Benachrichtigungen
Alles löschen

Misionarja protestante pranon islamin!

1 Beiträge
1 Benutzer
0 Reactions
305 Ansichten
 duda
(@duda)
Beiträge: 3581
Famed Member
Themenstarter
 
[#3224]

Misionarja protestante pranon islamin!
Hatixha Watson: Misionarja protestante pranon islamin! E vërteta në zemër.

Profesoreshë, teologe, misionare, priftëreshë, predikuese fundamentaliste e krishterë, një kandidate jo bash ideale për të pranuar islamin.

Para 6 vjetëve, pasi isha edukuar në kishën e krishterë (së pari si katoliko-romane, e më pas si një e krishtere spirituale "e rilindur"), pasi kisha diplomuar si priftëreshë dhe pasi kisha mbaruar bachelorin dhe magjistraturën e teologjisë, pranova Islamin.

Çfarë e shkaktoi këtë ndryshim radikal?

Gjatë punimit të tezës së magjistraturës kam filluar të dyshoj në shkencat krishtere.

Për 12 vjet me radhë, e kisha bërë shprehi ta lexoja një herë të gjithë Biblën për çdo vit. Këtë e bëja krahas mësimit tim për ide, ligjërime dhe studime. Ndërkohë që i kam shqyrtuar librat e shenjtë, kam vërejtur kontradikta të caktuara. P.sh. të krishterët mësojnë për mëkatin origjinal, Zanafilla 3, ndërkaq Ezekieli 18: 1-22 i kundërvihet kësaj. Nëse kjo doktrinë bazë (e mëkatit origjinal) nuk është e vërtetë, atëherë i tërë krishterizmi shkatërron vetveten.

Gjatë leximit i vëreja këto gjëra dhe atëherë ndërprisja leximin dhe mendoja për to, por për shkak të studimeve të mia kurrë nuk kam pasur kohë që t'i shqyrtoj më afër. Gjatë studimit tetëvjeçar e kemi lexuar Biblën, libër për libër, kapitull për kapitull, varg për varg. Por, kurrë nuk kemi bërë krahasime, prandaj kundërthëniet nuk janë përmendur. Në të vërtetë, ajo ishte hera e parë që kemi studiuar historinë e kishës përmes historisë së sotme, e jo përmes Biblës. Nga ai moment, kam filluar të dyshoj në parimet krishtere që nuk kishin ekzistuar në kohën e Jezusit. Ato kishin filluar, më vonë, në vitin 325 me doktrinën e trinitetit.

Fjala "trinitet", që përmendet në krishterizëm, nuk ekziston në asnjë Bibël në botë, qoftë kur bëhet fjalë për Biblën origjinale në gjuhën greke apo hebraike (pra në gjuhët në të cilat janë shkruar të gjitha Biblat). Doktrina e trinitetit në krishterizëm është formuluar tërësisht vetëm pas Koncilit të 4-të, që ka ndikim edhe në krishterizmin e sotëm. Mirëpo, meqenëse të krishterët atëherë nuk e kishin akceptuar trinitetin, vetëm pas 68 vjetësh është futur në krishterizëm, në koncilin e Nikesë. Që të mund të zhvillohej dhe të formulohej mësimi për inkarnimin, me të cilin Jezusi njëkohësisht mund të ishte edhe Zot edhe njeri, si dhe mësimi për paqësimin apo sakrifikimin e përsosur, është dashur të kalojnë më shumë se 100 vjet.

Vazhdimisht kam ndier një dëshirë të zjarrtë në zemër dhe kam dëshiruar të di më shumë për Zotin Një. Një ditë kam shkuar tek profesori im dhe i kam thënë: Krishterizmi nuk është vetëm ai që mësojmë ne. Ne i themi njerëzve se "përsëri do të lindim", që do të thotë se njeriu pastrohet vetvetiu dhe i lutet Jezu Krishtit që ai të kthehet në zemrën e tij në mënyrë që t'i falen mëkatet dhe që prej tij të bëhet një njeri i ri. Ose se duhet të jesh "i mbushur me Shpirtin e shenjtë" që përsëri të "rilindësh". Kur të hyjë Shpirti i Shenjtë tek ti, ai dikushi fillon të flas gjuhë të huaja (i kam përjetuar të dy rastet, edhe pse nuk janë të pranuar tek të gjithë të krishterët dhe bashkësitë si detyrime).

