Benachrichtigungen
Alles löschen

KINEMAJA JONE LOKALE........

1 Beiträge
1 Benutzer
0 Reactions
553 Ansichten
(@zemra-e-kosoves)
Beiträge: 524
Honorable Member
Themenstarter
 
[#1658]

Elena Giufridda, anëtarja e jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, tregon se filmi shqiptar duhet të dalë nga gracka e të qenit lokalë

Në Festivalin e Parë Ndërkombëtar të Filmit Artistik në Durrës, Elena Giuffrida është njëra nga gjashtë anëtarët e jurisë. Ajo është përfaqësuese e një festivali, i cili prej thuajse 20 vjetësh tashmë ka krijuar personalitetin e tij. Elena është zëvendëspresidente e Festivalit të Filmit në Trieste të Italisë, "Alpe Adria Cinema". Mes anëtarëve të tjerë të jurisë, Burbuqe Berishës, Roland Seikos, Marian Tutuit, Mimo Mongelliti dhe Xavier Lambourus, Elena Giuffrida ka sjellë me vete në Durrës eksperiencën e saj disavjeçare në fushën e kinematografisë, por edhe atë si organizatore festivalesh. "Ky festival duket qartë që është në edicionin e parë të tij, edhe pse unë vlerësoj më shumë iniciativën", kështu e fillon bisedën Elena, me gjithë dashamirësinë për të parë gjithçka me pozitivitet. "Mendoj se edhe pse është në edicionin e parë të tij, shikoj se ka shumë pjesëmarrës, e po të mendosh se filmat transmetohen në dy salla në të njëjtën kohë, atëherë konfirmoj se pjesëmarrja e publikut është e kënaqshme. Unë nuk e di se sa të interesuar janë shqiptarët ndaj këtyre evenimenteve, por shikoj se janë të interesuar", shton zëvendëspresidentja e Festivalit të Filmit në Trieste. Elena e vlerëson organizimin e këtij aktiviteti ndërkombëtar si një iniciativë mjaft të guximshme. "Të tilla aktivitete janë gjithnjë të vlefshme, por mbetet të shikojmë se si do të zhvillohet më vonë. Kjo është një provë, edhe pse unë jam e mendimit se më shumë se gjithçka është i rëndësishëm fakti se dikush merr mundimin të promovojë kulturën kinematografike kombëtare e ndërkombëtare, të promovojë takimet mes artistëve, producentëve, regjisorëve, aktorëve dhe mendoj se kjo ia vlen të përmendet", shprehet Elena, për të cilën, më shumë sesa vetë aktiviteti, e rëndësishme është njohja me kulturën e vendeve të ndryshme, sepse kështu ajo ka mundësi të krijojë lidhjet dhe bashkëpunime me shkollat e kinematografisë. Ajo thotë se është duke shëtitur Evropën Lindore, në mënyrë që të vendosi kontakte me shkollat për të bërë diçka më shumë për Festivalin e Triestes. "Festivali ynë është shumë ndryshe, nga Festivali i Durrësit. Ai ekziston prej 20 vjetësh (për këtë nuk mund të bëhen dot krahasime mes dy aktiviteteve) dhe në gjithë këto vite kinematografia ka ndryshuar mjaft. Të mendoni që ne e kemi nisur festivalin tonë në vitin 1989, kur Evropa kishte një formë tjetër, sidomos kjo pjesë e Evropës ku ndodheni dhe ju. Ka ndodhur me të vërtetë gjithçka, kanë ndryshuar qeveritë, kufijtë, ka ndryshuar kultura, me pak fjalë ka ndodhur një revolucion dhe festivali ynë është adaptuar me të gjitha këto ndryshime. Për këtë arsye them se është koha, ajo që do të vendosi për suksesin e festivalit të Durrësit". Sipas saj, një festival i këtij lloji duhet të ketë të mirëvendosur idenë nëse festivali do të jetë një kryqëzim takimesh komerciale, pra të jetë një merkato filmash, ose të ketë si synim zbulimin e talenteve, filmave të rinj, apo të jetë një lloj studimi mbi atë që ka ndodhur ndër vite.

Filmat shqiptarë

Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Artistik në Durrës, në garë janë katër filma shqiptarë, "Trishtimi i zonjës Shnajder" i Pirro Milkanit, "Mao Ce Dun" i Besnik Bishës, "Sekretet" e Spartak Pecanit dhe "Koha e Kometës" i Fatmir Koçit. Nga këta katër filma në konkurrim, anëtarja e jurisë, Elena Giuffrida, ka mundur të shikojë dhe të njihet vetëm "Koha e kometës" dhe "Mao Ce Dunin".

