Termi Psikopatologjia ka qene dhe eshte perdorur shpesh si sinonimi i Psikiatris.
Sot psikopatologjia fale shume ndryshimeve qe kane shoqeruar boten e farmacise dhe ate te perdorimit te psikomedikamenteve, ka arritur te fitoje nje role te vecent ne krahasim me premisat e asaje qe ajo vete do te perfaqsonte apo indentifikonte.
Edhe pse psikopatologjia morri nje zgjerim te madhe, ne ditet e sotme ajo ka arritur te gjeje nje indentifikim precize, ne ate qe “tregon format e ndryshme ne te cilat manifestohet patologjia e jetes psikike”.
Duke u paraqitur ne kete menyre, ajo humbet fillesat e saj ne sensin me te ngushte e specifik, ne momentin kur ky term rikthen metoden, ne basen e se ciles i afrohet fenomeneve patologjike te jetes mendore.
Sims ne 1988 do ta kuptonte psikopatologjine si "stidimin sistematik te eksperiencave, kognicioneve, dhe te sjelljeve anormale, te cilat vijne si rrjedhoje e nje mendjeje te alteruar(jo te ekulibruar)".
Ne vitin 2004 Scharfetter e perkufizoi psikopatologjine si "teorine e funksioneve psikikamente te shqetesuara nga koshenca. keto mund te jene atribut i funksioneve te ndryshme mendore: koshenca, vemendja, memoria, sensi i percepimit, mendimi dhe ndjenjat".
PARATHËNIE: Një nga fushat e para të interesimit të njeriut për njohje është fusha e jetës së tij psikike. Si homo sapiens njeriu vazhdimisht është përpjekur të njohë natyrën që e rrethon, por edhe qëndrimin e tij ndaj asaj rrethine. Ky interesim ekziston edhe sot, e për shkak të ndërlikueshmërisë së saj, jeta psikike e njeriut do të mbetet fushë që përvetësohet vështirë, por edhe fushë intriguese për hulumtime të reja. Në saje të psikologjisë bashkëkohore sot realiteti psikik akceptohet si pjesë e realitetit të përgjithshëm, d.m.th. si sintezë e realitetit natyror dhe shoqëror. Njohuritë fundamentale nga psikologjia gjithnjë e më shumë aplikohen në sfera të ndryshme të veprimtarisë së njeriut. Kështu, psikologjia ka gjendur vendin e vet në fushën e patologjisë sociale, të sjelljes asociale dhe kriminale. Rëndësi të veçantë psikologjia ka për një numër të madh masash dhe veprimesh operative – teknike, të metodave dhe të teknikave kriminalistike në zbulimin e provave materiale, si dhe të veprimeve dhe të dëshmisë hulumtuese të fajit në procedurën gjyqësore. Funksioni i risocializimit të personave të gjykuar në kuadër të trajtimit penologjik mbështetet në njohuritë nga psikologjia. Në fund, punëtorët operativë të organeve të punëve të brendshme, policët, kriminalistët gjatë punës së vet komunikojnë me një numër të madh njerëzish, e atë komunikim e ndërlikon një numër i madh i indikatorëve të natyrës psikologjike. Pasi që aftësia e komunikimit me njerëzit e profileve të ndryshme psikologjike nuk trashëgohet, por ajo arrihet përmes procesit të mësimit dhe të përvetësimit të dijeve, është e nevojshme që studentët e Fakultetit të Shkencave të Kriminalistikës të përvetësojnë informata të caktuara dhe të fitojnë njohuri të caktuara nga psikologjia e përgjithshme, psikologjia e personalitetit, psikologjia sociale, psikologjia e komunikimit, në mënyrë që të aftësohen për punët efikase dhe humane me njerëzit. Të gjithë këto do t’ua ofrojë programi i propozuar nga moduli / lënda mësimore – psikologjia. Njohja e studentëve të Fakultetit të Shkencave të Kriminalistikës me nocionet fundamentale nga psikologjia e përgjithshme, psikologjia e personalitetit, psikologjia sociale, psikologjia e komunikimit, me theks të veçantë mbi njohuritë