Kur’ani fisnik është libri me të cilin Allahu xh.sh. përmbylli të gjitha shpalljet hyjnore. Kur’ani si libër hyjnor, është mrekulli e përkryer që vërteton pejgamberllëkun e Muhamedit a.s.
Është libri që përmban norma, ligje, këshilla etj, me një fjalë është kushtetutë e çdo muslimani, i cili nëse veprimet e veta i përputh me mësimet e tij, do ta gjejë lumturinë në këtë botë dhe shpëtimin në botën e ardhshme.
Është libri që ka ndërruar përfundimisht rrjedhat e gjithëmbarshme të historisë njerëzore, duke shpënë përpara dijen, zhvillimin dhe përparimin e njeriut.
Është libri që nuk e lexojnë vetëm muslimanët, por edhe të tjerët, sepse argumentet e tij janë të qarta, të vërteta dhe të pakontestueshme. Duke u nisur nga këto fakte, Kur’ani ishte objekt studimi e hulumtimi nga dijetarë të shumtë nëpër kohë, të cilët u përpoqën të hynin sa më thellë në shpirtin e kuptimeve të tij.
Disa prej tyre shkruan komentimin e tij, që u quajt tefsir, kurse ca të tjerë u morën me studimin e disiplinave kur’anore, të cilat flasin për mënyrën e shpalljes, shkaqet e zbritjes së ajeteve, për ajetet Nasih dhe Mensuh, për atë që ka zbritur në Mekë dhe atë që ka zbritur në Medinë, pastaj ç‘ka zbritur së pari nga Kur’ani e çka më së fundi, për anën stilistike të shprehjeve kur’anore, për aspektin e mrekullisë kur’anore, për aspektet gramatikore e për shumë dije të tjera.
Me ndihmën e Allahut Fuqiplotë, ne do të përpiqemi të shtjellojmë disa nga këto segmente dhe aspekte të shkencave kur’anore, duke filluar nga ajo se ç‘ka zbritur në fillim dhe në fund të shpalljes, për të vazhduar pastaj me njohuritë e tjera rreth asaj se ç‘ka zbritur ndarazi e çfarë komplet nga Kur’ani, ç‘ka zbritur ditën e çfarë natën, gjatë udhëtimeve e në vendqëndrim, ç‘ka zbritur në tokë e çfarë në qiell, ç‘i ka zbritur nga Kur’ani edhe Pejgamberëve të tjerë, e çfarë vetëm Muhammedit a.s., e shumë tema të tjera me rëndësi.
Ç’ka zbritur në fillim?
Meqenëse kjo është një temë e gjerë, ne do të përkufizohemi vetëm në disa mendime, për të cilat ekzistojnë transmetime, të cilat pastaj do t’i analizojmë shkurtimisht për të dhënë mendimin përfundimtar të dijetarëve dhe klasifikimin e autenticitetit të tyre.
1. Mendimi më i përkrahur nga shumica e dijetarëve është se ajetet e para të zbritura kur’anore janë 5 ajetet e kaptinës “El-Alek”: “Lexo, me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me penë. I mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” (El-Alek, 1-5).
Ky mendim bazohet në hadithin autentik, të cilin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi nga Aisheja r.a. të ketë thënë: “Për herë të parë kur Pejgamberit a.s. filloi t’i shpallej, ishin ëndrrat e vërteta që i shfaqeshin në gjumë. Nuk kishte ëndërr të mos i dilte e qartë si agimi i mëngjesit. Pastaj ai preferonte të rrinte në vetmi. Vetmohej në shpellën Hira duke u lutur me natë të tëra, para se të zbriste tek familja e tij (në Mekë) që të furnizohej, pastaj kthehej tek Hatixheja dhe furnizohej, derisa i erdhi e vërteta kur ai ndodhej në shpellën Hira dhe i erdhi engjëlli (Xhibrili) e i tha: “Lexo”…” 1
2. Mendimi tjetër lidhur me faktin se ç‘i është shpallur në fillim Muhamedit a.s., është zbritja e fillimit të kaptinës “El-Muddeth-thir”: “O ti i mbuluar! Ngrihu dhe tërhiqua vërejtjen (për t’i thirrur në Islam)”, (ajetet, 1-2).
Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi nga Ebi Selemeh bin Abdurrahmani të ketë thënë: “E pyeta Xhabir bin Abdullahin se cili është ajeti i parë i zbritur nga Kur’ani? Tha: “O ti i mbuluar!…” . Unë e pyeta a nuk kanë zbritur së pari ajetet: “Lexo në emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë)”?
Ai (Xhabiri) tha: “Do t’ju tregoj atë që na pati thënë Pejgamberi a.s.: “Unë isha në Hira dhe gjatë kthimit, përgjatë një lugine, shikoja para dhe pas meje, në të djathtë e në të majtë e më pas shikova edhe lart, kur ja Ai (Xhibrili a.s.), më kaploi frika dhe u ktheva me të shpejtë tek Hatixheja, i thashë: “Më mbuloni, më mbuloni”, atëherë Allahu xh.sh. zbriti: “O ti i mbuluar! Ngrihu dhe tërhiqua vërejtjen (për t’i thirrur në Islam)”.
Megjithatë, sa i përket këtij hadithi të transmetuar nga Xhabiri, këtu është fjala për suren e parë të zbritur komplet, dhe nga fjalët e Xhabirit kuptojmë se surja “El-Muddeth-thir” ka zbritur komplet, si tërësi, pas pesë ajeteve të para të sures “El-Alek”. Këtë konstatim tonin e argumentojmë edhe me një transmetim tjetër, të cilin e kanë shënuar Buhariu dhe Muslimi po ashtu nga Xhabiri, i cili thotë: “E kam dëgjuar Resulullahun duke folur për momentet e para të shpalljes kur tha: “Derisa unë isha duke ecur, dëgjova një zë nga qielli dhe befas e ngrita kokën, kur ja aty qëndronte meleku që më kishte ardhur në Hira, i ulur në një fron në mes qiellit dhe Tokës. U tremba (nga ajo pamje madhështore e tij) dhe shpejt u ktheva te shtëpia e u thashë: Mbulomëni, e ata më mbuluan dhe në këtë gjendje zbriti: “O ti i mbuluar!”
Ky hadith tregon se zbritja e kaptinës “El-Muddeth-thir” është më e vonshme se ajo e 5 ajeteve të para të kaptinës “El-Alek”.
3. Kemi një mendim tjetër që thotë se kaptina “El-Fatiha” ka zbritur në fillim të shpalljes duke marrë për argument hadithin e transmetuar nga Bejhekiu në librin e tij “Ed-Delailu” nga Mejseretu Amr bin Sherahbil, që Pejgamberi a.s. t’i ketë thënë Hatixhes r.a.: “Kur po rrija në vetmi, dëgjova një zë, dhe për Zotin u frikësova se mos po me shtirej diçka…”.
Atëherë Hatixheja i tha: Ruana Zot, nuk do të vepronte me ty Allahu në këtë mënyrë, sepse për Allahun ti je që e mban premtimin (amanetin), nuk i shkëput lidhjet familjare dhe fjalës sate i besohet. Në këto çaste aty hyri Ebu Bekri dhe Hatixheja ia tregoi edhe atij ato gjëra që po i ndodhnin Pejgamberit a.s., dhe i këshilloi të dy që të shkonin tek Vereka. Kur shkuan tek Vereka, ia tregoi Resulullahu të gjitha se kur po dëgjoj një zë:
O Muhammed, o Muhammed, po trembem. Atëherë Vereka e këshilloi të mos shqetësohej e as të mos trembej, por të qëndronte fort dhe të dëgjonte se çfarë do t’i shpallej. Dhe i Dërguari a.s. veproi në këtë mënyrë, u vetmua dhe pas pak i erdhi Xhibrili duke i thënë: “O Muhammed, thuaj: “Në emër të Zotit, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve…” deri në fund të kaptinës El-Fatiha.