Mes drejtimeve të ndryshme në krishterizëm ka luftëra dhe dallime teologjike të shumta. Disa protestantë nuk i pranojnë katolikët si të krishterë sepse i luten Marisë, nënës së Isait a.s. dhe i adhurojnë shenjtorët. Baptistët nuk kanë kurrfarë lidhje me jobaptistët. Krahas kësaj, janë edhe metodistët, veslijanerët, presbiterianët dhe me mijëra kisha të pavarura që nuk i përkasin asnjë shkolle. Të gjithë dallohen në shkencën dhe interpretimin e Biblës.

Kam pasur ndjenjën, se atë që bënim ne ishte burim i të gjithave, se nuk kishte nevojë për bashkësi të tilla të ndryshme fetare. Duhej të ekzistonte një ndryshim evident shoqëror rreth nesh. Në vend të kësaj, shoqëria është dekadente dhe në një pozitë më të keqe se sa që ishte para 50 vjetëve! Të ashtuquajturat vende krishtere janë në mesin e vendeve me situatë më të keqe. Profesori im mbylli gojën dhe nuk mundi të më përgjigjej.

Kam vazhduar më tutje dhe në vitin 1993 kam përfunduar studimet e magjistraturës në teologji. Një muaj më pas, kam vendosur të studioj gjuhën gjermane. Njëri nga kolegët e mi ka qenë doktor që kishte kaluar 6 vjet në Dubaj. Jemi shoqëruar dhe kam vërejtur se më pyeste pandërprerë për Dhiatën e Vjetër. Kurse unë, përkundrazi, e pyesja për kulturën në Lindjen e Mesme. Asnjëherë nuk isha e interesuar për fenë islame, edhe pse çështja kryesore e studimeve të mia ishte "veprimtaria misionare". Kemi pasur ligjërata për islamin, budizmin, hinduizmin, animizmin dhe katolicizmin. Gjithashtu kemi studiuar edhe "kulte" të caktuara. Interesimi im ka qenë animizmi, një besim fisnor.

Kur ishim së bashku, kam hetuar se ishte tjetër. Ka dashur vazhdimisht të falet, por në mënyrë krishtere. Kur ishim jashtë, lypësve iu jepte vazhdimisht para. Për këtë madje ka pasur një qese me para të imta në makinën e tij. Një ditë i thashë: sikur mos të të njihja, do të mendoja se je musliman. Pranoi se e kishte pranuar islamin në Dubaj, por kurrë nuk i kishte folur familjes së tij për këtë. Kur ishte kthyer në Filipine, ishte liruar nga feja dhe nuk falej më dhe as nuk e praktikonte fenë. Familja e tij përbëhej nga katolikë të devotshëm. Ai asnjëherë nuk ishte lidhur me kishën katolike, kurse më herët kishte qenë me kishën protestante.

Në atë kohë kam njohur një filipinase, që ishte konvertuar në islam gjatë kohës që kishte punuar në Arabinë Saudite. Atëherë jetoja në Manilë. Edhe pse atje kishte muslimanë, në të vërtetë, nuk i kisha kërkuar ata. Ishte vërtet e çuditshme që në një periudhë të shkurtër kisha takuar dy muslimanë. E dija se Zoti po "ndërhynte" në jetën time përmes situatave plotësisht të thjeshta. Thosha me shaka: Në rregull o Zot, çfarë dëshiron të më thuash?

E kam pyetur ate për Islamin dhe gjëja e parë që e kam pyetur ka qenë trajtimi i femrave. Është e njohur (sikurse mësojmë ne në Perëndim dhe dëgjojmë në media) se muslimanet janë qytetare të rendit të dytë dhe pa kurrfarë të drejtash. Ato duhet të mbulohen me hixhab, sepse burrat e tyre nuk dëshirojnë që t'i shohë dikush. Ato duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe krahas kësaj burri ka të drejtë që t'i godasë! Duke dëgjuar përgjigjen e saj mbeta e hutuar.