aplikative psikologjike lidhur me punët e kriminalistit. Për studentët e Fakultetit të Shkencave të Kriminalistikës, kjo është para së gjithash: • Pjesë e arsimimit dhe e kulturës së përgjithshme; • Njohuri shkencore që do t’u mundësojë punë më të suksesshme pas përfundimit të studimeve; • Bazë për bashkëpunim më të suksesshëm me ekspertët e tjerë nga fusha e shkencave shoqërore dhe natyrore; • Bazë për të kuptuarit më të lehtë të përmbajtjeve nga disa module/lëndë të tjera siç janë: sociologjia, psikopatologjia, kriminologjia, kriminalistika, penologjia, etika etj. Rezultatet e procesit mësimor nga moduli / lënda e psikologjisë do të jenë shprehje e qëllimeve të parashtruara. Njeriu në tërësinë e vet është i determinuar me faktorët
biologjikë, psikologjikë dhe faktorët e mjedisit ku jeton dhe zhvillohet. Duke i përvetësuar informatat nga moduli i psikologjisë, studentët do të kenë mundësi të njohin komponentën psikologjike të njeriut, me çka para së gjithash do të mund ta njohin veten, por edhe sjelljet karakteristike të njerëzve të tjerë. Kjo do t’ju ofrojë arsimim të gjerë të përgjithshëm, do t’ua humanizojë marrëdhëniet me njerëzit e tjerë, në saje të transferimit pozitiv të njohurive do t’ju mundësojë përvetësimin e njohurive të reja nga fushat e tjera shkencore, do t’u ndihmojë që më lehtë dhe në mënyrë më efikase t’i kryejnë punët e kriminalistikës
4KAPTINA 1 ÇKA ËSHTË PSIKOLOGJIA? Psikologjia është shkenca mbi shpirtin. Psikologjia studion proceset dhe sjelljet e vetëdijshme dhe të pavetëdijshme psikike të individit. Psikologjia studion në aspektin shkencor sjelljen dhe proceset psikike. Objekti i interesimit të psikologëve përfshin sistemin nervor, ndjenjat dhe percepcionin, të mësuarit dhe kujtesën, intelegjencinë, gjuhën dhe të folurit, mendimin, rritën dhe zhvillimin, personalitetin, stresin dhe shëndetin, çrregullimet psikologjike, mënyrat e zbutjes dhe të mënjanimit të çrregullimeve psikologjike, sjelljen seksuale, si dhe sjelljen e njerëzve në rrethana sociale, d.m.th. në grupe të ndryshme dhe në organizata shoqërore. PSIKOLOGJIA SI SHKENCË Psikologjia, si edhe shkencat e tjera, përpiqet t’i përshkruajë, sqarojë, parashohë dhe kontrollojë dukuritë që i studion. Pra, psikologjia përpiqet të përshkruajë, sqarojë, parashohë dhe kontrollojë sjelljen dhe proceset psikike. Kurdoherë që kjo është e mundur, emërtimet dhe nocionet përshkruese lidhen me teorinë. Teoritë paraqesin formësimin e tërësishëm të raporteve të qarta midis dukurive të vrojtuara. Teoritë psikologjike mbështeten në supozimet mbi sjelljen dhe proceset psikike, përmbajnë pohime mbi parimet dhe ligjshmëritë që sundojnë midis tyre dhe na bëjnë të mundshëm paraqitjen e sqarimeve dhe të parashikimeve. Teoritë psikologjike mund t’i ndërlidhin pohimet mbi sjelljen (siç është të ushqyerit ose agresioni), proceset psikike (mentale) (siç janë qëndrimet ose parafytyrimet), si dhe mbi strukturat anatomike ose proceset biologjike. Për shembull, shumë prej reaksioneve tona ndaj drogës sikurse ndaj alkoolit apo marihuanës, mund të maten kur manifestohen në sjellje, e supozohet se ajo sjellje shpreh veprimin biokimik të drogave si dhe parashikimet tona (mentale) mbi ndikimin e tyre. Psikologët verifikojnë, gjithashtu, teoritë e veta të përpiluara me kujdes me anë të metodave hulumtuese, siç janë hulumtimet dhe eksperimentet në terren. Teoria e kënaqshme psikologjike na i bën të mundshme parashikimet. Për shembull, teoria e kënaqshme mbi urinë