• Dëgjon me vëmendje histori të përshtatshme për moshën.
• Bën komente me rëndësi mbi tregime të ndryshme, veçanërisht mbi ato që lidhen me shtëpinë dhe ngjarjet në familje.
• I pëlqen të shikojë librat dhe mund të pretendojë t`ua “lexojë” të tjerëve, për të shpjeguar figurat.
• I pëlqejnë historitë me pyetje, kuriozitete, dhe të papritura.
• Luan duke imituar realitetin:
• Ushqen kukullën, e mbulon atë, e vë për të fjetur.
• Ngarkon makinat, i bën të ecin duke i shoqëruar edhe me zë e zhurma.
• Përshkon 8-10 rruaza në një tel, apo rendit 6 blloqe të rrumbullakët dhe 6 katrorë në një dërrasë.
• Përpiqet të vizatojë; kopjon rrethin por jo perfekt, katrorin dhe disa gërma.
• Kupton trekëndëshin, rrethin, katrorin, mund të tregojë formën për të cilën e pyet.
• Ndan objektet në mënyrë logjike mbi një bazë, si ngjyra, madhësia, apo forma; zakonisht zgjedh një ngjyrë, apo madhësi si bazë për klasifikimin.
• Tregon se kupton krahasimet kryesore si madhësia dhe forma, p.sh. kur i tregojmë një top tenisi dhe një top futbolli, tregon se cili është më i madh, gjithashtu kupton se cili nga të dy është më i vogli.
• Numëron dhe dallon ngjyrat kryesore: e kuqe, e verdhë, blu.
• Rregullon kubat në vijë horizontale; gjithashtu i vendos kubat për të formuar një urë.
• Tregon pikturën që ka më shumë objekte: mace, makina, kukulla
• Tregon njëfarë kuptimi për zgjatjen e kohës duke përdorur fraza të tilla si “gjithë kohën”, “gjithë ditën”, “për dy ditë”, por ende ka pak konfuzion: “unë nuk fjeta nesër”.
ZHVILLIMI I GJUHËS DHE TË FOLURIT
• Flet rreth objekteve, ngjarjeve dhe njerëzve jo të pranishëm “Toni ka një qen në oborr”. • Flet rreth veprimeve të të tjerëve “ Babi po nis makinën”.
• Shton informacione për atë që sapo është thënë: “Po dhe pastaj ia dhashë prapë librin”.
• U përgjigjet pyetjeve të thjeshta në mënyrë të përshtatshme.
• Bën një numër pyetjesh në rritje, veçanërisht rreth vendit dhe identitetit të objekteve dhe njerëzve.
• Përdor një numër në rritje të formave të bisedës që tregon ngjarje në vazhdimësi: “Çfarë bëri ai më tej”? “ Si e bëri ajo pastaj?”
• I tërheq vëmendjen vetes, objekteve dhe ngjarjeve në mjedis: “Shiko, areoplani po fluturon”.
• Nxit sjelljen e të tjerëve: “Le të hidhemi në ujë. Ti hidhu i pari”.
• Bashkohet në përshëndetje të zakonshme: “Hej”, “Të lutem” etj.
• Komenton rreth objekteve dhe ngjarjeve që ndodhin: “Aty është një shtëpi”; “Traktori po shtyn një pemë”.
• Rritet fjalori; tani përdor 300- 1000 fjalë.
• Reciton vjersha me rimë, këndon këngë.
• Të folurit është i kuptueshëm në pjesën më të madhe të kohës.
• Shprehet me fjali më të gjata: “qeni i madh më kafshon”.
• Flet folje kalimtare si: “duke shkuar”, “duke ecur”, përdor shumësin: “macja, macet”.
• Tregon mohim duke vënë “jo’ dhe “nuk” përpara një emri apo fraze të thjeshtë: “jo bebi …”, “nuk erdhi….”
• Përgjigjet kur e pyesim “Çfarë po bën?” “Çfarë është kjo?” dhe “Ku?”, pyetje që lidhen me objekte dhe ngjarje të njohura.
