Një punëtor në një frigorifer të madh, pronë e një kompanie prestigjioze ushqimesh, teksa një ditë ishte duke ushtruar punën e tij brenda frigoriferit, krejt gabimisht ai mbyll derën e frigoriferit, e cila nuk mund të hapej veçse nga jashtë. Ai trokiti dhe kërkoi ndihmë, por askush nuk iu gjend pranë. Atë orë, ishte ora kur punonjësit largoheshin nga puna dhe veç kësaj, kishte qëlluar ditë e premte dhe vetëm të hënën do të vinin punëtorët në punë. Por gjer atëherë, ai do të kishte ngrirë nga i ftohti. Kështu, ai u ul në një qoshje, në pritje të fundit të tij.
Të hënën, punëtorët u kthyen në punë, hapën frigoriferin dhe panë që kolegu i tyre i vetëmbyllur padashje, kishte ndërruar jetë. Anash tij, ata gjetën një letër të shkruar prej tij, ku shprehte atë që ndiente në ato çaste të fundit të jetës së tij. Në letër ai shkruante:
Tani unë jam i mbyllur këtu brenda në frigorifer. Ndjej që këmbët më kanë ngrirë dhe trupi më dridhet nga i ftohti. E kam të pamundur të lëviz. Jam duke vdekur prej të ftohtit.
Mandej, shkrimi filloi të përkeqësohej derisa shndërrohej në një vijë të dobët dhe që ndërpritej pas pak.
Por, çudia më e madhe nuk ishte vdekja e tij në frigorifer, por fakti që frigoriferi kishte qenë i fikur. Atëherë, lind pyetja: Çfarë i solli vdekjen këtij punëtor fatkeq?!
Ishte pikërisht bindja dhe iluzioni që i ishte tiposur. Ai besonte se përderisa është kyçur në frigorifer me një temperaturë shumë të ulët nën zero, shumë shpejt do të vdiste. Ishte pikërisht kjo bindje ajo që e bëri të vdesë realisht.
Prandaj, thirrja që i bëhet secilit prej jush pas leximit të kësaj ngjarjeje, është: Mos i lejoni fiksimet e gabuara të kontrollojnë jetën tuaj!
Shumë njerëz, refuzojnë kushedi sa oferta të majme për punë, ngaqë u është fiksuar dhe tiposur se janë të dobët dhe të paaftë. Në fakt, e kundërta është e vërtetë.