do të na bëjë të mundshëm parashikimin kur do të hanë njerëzit e kur jo. Mirëpo, në psikologji për shumë teori është konstatuar se nuk janë të afta të sqarojnë ose parashikojnë atë që është vërejtur. Për këtë arsye, ato teori janë braktisur ose janë ndryshuar. Nocioni i kontrollimit të sjelljeve dhe të proceseve psikike është kontravers. Disa njerëz gabimisht mendojnë se psikologët kërkojnë mënyra që t’i shtyjnë njerëzit e tjerë ta bëjnë atë që u urdhërohet – sikurse kukullave në pe. Kjo nuk është ashtu. Psikologët janë të prirur të besojnë në dinjitetin e qenieve njerëzore, kurse dinjiteti i njeriut kërkon që njerëzit të jenë të lirë të marrin vendime të veta dhe të zgjedhin sjelljen e vet. Tërë kohën psikologët mësojnë gjithnjë e më shumë për ndikimet në sjelljen e njeriut, por atë dijeni
5ata e aplikojnë vetëm në bazë të kërkesës dhe për t’u ndihmuar njerëzve në realizimin e nevojave të tyre. PSIKOLOGJIA E APLIKUAR Psikologët kanë interesim të shprehur të përbashkët për sjelljen, por mund të dallohen shumë mes veti. Disa psikologë në radhë të parë janë të angazhuar në hulumtime themelore (që ndonjëherë quhen bazike ose teorike apo hulumtime të pastra). Hulumtimet themelore nuk kanë aplikim të drejtpërdrejtë në problemet personale ose shoqërore, prandaj për këtë arsye konsiderohen hulumtime që kanë vetveten për qëllim. Psikologët e tjerë merren me hulumtime aplikative, që i dedikohen kërkimit të zgjidhjeve për problemet specifike personale ose shoqërore. Megjithëse hulumtimet themelore nxiten nga kurreshtja dhe dëshira për dije dhe mirëkuptim, hulumtimet e sotme themelore shpeshherë përmirësojnë mënyrën e nesërme të jetesës. Për shembull, hulumtimet themelore të të mësuarit dhe të motivimit të kryera ndaj kafshëve në fillim të këtij shekulli kanë gjetur një aplikim të gjerë në sistemet e sotme shkollore. Hulumtimet themelore të veprimit të sistemit nervor i kanë zgjeruar njohuritë mbi çrregullimet siç janë epilepsia, sëmundja e Parkinsonit, sëmundja e Alzheimerit. Shumë psikologë nuk janë inkuadruar në kurrfarë hulumtimesh. Në vend të kësaj, ata aplikojnë njohuritë psikologjike që t’ju ndihmojnë njerëzve të ndryshojnë sjelljen e vet në mënyrë që të mund t’i arrijnë në mënyrë më të efektshme qëllimet e veta. Psikologë të shumtë merren kryesisht me mësim. Ata i zgjerojnë njohuritë psikologjike në klasë, seminare dhe punishte të ndryshme. Mirëpo, të shumtë janë psikologët e inkuadruar në të gjitha këto aktivitete: hulumtim, këshillim dhe mësim. Për shembull, profesorët e psikologjisë zakonisht zbatojnë hulumtime të pastra ose të aplikuara, u japin këshilla klientëve individualë ose industrialë dhe i mësojnë. Psikologët klinikë dhe psikologët këshillëdhënës Psikologët klinikë u ndihmojnë njerëzve që kanë probleme psikologjike në përshtatjen ndaj kërkesave jetësore. Problemet e klientëve mund të shkojnë nga ankthi dhe depresioni, vështirësitë në jetën seksuale e deri te humbja e qëllimeve jetësore. Psikologët klinikë i vlerësojnë problemet me anë të intervistave strukturore dhe të testeve psikologjike. U ndihmojnë klientëve të vet në zgjidhjen e problemeve të tyre dhe në ndryshimin e sjelljes së papërshtatshme me aplikimin e psikoterapisë dhe të terapisë biheviorale. Psikologët shkollorë dhe arsimorë Psikologët shkollorë janë të punësuar në sistemin shkollor dhe u ndihmojnë atyre që kanë të bëjnë me problemet që e pengojnë të mësuarit. Problemet e tilla përfshijnë problemet sociale dhe familjare, problemet emocionale dhe vështërsitë