Si ta ndihmojmë fëmijën të flasë
Vërini emër çdo gjëje. Gjithçka në botën që rrethon fëmijën ka një emër – thuajani atë. Thoni emrat
e të gjitha sendeve në mjedisin ku jeton fëmija (banja, kuzhina, soba, krevati, llamba, karrigia etj): luani
“syri-hunda-goja” (merrni dorën e fëmijës dhe prekini sytë, hundën, dhe gojën, duke i puthur duart në
fund) dhe më pas tregojini pjesët e trupit të diçkaje tjetër: zogut, qenit, pemës, gjetheve, luleve, makinave, avionit etj. Thirreni fëmijën shpesh në emër, që të kuptojë se është një njeri i veçantë.
Dëgjojeni, dëgjojeni, dëgjojeni. Ajo që fëmija ka për t’ju thënë, është po kaq e rëndësishme sa edhe
ajo jo që i thoni ju. Edhe pse mund të mos ta kuptoni fjalën që thotë, dëgjojeni dhe përgjigjuni: “Oh, kjo është shumë interesante!”, ose ”Vërtet kështu është?”. Kur i bëni një pyetje, prisni për një
përgjigje, edhe nëqoftëse ajo është një buzëqeshje, një lëvizje trupi, ose dhe një belbëzim. Përpiquni
të kuptoni fjalët që thotë fëmija. Përpiquni t’i lidhni fjalët e pakuptueshme që ai thotë, me sendet që ato mund të përfaqësojnë, edhe pse ato mund t`ju duken shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, për shembull ”unë dada” që do të thotë “unë dua të dal shëtitje”. Kur e keni të vështirë të kuptoni atë që po ju thotë, tregoni se kush mund të jenë kuptimet e mundshme (Do topin? Do biberonin?), duke i dhënë atij mundësinë t`ju tregojë nëse e keni gjetur. Në këto raste do të lodheni të dy, derisa kërkesat e fëmijës të bëhen me të qarta, por duke vazhduar të veproni kështu, do ta ndihmoni shumë zhvillimin e të folurit tek fëmija juaj.
Përqëndrohuni në mësimin e koncepteve. Ja disa koncepte në mësimin e të cilave duhet ta ndihmoni fëmijën:
Nxehtë dhe ftohtë. Lëreni fëmijën të prekë pjesën e jashtme të filxhanit të ngrohtë të kafesë dhe më
pas një copë akulli: një herë ujë të ftohtë, më pas ujë të ngrohtë. Poshtë dhe lart. Ngrini lehtë fëmijën
lart dhe me pas uleni në dysheme; pastaj merrni një lodër, për shembull një kukull, ngrijeni lart dhe uleni përseri në dysheme. Kur e bëni këtë, thoni: ”Kukulla lart, kukulla poshtë”.Brenda dhe jashtë. Fusni disa libra në kuti dhe më pas nxirrini ato jashtë: bëni të njëjtën gjë me sende të tjera. Bosh dhe plot. Mbushni një kovë me ujë dhe pastaj zbrazeni: mbushni një kovë me rërë dhe më pas boshatiseni.
Ulur dhe në këmbë. Mbajeni fëmijën prej krahu, rrini të dy në këmbë dhe me pas uluni të dy. E lagur dhe e thatë. Krahasojeni një rrobë të lagur me një peshqir të thatë: flokët e njoma të fëmijës suaj me flokët tuaj të thatë. E vogël dhe e madhe. Vendosni një top të vogël pranë një të madhi: tregojini fëmijës në pasqyrë: djali është i vogël, mami është e madhe. Shpjegojini mjedisin dhe shkaqet e pasojat. “Dielli është i ndritshëm, prandaj ne kemi dritë”, “Frigoriferi e mban ushqimin të ftohtë, kështu që ai ka shije të mirë dhe është i freskët”. “Mami përdor një furçë të vogël për të larë dhëmbët e tua, një furçë mesatare për të krehur flokët e tu, dhe një furçë të madhe për të larë dyshemenë”, “Nëqoftëse ti do ta grisësh librin, ne pastaj nuk mund ta lexojmë prapë”, e kështu me radhë. Të kuptuarit e botës që e rrethon, ashtu si dhe formimi i ndjeshmërisë për njerëzit, për nevojat e ndjenjat, është një hap shumë më i rëndësishëm gjatë mësimit të gjuhës dhe leximit, sesa përsëritja si papagall e fjalëve pa lidhje.