Ajo tha se bashkëshortet dhe nënat në Islam respektohen shumë. Më ka sqaruar se gratë mbulohen, sepse ky është urdhër prej Zotit, në mënyrë që gratë të jenë të mbrojtura. Gjithashtu më ka sqaruar se keqpërdorimi nga ana e burrave nuk është pjesë e Islamit. Isha shumë e bindur se ajo që kisha mësuar ishte e drejtë dhe isha e gatshme të ndieja dhembshuri për ato gra të ngrata muslimane të shtypura.

Kur e njoha të vërtetën dhe kur u ballafaqova me mashtrimin që na kishin mësuar, kam filluar që të bëj pyetje më tutje: Kush është Zoti? Kush është Muhammedi për muslimanët? Në atë kohë ligjëroja në kolegj, kështu që pyetjet e mija shkonin mjaft thellë. Ajo më pat thënë se nuk ishte muslimane e kahershme dhe se ajo nuk mund të më përgjigjej për të gjitha pyetjet, por se do të shkonte me mua në një qendër islame ku to të merrja përgjigjet.

Kur kam dëgjuar këtë, e kam lutur Zotin (atëherë kam menduar për Jezusin) se nëse kjo është prej shejtanit dhe djallit (këtë vërtet mendojnë të krishterët për Islamin), atëherë ma trego atë. Në fund nuk kam ndier kurrfarë ndikimi të diçkaje djallëzore, kështu që jam nisur me të (edhe pse me shumë kujdes).

Kam qenë e befasuar se si janë sjellë ndaj meje. Kam studiuar teologjinë krishtere. E di se përdoren shumë strategji dhe metoda nëse dëshiron ta udhëzosh dikë që të pasojë fenë tënde. Ata nuk shfrytëzuan asnjërën prej tyre! Nuk kishte kurrfarë manipulime psikologjike dhe as ndikim të shkathët (të hollë), as shqetësim, as "do të vijmë në shtëpinë tënde dhe do të lexojmë Kur'an", sikurse bëjnë të krishterët, as thirrje telefonike. Ishin korrekt, të sinqertë. Më kanë dhënë libra dhe më kanë thënë se mund të shkoja përsëri nëse kam pyetje dhe se do të më përgjigjeshin me dëshirë. Kam shkuar në shtëpi dhe i kam lexuar të gjitha librat që kisha marrë.

Kam qenë e fascinuar dhe e befasuar. Kjo ishte hera e parë që kam lexuar një libër për Islamin që e kishin shkruar muslimanët. Të gjitha librat që kam lexuar gjatë studimeve prej tetë vjetësh ishin të shkruara nga ana e të krishterëve. Ato libra tregojnë se çfarë mendojnë ata për Islamin. Por ajo çfarë ata mendojnë se është islami dhe ajo çfarë është në realitet Islami, janë dy koncepte (nocione) të ndryshme. Të krishterët janë të sinqertë, por vërtet mendojnë gabimisht.

Ditën tjetër përsëri kam shkuar atje dhe kam diskutuar për 3 orë. Kështu ka kaluar java. Gjatë fundit të asaj jave kisha lexuar 12 libra dhe kisha kaluar më shumë se 15 orë diskutim me ta. Kam studiuar 8 vjet teologjinë krishtere. Në fund të asaj jave mendja ime ka kuptuar se Islami është e vërteta. A e kisha pranuar atëherë Islamin? Jo, sepse edhe atëherë nuk kam qenë dyfytyrëshe. Islami akoma nuk ka qenë në zemrën time.

Njëra prej pyetjeve të para që kam shtruar atë javë ka qenë: Kush është Allahu? Na kanë mësuar se Zoti i muslimanëve është Zot "pagan" (diçka si Zoti-Hindu, por emri i tij është Allah, dhe se atij i luten muslimanët). Kam qenë e befasuar kur kam kuptuar se Allahu është i Gjithëdijshmi, Zoti i Gjithëfuqishëm, se Ai është Krijuesi, Ngadhënjyesi (Mbajtësi) dhe Furnizuesi.

Kjo sigurisht nuk i përgjigjej studimeve të mia për "paganizmin" dhe kam kuptuar: Ai me siguri nuk është Zot pagan. Nuk ka rituale të fshehta as ndërmjetësues. Ai është i Vetmi Zot, pa partner. Kjo i kundërvihet trinitetit, ku Zoti është në tresh: Ati, Biri (Jezusi) dhe Shpirti i Shenjtë, që të tre të barasvlershëm dhe të amshueshëm.