6 specifike të të mësuarit. Psikologu shkollor i konstaton problemet e nxënësve me anë të intervistës me mësuesit, prindërit dhe vetë nxënësit. Psikologët zhvillimor Psikologët zhvillimor i studiojnë ndryshimet – trupore, emocionale, kognitive dhe sociale – që ndodhin gjatë tërë jetës. Ata përpiqen të veçojnë ndikimin relativ të trashëgimisë (natyrës) nga rrethina (edukimi) në zhvillim. Psikologët zhvillimor zbatojnë hulumtime mbi ndikimin e përdorimit të drogës nga ana e nënës në embrion, përfundimet e formave të ndryshme të edukimit të fëmijëve, njohuritë e fëmijëve mbi hapësirën dhe kohën, konfliktet e adoleshentëve, përshtatjen e njerëzve më të moshuar. Psikologët që merren me personalitetin dhe psikologët socialë Psikologët që merren me personalitetin e njeriut përpiqen t’i caktojnë tiparet njerëzore; të përcaktojnë se çka ndikon në proceset mendore të njeriut, ndjenjat dhe sjelljet, si dhe t’i sqarojnë çrregullimet psikologjike. Ata merren sidomos me problemet e njeriut sikur janë ankthi dhe agresioni, si dhe me çështjet e roleve gjinore. Psikologët socialë në rend të parë orientohen në natyrën dhe në shkaqet e të menduarit dhe të ndjenjave të individëve dhe në sjelljen e tyre në situatat sociale. Psikologët që studiojnë personalitetin përpiqen që brenda personit t’i gjejnë disa interpretime të sjelljes, kurse psikologët socialë orientohen në ndikimet shoqërore ose të jashtme. Në sjellje veprojnë edhe ndikimet e brendshme dhe të jashtme. Psikologët industrialë Psikologët industrialë janë të orientuar në raportet midis njeriut dhe punës. Psikologët e organizatave studiojnë sjelljen e njerëzve në organizata siç janë ndërmarrjet e ndryshme. Mirëpo, shumë psikologë janë të arsimuar për të dy fushat. Psikologët industrialë dhe ata të organizatave janë të punësuar në organizatat afariste me detyrë që t’i përmirësojnë kushtet e punës, të shtojnë produktivitetin dhe – nëse kanë arsimim për këshillime – punojnë me të punësuarit që kanë probleme në punë. Ndihmojnë gjatë punësimit, arsimimit dhe përparimit. ZHVILLIMI HISTORIK I PSIKOLOGJISË Psikologjia ka një të kaluar të gjatë, por një histori të shkurtër. Megjithëse duket që rezultatet e hulumtimeve dhe zhvillimi teorik ndryshojnë pamjen e psikologjisë gjatë çdo disa viteve, projektin e këtij teksti mësimor ka mundur ta shkruajë filozofi grek Aristoteli (rreth viteve 384 -322 para Krishtit). Një nga veprat e Aristotelit është quajtur Peri Psyches, që do të mund të përkthehej si “Mbi psikën”. Peri Psyches, si edhe ky libër, fillon me historinë e psikologjisë së të menduarit dhe pikëpamjet historike mbi natyrën e psikikës dhe të sjelljes
Aristoteli gjithashtu ka pohuar se njerëzit janë të motivuar në mënyrë bazike që të kërkojnë kënaqësinë dhe t’i shmangen dhembjes, qëndrim ky që e ka shfrytëzuar teoria moderne psikodinamike dhe teoritë e të mësuarit. Ekzistojnë edhe kontribute të tjera të grekëve të vjetër. Demokriti (rreth viteve 460-370 para Krishtit), për shembull, ka theksuar se sjellja jonë është nën ndikimin e ngacmimeve të jashtme. Ai ka qenë një nga të parët që ka parashtruar çështjen se a ekziston diçka e tillë siç është vullneti i lirë ose zgjedhja. Platoni (rreth viteve 427-347 para Krishtit), nxënës i Sokratit (rreth viteve 470- 399 para Krishtit), ka shënuar këshillën e Sokratit “njihe vetveten”. Që nga atëherë kjo është motoja e mendimit psikologjik. Sokrati ka konkluduar se ne nuk mund të arrijmë njohjen e plotë të