Mirëpo ne nuk mund të bazohemi në këtë hadith lidhur me zbritjen e ajetit të parë në përgjithësi, për disa arsye: që në fillim ky hadith nuk sinjalizon asgjë nëse kaptina El-Fatiha ka zbritur në fillim të shpalljes së Kur’anit, apo edhe gjatë qëndrimit të Muhamedit a.s. në shpellën Hira. Përkundrazi, ky hadith dëfton se kjo kaptinë ka zbritur pas një kohe që Pejgamberit a.s. i qenë shpallur disa ajete dhe pasi që kishte shkuar tek Verekatu ibn Neufeli.
Arsyeja tjetër është se ky hadith është mursel, do të thotë se në senedin (zinxhirin transmetues) e tij ka rënë një ashab, dhe kjo vetvetiu nënkupton faktin se ky hadith assesi nuk mund të arrijë shkallën e vërtetësisë e të saktësisë që ka hadithi i parë i transmetuar nga Aisheja r.a..2
4. Po ashtu si mendim tjetër lidhur me ajetin e parë të zbritur nga Kur’ani, kemi edhe mendimin se ajeti “Bismilahi Rrahmani Rrahim” ka zbritur i pari.
Transmeton Vahidiu nga Ikrime dhe Haseni, që këta të dy të kenë thënë: Ajeti i par i zbritur nga Kur’ani, është “Bismilahi Rrahmani Rrahim” ndërsa kaptina e parë “El-Alek”.
Mirëpo, as ky mendim nuk mund të merret si argument sa të thuhet se ky është ajeti i parë i shpallur, meqenëse ky hadith po ashtu nuk arrin kriteret (shkallën) e hadithit që mund të pranohet pa hezitim, sepse është në gradën hadith mursel.
Dihet se Bismilahi është pjesë hapëse e çdo kaptine kur’anore, përveç asaj Et-Tevbe. Krejt në fund të këtij kapitulli, mund të përfundojmë pa kurrfarë dyshimi se ajetet e para të zbritura nga Kur’ani janë pesë ajetet e fillimit të sures “El-Alek”, e më pas kanë zbritur ato të kaptinës “El-Muddeth-thir”, ndërsa Bismilahi është hapëse e çdo kaptine kur’anore. Ndërkaq, kaptina “El-Fatiha” është e para që ka zbritur si e plotë dhe e tërë.
Disa dijetarë mendojnë se ajetet nga kaptina “El-Alek”, që iu shpallën Muhammedit a.s., i dhanë atij epitetin Nebij (Lajmëtar), ndërsa ato nga kaptina “El-Muddeth-thir” e obliguan që t’i thërriste njerëzit në fe, kështu që atij iu shtua edhe epiteti Resul (I Dërguar).3
Ç’ka zbritur më së fundi?
Lidhur me ajetin e fundit të zbritur tek Muhamedi a.s., kemi një sërë mendimesh nga shumë komentatorë e hulumtues të Kur’anit. Çdo mendim i tyre ka për bazë transmetime të cilat nuk janë të ngritura tek Muhamedi a.s., pra ato nuk janë hadithe merfuë. Ndoshta kjo është edhe një ndër arsyet kryesore që lidhur me ajetin e fundit të zbritur nga Kur’ani, ka shumë mendime:
1. Si mendim i parë lidhur me ajetin e fundit të zbritur tek Muhamedi a.s., është zbritja e ajetit 281 nga kaptina El-Bekare: “Dhe kini frikë Ditën kur të ktheheni përsëri tek Allahu, dhe atëherë çdokush do të paguhet (shpërblehet) çfarë ka fituar dhe askujt nuk i bëhet e padrejtë”.
