni, duhet atë ta pranojmë, dhe në imagjinatën tonë, ta transformojmë në autosugjestion. Kështu që, çdo sugjestion, i cili vie nga jashtë, në fakt është autosugjestion, dhe të gjitha paraqitjet hipnotike janë pasojë e sugjestioneve, gjegjësisht, autosugjestioneve.

Nga jeta e përditshme e dimë se ndikimi i faktorit psikik në organizmin e njeriut (përgjithësisht), si dhe në organet veç e veç, është shumë i madh. Posaçërisht janë të ndieshme enët e gjakut. Kur njeriu ka frikë ose gëzim të papritur, mund të ketë si pasojë apopleksinë etj. Të gjithë e kemi të qartë se, para ndryshimit të disponimit, ndryshohet ngjyra e fytyrës. Pastaj, një fëmijë është në gjendje ta ndërpresë tërë orkestrën, në qoftë se para tyre befas lëpin një limon. Gjithashtu, na është e njohur se, nëse dikush tërheq pirunin nëpër pjatë, mund të na nxisë të dridhura nëpër trup, ndonjëherë edhe vetëm mendimi në një gjë të tillë e bën efektin e njëjtë. Apo, në qoftë se në një sallë koncerti dikush papritmas bërtet „ikni zjarri!“, nuk është rast i rrallë kur, jo vetëm individët, por edhe masën e gjërë e kaplon paniku, ashtu që të gjithë fillojnë të ikin dhe bërtasin. Ose, në aeroplan ku është frika e pranishme vazhdimisht, një provokim më i vogël, nxit panik marramendës etj.

Në qoftë se në rastet e lartpërmendura, të pranishmit së pari pyesin: ku është zjarri? Ku është defekti? Në cilën pjesë?, atëherë, ai më nuk është sugjestion i suksesshëm, pra nuk është pranuar nga masa, sepse është përzier gjykimi kritik normal dhe ka krijuar rrugën e gjykimit normal.

Kur tregëtari lavdëron mallin, i riu i fletë vajzës, nëna e ledhaton fëmijën etj., të gjitha këto, diku më shumë e diku më pak, në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, kryejnë ndikim sugjestiv. Sesa do të jetë i suksesshëm sugjestioni, në radhë të parë varët nga sugjestibiliteti i personit (ose grupit), si dhe nga cilësitë sugjestive të sugjestionit. Pa marrë parasysh se për çfarë flet dhe me ç‘fakte disponon, ne më shumë do t’u besojmë atyre fjalëve që mund të na i thotë ndonjë personalitet i lartë apo ndonjë person më i vjetër, sesa kur ato rrjedhin nga goja e ndonjë personi të ri ose të rëndomtë.

Për ne, gjithsesi sugjestioni është me interes si mundësi më e shpejtë dhe më e mirë për mësim dhe shërim. Në librin e tij, Lazanov më së shumti ndalet në sugjestopedi - mësim me ndihmën e përdorimit të sugjestionit, sepse atëherë mund t’i zbulojmë, jo vetëm rezervat e personalitetit tonë në lidhje me kujtesën, por edhe shumë mundësi të tjera si p.sh.: mund të aktivizohen procese të ndryshme intelektuale, mund të formohen shprehitë e të folurit bukur etj. Lazanovi gjithashtu thekëson rezultatet e programit të madh kërkimor, të ndërmarrur në bashkëpunim me UNEKS-in, lidhur me mësimin e gjuhëve të huaja. Rezultatet ishin befasuese, sepse shpejtonin procesin e mësimit të gjuhëve të huaja për pesë-gjashtë herë.

Mënyrat e mësimit janë të ndryshme dhe gjasojnë me ato të hipnozës. Por te mësimi me sugjestopedi, pjesëmarrësi nuk futet në gjendje hipnotike, por mbetet në gjendjen e quajtur alfa, as gjumë as hipnozë. Gjatë çdo seance shpejtohet mësimi i gjuhëve të huaja dhe gjithnjë rritet kapaciteti i të mbajturit mend. „Ka raste, thotë Lazanov, kur pjesëmarrësi i ka mbajtur në mend mbi 100 fjalë gjatë një seance, derisa mesatarja e të mbajturit mend të fjalëve të huaja është 50.

Përdorimi i sugjestionit është i madh edhe në mjekësi për shërimin e neurozave, astmës, alergjisë, të thatit në bark etj., në përgjithësi te të gjitha sëmundjet psikofiziologjike. Sidomos Freudi dhe shumë të tjerë pas tij, e kanë përdorur këtë mënyrë të shërimit. Freudi, siç e kemi cekur edhe disa herë, pasi vëren se të gjithë pacientët nuk mund t’i hipnotizojë, e zhvillon metodën e njohur të psikoanalizës e cila, krahas metodave tjera, përdoret edhe sot e kësaj dite si terapi shumë e suksesshme, e që është e bazuar plotësisht në mënyrën e shërimit verbal, pra nëpërmjet sugjestionit. Një metodë të tillë e përdoren edhe E. Caue, Schlutzi etj.

Gjithashtu, me anë të sugjestionit është arritur (pa anestezi) operim pa dhembje te pacientët. Për intervenim kirurgjik pacienti është përgatitur 20 ditë me radhë, me anë të bisedave dhe sugjestioneve për operim pa dhembje. Më në fund, intervenimi është kryer plotësisht me sukses, pa dhembje, dhe me një shërim të shpejtuar pas intervenimit. Ky intervenim kirurgjik u xhirua edhe në film dhe u paraqit në Kongresin Ndërkombëtar për Mjekësi Psikosomatike, që u mbajt në Romë, në vitin 1967.

Nëpërmjet bisedave dhe sqarimeve bindëse, të zhvilluara në ambiente të posaçme duke i folur me zë të ulët pacientit që gjendet i shtrirë dhe i relaksuar, mjeku ndikon në psikën e tij në mënyrë sugjestive. Shërimi zgjatë disa ditë, varësisht nga sëmundja.


 
Veröffentlicht : 01/10/2009 1:04 p.m.
Teilen: