Nga Ebu Hurejre r.a. përcillet se e ka dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë: “Tre njerëz nga Beni Israilët, All-llahu xh.sh. dëshiroi t'i sprovojë. Njëri prej tyre ishte zgjeban, i dyti qelan kurse i treti i verbër. All-llahu ua dërgoi një engjëll i cili së pari i vjen zgjebanit dhe i thotë:
“Ç'kishe dëshiruar më së shumti?” Tha: “Më së shumti kisha dëshiruar të kem ngjyrë dhe lëkurë të mirë dhe të çlirohem nga kjo për shkak të së cilës më urrejnë njerëzit”. Engjëlli e fërkoi me dorë dhe prej tij ranë krejt zgjebet dhe e fitoi ngjyrën e mirë (të trupit). (Pastaj engjëlli) Tha: “Cilën pasuri më së shumti e dëshiron?” Tha: “Devetë - ose lopët” (nuk i kujtohet sakt transmetuesit), ai ia jep një deve barsë dhe i thotë: “All-llahu të bekoftë me të!” Pastaj shkoi te qelani dhe i tha:
“Ç'kishe dëshiruar më së shumti?” (Qelani) Tha: ”Flokë të bukura dhe të largohet prej meje ajo prej së cilës njerëzit neveriten nga unë.” Engjëlli e fërkon dhe ai shërohet e i jipen flokë të bukur. (Engjëlli) Tha: “Cilën pasuri e dëshiron më së shumti?” (Qelani) Tha: “Lopët”. Engjëlli ia jep një lopë barsë dhe i thotë:
“All-llahu të bekoftë me të”. Engjëlli i shkon të verbërit e i thotë: “Ç'kishe dëshiruar më së shumti?” (I verbëri) Tha:” Të ma kthejë All-llahu të pamurit, që t'i shoh njerëzit”. Engjëlli e fërkon dhe All-llahu ia kthen të pamurit. (Engjëlli) Tha:
” Cilën pasuri e dëshiron më së shumti?” (I verbëri) Tha: “Dhentë!” Engjëlli ia jep një dele që lind. Te të tre pasuria u shtua e u rrit kështu që njëri (zgjebani) e bëri një luginë me deve, i dyti (qelani) e bëri një luginë me lopë dhe i treti (i verbëri) e bëri një luginë me dele. Pas kësaj engjëlli i vjen zgjebanit në formën dhe pamjen e tij të mëparshme e i thotë: “Unë jam një njeri i mjerë, më janë këputur lidhjet në këtë udhëtim timin, andaj sot askush nuk mund të më ndihmojë përveç All-llahut, e pastaj ti, andaj po të lutem në emrin e Atij që të ka dhënë ngjyrë dhe lëkurë aq të bukur dhe që të ka dhënë kaq deve, të më japësh një deve që të mund ta vazhdoj rrugën”. (Ish-zgjebani, tash pasanik) Tha:
“Jo, unë kam shumë obligime (borxhe). (Engjëlli) I tha:”Sikur po të njoh unë ty, a mos ke qenë një zgjeban nga i cili neveriteshin njerëzit, një i varfër të cilin All-llahu e ka pasuruar! “Tha: “Unë këtë pasuri e kam trashëguar nga të parët e mëdhenj”. (Engjëlli i) Tha: “Nëse po gënjen, le të të kthejë All-llahu në atë gjendje në të cilën ke qenë”.
Engjëlli pastaj i shkon qelanit - por në formën dhe pamjen e tij të mëparshme e i thotë ashtu siç i tha zgjebanit, por edhe ky i përgjigjet ashtu siç iu pat përgjigjur zgjebani. (Engjëlli) Tha: “Nëse po gënjen le të të kthejë All-llahu në atë gjendje në të cilën ke qenë!”
Pastaj engjëlli i shkon ish të verbërit, por në formën dhe pamjen e tij të mëparshme dhe i thotë: “Unë jam i mjerë dhe udhëtar, më janë këputur lidhjet në këtë udhëtim timin, andaj sot askush nuk mund të më ndihmojë përveç All-llahut, pastaj ti. Të lutem me atë që të ka kthyer të pamurit, më jep një dele, që (të ndihmohem me të e) të vazhdoj rrugën”. (Ish i verbëri)
Tha: “Vërtet unë kam qenë i verbër, por All-llahu ma ka kthyer të pamurit, merr vëlla çka të duash dhe lë çka të duash! Pasha All-llahun, asgjë sot nuk të ndaloj të marrësh në emër të All-llahut të Gjithëfuqishëm e të Madhërishëm. (Engjëlli) Tha: “Mbaje krejt pasurinë, ju vetëm keni qenë të sprovuar. All-llahu është i kënaqur me ty, kurse është i hidhëruar me dy shokët e tu”. (Muttefekun alejhi)