"Sipas mendimit tim filmat shqiptarë që kam parë deri më tani nuk janë shumë ndërkombëtarë. Mendoj se është e vështirë të eksportohet një kinematografi e këtij lloji. Më duket sikur të tilla realizime janë një rast i humbur, sepse, me sa kuptoj unë, në kinematografinë tuaj, gjithçka mbetet ende shumë e lidhur me atë që ka ndodhur këtu. Gjithçka mbetet shumë lokale, shumë etnike. Unë për shembull gjysmën e filmit të Fatmir Koçit nuk kuptova se çfarë ndodhi. Nuk e di nëse kjo vjen prej skenarit apo sepse jam unë që nuk arrita ta kuptoja, por duke qenë se jam pjesë e një publiku ndërkombëtar, atëherë mendoj se regjisorët duhet të jenë më pak lokalë. T"i sqarojnë pak më shumë ngjarjet në film, sepse shihja se njerëzit qeshnin, por nuk e kuptoja pse", tregon Elena, e cila megjithatë ka bindjen se ka vende për t"u përmirësuar në gjithçka. "E them me bindje këtë, sidomos pasi di dhe njoh kinematografinë e vogël dhe të limituar të Italisë sime, e cila dikur ka qenë për t"u pasur zili. Sepse edhe filmat italianë janë tepër lokalë dhe tepër provincialë, sa është e vështirë të bëhet sensacion si një herë e një kohë. Duhet punuar më shumë në këtë pikë, duhet gjendur një gjuhë, e cila të jetë e kuptueshme edhe për perëndimin, edhe pse kjo është një çështje disi e komplikuar, madje edhe e vështirë për t"u arritur. Unë e kuptoj se filma si ai i Fatmir Koçit, janë filma me një buxhet të madh. Një investim i tillë duhet shfrytëzuar më mirë akoma, sepse nuk mendoj se Shqipëria mund t"i lejojë vetes një film kaq të kushtueshëm", vazhdon më tej ajo. Sipas Elenës, duhet menduar menjëherë një zgjidhje për problemin në fjalë, duke qenë se në Shqipëri ka shumë pak kinema. "Kjo gjendje për regjisorët në fjalë është një arsye më shumë që ata të mendojnë për festivalet ndërkombëtare dhe për një publik të këtij lloji".

Filmat ndërkombëtarë

Ndryshe është mendimi i anëtares së jurisë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, për sa i përket seksionit të filmave të huaj. Nga 11 filma ndërkombëtarë në konkurrim, deri më tani Elena ka mundur të shikojë gjashtë pre tyre. Me një pjesë ajo është njohur edhe në Festivalin e Filmit të Triestes. "Krijimet e këtij seksioni janë me të vërtetë interesante. Ka disa punë shumë të mira, ka varietet dhe më "frikëson" pak ideja se do të na duhet të japim mendim për këtë çështje. Ka disa filma të cilët madje kanë fituar edhe ndonjë çmim të rëndësishëm, e atëherë kjo e shton përgjegjësinë e vlerësimit tim". Dhe ajo e di mirë se sa kujdes duhet treguar në të tilla raste, në një kohë kur për autorët e filmave është gjithnjë e më shumë e vështirë të krijojnë dhe të paraqiten suksesshëm para një publiku, që gjithnjë e më shumë ka përzier shijet kinematografike me ato televizive. "Është frustruese të përjetosh një situatë të tillë, sidomos kur ka njerëz që mundohem shumë të bëjnë kulturë të mirëfilltë. Të bësh kulturë në këto kohë, unë mendoj se është kthyer në një luks dhe në rrezikshmëri. Por, për fat të mirë, ka të tilla festivale që bëjnë të mundur që regjisorët, aktorët, producentët, të takohen dhe të bashkëpunojnë. Kjo të jep shumë ndihmë në krijimtari, në mënyrë që të eliminohet edhe krijimi i humnerës mes autorit dhe shikuesit". Elena Giuffrida shpreson që nisma e ndërmarrë nga organizatorët e festivalit të Durrësit të fitojë sa më shumë rëndësi në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar, për t"u kthyer në një pikë referimi për kinematografinë jo vetëm shqiptare, por edhe ndërkombëtare.


~~~ruani veten nga mallkimi,,,se veq vdekja eshte sherimi
~~~~~~~~!!!!!!~~~~~~~
nderime nga une zemra e kosoves,,,

 
Veröffentlicht : 31/01/2009 10:50 p.m.
Teilen: