Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Na janë afruar ditë madhështore dhe momente të pakta, këto janë dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, të cilat janë fillimi i mbarimit të këtij muaji madhështor.
Nuk ka dyshim se këto ditë kanë veçori më të posaçme nga ditët e tjera të muajit, nga këto veçori mund të përmendim:
1. Gjatë këtyre ditëve Profeti salallahu alejhi ue selam, e rriste përpjekjen e tij në adhurimin e Allahut më shumë se në ditët e tjera. Aishja ka thënë: “Profeti salallahu alejhi ue selam, dhjetë ditshin e fundit përpiqej (për adhurimin e Allahut) më shumë se në ditët e tjera”. Muslimi.
2. Në këtë periudhë Profeti salallahu alejhi ue selam, e ngjallte natën me adhurim. Aishja ka thënë: “Profeti salallahu alejhi ue selam, kur hynte dhjetë ditshi i fundit, e zgjonte familjen, largohej nga familja dhe e shtonte angazhimin e tij në adhurim”. Buhari dhe Muslimi.
Vëllezër dhe motra të nderuar! Le t'i përngjasim Profetit tonë salallahu alejhi ue selam, të angazhohemi me adhurim e të mos na humbin këto ditë e net të pakta, sepse në to ka shpërblim të madh. Kërko të gjesh natën e kadrit për ta mbushur me adhurim dhe bindje. Përpiqu që të marrësh nga dhuratat e Zotit Mëshirues e Bujarit që dhuron. Shtoje në këto ditë lutjen dhe përuljen tënde karshi Allahut.
Të nderuar muslimanë! Në jetën e popujve dhe kombeve, ka ngjarje të pa vdekshme dhe ditë të lavdishme, të cilat mbajnë në brendësinë e tyre atë me të cilën gëzohet zemra dhe kënaqen shpirtrat. Ky ymet po afrohet me ndodhinë më madhështore dhe me momentin më të rëndësishëm.
Nga gjërat me të cilat Allahu ka begatuar këtë ymet, është dhe ajo natë të cilin Allahu i Madhëruar e ka cilësuar se është e begatë, për shkak të mirësive vlerës dhe bereqetit të madh që mban ajo natë. Nga bereqeti i kësaj nate është se në të ka zbritur Kurani. Ajo është natë në të cilën vendoset çdo punë e urtë. Pra në këtë natë përcaktohet se çdo të ngjajë për gjithë vitin. Caktohet në të kush do të lind e kush do të vdes, kush do të fitojë e kush do të humbë, caktohen të lumturit e fatkeqët, krenarët e të poshtëruarit e çdo gjë që dëshiron Allahu në këtë muaj. "Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar. Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues. Në atë (natë të zbritjes së Kuranit) vendoset çdo punë e urtë, me urdhrin Tonë! Ne gjithmonë kemi nisur të dërguar, si mëshirë prej Zotit tënd. Me të vërtetë, Ai i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha".
Po ashtu, Allahu i Madhëruar thotë për këtë natë: "Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj. Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit".
Kjo natë ka disa të veçanta dhe vlera:
1. Në këtë natë ka zbritur Kurani i cili është udhëzim për njerëzimin dhe i cili është shkaku për gëzimin e njerëzve në të dy botët.
2. Këtë natë Allahu e ka madhëruar mbi netët e tjera, duke e bërë atë një natë ku përcaktohen çështjet e krijesave.
3. Kjo natë është më e mirë se 1000 net, pra më e mirë se më shumë se 83 vite.
4. Në këtë natë zbresin melaiket dhe melaiket zbresin me mirësi, bereqet dhe mëshirë.
5. Ajo është natë paqeje për shkak të sigurisë së madhe që gjendet në këtë natë.
6. Allahu i Madhëruar si shkak i madhështisë që ka kjo natë ka zbritur një sure që flet enkas për të.
7. Nga vlera e kësaj dite është ajo që ka thënë Profeti salallahu alejhi ue selem: “Kush e fal natën e Kadrit me besim e duke shpresuar shpërblimin i falen atij të gjitha gjynahet e mëparshme”. Buhari dhe Muslimi.
Të nderuar muslimanë!
Nxiten muslimanët që gjatë këtyre netëve të përpiqen ta qëllojnë këtë natë e ta ngjallin atë me adhurim, ata duhet ta kërkojnë atë në netët teke. Është përcjellë nga Aishja se Profeti salallahu alejhi ue selam, ka thënë: “Kërkoni ta gjeni atë në dhjetë ditshin e fundit të Ramazanit në netët teke”. Buhari.
Është mirë që ajo të kërkohet më shumë në shtatë ditshin e fundit të Ramazanit, sepse Profeti salallahu alejhi ue selam, ka thënë: “Kush kërkon natën e kadrit, ta kërkojë atë në shtatë ditshin e fundit”. Buhari dhe Muslimi.
Madje ka shumë mundësi që ajo të jetë dhe natën e njëzet e shtatë të Ramazanit, sepse transmeton Ubej bin Kab dhe Muauije bin Sufjan se Profeti salallahu alejhi ue selam, ka thënë: “Nata e kadrit është nata e njëzet e shtatë”. Muslimi, Ebu Daud, Tirmidhi dhe Ahmed.
Porse nuk është e thënë që nata e kadrit të jetë në të njëjtën natë për çdo vit. Hafidh Ibën Haxher ka thënë: “Mendimi më i drejtë është se nata e Kadrit është në netët tek të dhjetë ditshit të fundit dhe se ajo mund të lëviz nga një vit në tjetrin”.
Ndaj le t'i shtojmë lutjet tona në netët e fundit të këtij muaji, sidomos në ato teke e ato janë vetëm se disa ditë të numëruara.
E lusim Allahun të na bëjë prej atyre të cilët i mbushin këto ditë e net të mbetura të këtij muaji me bindje e adhurime! Së fundi i kërkoj Allahut falje për vete e ju dhe ju kërkoni falje se Ai është falës i madh.
Nga veprat të cilat i preferonte Profeti gjatë këtyre ditëve e që në të njëjtën kohë janë sunet, është dhe itikafi.
Itikafi është qëndrimi në xhami me nijet që të madhërohet e të adhurohet Allahu. Aishja transmeton se Profeti salallahu alejhi ue selam, në dhjetëditëshin e fundit qëndronte itikaf në xhaminë e tij.
Çdo musliman që vendos të qëndrojë itikaf, duhet ta dijë se qëllimi i itikafit është mbushja e kësaj kohe me adhurim dhe lexim të Kurani, e nuk është mirë që të shkohet koha dëm. Itikafi është një lloj shkalle tjetër e cila e edukon trupin dhe njeriun për të qenë sa më afër Allahut.
Ata të cilët nuk munden të bëjnë itakaf të gjithë dhjetëditëshin, atëherë lejohet që të bëjnë itikaf në çdo kohë të ditës e natës sa të munden. Ata që qëndrojnë në itikaf duhet të dinë se xhamitë janë vend për madhërimin e Allahut dhe përmendjen e tij, ndaj ata duhet t'ia ruajnë xhamisë pozitën që ka e të mos veprojnë në të vepra të pa hijshme.