Mësojini ngjyrat. Filloni t’i tregoni ngjyrat . “Shiko, topi është i kuq, ashtu si dhe bluza jote,” ose
“Ajo pema është jeshile: edhe karroca jote është jeshile”, ose “Shiko ato lulet e bukura të verdha”.
Përdorni të folurën e dyfishtë. Një herë thuajeni fjalinë të plotë, si të rriturit, pastaj thuajeni më thjesht, në gjuhën e fëmijës, që ta kuptojë: “Tani ti dhe unë do të shkojmë të bëjmë bashkë një shëtitje”. E më tej përsërisni: “Mami dhe Emi do të ikin, mirupafshim” “Oh, e mbarove të gjithë kekun. “Olsi e mbaroi të gjithë”. Të përsëriturit dy herë do ta ndihmojë fëmijën të kuptojë më mirë.Mundohuni të flisni si një i rritur. Po të përdorni fjalët e të rriturve dhe jo ato të fëmijëve të vegjël, fëmija tuaj do të flasë më shpejt
dhe më mirë: “Erinda, do ti të hash tani?” është më mirë sesa të thoni: “Erinda, do mam?”.
Mësojeni të përdorë përemrat aty ku duhet
Fëmija fillon të përdorë përemrat pa mbushur dy vjeç dhe është mirë që të mësohet me to, duke i përdorur bashkë me emrat. “Mami po shkon t’i japë Anilës mëngjes - unë po shkoj të të marr ty diçka për të ngrënë. “Ky libër është i mamit-është i imi-dhe ai libri atje është i Jonit-është i yti.” Kjo i mëson gjithashtu edhe konceptin e pronës, pra e kujt është një lodër apo një libër etj. Nxiteni fëmijën që të flasë pas jush. Përdorni çdo lloj marifeti që të përpiqeni ta bëni t’ju përgjigjet, edhe pse me fjalë apo me gjeste. Lëreni të zgjedhë: “Do bukë, apo kek?”, ose “Do të veshësh pizhamat me arush apo ato me lule?” dhe më pas lëreni të tregojë atë që dëshiron, qoftë dhe me gisht, apo me sy. Pastaj ju i thoni : «
Ah, dashke pizhamat me arush!» Pyeteni: “Je i lodhur?”,“Do të të pëlqente një kek?”. Një lëkundje
koke nënkupton një “jo” apo “po”. Vëre fëmijën të tregojë se ku janë gjërat (edhe pse ato kanë humbur):
“Ku është topi?”. Jepini kohë që ta gjejë topin dhe vlerësojeni me puthje dhe përqafime. Mos e detyroni me zor. Nxiteni fëmijën tuaj të flasë duke i thënë: “Tregoji mamit çfarë do”, kur ai ose ajo i tregon nevojat ose dëshirat me veprime. Nëqoftëse fëmija tregon përsëri, jepini një mundësi: për shembull, “do topin, apo karrocën?”. Nëqoftëse përsëri merrni një përgjigje jo me fjalë (me gjeste), thuajeni vetë emrin e sendit. “Oh, ti dashke topin” dhe me pas jepjani. Asnjëherë mos ia ndaloni diçka fëmijës, vetëm sepse
nuk mund ta thotë emrin e asaj që kërkon ose e thotë gabim. Tregohuni shumë të duruar. Jepini urdhra të thjeshta. Shumë fëmijë në këtë moshë ndjekin vetëm urdhra të thjeshta, kështu që jepini udhrat një një e nga një. Në vend që të thoni “Të lutem merre lugën dhe ma sill mua këtu,” përpiquni të thoni “Të lutem merre lugën” dhe kur ky veprim të jetë bërë, shtoni “Tani sillja lugën mamit”. Këto teknika do të ndihmojnë zhvillimin e të kuptuarit, i cili do të vazhdojë më pas me të folurin.
Korrigjoni me kujdes.
Një fëmijë i vogël asnjëherë nuk mund t’i thotë fjalët aq mirë sa një i rritur. Shumë bashkëtingëllore mund të jenë të pamundura për t’u përdorur nga fëmija (si për shembull K: fëmija në vend që të thotë „kali“ thotë „tali“, në vend të thotë „thika“ do të thotë „fika“) dhe shumë fjalë mund të thuhen përgjysmë
për disa muaj me radhë, apo vite. Kur fëmija juaj nuk shqipton mirë një fjalë, mos e korrigjoni si një
mësuese e ashpër - kritikat mund ta pengojnë.
Lexoni së bashku me fëmijën.
Kur fëmija është paksa më i rritur, ai fillon t’i pëlqejë shumë librat me piktura, lodrat, kafshët etj. Në
këtë moshë fëmijet janë gati për të dëgjuar histori të thjeshta, por do të duhet të kalojë mjaft kohë që
ata të qëndrojnë ulur dhe të dëgjojnë historinë të qetë për më shumë se 3-4 minuta, sepse vëmendja e
tyre është ende e shkurtër. Fëmijët e pëlqejnë leximin më shumë kur marrin pjesë dhe vetë. Gjatë
kohës që lexoni, ndaluni dhe diskutoni mbi pikturat që ka libri (“Shiko, kjo macja ka vënë kapele”), kërkojini fëmijës që të tregojë sendet që njeh dhe tregojini emrat e atyre që ai ose nuk i di, ose nuk i mban mend. Komente të tilla si “Shiko, sa zogj janë në atë pemë”, ose “Këtu ka dy mace”, do t’ju ndihmojnë t’i bëni fëmijës pak aritmetikë. Bëjeni numërimin pjesë të jetës së fëmijës tuaj.
Librat që pëlqejnë fëmijët
Fëmijët e vegjël të moshave 2- 3 vjeç pëlqejnë ngjyrat e gjalla, tekstet që përsëriten dhe histori të cilat tregojnë për gjëra të njohura. Në këtë moshë librat nuk ka nevojë të kenë shumë fjalë, që t’ju pëlqejnë. Gjithashtu librat pa fjalë, vetëm me figura, nxisin fëmijët e vegjël të krijojnë histori ose ide rreth pikturave dhe fotografive të librave. Në këtë periudhë fëmijët pëlqejnë ta lexojnë të njëjtën histori shumë herë me rradhë dhe pëlqejnë libra me vjersha që bëjnë rimë. Më poshtë po japim të gjitha llojet e librave që ata pëlqejnë:
•· Libra që tregojnë histori të thjeshta.
• Libra me vjersha të thjeshta me rimë, që ato të mund t’i mësojnë përmendësh.
• Libra që kanë numërim, alfabet, tregojnë forma, madhësi të sendeve, njerëzve etj.
• Libra me kafshë, libra me makina, libra rreth lojrave.
• Libra që kanë personazhet e tyre të pëlqyer të televizionit, filmave me kartona etj.
Librat janë shumë të nevojshëm për të zhvilluar krijimtarinë e fëmijës. Ju mund ta ndihmoni fëmijën të
mendojë mbi historinë e librit dhe ta lidhi atë me ngjarjet e jetës reale që e rrethon. Me poshtë keni disa
ide si mund ta bëni ketë:
• Mbasi të lexoni historinë, bëhuni aktorë dhe luani disa personazhe të ngjarjes që lexuat.
• Bëni ato që tregon libri, vishni -zhvishni rrobat, imitoni tingujt, zhurmat etj.
• Lëreni fëmijën ta tregojë ngjarjen sipas figurave të librit.
• Lëreni fëmijën ta vizatojë ngjarjen.
• Tregoni ngjarjet pa e pasur librin përpara.
• Mbasi të lexoni ngjarjen, përdoreni fëmijën si personazh të saj, (të bëjë si ariu i vogël, të kërcejë si rosaku etj.)
• Ndonjëherë, pasi të lexoni ngjarjen, dilni shëtitje me fëmijën dhe zgjeroni përmbajtjen e librit duke i treguar në natyrë se çfarë tregon përralla, për shembull “macja që vrapoi pas topit dhe u përplas me murin këtu pranë” etj.
• Organizoni një festival poezish, vjershash me fëmijën, ose së bashku edhe me disa shokë e shoqe të tij/saj, për të recituar apo lexuar vjershat që i pëlqejnë më shumë.