vetvetes me anë të ndjenjave tona sepse ato nuk janë shprehje e saktë e realitetit. Edhe sot dallojmë ngacmimet që veprojnë në receptorët tonë të ndijimit nga percepcionet dhe ndijimet tona shpeshherë të shtrembëruara. Pasi që ndijimet e bëjnë të mundshme njohjen e papërkryer, Sokrati ka propozuar që ta studiojmë vetveten me anë të të menduarit racional dhe të introspeksionit. Mirëpo, le t’i kthehemi zhvillimit të psikologjisë si shkencë laboratorike në gjysmën e dytë të shekullit 19. Disa historianë vejnë datën e fillimit në vitin 1860. Atëherë Teodor Gustav Fechner (1801-1887) ka botuar librin që është gur kufitar në psikologji: “Elementet e psikofizikës”. Ajo ka treguar se në çfarë raporti janë dukuritë fizike (siç janë drita dhe zëri) me dukuritë psikologjike të ndijimit dhe të percepcionit. Fechner gjithashtu ka treguar se si mund të masim shkencërisht efektet e atyre dukurive. Shumica e historianëve e vendos fillimin e psikologjisë moderne si shkencë laboratorike në vitin 1879. Atë vit Wilhelm Wund (1832-1920) ka themeluar laboratorin e parë psikologjik në Leipzig të Gjermanisë. DREJTIMET MË TË RËNDËSISHME PSIKOLOGJIKE Strukturalizmi “Wilhelm Wundt, sikurse Aristoteli, ka konkluduar se psiqika është dukuri natyrore, që mund të studiohet shkencërisht si dhe drita, ngrohtësia dhe qarkullimi i gjakut. Wundt ka shfrytëzuar introspeksionin duke u përpjekur t’i zbulojë elementet themelore të përjetimit. I ballafaquar me drita dhe tinguj të ndryshëm, ai dhe kolegët e tij kanë vrojtuar vetveten se si do t’i përshkruanin ndijimet dhe ndjenjat e veta. Wundi dhe nxënësit e tij e kanë themeluar shkollën psikologjike të njohur si strukturalizëm. Strukturalizmi përpiqej të caktonte organizimin e përjetimeve të vetëdijshme. E ka zbërthyer përjetimin në ndijime objektive siç janë të parit ose shijimi dhe ndjenjat subjektive si reaksione emocionale, të vullnetit dhe të parafytyrimeve mentale (për shembull kujtimet ose ëndrrat). Strukturalistët besonin se mendja funksionon me kombinimin kreativ të elementeve të përjetimit
Një nga nxënësit amerikan të Wundtit ka qenë edhe G. Stanley Hall (1844-1924). Interesimi kryesor i Hallit përfshinte zhvillimin psikologjik në fëmijëri, adoleshencë dhe në moshën më të shtyrë. Hallit zakonisht i atribuohet themelimi i fushës së psikologjisë së fëmijëve. Ai është edhe themelues i Shoqatës psikologjike amerikane(APA). Funksionalizmi Kam dëshiruar që, duke vepruar me psikologjinë si me shkencë natyrore, t’i ndihmoj të bëhet e tillë. WILLIAM JAMES Nga fundi i shekullit 19, William James (1842-1910), vëllai i shkrimtarit Henry James, miraton një pikëpamje të gjerë mbi psikologjinë, duke u orientuar në raportet midis përjetimit dhe sjelljes. James pohon se ekziston një rrymë e pandërprerë e rrjedhës së vetëdijes. Introspeksioni e ka bindur se përjetimi nuk mund të zbërthehet në njësi, siç mendonin strukturalistët. James ka themeluar shkollën e funksionalizmit që merret me sjelljen si dhe me vetëdijen. Funksionalizmi shqyrton mënyrat me të cilat përjetimet dhe përvoja na mundësojnë përshtatjen e sjelljes ndaj rrethinës në të cilën gjendemi. Funksionalizmi shfrytëzon vrojtimet laboratorike si plotësim i introspeksionit. Strukturalistët praktikonin të pyetnin: “Cilat janë pjesët e proceseve psikike?”, kurse funksionalistët ishin më të prirur të pyetnin: “Cili është qëllimi (funksioni) i sjelljes dhe i proceseve psikike? Cilat janë efektet e tyre?”