Kriza në Greqi, vetëvritet shqiptari, baba i dy fëmijëve
KRETE - Fund tragjik pati jeta e një shqiptari 38 vjeçar, baba i fëmijëve, i cili u hodh nga ballkoni i shtëpisë së tij në Lerapetra, për shkak të vështirësive financiare.
Shtetasi shqiptar, 38 vjeç kreu vetëvrasje në Ierapetra të Kretës, duke u hedhur nga ndertësa ku banonte.
Fqinjët dëgjuan britma në rrugë dhe panë 38 vjecarin të shtrirë në tokë, pa shenja jete dhe me lëndime të rënda në kokë.
Forca të policisë dhe ambulancat nxituan në vendngjarje, por nuk iu mbeti gjë tjetër vecse ta conin trupin e pajetë në shërbimin mjeko-ligjor të autopsisë në Heraklion.
38 vjeçari ishte babai i 2 fëmijëve të cilët ndodheshin me nënën e tyre në Shqipëri.
Sipas njoftimeve, viktima përballej me probleme serioze financiare dhe ishte i papunë prej një kohe të gjatë.
Statistikat
Kriza financiare në Greqi dhe masat e ashpra që po aplikohen e kanë vështirësuar së tepërmi jetën e një kategorie njerëzish, shumë prej të cilëve shohin vetëvrasjen si rrugëdaljen e vetme nga vështirësitë financiare.
Në një studim të shoqatës psikiatrike greke thuhet se 1 në 2 të rritur kanë paraqitur simptoma depresive, që lidhen me krizën ekonomike, 1 në 3 persona kanë ankth dhe 1 në 4 kanë ankth dhe depresion së bashku.
Sipas të dhënave të paraqitura në parlament nga ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, nga viti 2009 deri në 10 dhjetor 2011, në Greqi u shënuan 1 727 vetëvrasje dhe tentativa për vetëvrasje.