Benachrichtigungen
Alles löschen

islamiket dhe pamvaresia e KOSOVES........

2 Beiträge
1 Benutzer
0 Reactions
913 Ansichten
(@zemra-e-kosoves)
Beiträge: 524
Honorable Member
Themenstarter
 
[#1661]

SHTET ISLAMIKE DHE PAMVARESIA E KOSOVES..........

Vetëm pak ditë më parë, gjatë një tubimi për ditëlindjen e Profetit Muhamet, kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Selim Muça, e konsideroi si mjaft të rëndësishëm vitin ku kemi hyrë, që na dhuroi pavarësinë e Kosovës. Vetëm pak ditë më parë, Konferenca e Vendeve Islamike nuk pranoi ta njohë në bllok këtë pavarësi, duke zhgënjyer optimistët që besonin në pranimin në bllok prej saj. Ndërkohë, ne duam të nxisim reflektimin në gjirin e disa predikuesve myslimanë shqiptarë, që ekzaltojnë interesin islamik, apo kombin islamik si një i tërë. A duhet të bëhet zgjedhja e interesit kombëtar përpara atij panislamik? Si orientohen ata, në rast ngjarjesh të caktuara? Çfarë i përcakton qëndrimet e tyre, më së pari, ndaj krizave në botë, ndaj konflikteve apo ndaj trendeve të politikës botërore dhe a duhet të ndryshojnë diçka? Qenia myslimanë apo qenia shqiptare e tyre? Për shembull, ç"qëndrim duhet mbajtur tash e tutje ndaj rolit të atyre që ishin sponsorët kryesorë të pavarësisë së Kosovës? Çfarë qëndrimi duhet mbajtur? Po si duhen shikuar tani vendet e Konferencës Islamike, regjime teokratike përgjithësisht, hiq Turqinë, që e injoruan pavarësinë e një vendi si Kosova me shumicë myslimane? Këto janë dilema jo të thjeshta, por para se të merremi me rastin konkret, le të bëjmë njëlloj parashtrimi të dukurive që kanë formësuar botëkuptimin e këtyre lloj predikuesish. Dhe që duhen pasur parasysh për të arritur në gjykime shteruese. Apo për reflektime të tjera.

Disa dukuri problematike

Shumica e klerit tonë mysliman është formuar në një mungesë të plotë vëmendjeje, indiferencë, në vende myslimane të orientimit radikal panislamik. Disa prej tyre janë brumosur në këto shkolla me një botëkuptim të caktuar, që u ka zbehur deri diku qenien shqiptare, siç duket në forume të caktuara në internet, apo në ngjarje të veçanta të verifikuara në vend. Sikur të mos mjaftonte ky fluks që iku prej vendit, e të kthyer me tru tjetër, veçanërisht pas hyrjes së vendit tonë në Konferencën Islamike, falë hapjes së dyerve, në vend pati dhe një dukuri tjetër. Në gjithë territorin u vendosën fondacione të ndryshme, drejtuar nga individë të huaj, disa prej të cilëve në mbulesën e mëshirës, kanë pasur dhe funksione të tjera, siç dhe u zbulua pas 11 Shtatorit, kur njëlloj vepre spastruese e autoriteteve tona të sigurisë, të udhëhequra nga amerikanët, qartësoi shumë gjëra.

Kjo mungesë largpamësie e fillimviteve "90, krijoi njëlloj konfliktualiteti shtesë në gjirin e myslimanëve. Ai është reflektuar në përpjekjet për të vendosur kontrollin mbi drejtimin administrativ të Komunitetit dhe për pasojë, në kontrollin e burimeve të financimit, pronat etj. Diku konflikti është shfaqur në beteja të vogla banale për kontrollin e xhamive në fshatra apo qytete të caktuara. Sot të jesh hoxhë është dhe profesion, d.m.th. të punosh, të paguhesh dhe të mbash familjen. Por jo vetëm. Individë të caktuar, me një artikulim të spikatur, kanë inkurajuar jo aq pak sa të injorohen, qëndrime të ashpra të grigjës që drejtojnë, ndaj feve të tjera, simboleve të tyre, apo dhe njëlloj antiamerikanizmi, siç është dukur në emisione të ndryshme, pra dhe publikisht. Tërheqja apo largimi i këtyre fondacioneve e ka zbehur këtë lloj protagonizmi, por puna e hershme, apo punëra që nuk duken faqeza, mund të kenë lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen e individëve të caktuar. Politikat banale të ndjekura nga dy partitë kryesore në pushtet, mungesa e standardeve unike në kthimin e pronave, madje lakmia dhe babëzia e zyrtarëve të caktuar shqiptarë ndaj pronave të shumta të komuniteteve fetare, kanë prodhuar frustrim. Nuk është kuptuar dhe nuk është dashur të kuptohet sesa e rëndësishme është pavarësia financiare e komuniteteve fetare. Sot ka njëlloj qetësie, por studimi i këtyre dukurive është më dritësjellës sesa injorimi i tyre.

Pasojat e dukurive të tilla

Kontradikta kryesore në gjirin e bashkësive fetare në kohëra të ndryshme në vendin tonë ka qenë ajo midis interesit kombëtar dhe atij panortodoks apo panislamik. Lëvizjet e fillimshekullit të 20 me Fan Nolin në krye, apo hoxhallarë patriotë si Hafiz Ali Korça, Vehbi Dibra etj., kanë synuar në mënyrë largpamëse të shkëpusin bashkësitë fetare shqiptare nga ndikimet globale islamike dhe ortodokse me frymëzim rajonal, kryesisht grek, por situata nuk ka qenë gjithnjë lineare. Politikat e mençura të kabineteve intelektuale të Zogut kanë rezultuar të suksesshëm. Por pas rënies së komunizmit, mungesa e kuadrit fetar ortodoks, njëlloj mungese vizioni dhe përkulshmëria e autoriteteve tona, bënë që komunitetet tona të rikrijuara siç u tha më sipër, të bien në ndikime të huaja. Dhe pyetja shtrohet sërish në ngjarje të rëndësishme: cili interes duhet të mbizotërojë? Sepse shumë prej këtyre individëve mbrojnë interpretimin se myslimanët janë një komb, me gjithë thëniet e Kuranit për popujt e ndryshëm.

Pa hyrë në diskutime teologjike të thella, pavarësimi i Kosovës duhet të vendosë ama në pikëpyetje këto figura që ndihen të lidhura me shkollën që kanë bërë apo me predikues globalë myslimanë të linjës së ashpër. Pse vendet islamike, me përjashtim të Turqisë, nuk e njohën menjëherë pavarësimin e Kosovës? Nëse në njërën anë, ky ishte një lajm i mirë që zhvleftësonte pretendimet e serbëve apo kundërshtarëve evropianë të pavarësisë që paralajmëronin për rrezikun e një shteti islamik në zemër të Evropës, nga ana tjetër ishte lajm i keq. Ishte lajm i keq, sa i takon stabilizimit të Kosovës. Sa më shumë vende ta njihnin Kosovën dhe sa më shpejt ta bënin atë, aq më shpejt hapej rruga e anëtarësimit të saj në OKB dhe ndërtimi i institucioneve të saj, tranzicioni i pushteteve nga UNMIK, tek të zgjedhurit kosovarë etj.

Por, mbi të gjitha, ishte një lajm që tregoi se këto vende teokratike, pra ku qeverisin regjime fetare, vendosën interesin e tyre kombëtar mbi atë panislamik. Nuk e njohën pavarësinë e Kosovës me shumicë myslimane, për shkak se këto vende janë antiamerikane dhe se sponsorët kryesorë të kësaj pavarësie janë amerikanët. Nuk pranuan pra të bënin një gjë që, sipas tyre, favorizonte amerikanët në rrafsh global. Pa folur për atë se disa prej këtyre vendeve kishin dhe kanë raporte të privilegjuara me Serbinë dhe ish-Jugosllavinë e dikurshme, prej të cilës kanë marrë dhe armë kohët e fundit. Mund të kenë probleme të ngjashme në territoret e tyre. E pra, këto vende islamike të linjës së ashpër, vendosën interesin e tyre kombëtar mbi interesin fetar, panislamik, që duhej t"i detyronte të njihnin pavarësinë e Kosovës, menjëherë ashtu siç besonin shumë optimistë.

Në këto kushte, ç"domethënë për një islamik shqiptar të linjës së ashpër të jetë antiamerikan, pasiqë amerikanët janë në konflikt me ndonjë klikë a regjim mysliman? Të zgjedhë midis qenies kombëtare, që i thotë t"i dojë amerikanët që janë aleatët tanë kryesorë, që po forcojnë kombin tonë në Ballkan? Apo të zgjedhë panislamizmin dhe vendet që nuk e njohën Kosovën që i sugjeron të urrejnë ata?


~~~ruani veten nga mallkimi,,,se veq vdekja eshte sherimi
~~~~~~~~!!!!!!~~~~~~~
nderime nga une zemra e kosoves,,,

 
Veröffentlicht : 01/02/2009 12:13 p.m.
(@zemra-e-kosoves)
Beiträge: 524
Honorable Member
Themenstarter
 

Shtetet Islamike dhe Pavaresia e Kosoves

Koheve te fundit kemi hasur neper shume deklarata dhe opinione te ndryshme te cilat paralajmerojne se Komferenca e Shteteve Islamike qe perbehet nga dhjetra Shtete Islamike do te njohe pavarsine e Kosoves ne grup, gjithashtu kemi hasur ne shum opinione tjera qe e mohojne nje gje te tille, vetem nje gje e dime dhe eshte e sigurte, Presidenti i kesaj komference dite pas shpalljes se Pavarsise nga Kryeministri i Kosoves ka pershendetur kete hap dhe ka premtuar vet nje gje te tille.

Por ajo qe me shtyri te shkruaj edhe un mendimin tim esht nje fakt tjeter qe ka lindur si pasoje e ketyre thashethemeve qe po behen, pikerisht shkrimet e disa misionarve Anti Islamik dhe Shqiptar qe e shfrytezojne kete rast per te deshmuar para mases se shtetet Islamike nuk do ta pranojne Pavarsine e Kosoves dhe se ato shtete nuk ia dojne te miren popullit tone Kosovar.