- Ky është mendimi më i fuqishëm, i cili ka bazë në hadithin e transmetuar nga Ibn Ebi Hatemi i cili e kishte dëgjuar Seid bin Xhubejrin të ketë thënë: “Ajeti i fundit i zbritur nga Kur’ani është: “Dhe kini frikë Ditën kur të ktheheni përsëri tek Allahu...”4 pas zbritjes së të cilit Pejgamberi a.s. jetoi vetëm edhe nëntë net...”5
- Transmeton Nesaiu nga Ibni Abasi të ketë thënë: “Ajeti i fundit i zbritur nga Kur’ani është “Dhe kini frikë Ditën kur të ktheheni përsëri tek Allahu...”6
2. Një mendim tjetër se cili mund të jetë ajeti i fundit i zbritur tek Muhamedi a.s., është ai që thotë se ky është ajeti 276 nga kaptina El-Bekare: “O ju që besuat, kini frikë Allahun dhe nëse jeni besimtarë të sinqertë, hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata”.
- Transmetojnë Ahmedi dhe Ibni Maxhe nga Omeri r.a. të ketë thënë: “Ajeti i fundit i zbritur është ajeti i kamatës”, do të thotë ajeti 276 i kaptinës El-Bekare.
- Transmeton Ibni Merdevijenga Ebi Seid El-Huderiu të ketë thënë: “Na ligjëroi Omeri r.a. dhe na tha: “Ajeti i fundit i zbritur nga Kur’ani, është ajeti i Ribasë (kamatës)”.7
3. Po ashtu një mendim tjetër është se i fundit ka zbritur ajeti i huas (borxhit), i cili njëherësh është edhe ajeti më i gjatë në Kur’an: “O besimtarë, kur merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë...”8
Ky mendim bazohet në thënien e Seid bin Musejjebit të transmetuar nga Ibn Xheriri, i cili citohet të ketë thënë: “Ajeti më i vonshëm i ndarë (i zbritur) nga Arshi, është ajeti i huas”., dhe nga Ibni Shihabi, i cili ka thënë: “Pjesa e fundit kur’anore e ndarë nga Arshi, janë ajeti i huas dhe ajeti i kamatës”.
Në lidhje me këto transmetime, Imam Sujutiu është i mendimit se shumë lehtë mund të gjendet pajtueshmëria mes tyre, meqenëse këto ajete kanë zbritur përnjëherë ashtu si janë të renditura në Kur’an. Por megjithatë, mendimi më i përkrahur dhe më i pranueshëm nga shumica e dijetarëve islamë lidhur me ajetin e fundit të zbritur nga Kur’ani, është mendimi i parë, d.t.th. zbritja e ajetit 281 nga kaptina El-Bekare:
“Dhe kini frikë Ditën kur të ktheheni përsëri tek Allahu, dhe atëherë çdokush do të paguhet (shpërblehet) çfarë ka fituar dhe askujt nuk i bëhet e padrejtë”, dhe kjo për dy shkaqe:
a) Ky ajet sinjalizon fuqishëm përfundimin e shpalljes, dhe
b) paralajmëron ringjalljen-kthimin para të Plotfuqishmit, për t’u përgatitur për ballafaqim me Ditën e Gjykimit, ditën kur çdo njeri do të marrë shpërblimin e drejtë të merituar, kështu që edhe logjikisht ky ajet meriton që Kur’ani të përmbyllej me të më shumë sesa me ajete që sjellin norma a ligje.
Sipas transmetimit të Ibn Ebi Hatimit, thuhet se Pejgamberi a.s. jetoi pas zbritjes së këtij ajeti vetëm edhe nëntë net. 9
Këto janë mendimet më të përkrahura dhe më të sakta, megjithëse ka edhe mendime të tjera se ç‘ka zbritur më së fundi nga Kur’ani, mendime të cilat do t’i sjellim në vazhdim.
- Një mendim është se ajeti i fundit i zbritur është ajeti i kelales10 duke u bazuar në thënien e Berra’ë bin Azibit, i cili ka thënë: “Ajeti i fundit i zbritur është “Kërkojnë përgjigjen tënde. Thuaju: “Allahu ju përgjigjet në çështjen e ‘kelales’...”.
Mund të themi se ky ajet megjithatë ka për qëllim zbritjen e ajetit të fundit mbi trashëgiminë, e kurrsesi ajetin e fundit të zbritur nga Kur’ani.
- Transmetojnë Imam Tirmidhiu dhe Imam Hakemi nga Aisheja r.a. të ketë thënë: “Kaptina e fundit e zbritur është “El-Maide”, dhe ç‘të gjeni në të nga e lejuara (hallalli), lejojeni atë”.
Ne mund të konstatojmë se ky hadith i transmetuar nga Aisheja r.a. nuk ka të bëjë me zbritjen e fundit por me kaptinën e fundit që flet mbi hallallin dhe haramin, kaptinë kjo së cilës nuk i është anuluar asnjë normë. 11
- Ka mendime se ajo që ka zbritur më së fundi nga Kur’ani, është kaptina “En-Nasr”, sipas një hadithi të transmetuar nga Ibni Abasi, i cili citohet të ketë thënë: “Kaptina e fundit e zbritur është: “Idha xhae nasrullahi vel fet’h… - “Pasi (të) erdhi ndihma (fitorja) e Allahut dhe ngadhënjimi (çlirimi i Mekës)”…”.
Sipas nesh ky transmetim ka për qëllim kaptinën e fundit të zbritur, e cila jep shenjë njëkohësisht për afrimin e vdekjes të Muhammedit a.s., ashtu siç e kanë kuptuar edhe disa ashab me Ibn Abbasin dhe Omerin r.a. në krye.
- Mendimi tjetër është se ajeti i fundit i zbritur nga Kur’ani, është ajeti me të cilin përmbyllet kaptina Et-Tevbe: “Juve ju erdhi i dërguari nga lloji juaj…” (ajetet 128-129).
- Transmetohet nga Ubejj bin Ka’bi të ketë thënë: “Ajeti i fundit i zbritur nga Kur’ani është: “Juve ju erdhi i dërguari nga lloji juaj…” (Et-Tevbe, 128-129).
Dijetarët kanë konstatuar se thënia e Ubejj bin Ka’bit sigurisht ka të bëjë me ajetin e fundit të kësaj kaptine e jo të fundit nga Kur’ani përgjithësisht.
- Dhe ndër mendimet e fundit rreth faktit se ç’ka zbritur së fundi nga Kur’ani, është mendimi rreth zbritjes së ajetit: “…Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe…” 13, që sheshazi tregon plotësimin e fesë, duke zbritur të gjitha normat, ligjet dhe obligimet, por dihet mirë se pas këtij ajeti kanë zbritur edhe disa ajete të tjera me karakter normativ e obligativ, kështu që ky mendim humb forcën e argumentit.
Megjithatë, një është e qartë, se ky ajet është i zbritur në Arafat gjatë Haxhit lamtumirës dhe dëfton përsosmërinë e fesë dhe plotësimin e saj, pas çlirimit të Mekës, dhe pastrimin e Shtëpisë së shenjtë nga idhujt dhe statujat e ndryshme.
Rëndësia e njohjes së asaj që ka zbritur së pari dhe të asaj të fundit nga Kur’ani!
Pa dyshim të njohurit se ç‘ka zbritur në fillim dhe çfarë në fund të shpalljes, e ka rëndësinë e vet në shumë aspekte. Ndër to:
a) Të përfituarit e njohurive lidhur me ajetet Nasih dhe Mensuh (ajetet derroguese dhe ato të derroguara), sepse në Kur’an ka disa ajete, hukmi i të cilave është anuluar me ndonjë ajet të zbritur më vonë, sipas të cilit obligohemi të punojmë.
b) Të njohurit e historikut të Sheriatit islam.
c) Të njohurit e gradualitetit kur’anor ndaj disa normave obliguese, siç ishte rasti i ajeteve mbi alkoolin, kamatën etj..
- vijon...