Seminari për gjuhën,letërsinë dhe kulturën shqiptare , i rritur dekada me radhë prej studiuesish, intelektualësh shqiptarë nuk prezentoi gjithmonë vetëm çështje të studimeve albanologjike por edhe të vërtetën për Kosovën, të kaluarën e saj ndër shekuj", ka thënë në fjalën përshëndetëse, ministri i arsimit z. Enver Hoxhaj
Ky seminar që organizohet në bashkëpunim me Fakultetin Filologjik të Prishtinës dhe Fakultetin Histori - Filologji të Tiranës, është cilësuar si ngjarja më e rëndësishme kulturo-arsimore e shkencore mbarëkombëtare brenda një viti
Fjalën e hyrjes e mbajti prof.dr. Liman Matoshi,drejtor i këtij seminari i cili foli për rrjedhojat zhvillimore të këtij seminari ndër vite. Ai e vlerësoi si ngjarjen më të rëndësishme për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare të realizuar brenda vitit duke shtuar se, interesimi për të marrë pjesë me punime shkencore nga autorë të ndryshëm ishte shumë i madh Drejtori i seminarit z. Matoshi ka shprehur keqardhje që kësaj here nuk kanë pasur mundësi të përfshihen në program të gjithë të interesuarit, njëherësh ka falënderuar për pjesëmarrje dhe interesim të gjithë punëtorët shkencorë ndërkombëtarë që këto ditë do të qëndrojnë në Prishtinë.
Të pranishmit i përshëndeti edhe ministri i Arsimit,Shkencës dhe Teknologjisë prof. dr. Enver Hoxhaj i cili me këtë rast tha se seminari për gjuhën,letërsinë dhe kulturën shqiptare, i rritur për dekada me radhë, është një ngjarje e rëndësishme përmasash gjithëkombëtare. Seminari,ka qenë dhe mbetet një ngjarje e veçantë për Kosovën dhe shqiptarët në Ballkan dhe më gjerë.
Gjenerata të tëra intelektualësh kontribuuan në rritën dhe zhvillimin e tij.
Duke folur për rolin shumëdimensional të këtij seminari, ministri Hoxhaj theksoi se në këtë eveniment, dekada të tëra nuk janë paraqitur vetëm çështjet e studimeve albanologjike por edhe problemet dhe e vërteta për Kosovën, për të kaluarën e saj në mënyrë shkencore .
Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe kryetari i Akademisë së Shkencës dhe të Arteve të Kosovës prof.dr.Besim Bokshi, i cili tha se ky seminar ndër vite ishte urë e fortë komunikimi të ndërsjellë. Vite të tëra seminari ishte hapësirë e dëshiruar dhe respektuese ndaj punës së dijetarëve albanolog,dëshirës për të njohur kulturën e popullit tonë edhe nga studiues të huaj dhe si tillë ishte dhe e vazhdon ende të mbetet inspirim edhe për brezat që vijnë.
Rektori i porsazgjedhur i UP-së, dr. Mujë Rugova është shprehur se ky seminar e mbajti të gjallë kujtesën historike për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe është shembull i mirë i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë .
Punimet e seminarit i shpalli të hapura dekani Fakultetit Filologjik të Prishtinës prof.dr. Nuhi Rexhepi.
Gjatë punimeve të këtij seminari përveç tjerash do të ketë kurse intensive për mësim të gjuhës shqipe nga ndërkombëtarët , tryezë të rrumbullakët që i kushtohet 100 vjetorit të lindjes së gjuhëtarit Selman Riza dhe 30- vjetorit të vdekjes së shkrimtarit Jakov Xoxa. Ditëve në vijim do të ketë ligjërata të ndryshme, sesione shkencore për gjuhën me temë "Shqipja e folur dhe shqipja standarde", sesion shkencor për letërsinë me temë "Romani i sotëm shqiptar" etj .
Seminari i 28 është sponsorizuar nga Ministria e Arsimit , e Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës, Ministria e Kulturës,Rinisë dhe Sporteve e Kosovës, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës së Republikës së Shqipërisë, Rektorati i Universitetit të Prishtinës dhe Rektorati i Universitetit të Tiranës