Misionaret ne fjale jan te njohur me artikujt e tyre Anti Islamiste (Por edhe Anti Shqiptare ne menyre indirekte) te cilat buronin nga sherbimet sekrete te armiqve te popullit tone, ata nuk merreshin me tema tjera pos me shpifje dhe propagande kunder Islamit, shum artikuj mbi Wehabizmin ne Kosove, shum artikuj kunder mbuleses se femres, shum artikuj mbi extremistet Islamist qe po organizonin sulme terroriste nga territori i Kosoves, shkrime kto te cilat qarte dallohen se nga vijne.

Keta lloj misionaresh te detyruar nga jashte ose te motivuar nga mbrenda me ose pa qellim kan shpifur mbi egzistimin e extremisteve Musliman Shqiptar dhe organizimin e sulmeve te ndryshme terroriste, kan shpifur mbi rreziqet qe keto grupe po i sjellin Shoqerise, dhe me keto shpifje drejte per se drejti kan propaganduar perpara Europes kunder popullit Kosovar duke e krahasuar ate me disa popuj te lindjes se mesme dhe ne anen tjeter kan nxitur perçarje dhe urrejtje mes vet Kosovareve duke i ndare ato ne besimtare dhe jo besimtare, ata me shkrimet e tyre dite e me shum i kan nxitur besimtaret Musliman qe te ndjehen te kercnuar dhe te fillojne ti kunderpergjigjen artikujve te tille gje kjo e cila i ka be disa prej atyre qe me pak besojne ne fe se vertet ne Kosove egzistojne extremist dhe militant Islamik.

Pikerisht tani dua te lidhem perseri me temen, ndoshta kjo esht njera nga arsyet qe Bashkimi Europjan nuk e pranoi ne grup Pamvarsine e Kosoves dhe Shtetet e ketij bashkimi e pranuan ose e mohuan sejcila veçë e veç Pamvarsine e Kosoves, per kete gje nuk u shkrua e as nuk u kritikua mbi vendimin e BE-së, ndersa ne anen tjeter kritikat dhe artikujt qe shkruhen per Komferencen Islamike nuk kan te ndalur.

Per mua gjithcka eshte e qarte, dikush po e shfrytezon cdo levizje te Muslimanve per te prodhuar shpifje mbi ta, kete deri dje e bente sundimi sllav ndersa pas vitit 99 po e bejn fosilet e atij sundimi, ndersa per tu bindur se keta misionare kan patur ose kan lidhje te drejteperdrejta me sherbimet sekrete sllave mjafton te publikoni disa emra nga listat e ish bashkpuntorve te sherbimit sekret jugosllav dhe do te merrni nje numer te madh te kritikave per publikimin e asaj liste pikerisht nga keto emra qe dite e nat po shpifin mbi egzistimin e extremisteve Islamik neper trojet Shqiptare dhe me kete gje mundohen ti terheqin vemendjen Amerikes dhe Shteteve Europiane per ti kthyer ata kunder Shqiptareve dhe pas gjith kesaj fitimtar te dalin sllavet te cilet nuk hezitojne te kthehen ne Kosove dhe ti pastrojne keta grupe Extremiste, dhe nese nuk do te gjenin te tille ata nuk e kan veshtire te improvizojne disa musliman te thjeshte duke ju vendosur nga nje arme ose flamur arab tek koka sic po bejne neper Maqedoni.

Me e keqja e gjith kesaj qe me detyroi te shkruaj esht fakti se nje pjes e madhe e popullit po bije ne grackat e sherbimeve te tilla sekrete dhe po binden ne shum gjera qe po i shpifin ata, dhe ne kete menyre po krijojne nje lloj antipatie ne ndjenjat e tyre per Islamin dhe Muslimanet e keshtu percarja nderfetare po behet edhe me e madhe, mendoj se kjo situate duhet te percillet me maturi dhe pjekuri, sepse gjerat shpesh here nuk jan ashtu si duken nga jashte dhe ato duhet germuar nga mbrenda.

Per mua pranimi ne grup i Pamvarsise se Kosoves nga shtetet Islamike do te ishte nje hap i mirepritur por nuk shof ndonje detyrim qe do te mund te nxiste ndonje hap te tille, vecanerisht kur ne mesin tone lundrojne me mijra misionare qe vazhdimisht propagandojne kunder Islamit, mendoj se pikerisht klima e krijuar nga keto grupe dhe debatet e hapura nga keto misionare i kan be shum shtete Islamike qe te mendojne mire para se te pranonin Pavarsine e Kosoves, andaj pres qe ne te ardhmen artikujt dhe opinionet e tilla te reduktohen nga gazetat tona dhe nga qeveria te nisej ndonje fushate per senzibilizimin e tolerances nderfetare ne Kosove.


~~~ruani veten nga mallkimi,,,se veq vdekja eshte sherimi
~~~~~~~~!!!!!!~~~~~~~
nderime nga une zemra e kosoves,,,

 
Veröffentlicht : 01/02/2009 12:14 p.m.
Teilen: