Deshprerimi dhe pendimi ne shtratin e vdekjes
Motër e dashur!
Afrohu me mua të mendohesh rreth ndodhive të disave, të cilët në çastin e vdekjes qanin të dëshpëruar dhe të penduar për atë që kishin kaluar.
Shabiu tha: Kur u plagos Omer ibn Hattabi [radijall-llahu anhu], i sollën kos që të pijë. I doli nga goja dhe tha: “All-llahu ekber”, dhe e diti se do të vdes. Ata që ishin aty filluan ta përmendin për punët e tij të mira, kështu që u përgjigj: “Vall-llahi, po të ishte sot gjithçka e imja prej ku lind dielli e deri ku perëndon, do ta jipja që të shpëtoj nga kjo gjendje”.
Më pastaj humbi vetëdijen, ndërsa kokën e kishte në tokë. Biri i tij, Abdullahu, ia vendosi kokën në prehërin e tij, ndërsa kur Omeri erdhi në vete e urdhëroi që kokën t’ia lëshoje në tokë.
Abdullahu i tha: “O baba, toka dhe prehëri im janë të njëjtë”. Omeri [radijall-llahu anhu] prap i tha: “Ma vendos kokën në tokë ashtu si të thashë”.
Dhe ashtu bëri djali i tij.
I fërkoi faqet e tij me dhé, e pastaj Omeri tha: “Mjerë për Omerin, mjerë për Omerin, mjerë për nënën e Omerit nëse All-llahu nuk ia falë Omerit. Nëse vdes, më dërgoni sa më shpejt në varrin tim, sepse, pasha All-llahun, ky është vendi më i mirë ku do të më dërgoni, ose pesha më e rëndë që do të ma ngarkoni”.
Kur u godit Othman bin Afani [radijall-llahu anhu], duke i rrjedhur gjaku i tij filloi të thoshte: “Nuk ka Zot tjetër përveç Teje, me të vërtetë kam qenë nga mëkatarët. O Zot çështjet e mia i mbështes tek Ti dhe të lus të më japësh durim në sprovën time”.
Ndërsa kur u godit për vdekje Selman Farisiu [radijall-llahu anhu], qau. Me këtë rast u pyet se përse qan.
U përgjigj: “Për All-llahun, s’po qaj nga frika e vdekjes, as se po e lë këtë botë, por se Pejgamberi [alejhis-selam] na la testament dhe tha: “Le të jetë për ju kjo botë si gjërat e udhëtimit”. Pas vdekjes së tij u numërua pasuria që e kishte lënë. Arriti vlerën në 30 derhem, e që ishte një sasi shumë e vogël dhe thuajse e pamjaftueshme për jetesë, duke e ditur se Selman Farisiu ishte përgjegjës i qyteteve të Kisras.
Transmetohet se kur iu afrua vdekja Amr ibn Asit, i thirri rojet dhe njerëzit e tij e u tha:
“A mundeni të bëni gjë për mua tek All-llahu?”
Thanë: “Asgjë”.
U tha: “Shpërndahuni nga unë”.
Kërkoi ujë për abdes dhe gjithashtu kërkoi që ta dërgojnë në xhami, dhe e dërguan. Pasi që e drejtuan kah kibla tha: “O Zot, Ti më urdhërove e unë nuk i dëgjova urdhrat e Tua, Ti më dhe amanetin e unë e tradhëtova, mi tregove kufijtë dhe unë i tejkalova.
O Zot, nuk kam arsyetim, prandaj të lutem më fal, nuk kam as fuqi që të fitoj ndaj Teje, jam mëkatar, kërkoj mëshirë pa insistim e pa kryelartësi”. Më pastaj tha: “La ilahe ila ente inni kuntu minedh-dhalimin (nuk ka Zot tjetër përpos Teje, me të vërtetë unë kam qenë nga mëkatarët)”. E përsëriti këtë derisa vdiq.
Kur i erdhi vdekja Muavi ibn ebi Sufjanit [radijall-llahu anhu] tha: “Tash më ulni”.
Pasi që e lanë, filloi ta përmendë All-llahun dhe ta madhërojë, e më pastaj tha: “A tani o Muavi, pas thyerjes dhe dobësimit po e përmend Zotin tënd!!
A s’do të ishte më mirë ta përmendje në freskinë e rinisë? Kjo është kohë e shkurtër”. Filluan t’i rrjedhin lotë derisa filloi të qajë me zë.
Vazhdoi, duke qarë, të thotë: “Kjo është vdekja, prej të cilës askush nuk do të shpëtojë. Ua bëj me dije se pas vdekjes është edhe më idhët e më vështirë”.
Duke vazhduar më tutje tha: “O Zot, mëshiroje plakun e mëkateve me zemër të ngurtë, o Zot pakësoja vështirësitë dhe mëshiroje frymëmarrjen, merre në falje atë që nuk shpreson në askë përveç në Ty”.
Po për të njëjtën temë edhe Ebu Hurejra në prag të vdekjes qau, e i pyetur se përse qanë tha: “Më bën të qajë largësia e fitores, mangësia e devotshmërisë, dobësia e imanit dhe ardhmëria ime që do të më shpie ose në Xhennet ose në Xhehennem”.
Kur iu afrua vdekja Hudhejfe bin Jemani [radijall-llahu anhu] tha: “O Zot, të jam frikësuar, sot të lutem. O Zot, Ti e din se unë s’kam dashur të qëndroj në këtë botë për shkak të lumenjve e as për bukurinë e pemëve, por për kompensimin e ditëve që më kanë ikur pa agjëruar, netëve të gjata pa namaz, shfrytëzimin e kohës dhe pjesëmarrjen time në mesin e dijetarëve”.
Ndërsa kur në momentin e vdekjes Muhammed ibn Munkediri filloi të qajë, e pyeten se përse po qanë, e ai tha: “Nuk po qaj për vdekjen, e as që po e lë këtë botë, por po qaj për atë që më kanë ikur ditë pa agjërim gjatë kohës së verës dhe netë pa namaz gjatë kohës së dimrit”.
Motër e dashur!
Kjo është gjendja e njerëzve të mirë në shtratin e vdekjes; pra lotë, dëshpërim, keqardhje, pendim, lutje. Ishin prej atyre që punonin me dituri dhe vepra, prej atyre që nuk lakmonin këtë botë dhe frikësoheshin, flinin shumë pak dhe në netët e vonshme kërkonin mëshirë.
Sidoqoftë, në momentin e vdekjes, kur largoheshin nga kjo botë, qanin.
Nuk qanin nga dëshpërimi që po e lënë këtë botë, por se do të përshëndeteshin me punët e mira, namazin, agjërimin, zekatin, haxhxhin, leximin e Kur’anit, lutjet dhe istigfarin. Kjo që thamë pasqyrohet qartë në fjalet e Jezid Er-Rrakashit, kur në momentin e vdekjes tha: “Mjerë për ty o Jezid, kush do të falet për ty pas vdekjes?! Kush do të agjërojë për ty pas vdekjes?! O ju njerëz, a s’qani për shpirtrat tuaj e për jetën që ju ka mbetur?!”
Nëse nuk merr mësim nga lotët e njerëzve të ndershëm dhe nga keqardhja e tyre në shtratin e vdekjes, atëherë dëgjo mbi lotët e njerëzve tjerë dhe pendimin e tyre.
Transmetohet nga Abdul Melik bin Mervani, se kur i erdhi vdekja shikoi nga vendi i tij dhe pa një njeri duke i goditur rrobat e tij për pastrim dhe tha: “Ah sikur të isha sikurse ky njeri të jetoja nga fitimet e duarve të mia e të mos e mirrja përgjegjësinë e hilafetit”.
Kur i erdhi vdekja Ebi Shuxha Fenahsiriut, nuk dëgjohej nga ai asnjë fjalë tjetër përveç: “Pasuria ime nuk më bëri fare dobi, u hoq prej meje çdo kompetencë imja”. (Kur'an, El-Hakka: 28-29)
Ndërsa kur El-Muntesirit iu afrua vdekja, filloi të trembet. I thanë: “Nuk ka gjë o Emiri i muslimanëve”. Tha: “Në këtë gjendje thoni se s’ka gjë? Iku dunjaja dhe ahireti, e ju më thoni s’ka gjë, mos u brengos?!
Motër e dashur!
Ti çdo të thuash në shtratin e vdekjes?
Qaj për shkak të pakujdesisë tënde në këtë ditë, për punën e pakët për Xhennetin e largët dhe për mos posedimin e asaj që të shpëtojë nga zjarri i fortë.
Më pas, a nuk të bëjnë këto fjalë që t’i kthehesh devotshmërisë dhe t’i kthehesh All-llahut të Madhërishëm? A nuk do të ngritesh me shpirtin tënd, me një fuqi që gjendjen dhe jetën tënde ta lidhësh me All-llahun Madhërishëm?
Autor:Ebu Merjem Mexhdi ibni Fethi es-Sejid
Marre nga libri: ''Per vajzat para se te pendohen dhe te humbin''
Es selam alejkum...