. Funksionalistët mendojnë se ndërthurjet adaptative të sjelljes janë të mësuara dhe të pandryshueshme. Sjellja e papërshtatur anon kah zhdukja ose ndërprerja. Veprimi i përshtatur anon kah përsëritja dhe bëhet shprehi. James ka shkruar se “shprehia është një rrotë jashtëzakonisht balancuese e shoqërisë”. Shprehia e mban shoqërinë nga dita në ditë. Krijimi i shprehive pasqyrohet në veprimet siç janë futja e lugës në gojë ose shtypja e dorëzës së derës. Së pari, ato veprime kërkojnë kujdes të plotë. Nëse jeni në dilemë, ndaluni me facoletën e letrës në dorë dhe vështroni pak fëmijën gjatë përpjekjes së tij që për herë të parë të ushqehet vetë. Me anë të përsëritjes, veprimi që paraqet të ushqyerit e pavarur bëhet automatik, d.m.th. bëhet shprehi. Veprimtaria e shumëfishtë e përfshirë në të mësuarit e drejtimit të automjetit me anë të përsëritjes bëhet gjithashtu rutinore. Pas kësaj mund ta realizojmë pa ndonjë kujdes të veçantë. Atëherë lirisht mund të orientohemi në konverzim interesant ose në ndonjë radio emision. Ideja mbi të mësuarit me anë të përsëritjes është ide themelore edhe për traditën bihevioriste. Biheviorizmi John Broadus Watson (1878-1958) konsiderohet themelues i bihevirizmit amerikan. Funksionalizmi ishte përhapur në vend dhe dominonte në Universitetin e Çikagos. Funksionalistët merreshin me rrjedhën e vetëdijes si dhe me sjelljen e vëzhguar
Watson hidhërohej me përpjekjet introspektive të funksionalistëve në studimin e vetëdijes, sidomos të vetëdijes së kafshëve të ulta. Pohonte se psikologjia, nëse ka për qëllim të bëhet shkencë natyrore, si fizika ose kimia, duhet të kufizohet në dukuritë e vërejtura, të matshme. Duhet të kufizohet në sjellje. Ato sjellje janë publike dhe mund të maten me anë të vrojtimit të thjeshtë ose me instrumente laboratorike. Psikologjia nuk ka nevojë të merret me “elemente të vetëdijes”. “Elementet” e tilla janë të arritshme vetëm për organizmin që i vrojton . (Bihevioristët definojnë psikologjinë si studim shkencor i sjelljes, e jo të sjelljes dhe të proceseve psikike). Psikologu B.F. Skinner (1904-1990) nga Universiteti i Harvardit aplikon në bihoviorizëm nocionin e mbështetjes. Organizmat, konsideronte Skinner, mësohen të sillet në mënyrë të caktuar sepse janë të mbështetur të sillen ashtu. Shumë psikologë kanë pranuar pikëpamjen e tillë sipas të cilës, në parim, sjellja ndërlikuar njerëzore mund të sqarohet me grumbullin e të mësuarit individual me anë të mbështetjes. Geshtalt psikologjia Në Gjermani në vitet 1920 dallohej edhe një shkollë e psikologjisë – Geshtalt psikologjia. Viteve të tridhjeta tre themelues të asaj shkolle – Max Wertheimer (1880- 1943), Kurt Koffka (1886-1941) dhe Wolfgang Kohler (1887-1967) e braktisin Evropën në mënyrë që t’ju shmangen kërcënimeve naziste. E vazhdojnë punën e vet në shtetet e Bashkuara. Wertheimer dhe kolegët e tij ishin orientuar në percepcionin dhe në ndikimin e percepcionit në të menduarit dhe në zgjidhjen e problemeve. Për kundër bihevioristëve, geshtalt psikologët pohonin se askush nuk mund të shpresojë që të kuptojë karakterin e njeriut duke u orientuar vetëm në sjellje. Përkundër strukturalistëve, konkludojnë se askush nuk mund ta sqarojë percepcionin e njeriut, emocionet ose proceset mendore me anë të njësive bazike. Percepcionet janë më të shumta se shuma e pjesëve të tyre. Geshtalt psikologët e kuptonin percepcionin si tërësi që u jep domethënie pjesëve. Geshtalt psikologët dëshmonin se si jemi të prirur t’i vërejmë pjesët e veçuara të informatave si tërësi të bashkuara, duke përfshirë edhe kontekstin e pranishëm. Ata pohonin se percepcioni i njeriut nuk mund të sqarohet në bazë të njësive bazike sepse kemi prirje të interpretojmë vrojtimin tonë të gjërave si tërësi në kuadër të kontekstit të pranishëm. Në mënyra të ndryshme do ta interpretoni vrapimin e njeriut drejt jush varësisht nga ajo se a gjendeni në një rrugë të zbrazët në mes të natës ose në stacionin e tramvajit në mëngjes kur shkoni në punë. Geshtalt psikologët besonin se të mësuarit mund të jetë aktiv dhe i përshtatshëm, jo vetëm pasiv dhe mekanik si në eksperimentet e Pavlovit me qentë. Wolfgang Kohler dhe të tjerët kanë dëshmuar se të mësuarit është arritur shumë herë me anë të të vërejturit e jo me anë të përsëritjes mekanike
Psikoanaliza Psikanaliza është shkollë e psikologjisë që e ka themeluar mjeku i cili në vitet 1930 ishte strehuar në Angli që t’i shmangej tiranisë naziste – Sigmund Frojd (1856- 1939). Teoria e Frojdit ka depërtuar shumë më shumë në kulturën e përgjithshme se teoritë e tjera. Ndoshta tashmë jeni njohur me të. Për shembull, ndonjë person jostabil do të bëjë vrasje masive së paku në një TV-seri kriminalistike për çdo sezonë. Konkluzioni tipik i psikiatrit në seri do të jetë se vrasësi në mënyrë të “pavetëdijshme” e ka eliminuar nënën ose babait e tij. Ose ndoshta miku juaj është përpjekur “t’ua sqarojë” gabimin gjuhësor që e keni bërë ose ka pyetur çka mendoni çfarë do të mund të ishte domethënia simbolike e ndonjë ëndrre. Ideja që njerëzit i lëvizin impulset e fshehura, dhe se gabimet verbale edhe ëndrrat i paraqesin si dëshira të pavetëdijshme në masë të madhe shpreh ndikimin e Frojdit. Psikologët akademikë i zbatojnë hulumtimet e veta kryesisht në laborator. Ndërkaq, Frojdi i kupton njerëzit me anë të bisedave klinike. Ishte i hutuar me faktin që njerëzit kanë aq pak njohuri mbi motivet e veta. Disa njerëz arsyetojnë, ose racionalizojnë sjelljen më të neveritshme me sqarime absurde. Të tjerët nuk e humbin rastin që të fajësojnë vetveten pothuaj për çdo fatkeqësi që e ka goditur gjininë njerëzore. Frojd krijon bindjen se proceset e pavetëdijshme, sidomos impulset primitive seksuale dhe agresive, kanë ndikim shumë më të madh në sjelljen e njeriut sesa të menduarit e vetëdijshëm. Frojd konsideronte se shumica e psikikës është e pavetëdijshme. Ajo përbëhet nga ena e kaldajës së vluar të impulseve, të nxitjeve dhe dëshirave konfliktuoze. Njerëzit janë të motivuar t’i kënaqin ato impulse, sado që disa prej tyre do të ishin të këqija. Por njëkohësisht, njerëzit janë të motivuar që vetveten ta vlerësojnë si person të ndershëm dhe të moralshëm. Aq shpesh e mashtrojnë vetveten në aspektin e motiveve të veta reale. Për shkak të forcave të supozuara themelore lëvizëse të personalitetit, teoria e Frojdit është quajtur teori psikodinamike. Frojdi e definon veprimin psikoterapeutik të quajtur psikanaliza. Qëllimi i psikanalizës është t’u ndihmojë njerëzve të kenë mbikëqyrje mbi konfliktet e vendosura thellë dhe të gjejnë mënyrën e pranueshme shoqërore të shprehjes së dëshirave dhe të plotësimit të nevojave. Terapia psikoanalitike është proces që mund të zgjasë me vite. Duke debatuar për strukturën e personalitetit Frojdi i definon tri instanca ose struktura: 1. “Id” ose ajo; 2. “Ego” ose unë; 3. “Super ego” ose mbi unë, që ka dy nënstruktura: a) Egon ideale b) Vetëdijen. Lidhur me zhvillimin e personalitetit, Frojdi i definon pesë faza ose etapa të zhvillimit të personalitetit