Psikologjia e stresit
Si të njihni dhe të pakësoni stresin në jetën tuaj
Në këtë libër do gjeni gjithçka rreth stresit, gjendjes prej së cilës nuk mund të shpëtojë asnjëri prej nesh. “Stresi është një vrasës i heshtur. Dikë më shumë e dikë më pak, ai na kërcënon të gjithëve”. Profesori i njohur i psikologjisë në Universitetin e Tiranës Theodhori Karaj përcjell përmes këtij libri në mënyrë shumë professionale po aq sa edhe të kuptueshme, gjithçka që ne duhet të dimë për stresin:
-çfarë është dhe çfarë e shkakton stresin
-nga se varet niveli i stresit që ju përjetoni
-cilat janë reagimet tuaja fiziologjike dhe psikologjike në gjendje stresi
-kur stresi është i dobishëm dhe kur i dëmshëm
-cili është efekti i stresit në trupin, mendjen dhe veprimet tuaja
-si stresi shkakton hipertensionin, atakun e zemrës dhe shumë sëmundje të tjera
-si të pakësoni ndikimet negative të stresit me anë të teknikave relaksuese:
• Meditimi
• Relaksimi progresiv
• Desensibilizimi sistematik
• Rlaksimi autogjenik
• Frymëmarrja diafragmatike
• Relaksimi me anë të imazheve
- si të ndryshoni mënyrat stresante të të menduarit
- si të ndryshoni mënyrat stresante të të sjellurit
- si të administroni më mirë kohën tuaj etj.
Të dini të mbroheni nga stresi është një avantazh i madh. Lexoni “Psikologjinë e stresit”.
___________________________________________________________________________________________________
**TODAY TOMORROW AND FOREVER**
Nëse dashuria është lojë: Ja rregullat
Dashuria s’rastis, duhet ta krijoni
Jeni ju që vendosni të keni një lidhje. Ta bëni tjetrin të dashurohet dhe të filloni një marrëdhënie në çift, varet nga ju. Këngët për dashurinë na thonë se fijet e dashurisë mbështillen nga gishtat e fatit, ndërsa poetët se ajo është diçka e paprekshme, e paparashikueshme dhe vagëlluese si një fill tymi. Miqtë mund të na thonë se të gjesh njeriun e duhur është thjesht të gjesh kohën e duhur, ndërsa revistat lënë të nënkuptohet se sekreti për të takuar dashurinë e përjetshme është të ngasësh një veturë të shtrenjtë, të veshësh xhinse moderne, ose të kesh dhëmbë të shkëlqyer si perla, goja të të vijë erë e freskët dhe të kesh flokë të parfumuar. E gjithë kjo mund të shkaktojë pështjellim. Por sekreti për të gjetur dashurinë e vërtetë nuk qëndron në një studim të dhëmbëve e as në duart e fatit apo të kohës. Qëndron në vetëdijen tonë. Dashuria nuk rastis. Dashurinë duhet ta krijoni, tamam siç do të krijonit çfarëdo lloj gjëje tjetër.
Para së gjithash të doni veten
Marrëdhënia që keni me veten tuaj është modeli në bazë të të cilit krijohen marrëdhëniet e tjera. Për të krijuar një lidhje të thellë dhe të lumtur me një njeri, është thelbësore të mësosh të duash veten. Eshtë marrëdhënia vendimtare e jetës suaj. Ka një ndryshim midis “Ju”-së dhe “unit” tuaj. Ai është bërthama e qenies suaj, thelbi që ekziston, pavarësisht nga personaliteti juaj, nga ju, nga opinionet dhe emocionet tuaja. Eshtë një hapësirë e vogël dhe e shenjtë brenda jush, strehë e zemrës dhe e shpirtit tuaj. “Ju” është vëzhguesi, trajneri dhe kritiku që kontrollon mendimet, fjalët, emocionet, sjelljet dhe përcakton se sa nga “uni juaj i brendshëm” do t’u tregohet të tjerëve. Cilësia e marrëdhënies midis jush dhe “unit tuaj të brendshëm” është themelore, sepse të gjitha marrëdhëniet e tjera që vendosni bazohen tek kjo marrëdhënie. Nëse ajo që dëshironi është një lidhje e vërtetë dashurie, atëherë hapi i parë duhet të jetë të mësoni të doni, të nderoni dhe të përkëdhelni veten tuaj.
Të njihni veten
Të njihni mirë veten do të thotë të viheni në kontakt me esencën tuaj më intime, të zbuloni natyrën, objektivat, dëshirat, pikat tuaja të dobëta, kërkesat e parevokueshme dhe kufijtë e tolerancës; pra të dini kush jeni dhe ku doni të shkoni. Këto pika mund të jenë më pas të zbatueshme në kërkim të shokut që me të vërtetë ju përshtatet. Sa më shumë ta njihni dhe kuptoni veten, aq më të shumta do të jenë mundësitë e suksesit në lidhjen tuaj. Të njihni dhe të kuptoni veten nuk është shumë e vështirë, por kërkon kohë dhe energji. Mund ta bëni duke lexuar, duke folur, duke medituar, duke u lutur, duke marrë pjesë në seminare, duke u këshilluar me një mjek, një astrolog, apo cilindo tjetër udhërrëfyes.
Shikoni përtej lenteve rozë
Eksplorimi është faza e “njohjes reciproke”. Kjo fazë ka shpesh ngjyrën rozë të romanticizmit. Në ekstazën e njohjes së shumë realiteteve të reja e të mrekullueshme mbi partnerin tuaj dhe të gëzimit të zbulimit të emocioneve tuaja më intime, mund të jetë e vështirë që të kujtoheni të ecni përpara me kujdes, me sytë hapur dhe antena të ngritura. Por edhe nëse mund të mbani lentet rozë që të mos pëlcisni tullumbacen tuaj të lumturisë, herë pas here hidhni një sy sipër tyre, për të pasur të paktën një sy mbi realitetin.
Mos iu largoni përgjegjësive
Arsyeja pse gjysma e martesave përfundojnë me ndarje është se partnerët midis tyre nuk kanë vendosur kurrë një mirëkuptim dhe një marrëveshje, përveç premtimeve të shkëmbyera në altar. Njerëzit njihen, dashurohen, diskutojnë ëndrrat dhe objektivat, angazhohen për ndonjë pikë dhe martohen. Më vonë, zbulojnë se nuk kanë ditur se mbi ç’baza rrinë së bashku dhe çfarë pret secili nga tjetri. Rrallëherë njerëzit harxhojnë kohë për të vendosur role e përgjegjësi ose për të rënë dakord për mënyrën se si do zhvillohet lidhja. Pastaj, me kalimin e kohës, zbulojnë se martesa e tyre nuk ka rregulla bazë për ta forcuar dhe për ta mbështetur.
Dashuria kërkon angazhim
Shumë njerëz i shmangen angazhimit, sepse kanë frikë se mos bëjnë ndonjë gabim. Mund të kenë bërë gabime të tjera në të kaluarën dhe vazhdojnë ta qortojnë veten e tyre për të. Nëse vuajnë (“nuk duhet të isha lidhur kurrë me të…”) ose kanë ndjenjë pendimi (“ka qenë gabimi më i madh i jetës sime”), atëherë do të ngurrojnë dhe do të kundërshtojnë idenë për t’u angazhuar edhe një herë tjetër. Para se të mund ta bëjnë, duhet të dinë të falin njëri-tjetrin dhe të shërojnë plagët. Eshtë diçka që secili duhet ta bëjë për veten e tij, sepse asnjë tjetër nuk do ta bëjë për të. Eshtë një udhëtim i vetmuar. E vetmja gjë që mund të bëni si partner është që ta qetësoni shokun tuaj, në mënyrë që të tregojë frikën e tij dhe të presë që të jetë gati. Nëse procesi do të kërkojë më tepër së sa ju lejon durimi ose koha juaj, atëherë duhet të vendosni nëse duhet ta prisni apo jo.
Jo çdo tërheqje është dashuri
Interesimi ekziston, kur shkëmbimi i energjive midis partnerëve nuk has pengesa. Lidhjet sentimentale normalisht fillojnë me një shkëndijë, ndonjëherë me një familjaritet të çuditshëm sikur atë person e njeh prej kohësh, ndonjëherë është një ndjenjë e fortë si një fshikullimë, ose një ndjenjë mirëqenieje e thellë. Shumë njerëz flasin për një tërheqje fizike të menjëhershme. Mbi të gjitha alkimia mund të jetë vërtetë e fuqishme. Kur takojmë dikë drejt të cilit jemi të tërhequr seksualisht, zemra rreh më shpejt, trupi shkrihet, fantazia vrapon dhe papritmas mund të ndihemi sikur në një farë mënyre dhe në një jetë tjetër kemi qenë të bashkuar me këtë krijesë magjepsëse. Megjithatë kujdes: një tërheqje e fortë nuk është njëlloj si të dashurosh, aq më pak do të thotë që dy njerëz janë bërë për njëri-tjetrin. Sigurisht është e rëndësishme, por është vetëm hapi i parë. Gjatë jetës mund të tërhiqeni nga shumë njerëz, por vetëm në fazat e mëtejshme do të mund ta zbuloni, nëse njëra prej tyre është vërtetë dashuria e jetës suaj.

**TODAY TOMORROW AND FOREVER**
Njerëzit që gënjejnë
Të gjithë njerëzit gënjejnë. Mund të bëhet fjalë që prej gënjeshtrave të vogla mbi p.sh. një shfajësim për një ardhje me vonesë e deri tek gënjeshtra të mëdha mbi p.sh. pasjen e një jete të dyfishtë apo kryerje tradhtie. Por njeriu gënjen edhe kur e mban të fshehtë diçka e nuk e thotë. Sipas disa studimeve njeriu gënjen nga çdo katër deri në çdo tetë minuta. Rreth 5 përqind e popullsisë janë gënjeshtarë të dhuntuar: çfarë do të thotë se nuk mund ta kuptosh nëse ata gënjejnë apo jo. Kurse gënjeshtrat e 95 përqindëshit që mbetet mund t´i zbulosh kur ke njohuritë përkatëse.
Zotësia për të zbuluar gënjeshtrën qëndron në aftësinë për të lexuar të ashtuquajturën gjuhë trupore. Bo Sjöberg, psikolog dhe përgjegjës i institutit suedez NLP që mëson njerëzit për të lexuar gjuhën e trupit dhe zbuluar gënjeshtrat, thotë se një gënjeshtar është i mëdyshëm. Ajo që ai thotë me gojë nuk përputhet me atë që ai shpreh me trupin e tij. P.sh. gjestet nuk përputhen me tempon e zërit ose fjalët nuk përputhen me zërin që nxjerr. Edhe shikimi mund ta tradhtojë gënjeshtarin. Nëse shikimi i dikujt është i ngurtë dhe i ngulitur ai mund të jetë duke gënjyer. Përveç të tjerash, një gënjeshtar ngul këmbë në atë që thotë. Zakonisht me gënjeshtër kuptohet ajo që njeriu me vetëdije e fsheh apo e shtrembëron për të bërë dikë të humbasë fillin. Më së shumti hasen tre grupe të mëdha gënjeshtarësh. Grupi i atyre që të gënjyerit e kanë për dëfrim, të atyre që gënjejnë për të shmangur një konflikt dhe grupi i atyre që duan të fshehin diçka për të cilën u vjen turp ose prej të cilës nuk ndjehen mirë. Ata që gënjejnë për tu dëfryer shtyhen nga e njëjta gjë që shtyn dikë që ka qejf të hidhet me parashutë. Gënjeshtra kthehet në një mënyrë për të sfiduar fatin dhe krijuar pak variacion në jetë.
Gënjeshtra që të gjithë njerëzit i thonë janë p.sh. rasti si ai kur njeriu thotë se gjella është bërë shumë e mirë ndonëse mendon se nuk hahet dot. Apo kur i bën qejfin dikujt duke i thënë p.sh. shoqes se fustani i ri i shkon shumë bukur kur ndërkohë mendon se ajo ngjan sikur ka veshur një thes. Në këto raste bëhet fjalë për tregim respekti ndaj tjetrit, për t´iu shmangur diçkaje apo për gënjeshtra të nevojshme. Ka edhe njerëz që përpiqen ta zbukurojnë të vërtetën dhe që besojnë me të vërtetë mbi atë që thonë. Këta quhen mitomanë. Ata nuk e përjetojnë si gënjeshtër atë që thonë. Prandaj është e vështirë ta quash mitomanin me plot gojë gënjeshtar. Njerëzit mund të kenë plot shkaqe për të gënjyer. Bo Sjöberg thotë se Bill Clinton gënjeu mbi Monica Lewisky-n përpara popullit të tij pasi i vinte turp. Shikohej qartë shprehja e fytyrës së tij që herë tregonte inat e herë keqardhje.

**TODAY TOMORROW AND FOREVER**