Për shkak të një të dehuri në shtyllën elektrike, gjashtë qyteza, respektivisht mbi 10.000 banorë të një zone larg Novy Targut në jug të Polonisë, kanë mbetur mbrëmë pa rrymë, njoftojnë mediat polake të martën.
Polaku i dehur xurxull është ngjitur në shtyllën e tensionit të lartë, për të shëruar frikën e tij nga lartësia, por kur ka hipur në shtyllë e edhe përkundër alkoolit të shumtë që kishte pirë nuk guxonte më të lëshohej teposhtë.
Elektro-distribucioni në Novy Targ duke pasur frikë për jetën e tij dhe sigurinë e ekipit shpëtues, është dashur që përkohësisht të shkyç rrymën me të cilën furnizon 10.000 banorë në këtë zonë.
"Në fund megjithatë ka zbritur vet, kur ka ardhur kushëriri i tij dhe i ka thënë se rrugës për aty ishin ekipet televizive të cilat po vinin për ta incizuar atë. Është frikësuar se do ta shihte gruaja e tij", u ka thënë mediave lokale njëri prej komanduesve të policisë në Novy Targ, Zbignjev Domalik.
Sigurisht që tërbimin e gruas së tij polaku nuk do ta evitojë, pasi që do të duhet të paguajë shpenzimet bukur të larta të aksionit të shpëtimit dhe rikyçjen e rrjetit të tensionit të lartë.