Me kënaqësi do t'i pyesnim shokët e krishterë, ku ishte Jezusi kur është dashur të vdesë në kryq dhe kur ka thënë: ''Eli, Eli, lama sabaktani?''. Domethënë: ''Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?''. (Mateu: 27/46). A i ka folur ai vetvetes: Jo, ai ishte Jezusi njerëzor (shkenca e inkarnacionit, ku Jezusi mund të jetë njëkohësisht edhe Zot edhe njeri).

Ata mund të thonë njeriu e ndien dhimbjen njerëzore. Por sikur të thuhet kjo, atëherë Jezusi nuk do të ishte sakrificë e përsosur (shkenca e faljes), sepse sipas mësimit të krishterë, të gjithë njerëzit janë të lindur me "mëkatin fillestar" d.m.th., me mëkatin që i përcjell njerëzit prej Ademit dhe Evës. Nëse ai do të lindte pa atë mëkat, atëherë do të ishte njeri i mangët dhe nuk do të ishte në gjendje që të kuptonte tundimin dhe dhembjen.

Pyetja e dytë që kam shtruar ka qenë: Kush është Muhammedi a.s. për muslimanët? Kam qenë e befasuar kur kam mësuar se muslimanët nuk i luten Muhammmedit a.s., sikurse veprojnë të krishterët me Jezusin.

Pejgamberi Muhammed a.s nuk është ndërmjetësues. Muslimanët i luten Allahut në fund të faljes (namazit) që ta bekojë Muhammedin a.s. dhe familjen e tij, ashtu sikurse e lusin Allahun që ta bekojë Ibrahimin dhe familjen e tij. Ai ka ardhur me porosinë e njëjtë me të cilën kishin ardhur edhe pejgamberët e tjerë, mes të cilëve edhe Jezusi.

Ajo porosi është se duhet t'i bindemi vetëm Zotit Një dhe të Vërtetë, Allahut. Musa a.s. i ka thënë popullit të tij Izrael: "Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm. Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënde, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde." (Ligji i përtërirë: 6:4-5).

Jezusi a.s ka sjellë të njëjtën porosi: "Dhe Jezusi u përgjigj: ''Urdhërimi i parë i të gjithëve është: "Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot, dhe: "Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!". Ky është i pari urdhërim." (Marku: 12: 29-30).

Të shohim me kujdes: Jezusi a.s ka thënë një Zot, e jo tre në një! Jezusi kurrë nuk ka pohuar se është bir i Zotit sikurse ia veshin njerëzit. Ai gjithnjë është paraqitur si bir njeriu.

Secili pejgamber ka ardhur me porosinë e njëjtë, por kanë ekzistuar dallime në kumtimin e atij mesazhi. Pejgamberia e Musait a.s. ka ndodhur gjatë persekutimit në Egjipt. Pejgamberia e Jezusit a.s. është dalluar me dëbimin e demonëve dhe kthimin e të vdekurve në jetë me ndihmën e Zotit. Ajo që e ka dalluar pejgamberinë e Muhammedit a.s. ka qenë shpallja e Kur'anit fisnik atij, të cilën nuk arrinte as ta lexonte as ta shkruante. Musai dhe Jezusi i ishin dërguar popujve të veçantë, hebrenjve. Në Bibël vazhdimisht përsëriten fjalët: "Dëgjo Izrael, dëgjo Izrael", që janë thënë nga pejgamberët, gjithashtu edhe nga Jezusi. Kur'ani fisnik nuk i është dërguar një populli të caktuar, edhe pse pejgamberi Muhammed a.s. ishte arab dhe ka folur gjuhën arabe. Allahu, në Kur'anin fisnik, thotë (më shumë se 20 herë) se Islami i është dërguar mbarë njerëzimit! ... pjesa e parë

Përktheu: Ajni SINANI


Duaj sa te Duash,nji Dite do te Ndahesh,Jeto sa te Duash,nji dite do te Vdesesh,Vepro si te Duash,nji dite Do te japesh Llogari...???

 
Veröffentlicht : 02/07/2009 6:52 p.m.
Teilen: